Në qytetin piktoresk të Pogradecit u hap ekspozita e piktorit, Haxhi Kastrati në Galerinë e Arteve. Para një numri të konsiderueshëm të vizitorëve, dashamirëve të artit dhe piktorëve vendor. Nënkryetarja e Bashkisë së Pogradecit e bëri hapjen e ekspozitës së artistit, ndërsa unë si kurator i ekspozitës e prezantova artistin me ciklin e veprave të fundit, “Zogjët e lirisë” punuar gjatë viteve 2023 – 2025.
Piktori akademik Haxhi Kastrati para dashamirëve të artit në Pogradec prezantohet me 40 vepra të reja artistike një ekspozitë që përfaqëson kulmin e krijimtarisë së tij gjatë dy viteve të fundit (2023–2025). Këto vepra, të titulluara “Zogjtë e lirisë”, janë fryt i një krijimtarie të pandalshme dhe një përkushtimi të thellë ndaj artit, që ka karakterizuar jetën dhe veprën e tij që nga hapat e parë në pikturë.
Piktori Haxhi Kastrati, një emër tashmë i njohur jo vetëm në skenën artistike të Kosovës por edhe në atë shqiptare dhe ndërkombëtare, ka ndërtuar një karrierë të qëndrueshme dhe të pasur në rrjedhën e dekadave. Ai është një krijues i cili me një përkushtim të jashtëzakonshëm i është qasur artit që prej fillimeve të tij, duke mos reshtur kurrë së eksploruari e zhvilluari gjuhën e tij vizuale. Gjithmonë i lidhur shpirtërisht me vendlindjen dhe natyrën që e rrethon, ai është mishëruar me pamjet, motivet dhe frymën e Alpeve Shqiptare, të cilat kanë mbetur boshti i pandryshueshëm i veprës së tij artistike.
Krijimtaria e tij është një sintezë harmonike mes kujtesës vizuale dhe emocionale, ku natyra, drita, ngjyrat dhe forma shndërrohen në simbolikë shpirtërore. Në ekspozitën e hapur në galerinë e qytetit të Pogradecit, një nga qendrat më të gjalla kulturore të juglindjes së Shqipërisë, Kastrati paraqitet me punime që përfaqësojnë një cikël të rëndësishëm të zhvillimit të tij stilistik dhe estetik.
Cikli më i fundit, “Zogjtë e lirisë”, i realizuar në teknikën e akrilikut gjatë viteve 2023–2025, është një dëshmi e freskët dhe e fuqishme e shprehjes ekspresive të artistit. Peizazhet e Bjeshkëve të Nemuna, format e natyrës së egër, struktura e relievit dhe larmia e florës dhe faunës shndërrohen në një univers piktural ku ngjyra dhe drita janë protagonistët kryesorë.
Ngjyrat e përdorura në këto vepra janë të ngrohta, të pasura dhe të përzgjedhura me kujdes për të krijuar kontraste të forta emocionale dhe vizuale. Autorit i intereson jo vetëm kompozimi formal, por edhe ndërthurja e ndjenjës dhe konceptit në mënyrë që të krijojë një përvojë të gjithanshme për shikuesin. Në to dominojnë ngjyrat e kuqe, okër, blu dhe nuancat që e lidhin veprën me elementet e natyrës, por që njëkohësisht bartin një simbolikë të fuqishme të lirisë, shpirtit dhe individualitetit.
Në këtë cikël, Kastrati shpërfaq dy elemente kryesore që kanë qenë gjithnjë pjesë thelbësore e opusit të tij: ngjyrën dhe dritën. Ai përdor ngjyrën jo vetëm si mjet estetik, por si një gjuhë emocionale për të komunikuar thellësinë e ndjenjës dhe reflektimit filozofik mbi natyrën dhe jetën. Drita, nga ana tjetër, nuk është thjesht një element teknik, por një simbol i shpresës, i frymëzimit dhe i shpalosjes së së bukurës.
Në veprat e këtij cikli vërehet një trajtim i veçantë i dritës dhe hijes, që shprehet përmes përdorimit të formave gjeometrike dhe strukturave të rafinuara kompozicionale. Kjo qasje e bën veprën jo vetëm një peizazh i bukur për syrin, por edhe një reflektim mbi ndjeshmërinë njerëzore dhe lidhjen e njeriut me natyrën.
Zhvillimi artistik i Haxhi Kastratit është ndarë në katër faza kryesore stilistike që dëshmojnë për kapacitetin e tij për të eksperimentuar dhe evoluar:
Faza e parë Realizmi (1974–1978): Një periudhë e ndikuar nga shkolla klasike e artit, me përqendrim në përshkrimin e besueshëm të realitetit.
Faza e dytë Ekspresionizmi Fantastik (1979–1981): Një qasje më imaginative dhe simbolike, ku realiteti transformohet në figura mitike dhe metafora të fuqishme.
Faza e tretë Ekspresionizmi Abstrakt (1985–2000): Një periudhë e pjekurisë artistike ku forma dhe ngjyra shndërrohen në gjuhë të pastër emocionale.
Faza e katërt Ekspresionizmi Ekspresiv (2000–2025): Faza më e fundit, ku artisti arrin një sintezë të të gjitha përvojave të mëparshme, duke zhvilluar një stil unik dhe të identifikueshëm.
Haxhi Kastrati ka qenë një pjesëmarrës aktiv në jetën kulturore të Shqipërisë dhe më gjerë. Ai ka ekspozuar në qytete të ndryshme të vendit si Tirana, Fieri, Berati, Shkodra, Korça, Saranda etj., ndërsa në skenën ndërkombëtare ka qenë pjesë e bienaleve prestigjioze të vizatimit, pikturës, skulpturës dhe grafikës, si dhe i shumë kolonive artistike. Është laureuar me disa çmime të rëndësishme në Kosovë dhe jashtë saj, çmime që dëshmojnë jo vetëm për cilësinë e lartë të veprës së tij, por edhe për kontributin e vazhdueshëm në artin bashkëkohor shqiptar.
Në përmbyllje, ekspozita “Zogjtë e lirisë” është më shumë se një shfaqje pikturash është një rrëfim i thellë vizual për natyrën, shpirtin dhe përpjekjen njerëzore për liri dhe identitet. Ajo fton shikuesin në një dialog të heshtur me tablotë, një dialog që zgjat edhe pasi ekspozita mbyllet – njësoj si jehona e zogjve që fluturojnë lart mbi majat e Alpeve Shqiptare.
Pogradec, 10.10.2025