Pjesë nga kujtimet e Brahim M. Berishës, ushtar i Brigadës së Tretë Sulmuese të UNÇSH-së

Pjesë nga kujtimet e Brahim M. Berishës, ushtar i Brigadës së Tretë Sulmuese të UNÇSH-së

(Kujtimet e Brahim Berishës, babai i dëshmorit të UÇK-së,  Maxhun Berisha, lidhen me artikullin e botuar në RKL për Saliko Sulon)

SALIKO SULO MË THA: O, të lumtë, Kosovë, se mendtë që i ka Kosova nuk i ka bota, juve vetëm u ka mungue shkolla se nuk ua kalon kush…

Kur Ushtria Nacionalçlirimtare shqiptare hini në Deçan na jemi zhdjergë prej Çakorrit dhe jemi kthye secili nëpër shtëpiat e veta, rrëfen Brahim Maxhuni dhe vazhon, Brigada e Tretë Sulmuese e UNÇ të Shqipërisë u shpërnda nëpër katunde të Deçanit për me mobilizue rininë e me i marrë në ushtrinë e Brigadës. Baba, me djemtë e parë të katundit, e shkruen vëllaun tem, Avdylin. Po u bana sebep e i thash: Jo, babë, unë du’ me shkue! Baba ma kthej: Jo, ti je kanë në luftë qe tri vjet e kusur, le të shkojë Avdyli e me qet ren le te kryen ushtrinë në radhat e ushtrisë shqiptare. Ja ktheva: babë, ushtria shqiptare ka rregulla të forta, ka disiplinë të madhe, kurse Avdyli asht i ri, asht i rreptë e i pa përvoje e kam dro se mundet me ra në të pa pritme. Edhe baba u pajtue. Në Brigadë hyna në vend të tij dhe deri sa kam dalë prej asaj Brigade në emën të Avdylit më kanë thirrë. Në Brigadën e Tretë kam hy në vjeshtën e vonë të vitit 1944. Brigada e Tretë ka nisë marshimin në formacion luftimi nga Deçani në drejtim të Pejës. E kemi çlirue Pejën, Te Vorret e Gata të Pejës, me vendim të gjyqit ushtarak, e kanë denue me pushkatim nji ushtar: “Vllazën edhe motra merrni vesh gabimin e këtij ushtari, ky nuk asht ushtar po qelbanik se ka desht me marr nderin e shoqes nga Tropoja”. Kemi marshue përpara e kemi ra në Istog, në Rakosh, nëpër Drenicë, Kolashin dhe kemi hy në Mitrovicë. Në Mitrovicë ka hy edhe ushtria e Bullgarisë. Bugari ishte i pa damtuem e i armatosun mirë se deri në atë kohë asnjihere nuk kish hy në luftë. Pesë ditë kemi e mbajt Mitrovicën në rrethim, na ka ardhë urdhni, e përsëri nëpër Rakosh jemi kthye në Istog. Jemi shpërnda konaqeve në Cerrcë, në Lubozhdë dhe në Vrellë. Na ka ardhë urdhëri me sulmue armikun fashist. Në Pazar kish ardhë nji forcë e madhe gjermane.

Të nesërmen jemi ngjitë Bjeshkëve të Thata, te Gurrat e Bardha, nji gju borë, ushtarët e veshun keq, kish edhe të dathun, besa nuk kishim tamam as material lufte, po ishim të mobilizuem vullnetarisht për me i çlirue trojet tona. Kemi kapërcye bjeshkën e kemi dalë në Dragë e Tutinë. Aty na e kanë prue komandantin e Brigadës, Saliko Sulo, sepse qysh morem vesh, Ramiz Alinë e emnuen komandant Divizioni. Në Tutinë, ia kemi ba nji paradë komandantit Saliko Suli e kemi ra në Pazar, aty kemi qëndrue dy ditë, mandej jemi kthye për Peshter e kemi dalë në Senicë, në Prijepole dhe kudo nëpër Sanxhak. Në vendin Gornji Gornje kemi pushe 48 orë ku kemi marrë hetime kah me sulmue anmikun. Aty ishte vendosë një forcë e madhe, nji divizion gjerman me shumë material ushtarak. Ne, brigadat e UNÇl të Shqipnisë, i qitëm në pushim brigadat jugosllave. Kemi marrë hetime 24 orë. Jemi ba devil me beza të bardhë. Ish ftoftë dhe ngricë e madhe. Ushtarëve gjerman ua kemi shti me dorë bombat në pozicione dhe i kemi çue prej atij pozicioni, kemi vra, kemi zanë rob 475 ushtarë, që mendoj ushtari i Hitlerit nuk asht nxanë rob kërkund, as në Ballkan e as në front të Rusit. Aty kemi zanë shumë material ushtarak të luftës që, me e pas qitë në Rrafsh të Kosovës, me qatë material Kosova e kish mbajtë frontin për tre vjet rrotull. Pasi e kemi marrë frontin në dorëzim, aty kemi pushue dy ditë dhe kemi nis marshimin. Kemi vazdhue dy tri ditë udhë e kemi dalë përtej Prijepoles, afër Sarajeves. Deshun, dathë, untë, po kishim shumë vullnet. Na ka ardhë urdhni me dalë në pushim. Erdhen tjera Brigada. Asht ardhë edhe një divizion shqiptar që kish hy prej Shkodre në Ulqin e në Tivar dhe kishin marshue nëpër Mal të Zi. Me atë divizion jemi përpjekë aty.

