Skënderbeu në Krujë

Preng CUB LLESHI: Përpara se “Kalorës i Krishterimit”, Gjergj Kastrioti ishte “Kalorës i Lirisë”!

Vendimi i Qeverisë shqiptare për ta shpallur vitin 2018, që shënon 550-vjetorin e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti, si “Viti i Skënderbeut”, ishte një vendim i drejtë. Ishte dhe mbetet i tillë, sepse veprimtaritë, që do të kryhen gjatë këtij viti, do të shërbejnë për ta evokuar epokën e lavdishme skënderbejane, për të shpalosur krenarinë tonë kombëtare dhe për ta përforcuar ndenjën e dashurisë për atdheun dhe të respektit për faqet më me dritë të historisë së Shqipërisë. Veprimtaritë e këtij fillimviti jubilar, të cilat kanë gjetur pasqyrimin e tyre në shtypin e shkruar dhe në masmedian elektronike, duket se synojnë drejt objektivave të qartë, që ka përkujtimi i 550-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar.

Por, krahas ekspozimeve me vlerë, që hedhin dritë mbi figurën e Gjergj Kastriotit dhe epokën e tij, konstatojmë se ka edhe një rikthim tek disa tezave të dyshimta, për të mos thënë tërësisht të gabuara, mbi personalitetin e Gjergj Kastriotit dhe epokën e tij, të cilat sikur e çoroditin opinionin publik. Ky rikthim tek tezat pa bereqet për Heroin tonë Kombëtar duket, midis të tjerave, edhe kur flitet për përkatësinë fetare të Kastriotëve. Se përsëri përralliset që jo vetëm Gjon Kastrioti, por edhe i biri zëmadh, Gjergji e paskan ndryshuar disa herë fenë; qenkan konvertuar here në myslimanë, herë në ortodoksë e herë në katolikë. Dhe, në raste të tilla, pyetja shtrohet: Çfarë synohet me pohime të tilla? A nuk duhet menduar se me këto pohime synohet të zbehet disi drita e të vërtetave historike për Kastriotët legjendarë? Se është për të vënë duart kokës, siç thonë, kur dëgjon edhe historianin e njohur Paskal Milo të thotë, në një emision televiziv, se “Gjergj Kastrioti lindi ortodoks” (?!), kur dihet nga shumica e njerëzve të kësaj bote se askush nuk vjen në jetë me një botëkuptim të caktuar. Truri i fëmijës së sapolindur, siç thonë, është një “tabula rasa”, mbi të cilën shkruhet gjatë viteve të jetës së tij. Pra fëmija nuk lind as katolik, as ortodoks, as mysliman. Besimin ia mëkojnë prindërit e tij gjatë viteve të fëmijërisë.

Prej këndej, për të mësuar se ç`rit fetar kishte për zemër Gjergj Kastrioti, duhet shtruar pyetja: Cila ishte feja e babait të tij, Gjonit?-pyetje që ka gjetur e po gjen përgjigje të ndryshme, kontradiktore me njëra-tjetrën. Për rrjedhojë, në një shkrim gazetaresk është vështirë të jepet një përgjigje shterruese a përfundimtare, si thonë. Sidoqoftë, ca të vërteta historike duhen sjellë për të vërtetuar se babai i Heroit tonë Kombëtar, Gjon Kastrioti ishte katolik! Ndoshta, për këtë të vërtetë dëshmon, së pari, vetë emri “Gjon”. Se kjo trajtë përdoret vetëm nga katolikët! Por, pasi ky arsyetim dikujt mund t`i duket një arsyetim “folklorik”, siç është bërë zakon të thuhet, duhet shkuar më tej. Duhet kujtuar e vërteta e madhe se feja e parë e shqiptarëve, pas besimit pagan, ka qenë katolicizmi, i cili, të paktën në viset e Shtetit të Arbërit, pavarë- sisht zigzageve të historisë, mbeti përsëri “feja e të parëve tanë”!

