Prof.dr. Sabile Keçmezi- Basha: JATAKËT DHE BUNKERËT E LIRISË - FAMILJA E SIMON GJOKËS, JATAK I DEVOTSHËM I CAFO BEGUT (46)
Simon Gjoka dhe Rrok Simoni

Prof.dr. Sabile Keçmezi- Basha: JATAKËT DHE BUNKERËT E LIRISË – FAMILJA E SIMON GJOKËS, JATAK I DEVOTSHËM I CAFO BEGUT (46)

Simon Gjoka, nga fshati Shën Gjergj, përfaqëson një nga figurat më të spikatura të solidaritetit dhe besnikërisë së asaj kohe. Ai ishte gjithmonë i gatshëm të hapte dyert e shtëpisë së tij për Cafo Begun—pa kushte, pa frikë dhe pa hezitim. Qoftë ditë apo natë, verë apo dimër, dera e tij qëndronte e hapur, duke u shndërruar në një portë shpëtimi dhe besimi për një luftëtar që kërkonte mbijetesë në errësirën e kohëve të ndjekjes. Për dy vjet rresht, Cafoja gjeti në shtëpinë e Simonit një strehë të sigurt, një vend ku ruhej jo vetëm jeta, por edhe dinjiteti i tij prej atdhetari.

Por besnikëria e madhe sjell gjithmonë rrezik të madh. Në rrjetin e ngatërruar të informatorëve dhe strukturave të ndjekjes, dikush kishte pëshpëritur emrin e Simon Gjokës si strehe e mundshme e Cafos. Organet e UDB-së, të gatshme në çdo orë të ditës për t’i rënë pas çdo informacioni, nuk vonuan të mbërrinin te kjo familje. Bastisjet ishin të shpeshta, brutale dhe të paparalajmëruara. Kontrollonin çdo hapësirë të shtëpisë, çdo qoshe të oborrit, dhe shoqëroheshin me maltretim të familjarëve, të cilët shpesh mbeteshin të rrahur e të kërcënuar, vetëm pse kishin një derë të hapur për një njeri idealist.

Megjithatë, çdo bastisje dilte e kotë. Cafoja asnjëherë nuk gjendej. Pozita e Simon Gjokës dhe aftësia e tij për të ruajtur sekretin, si dhe për ta kamufluar strehimin në mënyrën më të sigurt të mundshme, bënë që të gjitha përpjekjet e pushtetit të dështojnë. Edhe pse familja jetonte në një gjendje të vazhdueshme alarmi dhe frike, asnjë prej tyre nuk u thye, nuk u dorëzua dhe nuk e tradhtoi ndonjëherë besimin e Cafos.

Kështu, figura e Simon Gjokës dhe e familjes së tij qëndron si një monument morali dhe burrërie, që dëshmon se rezistenca nuk bëhet vetëm në male me armë, por edhe brenda mureve të një shtëpie të thjeshtë, ku fjala e dhënë—besa—është më e fortë se dhuna, frika dhe kërcënimi i pushtetit.

Megjithëse nuk mundën ta gjenin kurrë Cafon në shtëpinë e Simon Gjokës, organet e pushtetit ishin të bindura se Simonit dhe familjes së tij u ishte e njohur vendstrehimi i tij. Për këtë arsye, UDB-ja nisi të ushtronte presion të vazhdueshëm mbi ta. Torturat ndaj Simonit dhe dy djemve të tij, Rrokut dhe Gjergjit, u bënë mjetet kryesore të hetimit—një barbarizëm i sistematizuar që synonte thyerjen e dinjitetit dhe detyrimin e familjes të jepte informacion. Hetuesit u vunë atyre një ultimatum të qartë: Cafoja duhej të dorëzohej, i gjallë ose i vdekur. Por stoicizmi i familjes Gjoka thyen çdo pritshmëri të pushtetit; ata nuk folën, nuk u dorëzuan dhe nuk e shkelën besën.

Pasi metodat e zakonshme të dhunës nuk dhanë rezultat, udbashët vendosën të ndërmerrnin një plan të ri, të çuditshëm dhe të rafinuar në perfiditetin e vet. Ata e morën Rrok Simon Gjokën dhe, nën petkun e patriotizmit të imponuar, e dërguan si “vullnetar” në aksione pune në Nikshiq. Zyrtarisht, ai duhej të ishte pjesë e brigadave vullnetare që kryenin punime infrastrukturore. Por në të vërtetë, misioni i tij ishte krejt tjetër: t’i shërbente UDB-së si sy e veshë brenda terrenit për të zbuluar vendstrehimin e Cafit dhe shokëve të tij.