Unë jam kanë korrier i shtabit të Brigadës së Tretë të Shqipnisë, Osman Sinani komandant, Saliko Sulo, komisar. Ishim tuj shkue në njifarë qafe, në nji gju borë, jemi ulë me pushue pak se ishim shumë të lodhun. Ish dimën i madh, diku pak mbas Vitit të Ri 1945. Dikush e lexonte nji gazetë, dikush tjetër një libër…Nji oficer, fort i zoti, me nji harte të hapur kthehej sa andej sa këndej, dhe po më thrret: O Kosovë, kështu më thirrshin, shko në këtë drejtim, numroi 300 hapa, dhe shiko mos po e sheh nji mur. Kam ecë nja 15 hapa dhe, për me e vërtetue se ku asht interesi dhe fitimi i kësaj lufte, jam kthye e i kam thanë: Po çka po na vyen ai mur? Krejt Shtabi asht kthye kah unë. Ec, ec, më ka urdhnue. I kam numrue 300 hapa, e kam gjetë murin, me tahmin nji metër e gjysmë i naltë, e kam matë me hapa në të tana balltë dhe jam kthye me ketë përgjigje: urdhrin e zbatova, murin e gjeta, kaq asht i nalt, kaq hapa njana anë dhe kaq ana tjetër. Atëherë asht kthye krejt shtabi e më kanë thanë: Po ç’fole ma parë, ti ashtu, ore? U thash, po ç’po na duhet ky mur, në këtë vend kaq larg. Ore ju kosovarët jeni budalla, si ç’po na duhet, kur ta çlirojmë vendin, do t’i zotnojmë kufijtë gjithkah i kemi, ne do të vendosim për vendin tonë. Ish mot i ftoftë, po në zemër m’u dhez nji zjarr i madh, mu mbushën sytë me lot dhe në atë dakikë e kuptova se ky gjak nuk ka me shkue dam, nuk ka me shkue huq, se kjo luftë ka me i ba bashkë trojet shqiptare. Kërkoj falje, po shikoni o burrat e dheut, u thash, unë jam le në mjegull, jam rritë në mjegull e jam kah tutna që kam me vdekë në mjegull, unë po flas prej zemres së plastë e prej të ligave që i kemi provue me shpinë, po edhe tri herë qëkaq ymer me pas, ju politikën e shkaut nuk muni me e marrë vesh, se këta rrejnë, këta mashtrojnë e tradhtojnë shumë, për rrenë e për tradhti këta nuk kanë gajle hiç. Ore, budalla jeni ju kosovarët, më tha, dhe nuk ma morën parasysh hiç fjalën teme.

Ato ditë, aty-këtu, në Brigadë na preku nji smundje që i thojshin tifuz, e ndër ta edhe mue. Nji ditë komandanti i Batalionit, Osman Sinani dhe komisari Saliko Sulo me thanë: Ore kosovar, edhe ti je i smutë dhe merri edhe këta tre ushtarë, nuk e dinë gjuhën serbishte, e kur të bini në spital ti duhet me u përgjigj për ta. Shkuem në Mitrovicë në spital, na vendosën në shtëpia të anglezve në Zveçan. Zveçani dhe Trepça në kohën e Jugosllavisë së kralit janë kanë të Anglisë. Nuk kemi ndejt gjatë në spital dhe nuk ka vonue shumë, edhe Brigada e Divizioni janë kthye në Kosovë. Ka ardhë shtabi i Brigadës dhe i Divizionit në spital me na marrë. Ma së pari janë afrue te unë dhe ma kanë marrë dorën e tue kajt me lot më kanë thanë: O, të lumtë, Kosovë, se mendtë që i ka Kosova nuk i ka bota, juve vetëm u ka mungue shkolla se nuk ua kalon kush… Kjo ishte e vërtetë, u kishin dalë fjaltë e mia, kishin ra nëpër tradhti të jugosllavit, kishin ndëgjue për masakrat që i kishin ba nëpër Kosovë, ua kishin marrë materialin e zënë nga gjermanet, nuk ua ditën për nder mashkujt që i lanë tue luftue me armik, vorret që i lanë kah jemi shkue tue luftue, nuk ua pranuan luftën qe me aq mundime e në mot të keq e banë, se janë të pabesë të zotit, se shkau as ka nder e as ka besë…

 

Përgatiti: Kadri Rexha

Kontrolloni gjithashtu

Sadik Halitjaha

Sadik Halitjaha: MBAJTJA E AKADEMISË PËR GAZETËN E LËVIZJES -ZËRI I KOSOVËS

U konstatua në këtë Akademi se dy numrat e parë të kësaj gazete janë dalë …