Për këtë sikur na tregon qartë edhe studiuesi Aleksandër Meksi, i cili, në një studim për Shtetin e Arbërit, të përfshirë në librin “Mirdita-vendi i kuvendeve vetëqeverisëse” të autorit Gjon Marku, duke bërë fjalë për përpjekjet e vazhdueshme që bëheshin në trevat e Arbërisë për ruajtjen e katolicizmit në këto vise, shkruan: “Duke filluar nga Roman Crohensi në vitin 1279 e deri në shekullin e XV, kemi gjithnjë dy radhë paralele peshkopatash katolike në Arbëri e Krujë. “E para varej nga kryepeshkopata e Tivarit, kurse peshkopata katolike e Krujës varet nga kryepeshkopata e Durrësit”. Ky pohim sikur i jep një përgjigje të qartë pyetjes: Cila ishte feja e Gjon Kastriotit? Dhe bëhet e qartë përgjigja e kësaj pyetjeje, kur mbajmë para sysh se, siç pohonte akademiku Dhimitër Shuteriqi, “Gjon Kastrioti “më 1407 pretendon të ketë kisha të cilat … ishin pjesë e peshkopatës së Arbërit. Midis tyre është edhe Shën Mëria e Ndërfanës (në Mirditë-shënimi im). Ai thotë se, që prej 800 vjetësh, peshkopata e Arbërit vendosej në tokat e sunduara prej tij”. Dhe duket se kurorën këtij pohimi ia vë historiania turke Nuray Bozbora, kur shkruan se “Gjon Kastrioti ishte njëri nga princat katolikë të rajonit të Mirditës”. Dhe këtë të vërtetë duket se e shpaloste qartë edhe historiani Kasem Biçoku, kur shkruante: “Ky lumë (Mati) shërbente si kufi ndarjeje me një tjetër njësi administrative, të ndarë në vilajete, të përfshirë në një regjistër të veçantë të emëruar “Defteri i emrit të Gjonit” (Gjon Kastrotit), ku gjendeshin të shënuara edhe fshatrat e vilajetit të Dhimitër Jonimës, që shtriheshin nga Lezha në Rubik”.

 Se, që këto vise i përkisnin Mirditës etnografike, e cila ka qenë në shekuj një oaz i katolicizmit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në gjithë gadishullin e Ballkanit, na dëshmonte edhe Rilindasi Preng Doçi, i cili, qysh në vitin 1885, shkruante: “Lezha bënte pjesë, si edhe më parë, në trevën e Mirditës, që luftonte nën shenjën e Kastriotëve”. Dhe pohime të tilla, me të njëjtën ide, mund të silleshin jo pak nga historianë shqiptarë dhe të huaj. Por, sidoqoftë, edhe pas këtyre, “dikush” shtroka pyetjen: Po i biri i Gjon Kastriotit, Gjergji legjendar, ortodoks paska lindur (?!) në këtë mjedis të pastër katolik?! Edhe ky e paska “ndryshuar fenë” si i ati në rrethana të caktuara historike?! Ndaj edhe ky “dikushi” duhet pyetur: Pse u duhen këto grimca në jetën e Heroit tonë Kombëtar, Zotëri, kur vetë kjo jetë e zbulon atë si një përfaqësues të madh të Rilindjes evropiane, si luftëtar të madh për lirinë e trojeve arbërore dhe, pse jo, edhe si një “Kalorës i Krishtërimit”! në vitet e rëndë të robërisë turke! Se, sikur Heroi ynë Kombëtar të ishte ortodoks, nuk do të mbante lidhje me papët e Romës gjatë gjithë jetës së tij pas vitit 1444, kur organizoi besëlidhjen e Lezhës. Se, po të ishte ortodoks Gjergj Kastrioti, papa Kalisti III nuk do t`i drejtohej atij me fjalët lapidare: “Nuk ka njeri në botë, i cili të mos dijë trimëritë që keni bërë dhe i cili të mos ju lavdërojë gjer në qiell si një kryembrojtës të vërtetë, si një kryeluftëtar bujar të Krishtërimit”. (Fan S. Noli “Historia e Skënderbeut”, f. 167) Se, po të kishte qenë ortodoks, Heroi ynë nuk do t`u kishte lënë amanet princave shqiptarë në vitin 1462: “Kujdesuni që Kombi juaj të rritet nëpërmjet fesë katolike, por mos persekutoni asnjeri që ta ndjekë atë me detyrim”. Po ja që historiani Paskal Milo, pasi na e paraqet Gjergj Kastritin si “të lindur ortodoks” (?!), në një intervistë dhënë një televizioni shqiptar, deklaron atë që pak-kush e beson. “Skënderbeu, thotë ai, ka deklaruar vetë se “jam luftëtar për mbrojtjen e krishtërimit”, ndaj i tillë duhet gjykuar”. (?!) Por një “konkluzion” të tillë nuk mund ta pranojnë shqiptarët as sot e as nesër!

