Përmbushja e misionit fisnik kombëtar nga bilbili i këngës kërçovare, z. Bexhet Jagodini: Mbrojtja e identitetit të Kërçovës përmes këngës dhe shkencës

Prof.Dr.Arber Çeliku: Përmbushja e misionit fisnik kombëtar nga bilbili i këngës kërçovare, z. Bexhet Jagodini: Mbrojtja e identitetit të Kërçovës përmes këngës dhe shkencës

Me Bexhetin njiheshim nga larg, por nuk kishim ndenjur kurrë bashkë. U takuam rastësisht në maj të vitit 2024 në Kërçovë dhe pimë nga një kafe së bashku.

Pasi shkëmbyem disa fjalë kurtuazie të zakonshme, Bexheti ma hapi bisedën për projektin e tij mbi këngën burimore kërçovare, të cilin tashmë e kishte ideuar prej kohësh dhe i ishte rrekur përpilimit të tij. Megjithatë, nga mënyra se si shprehej, dukej sikur ishte në mëdyshje nëse do t’ia arrinte qëllimit për të krijuar një vepër të qëndrueshme sa i përket ftillimit dhe trajtimit të këngës burimore dhe folklorit kërçovar në përgjithësi. Dhe, të jem i sinqertë, mëdyshja e tij ishte e arsyeshme, sepse vërtet është një punë tepër e vështirë t’i rrekesh hulumtimit të këngës kërçovare, e cila, për mua, paraqet thesarin më të çmueshëm të korpusit mbarëkombëtar muzikor, dhe në fund ta ngjizësh atë në një formë të përkryer shkencore.

Pasi ma sqaroi në pika të shkurtra idenë dhe punën e tij deri atëherë, i thashë, me bindje të plotë, se kjo ishte një punë tepër fisnike që duhej vazhduar. U morëm vesh që të ma dërgonte materialin përmes emailit dhe vetëm atëherë do të mund t’i jepja një mendim përfundimtar nëse duhej të vazhdonte deri në botimin e një teksti përfundimtar.

Sapo e mbarova së lexuari, e telefonova, duke e uruar për punën e tij kolosale, dhe e inkurajova të vazhdonte me hartimin e tekstit. I thashë se unë do të isha pranë tij sa herë që t’i duhej ndihmesa ime, duke ia potencuar se e bashkëndieja këtë projekt, sepse askush deri më sot nuk është marrë me hulumtimin e këngës burimore kërçovare në tërësinë e saj nga prizmi hulumtues-shkencor normativ, por edhe metodologjik-didaktik.

Ndoshta ndokush nga lexuesit, që nuk më njeh sa duhet, mund të shtrojë pyetjen: ç’lidhje ka një gjuhëtar me vlerësimin e këngës burimore kërçovare?

Megjithatë, gjuha dhe folklori janë pjesë të pandashme. Për më tepër, gjatë gjithë jetës sime akademike jam marrë intensivisht me etnogjenezën e gjuhës shqipe dhe, nga hulumtimet e mia gati tredekadëshe, jam i bindur se gjuha shqipe është njëra ndër gjuhët më të vjetra të familjes së madhe indo-evropiane. Pikërisht shtrirja e studimeve në këngët burimore të trevave tona, sidomos në këngën burimore kërçovare, do ta përforcojë edhe më tej konstatimin shkencor për lashtësinë e gjuhës shqipe, pasi ato përmbajnë fjalë vërtet shumë të vjetra dhe autoktone, të cilat, përmes metodës së rikonstruimit gjuhësor, do të paraqesin dëshmi shtesë të pakontestueshme për etnogjenezën dhe lashtësinë e saj.

Dua të them se, në njëfarë mënyre, mua dhe Bexhetit na u kryqëzuan rrugët në këtë qëllim të përbashkët hulumtues-shkencor: ai për të ftilluar, trajtuar dhe dokumentuar këngën burimore kërçovare si perlë të vërtetë të korpusit mbarëkombëtar shqiptar, ndërsa unë për të shtrirë më tej hulumtimet e mia në fushën e etnogjenezës së gjuhës shqipe.