Rroku, i vendosur midis detyrimit të dhunshëm dhe ndërgjegjes së tij kombëtare, u gjend në një lojë të rrezikshme. Ai ishte i detyruar të lëvizte mes njerëzve pa u identifikuar si agjent kërkimi, të kamuflonte çdo lëvizje të vetën, të kërkonte gjurmë të Cafit ndërkohë që ruante me fanatizëm faktin se nuk ishte aty për aksionin vullnetar. Fshihte fytyrën, shmangte kontaktet dhe e jetonte çdo ditë me frikën se mund të zbulohej—qoftë nga populli që e njihte, qoftë nga vetë organet e pushtetit që kërkonin ta përdornin.

Ky episod shpalos nivelin e ndërlikuar të presionit psikologjik dhe të manipulimit që aparati represiv ushtronte mbi familjet e lidhura me lëvizjen ilegale shqiptare, por njëkohësisht edhe qëndresën e tyre morale, që shpeshherë e kalonte heroizmin e armëve. Pas shumë muajsh kërkimi të ethshëm dhe pas çdo takimi me hetuesit, Rroku përballej me tortura të vazhdueshme. Çdo kthim i tij pa lajme të reja për Cafon përjetohej nga udbashët si dështim i tyre, por edhe si dështim i tij personal; ndaj dhuna mbi të rritej në mënyrë të egër dhe të pandërprerë. Hetuesit, të zhytur në frustrimin e paaftësisë së tyre, sa herë që nuk merrnin informacionin e kërkuar, e shkarkonin mllefin mbi trupin e Rrokut.

Një ditë, ndjenja e tyre e humbjes dhe zemërimi i grumbulluar i çuan drejt një vendimi fatal: hartuan planin për ta eliminuar Rrokun. Vrasja e tij do të shërbente si mbulim për dështimin e tyre, një mënyrë për të ruajtur autoritetin e aparatit represiv në sytë e eprorëve. Por Rroku, me një intuitë të mprehtë dhe me përvojën që e kishte stërvitur dhuna, e kuptoi rrezikun që po afrohej. I alarmuar, lajmëroi familjarët.

Në këtë moment kritik, Simon Gjoka, kryefamiljari i familjes, tregoi një zgjuarsi dhe qetësi që përngjasonin me mjeshtërinë e një strategu të vërtetë. Përballë një rreziku që vinte nga një aparat shtetëror i pamëshirshëm, ai hartoi një plan edhe më të rafinuar se ai i udbashëve. Për të shpëtuar të birin, familja vendosi të inskenonte vdekjen e tij.

Në mënyrë të organizuar dhe të menduar deri në detaj, ata e paraqitën Rrokun si të mbytur në lumin Buna. Para se të zhdukej, Rroku kishte lënë tri letra, të cilat shërbenin si “dëshmi” e fundit e jetës së tij. Në to, ai shpjegonte se dhuna, ndjekja e pamëshirshme dhe zullumi i ushtruar ndaj tij dhe familjes së tij e kishin çuar drejt aktit ekstrem të vetëvrasjes. Letrat ishin të shkruara me një gjuhë të brishtë, por të bindshme, duke krijuar përshtypjen se ai ishte viktimë e një presioni të padurueshëm psikologjik.

Kështu, në një lojë të rrezikshme midis jetës dhe vdekjes, familja Gjoka i parapriu vrasjes së planifikuar nga UDB-ja duke sajuar një version të kontrolluar të “vdekjes” së Rrokut—një akt që kërkonte guxim, mençuri dhe një gatishmëri për t’u përballur me pasojat e rënda që mund të vinin më pas.

Ky episod dëshmon se rezistenca e këtyre familjeve nuk ishte vetëm fizike, por edhe intelektuale: ata iu përgjigjën dhunës me strategji, brutalitetit me mençuri, dhe pushtetit me një formë të heshtur, por madhështore të mbijetesës kolektive.

Pas inskenimit të vdekjes së Rrokut, familja e Simon Gjokës u detyrua t’i bindet ritit të vjetër të zisë, duke shpallur një vit të tërë zije për djalin që, sipas paraqitjes zyrtare, ishte mbytur në ujërat e Bunës. Shtëpia e tyre u kthye në një vend pelegrinazhi të dhimbjes, ku njerëz nga fshati e më gjerë vinin e shkonin për të shprehur ngushëllimet. Gratë e shtëpisë, të përfshira në lojën tragjike të fatit, vajtonin me ligje e lot të vërteta, sepse ndonëse Rroku ishte gjallë, dhimbja e përditshme e pasigurisë dhe e rrezikut që e shoqëronte ishte po aq e rëndë sa humbja. Zëri i tyre kumbonte në dhoma e oborr, duke përzier brengën reale me dramën e nevojshme që duhej të besonte i gjithë fshati. Kështu, shtëpia mori pamjen e një familjeje të thyer, edhe pse në thellësi të shpirtit ruhej një grimë shprese për djalin që po fshihej nga syri i pushtetit.

