Përurohet Kulla muze e vëllezërve Gërvalla në Dubovik

Nën përkujdesjen e  komunës së Deçanit, në Dubovik është  mbajt manifestim dhe është bërë edhe  përurimi i kullës Muze Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Oda e Nënës Ajshe.

Ky manifestim është mbajt pikërisht në ditëlindjen e Heroit Jusuf Gervalla. Në këtë manifestim ishte i pranishëm edhe Kryetari i komunës së Deçanit z.Rasim Selmanaj, i cili në fjalën e tij të mbajtur para të pranishmëve tha:

Ky vend dhe kjo ditë për mua kanë një domethënie të madhe personale, sot është ditëlindja e Jusuf Gërvallës, djalit të Dubovikut, i cili me jetën dhe veprën e tij la gjurmë të pashlyera në ndërgjegjen historike të shqiptarëve anë e mbanë. Të gjithë e njohim si atdhetar, shkrimtar, gazetar, muzikant, poet,  Jusufi dhe vëllai i tij Bardhoshi lindën në kullën e Gërvallajve në Dubovik. Si shtet dhe si komunë me krenari bartim përgjegjësinë ta mbajmë gjallë kujtimin për heronjtë tanë. Ne e kujtojmë të shkuarën, por pa e harruar të ardhmen, duam që fëmijëve dhe nipave tanë t’ua lëmë pas këtë shembull të guximit, trimërisë, kulturës, idealizmit dhe atdhedashurisë së këtyre dy vëllezërve, askush nuk mund ta harrojë dhimbjen që shkaktoi në Kosovë vrasja e Jusufit, Bardhit dhe Kadri Zekes, por sot ata prehen në Kosovën e lirë, sot Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla prehen nën bli, në Dubovik, në vendin, i cili më shumë se çdo copë tjetër e rruzullit tokësor përcaktoi qëndrimin, karakterin dhe fatin e tyre, dhimbja jonë ishte e madhe, mirëpo asgjë nuk është më e rëndë sesa dhimbja e një nëne, së cilës i vriten djemtë e saj. Nëna Ajshe këtë dhimbje dhe ndarjen jo vetëm nga djemtë, por nga e gjithë familja e saj e madhe do ta bart deri në fund të jetës së saj.  Nëna Ajshe, pas vdekjes së bashkëshortit të saj Bardhosh Dinës, i cili me pushkë në dorë i kishte mbrojtur këto troje, si në rrafsh, ashtu edhe në Rugovë, u detyrua që djemtë e saj t’i rrisë vetë dhe në kushte shumë të vështira, komunistët jugosllavë jo vetëm që i përndoqën bashkëshortin deri në vdekjen e tij në vitin 1950, por truallin dhe shtëpinë e Gërvallajve, këtë copë tokë në të cilën po qëndrojmë sot, ia dhanë kolonëve malazez, Shaliqit me djem, i cili për shumë vite e terrorizoi këtë fshat.

Si grua e mençur që ishte, Nëna Ajshe gjeti mënyrën e saj për t’i rritur djemtë, shkoi tek të afërmit në Jesenicë të Sllovenisë dhe atje me punën e saj i rriti dhe i shkolloi djemtë.  Pas kthimit në Kosovë, djemtë e shpërblyen Nënën Ajshe, jo vetëm që ia kthyen truallin dhe shtëpinë e vogël, por e bënë të ndihej krenare me ta. Jusufi ndërkohë në Prishtinë ishte kthyer në një prej personaliteteve të rëndësishme të jetës kulturore dhe artistike të Kosovës. Nëna Ajshe, gruaja që nuk iu mundësua asnjëherë të ulej në bankat e shkollës, djemve të saj iu kishte rrënjosur etjen për dije dhe atdhedashurinë, guximin dhe karakterin për të mos u përkulur as ndaj vështirësive të jetës dhe as ndaj padrejtësive. Nëna Ajshe ishte një personalitet i jashtëzakonshëm. Këtë e kemi ndjerë të gjithë ne që kemi pasur rastin dhe fatin të bisedojmë kush më shumë e kush më pak me të.  Personaliteti i saj doli në pah fuqishëm më se një herë. Atëherë kur ia burgosën Hysenin, të cilin e kishte shtyllë të rëndësishme dhe ia detyruan Jusufin të largohej përgjithmonë nga Kosova, kur regjimi jugosllav ia vrau në Gjermani Jusufin dhe Bardhin dhe nuk iu lejoi as të vdekur të kthehen tek nëna e tyre në Dubovik, atëherë kur ky regjim nuk u mjaftua me kaq, por nuk e ndali ndjekjen dhe represionin ndaj familjes së saj, deri sa u largua nga vendlindja edhe fëmija i fundit për kohë të pacaktuar.  Nënën Ajshe nuk e thyen sfidat e jetës, përkundrazi, ajo këtu në Dubovik, në Dukagjin dhe në të gjithë Kosovën u kthye në simbol të qëndresës. Me guximin, qëndrimin dinjitoz dhe mençurinë e saj ajo iu qëndroi pranë familjeve anë a mbanë Kosovës, nënave, të cilave gjithnjë e më shpesh djemtë po iu ktheheshin të vrarë e të masakruar në shtëpi. Me shembullin e saj të qëndresës ajo ishte ngushëllim dhe shpresë për këto familje.

