Brickos

Policia e Shqipërisë

Policia e Shtetit në Shqipëri në një njoftim publik, u bën thirrje qytetarëve të mos bëhen pjesë e protestave

Në një njoftim publik, Policia e Shtetit thotë se e gjithë shoqëria shqiptare pati të drejtë të sensibilizohej me ngjarjen e rëndë që ndodhi në Laprakë, ku Klodian Rasha u vra nga një efektiv policie, por shton se tashmë drejtësia po bën detyrën, dhe prandaj Policia nuk do të lejojë më asnjë grumbullim që bie ndesh me masat kufizuese kundër COVID-19.

PSH ka përsëritur masat kufizuese që janë në fuqi, duke bërë thirrje për respektimin e tyre, për të shmangur një mbyllje të dytë.

Njoftimi i Policisë së Shtetit:

“Në zbatim të Aktit Normativ, me qëllim respektimin e masave kundër COVID-it për shkak të gjendjen shqetësuese të shkaktuar nga pandemia, nga të gjithë shtetasit në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, për rritjen e sigurisë publike në tërësi nisur edhe nga protestat e fundit, kërkohet zbatimi i masave dhe i protokolleve të miratuara nga Komiteti i Ekspertëve dhe urdhrat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Policia e Shtetit është shumë e vetëdijshme për të drejtën e protestës dhe lirinë e pacenueshme të tubimit. Në kushtet e sensibilizimit të madh të shoqërisë pas tragjedisë së djalit njëzetepesë vjeçar që humbi fatalisht jetën, nga dora e një efektivi policie, Policia e Shtetit e ka pasur të pamundur ta anashkalojë ndjeshmërinë popullore për të mos lejuar asnjë tubim. Por tanimë kur drejtësia po kryen detyrën e saj ndaj autorit të vrasjes dhe kur protestat kanë degraduar në organizime që kanë për qëllim cenimin e rendit publik dhe pronës publike, Policia e Shtetit nuk do të tolerojë asnjë grumbullim që bie ndesh me kornizën aktuale të masave shtrënguese.

Bëjmë apel të mbahen parasysh nga të gjithë, kërkesat e akteve që i përcaktojnë masat shtrënguese për:

  • Ndalimin e grumbullimeve me më shumë se 10 persona në vende të mbyllura apo të hapura, konferenca, tubime, mbledhje partiake, ceremoni festive etj. Mbajtjen e detyruar të barrierave mbrojtëse (maska), në ambientet jashtë shtëpisë;
  • Ruajtjen e distancimit fizik gjatë veprimtarisë së përditshme;
  • Zbatimin e masave nga administrata publike dhe në automjetet e transportit publik;
  • Ndalimin e muzikës pas orës 20:00;
  • Ndalimin e aktivitetit të bareve, lokaleve, restoranteve e ‘fast food’ pas orës 22:00 deri në orën 06:00;
  • Kufizimin e lëvizjes së popullatës nga ora 22:00 deri në orën 06:00;
  • Zbatimin e protokolleve në institucionet arsimore, në të cilat vazhdon kryerja e mësimit;
  • Marrjen e masave administrative dhe atyre penale në rast të shkeljeve dhe mos-zbatimit të masave të veçanta në periudhën e pandemisë së COVID-19.

Në mënyrë që të mos kalojmë në një etapë tjetër të një mbylljeje përtej kufijve të deritanishëm, nga të gjitha institucionet që kanë detyrime, të vazhdohet me seriozitet maksimal zbatimi i Aktit Normativ për zbutjen e efekteve të pandemisë.”

Mesazhi i policisë vjen pas 5 ditëve protesta që përfshinë Tiranën dhe disa qytete të tjera. Vrasja e të riut Klodian Rasha të martën në Laprakë nga Policia e Shtetit, hapi një valë zemërimi. Ditën e dytë të protestës, dha dorëheqjen ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, por protestuesit nuk u mjaftuan.

Ata kërkuan për ditë radhazi largimin e Veliut, por kjo kërkesë u pa si e tepërt nga kryeministri Edi Rama. Përgjatë protestave policia iu kundërpërgjigj protestuesve me gaz lotsjellës, ujë, dhe shoqërime të dhunshme, edhe të të miturve që ndodheshin në protestë.

Kontrolloni gjithashtu

Agron O. Pacolli: Nuk te përkulen dot as burgjet,as plagët e as plumbat që ta qëndisën trupin dhe sërish mbete i pathyeshëm

Sot,me 20 prill,u bënë 25 vite nga rënia e babait, Osman Pacolli. Kur Atdheu kishte …