Ndërkohë, në të vërtetë, larg syve të të gjithëve, po zhvillohej një akt i shkëlqyer i strategjisë dhe kurajos. Në fshatin Sutjel, në pronën e Koliq Gjokës—rreth shtatë kilometra larg Shtoit—Gjergj Gjoka, vëllai i Rrokut, kishte ndërtuar me mjeshtëri një strukturë të pazakontë: një mullar të madh me barishte kënete, i cili në pamje të parë nuk dallonte nga asgjë tjetër e zakonshme e fshatit. Por në brendinë e tij fshihej “Shpella”: një bunker i improvizuar, i përgatitur me kujdes për të shërbyer si strehë e sigurt për Rrokun.

Ky vendstrehim ishte më shumë se një hapësirë fizike; ishte simbol i krijimtarisë së pashtershme të rezistencës shqiptare, e cila e ndërtonte mbijetesën me mjete të vogla, por me mendje të madhe. Mullarët e barit, që zakonisht mbulonin nevojat e bagëtive, këtu shndërroheshin në mburojë kundër një aparati të tërë shtetëror që ndjekjen e kishte filozofi sundimi. Brenda atij mullari, Rroku gjente jo vetëm mbrojtje fizike, por edhe një hapësirë shprese—një copë lirie të fshehtë në një kohë kur liria ishte ndër sendet më të rralla.

Ky episod dëshmon sesi familjet e thjeshta shqiptare, me një inteligjencë të natyrshme dhe një guxim që vjen nga vetë struktura morale e tyre, sfiduan hapur dhunën dhe mekanizmat e një shteti represiv. Ishte një lojë e rrezikshme, ku çdo gabim mund të kushtonte jetë, por që u luajt me aq finesë saqë historia e ruan si shembull të rrallë të rezistencës së heshtur.

Pas më shumë se tre muajsh qëndrimi në bunker, ku Rroku jetonte i fshehur brenda mullarëve të barit si një hije mes jetës dhe vdekjes, fati iu kthye papritur në krah të kundërt. Një ditë, disa rojtarë kufiri, gjatë patrullimeve të tyre të zakonshme, u ndeshën rastësisht me vendstrehimin. Zbulimi ishte i beftë dhe i rrezikshëm, por Rroku, me refleksin e një njeriu të mësuar me ndjekjen, doli me shpejtësi prej aty dhe u zhduk në drejtim të malit të afërt, duke shpëtuar kështu nga kapja e menjëhershme.

Lajmi për zbulimin e strehimit u përhap shpejt në rrjetin e organeve të sigurimit, dhe të nesërmen në mëngjes, shtëpia e Simon Gjokës u rrethua nga forca të shumta të UDB-së. Ata e morën Simonin me vete për në Ulqin, duke e shoqëruar me dhunë dhe akuza për guximin “kriminal” të fshehjes së të birit. Në hetuesi, Simon Gjoka duhej të përballonte torturat dhe presionin psikologjik të një aparati që kërkonte me çdo kusht të gjente dikë për t’i veshur fajin e dështimeve të veta.

Megjithatë, Simoni, me qetësinë dhe mençurinë që e karakterizonte, luajti sërish rolin e burrit të urtë dhe të habitur. Ai u tha hetuesve me një ton të prerë, por të matur, se djali i tij kishte më shumë se tre muaj që ishte mbytur në lumin Buna, dhe se e gjithë familja kishte shpallur zi për të. Me ironi të hollë dhe me një siguri të brendshme që e çarmatoste logjikën brutale të hetuesve, ai shtoi: “Po të jetë gjallë djali im, unë do të pres një ka dhe do t’ju ftoj të gjithëve në darkë.”

Kjo deklaratë, e thënë me bindjen e njeriut që ka përfunduar të gjitha ritualet e një “vdekjeje”, krijoi një çarje të vogël në narrativën e hetimit, duke i vënë udbashët përballë vetë mashtrimit që kishin marrë si të mirëqenë.

Ndërkohë, Rroku, pas zbulimit të bunkerit dhe arratisjes nga vendngjarja, nuk kishte më mundësi të kthehej në Sutjel. Ai u zhvendos në Shtojë, ku u strehuan tek motra e tij, në shtëpinë e familjes së Gjekë Pjetër Hirit. Kjo lëvizje shënoi fillimin e një etape të re të jetës së tij në ilegalitet, ku rrjeti i familjes dhe jatakëve vazhdoi ta mbante të gjallë përballë forcave të një regjimi që nuk njihte kufij në ndjekjen e tij.