Libri në fjalë është konceptuar në mënyrë të tillë që të jetë i kapshëm jo vetëm për specialistët e folklorit, por, me karakterin informues që bart, edhe për publikun e gjerë. Bexheti ka përdorur një metodologji të dendur dhe të gërshetuar me kujdes, duke ngërthyer si qasjen diakronike ashtu edhe atë sinkronike. Teorikisht është mbështetur mirë në autorë dhe hulumtues eminentë të folklorit kërçovar, ndërsa, sa i përket pjesës empirike, lirisht mund të thuhet se ajo është shtjelluar deri në përsosmëri, duke përfshirë intervista dhe bashkëbisedime me kolosë të këngës burimore kërçovare, si Xha Lati, Meti Spahiu nga Cërvica etj., për të vazhduar më tej me paraqitjen e një korpusi të plotë të këngëve burimore kërçovare, të cilat Bexheti ka filluar t’i mbledhë që në rininë e tij të hershme.

Të veçantë këtë libër e bën edhe “portali”, po e quaj kështu, i këngëtarëve kërçovarë nga fillesat e hershme e deri më sot, duke përfshirë emra që vërtet meritojnë respekt të veçantë.

Librin e autorit Bexhet Jagodini me titull Kënga që flet me rrënjë: Kërçova në zemrën e folklorit shqiptar do të ishte pak ta quanim thjesht një monografi të këngës burimore kërçovare. Me bindje të plotë po e them se ai përbën një enciklopedi të këngës burimore kërçovare.

Bexheti dëshmon shkencërisht se kënga kërçovare është unike në formën e krijimit dhe interpretimit të saj, duke relativizuar tezën se ajo qëndron ndërmjet gegërishtes dhe toskërishtes, siç pretendojnë shumica e studiuesve të folklorit shqiptar, të cilët shpesh bien në grackën e ndarjeve thjesht gjeografike. Ai dëshmon se kënga kërçovare është një mjaltëzim trifonik (trezërësh), i interpretuar nga një zë kryesor i mjaltëzuar deri në hyjnor dhe dy zëra mbajtës, duke krijuar një interpretim jashtëzakonisht homogjen, vokalisht të përkryer dhe në harmoni të plotë me shoqërimin instrumental.

Me të drejtë, autori në libër ngre alarmin për ruajtjen dhe konservimin e kësaj perle të këngës sonë nga institucionet shtetërore mbarëkombëtare, sepse, në një shtet të mirëfilltë, kënga burimore kërçovare sot do të ishte në nivelin e flamengos spanjolle apo shansonës franceze.

Me këtë rast po theksoj se këngët burimore kërçovare të mbledhura dhe të sjella në këtë libër, në formën e një thesari të çmuar kombëtar, përmbajnë edhe shumë fjalë të vjetra dhe autoktone shqipe, të cilat në të ardhmen kam ndërmend t’i shtjelloj në një punim shkencor të veçantë, ashtu siç kam bërë për dekada me radhë në promovimin ndërkombëtar të gjuhës shqipe, veçanërisht për studiuesit anglisht- dhe gjermanishtfolës.

Në fund, marr të drejtën të falënderoj të gjithë donatorët, kryesisht atdhetarët tanë që jetojnë dhe veprojnë në SHBA, për ndihmesën financiare në daljen në dritë të këtij libri me vlerë të jashtëzakonshme për Kërçovën dhe më gjerë, si dhe të gjithë ata që do të shprehin gatishmërinë e tyre për të kontribuar edhe më tej në vazhdim.

Kontrolloni gjithashtu

Adem Lushaj: Ahmet Qeriqi, zëri që nuk do të shuhet kurrë!

Zymer Mehani: Për Profesor Ahmet Qeriqin – Në përvjetorin e lindjes

Fjala jote s’u shua, as nuk u tret, u bë dritë për brezat, u bë …