Një “konkluzion” të tillë e hedhin poshtë të vërtetat historike; e hedh poshtë edhe prifti Zef Valentini, kur shkruan: “Ka do elementë të amshueshëm, që e përbajnë atdhetarin sot, si e përbanë motit e do ta përbajnë deri në t’ardhmën ma të largët: Dashunia për vendin e për popullin …e, mbi të gjitha, shpirti i flijimit. Këto e bajnë dje, sot e përgjithmonë Gjergj Kastriotin – idealin e atdhetarit shqiptar e kohën e tij – epopenë ma të shkëlqyeshme që ka pasë ky komb”. (Cituar nga A. Plasari në gazetën “55”, 08.12.2008) Dhe, nëse historiani ynë nuk e beson priftin Zef Valentini e historianët tanë më të shquar, të paktën, ata të gjysmës së dytë të shekullit XX, lë të dëgjojë vetë Gjergj Kastriotin, i cili, në testamentin e tij, të lënë përpara princave shqiptarë në vitin 1462, midis të tjerave, thoshte: “Kushdo që këshillon për të luftuar për hir të Perëndisë është një mashtrues i cili dëshiron të sakrifikojë të vërtetën për interesat e tij”. Po Heroi ynë legjendar shkon më tej kur tregon se kishte vrarë myslimanë, veçse nuk i kishte vrarë si të tillë, “por si tradhtarë”! Dhe merret vesh se tradhtarë ishin ata që u vunë në shërbim të pushtuesve osmanë për interesat e tyre pas kthimit të Heroit në Shqipëri. Për këtë sikur dëshmon edhe strofa e mëposhtme, e shkëputur nga një baladë, që ruhet në bibliotekën e Rajkjavikut që nga shekulli XVI: Vringëllinte rreptë shpata, Kur godiste Skënderbeu; Binin kokat çallmë-gjata, Me gjak hasmi dëndej dheu”! (Gazeta “Zëri i Popullit”, datë 22.09.1983) Po ky historiani ynë shkon më tej, kur risjell përsëri tezën e neveritshme të “çmitizimit të figurës së Heroit tonë Kombëtar”, e cila është kundërshtuar ashpër, midis të tjerëve, edhe nga historiani i shquar Kristo Frashëri, edhe nga shkrimtari Ismail Kadare. “Skënderbeun, thotë ai, si edhe disa të tjerë, duhet ta zbresim me këmbë në tokë”, ta zhveshim nga mitet që janë krijuar për figurën e tij”. Dhe i çudit dashamirësit e historisë ky historian, kur thekson se Rilindasit tanë të mëdhenj e paskam kthyer në mit figurën e Heroit tonë Kombëtar (?!), duke “harruar” dallimet midis krijimit artistik dhe rrëfimit historik. Sidoqoftë, për të mos u zgjatur me citime pa fund kundër “tezës” së çmitizimit të figurës së Gjergj Kastriotit, po i kujtojmë P. Milos pohimin lapidar të historianit të shquar Kristo Frashëri, i cili, qëkur u shtrua kjo “tezë”, pat thënë: “Nëse duhet të “dekonstruktojmë” të ashtuquajturin mit të Skënderbeut, vetëm se atë “e shfrytëzoi Enver Hoxha për interesat e veta”, atëherë duhet të “dekonstruktojmë” edhe të ashtuquajturin mit të Ismail Qemalit apo të Abdyl Frashërit, Sami Frashërit apo Luigj Gurakuqit, Isa Boletinit apo Bajram Currit dhe të figurave të tjera të shquara të historisë së re të Shqipërisë”. (Gazeta “Shqip”, 23.03.2009) Se nuk janë vargje mitikë, po vargje që pasqyrojnë një të vërtetë të madhe historike këto katër vargje të shkëputura nga poema epike “Historia e Skënderbeut” e poetit të madh të Rilindjes Kombëtare Naim Frashëri: “Skënderbeu është i gjallë, Rron e mbretëron në jetë; Kjo fjalë s’është përrallë, Ndaj t’urtit është e vërtetë”.

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – X

-112- Për përdorim të kufizuar J C R Gray Esq                                                                                           Ambasada britanike FCO                                                                                                                     Beograd I …