Për shkak se qëndrimi i gjatë në jatak ishte bërë jashtëzakonisht i rrezikshëm, dhe përballja me bastisje, tortura e kërcënime nuk po shuhej, Simon Gjoka u detyrua të marrë një vendim të dhembshëm, por të pashmangshëm: ai vendosi të braktiste gjithçka dhe të kalonte kufirin bashkë me familjen. Ky hap nuk ishte vetëm largim fizik nga vendlindja, por një akt i dhimbjes së thellë, i një njeriu që kupton se dashuria ndaj idealit duhet të balancohet me detyrën për të mbrojtur jetën e të afërmve.

Pas një kohe, Jugosllavia kishte shpallur një amnisti të gjerë, duke premtuar se të gjithë ata që nuk kishin “duart e përlyera me gjak” mund të falen e të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Prej kësaj dritare të brishtë shprese, Simon Gjoka, së bashku me shumicën e anëtarëve të familjes, mori rrugën e kthimit drejt Malit të Zi. Vendimi ishte një kumt i asaj kohe të trazuar: mes frikës së ndjekjes dhe iluzionit të faljes, familja Gjoka zgjodhi rrugën më pak të dhunshme, duke besuar se drejtësia e tyre personale do të fitonte ndaj një sistemi represiv që i kishte përndjekur për vite.

Por kthimi në Jugosllavi nuk ishte i menjëhershëm, as i lehtë. Posa mbërritën në territorin jugosllav, Simoni dhe djali i tij Rroku u thirrën në hetuesi. Javë të tëra u testua çdo fjalë e tyre, çdo lëvizje e së shkuarës u analizua, sikur kërkohej të gjendej një faj, qoftë edhe aty ku nuk kishte. Vetëm pasi hetuesit u bindën se as Simoni, as Rroku nuk kishin kryer krime, se ishin të përndjekur politikisht dhe jo autorë të ndonjë akti dhune, atyre iu dha “falja” dhe iu lejua të ktheheshin në shtëpitë e tyre.

Mirëpo, kjo falje nuk ishte e pakushtëzuar. Ajo ishte një marrëveshje e heshtur e ndërtuar mbi dyshimin dhe kontrollin: Simoni dhe familja e tij mund të jetonin të lirë, por me kushtin e prerë që të mos e ndihmonin kurrë më Cafë Beg Ulqinin, as ta strehojnë, as t’i ofrojnë ndonjë mbështetje, në asnjë formë apo rrethanë. Kjo dispozitë ishte një lloj zinxhiri politik, që i mbante të lidhur me aparatin e pushtetit, duke ua kufizuar lirinë edhe në momentin kur pretendonin se po ua dhuronin atë.

Kështu, familja Gjoka u kthye në shtëpi, por jo në qetësinë e vjetër. Ata u kthyen në një realitet të mbikëqyrur, ku falja shërbente më shumë si mekanizëm kontrolli sesa si akt human. Dhe megjithatë, vendimi i tyre mbetet dëshmi e forcës së një familjeje që luftoi për mbijetesë, duke ruajtur dinjitetin edhe kur rrethanat kërkonin nënshtrim.

 

Largimi i Cafo Beg Ulqinit për në Shqipëri

 

Pas pushkatimit tragjik të vëllait të tij, Hodo Alibegut, shpirti i Cafos mbeti i mbërthyer mes dhimbjes dhe mallit. Në këtë gjendje të rënduar emocionale, ai mori një vendim që sfidonte rrezikun e kohës: të kthehej në shtëpi për të parë nipërit, mbesat dhe kunatën Meleqe – familjen që po e mbante gjallë kujtimin e Hodos. Ishte një vendim që buronte jo vetëm nga nevoja shpirtërore, por edhe nga ndjenja e detyrës familjare, një përpjekje e fundit për të gjetur ngushëllim aty ku dhimbja ishte më e thellë.

Kthimi i tij u bë nën një fshehtësi të rreptë, të menduar deri në detajin më të vogël. Ai i porositi familjarët që asnjë fjalë, asnjë shenjë e pranisë së tij, të mos dilte jashtë pragut të shtëpisë. Çdo hap, çdo zë, çdo lëvizje duhej të ishte i matur, sepse rreziku ishte i kudondodhur. Organet e ndjekjes mund të shfaqeshin në çdo moment, ndërsa një fjalë e rrëshqitur mund të sillte pasoja të pakthyeshme për të gjithë.