Jam krenar të kem qenë pjesë e bisedave të panumërta dhe të pakrahasueshme të zhvilluara në këtë Odë, ishin kohë të vështira, jo vetëm për Nënën Ajshe, e kam vizituar shpesh, por asnjëherë nuk është ankuar, asnjëherë nuk më ka lënë të kuptoj se është e dëshpëruar apo e lodhur nga jeta dhe vetmia. gjithmonë më ka përcjellë me fjalë të mira. Sot gëzimi është i dyfishtë kur në Dubovik e përurojmë Kullën e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës dhe në të njëjtën kohë ju prezantojmë restaurimin e suksesshëm të Odës së nënës Ajshe, së cilës koha i kishte lënë gjurmët e veta. Bashkë me ministrin Shala do të vazhdojmë edhe me fazën e tretë të punimeve për të përfunduar kompleksin memorial të familjes Gërvalla, nga ky fshat i vogël dukagjinas është shkruar histori, nga Duboviku u përçua mesazhi i qëndrese dhe i lirisë tek shqiptarët në të gjithë botën, deri në Amerikë dhe Australi.  Kemi të drejtë të krenohemi me të gjithë djemtë dhe vajzat tona që luftuan për lirinë e Kosovës, me emrin e Jusuf Gervalles te brigadës heroike 131 të udhëhequr nga luftëtari Daut Haradinaj, luftuan dhe ranë dëshmorë qindra luftëtarë të UÇK-së, kemi të drejtë të krenohemi me Bardhosh dhe Jusuf Gërvallën, me nënën e Dubovikut, nënën Ajshe tha në fjalën e tij kryetari Selmanaj.

Ndërsa Ministri i Kulturës Rinis dhe Sportit z.Kujtim Shala tha se vepra e Vëllezërve Gërvalla është një përmendore e gjallë qe reflekton dije dhe liri, ndaj prej sot kulla e vjetër e Gervallajve  po shndërrohet në një kompleks të rëndësishëm për Historinë e re të Kosovës. Ky muze ka vlerat dhe rëndësinë e tij, ne si ministri kemi obligim që këto vlera ti përjetësojmë në muzeume të ndryshme që edhe gjeneratat tjera të njihen më historinë, kulturën dhe traditën tonë shqiptare.

Përderisa bashkëshortja e Jusuf Gërvalles, znj.Suzana Gërvalla duke falënderuar institucionet e Republikës së Kosovës  për ndërtimin e kësaj kulle, falënderoi edhe institucionet komunale të Deçanit për përkushtimin e treguar që kjo kull dhe oda e nënës Ajshe të jenë Muze i hapur për të gjithë, që të kenë mundësin ta shohin dhe mësojnë historinë e familjes Gervalla më dekada.

 Më këtë rast kryetari i komunës Deçanit  z.Rasim Selmanaj ka nda ,,Mirënjohje Qyteti,, për ish të burgosurin politik, veprimtarin e dalluar të çështjes Kombëtare Hysen Gervalla. Ky manifestim është përmbyllur më një program të pasur kulturo-artistik nga nxënësit e SH.F.M.U ,,Jusuf Gervalla ,, në Prapaqan.

Kontrolloni gjithashtu

Komiteti për Politikë dhe Financa ka mbajtur mbledhjen e rregullt

Këtë të mërkurë Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Ferizajt Xhavit Zariqi, ka mbajtur mbledhjën …