Cafoja hyri në shtëpi në fund të muajit tetor të vitit 1948 – një kthim që duhej të ishte i përkohshëm, por që u shndërrua në një qëndrim të gjatë e të rëndë. Brenda atyre mureve ai jetoi i mbyllur për pesë vjet me radhë, deri më 1953. Shtëpia, e zakonshme për të tjerët, për të u shndërrua në vendstrehim, në burg të heshtur dhe në hapësirë pritjeje, ku çdo ditë ishte e ngarkuar me ankthin e zbulimit dhe frikën e tradhtisë së mundshme. Ndërkohë, jeta e përditshme e familjes ndërtohej rreth tij me një ritual të mprehtë kujdesi dhe heshtje.

Në shtëpinë e vëllait — një banesë e vogël, me dritare të ngushta dhe hapësira të kufizuara — Cafoja krijoi një vendstrehim aq të thjeshtë në pamje, sa vetëm nevoja për të mbijetuar mund ta kishte frymëzuar. Pas oxhakut, nën kulm, ai ndërtoi një hapësirë të fshehtë, një qoshk të errët e të ngrohtë njëkohësisht, ku do të zhvillohej një pjesë e gjatë dhe e rëndë e jetës së tij. Kjo strehimore improvizuese ishte bërë mburoja e tij e vetme përballë një realiteti ku çdo trokitje në derë mund të nënkuptonte fundin.

Gjatë ditës, ai rrinte i heshtur dhe i padukshëm në atë vend të ngushtë, duke dëgjuar zërat e shtëpisë që i vinin si një jehonë e largët e botës së ndaluar për të. Vetëm gjatë natës, kur errësira shpaloste mbulesën e vet mbrojtëse, Cafoja lëshohej poshtë në kuzhinë për të ngrënë dhe për t’u çmallur me mbesat e tij. Ato çaste të pakta të natës ishin dritare e vetme lirie: aty ai gjente ngrohtësinë e familjes, dëgjonte qeshjet fëmijërore dhe ndiente për një moment se jeta ende i përkiste.

Ky regjim i izolimit të plotë zgjati plot pesë vite, nga fundi i vitit 1948 deri në vitin 1953. Pesë vite heshtjeje, frike, durimi dhe shprese të përzier me ankth. Në këto vite, strehimorja e vogël u bë jo vetëm vend i fshehjes, por edhe hapësirë e reflektimit dhe e pjekjes së vendimeve të mëdha.

Këto vite fshehjeje ishin një provë e rëndë e qëndrueshmërisë njerëzore dhe e aftësisë për të duruar izolimin si formë mbijetese. Vetëm në vitin 1953, pasi kuptoi se rrethi po ngushtohej e se qëndrimi i tij rrezikonte seriozisht familjen, Cafoja vendosi të ndërmerrte hapin e guximshëm dhe të rrezikshëm të arratisjes drejt Shqipërisë. Kjo ishte një zgjedhje që shënoi fundin e një kapitulli të mbushur me sakrifica të heshtura dhe fillimin e një rruge të re, por po aq të pasigurt.

Megjithatë, në pranverën e vitit 1953, Cafoja vuri re se në lagje po shtoheshin kontrollet, patrullimet dhe vizitat e papritura të organeve të sigurimit. Ky intensifikim i dyshimeve nuk linte më vend për komoditete të rreme: qëndrimi i tij aty tashmë rrezikonte jo vetëm jetën e tij, por edhe atë të familjes që e kishte mbrojtur me përkushtim të jashtëzakonshëm.

Për të mos i ekspozuar ata ndaj pasojave të rënda, Cafoja mori vendimin e dhimbshëm, por të domosdoshëm: duhej të largohej. Kështu, për herë të dytë në jetë, ai u detyrua të shkëpuste veten nga pragu i familjes, duke braktisur strehën e shtëpisë së vëllait dhe duke nisur rrugën drejt një arratisjeje të re — këtë herë drejt Shqipërisë, në kërkim të një hapësire ku ndjekja të mos e arrinte më.

Vijon

Kontrolloni gjithashtu

Prof.dr. Sabile Keçmezi-Basha: NJË LIBËR ME DËSHMI TË SHUMTA INDIVIDUALE DHE VLERA SHKENCORE

Prof.dr. Sabile Keçmezi- Basha: JATAKËT DHE BUNKERËT E LIRISË – DASMA NË BUNKER – MISIONI I MUNDUR (39)

Duhet theksuar se në takimin historik të mbajtur në malet e Senjakut, përveç çështjeve organizative …