Prof.dr. Sabile Keçmezi-Basha: NJË LIBËR ME DËSHMI TË SHUMTA INDIVIDUALE DHE VLERA SHKENCORE

Prof.dr. Sabile Keçmezi- Basha: JATAKËT DHE BUNKERËT E LIRISË – JATAKËT DËNOHESHIN ME DËSHMI TË MONTUARA E SHPIFJE (17)

Po ashtu, në aktakuzë përmendej edhe një takim i dytë, i mbajtur në një kasolle të thjeshtë, në vendin e quajtur “Palevë”, në malet e Poneshit, pikërisht para nisjes së të arratisurve për në Shqipëri. Përveç të akuzuarve dhe vetë të arratisurve, në këtë rast përmendeshin edhe emrat e Arif Sylës dhe Qazim Ismailit, duke e zgjeruar kështu rrethin e të dyshuarve.

Ky arsyetim gjyqësor dëshmon qartë se për regjimin e kohës, edhe një takim i rastësishëm, edhe një bisedë në një fushë apo në një kasolle të malit, mjaftonin për të ngritur një akuzë të rëndë politike. Në vend që të shiheshin si shprehje të solidaritetit njerëzor apo si kontakte të zakonshme mes bashkëfshatarësh, këto ngjarje u interpretuan si veprime të rrezikshme kundër shtetit.

Në këtë mënyrë, neni famëkeq 120 i Ligjit Penal të Jugosllavisë nuk ishte thjesht një dispozitë ligjore, por një armë politike: ai kriminalizonte vetë kontaktin, miqësinë, ndihmën apo bisedën me “të arratisurit”. Kështu, aktakuza e ngritur ndaj këtyre burrave të thjeshtë shqiptarë nuk ishte asgjë tjetër veçse një farsë e montuar, ku çdo gjurmë e solidaritetit njerëzor interpretohej si akt armiqësor.

Në dosjen gjyqësore del në pah një episod domethënës që ilustron më së miri natyrën e akuzave dhe logjikën e pushtetit të kohës. Mehmet Ymeri, i akuzuar në këtë proces, po atë ditë që u takua me të arratisurit, ishte parë në Gjilan me Arif Sylën, një tjetër i akuzuar. Sipas aktakuzës, aty ishte informuar se duhej të takohej me Hasan Remnikun, meqë ky i fundit ishte në përgatitje për arratisje drejt Shqipërisë.

Gjatë kësaj kohe, dy bukë ishin blerë për t’ua dhënë të arratisurve, një akt i vogël humaniteti që në logjikën e regjimit interpretohej si mbështetje armiqësore. Më herët, Arif Syla dhe Qazim Ismaili kishin siguruar veshmbathje për ta, duke përmbushur një nevojë elementare të njerëzve që jetonin në ilegalitet dhe që ishin vazhdimisht të ekspozuar ndaj mungesave. Në mbrëmje, para se të binte errësira, të gjithë së bashku u nisën për në malet e Poneshit, ku i pritnin Hasan Remniku, Agushi dhe Mustafa.

Aty, në mesin e burrave, ndodh edhe një moment i pazakontë: ata ndeshen me dy gra, të cilat më vonë kuptuan se ishin bashkëshortet e të arratisurve. Në këtë takim të shkurtër, përpara ndarjes, ndodhi një gjest që e tejkalon dimensionin e zakonshëm të ngjarjes. Hasan Remniku, me ndjenjën e thellë të besës dhe amanetit, ia lë mikut të idealit, Mehmet Ymerit, një barrë të shenjtë: t’ia dorëzojë familjes rrobat e tij të vjetra dhe të kujdeset për ta. Ishte ky një simbol i besimit dhe i lidhjes së pathyeshme mes tyre, një amanet që i tejkalonte kufijtë e kohës dhe të rrethanave.

Mehmeti e mori këtë detyrë me përkushtim dhe e kreu me besnikëri, derisa edhe vetë përfundoi i arrestuar. Kështu, një akt i thjeshtë mikpritjeje, një shenjë kujdesi ndaj një familjeje dhe një gjest human e moral, u shndërrua në dosjet gjyqësore në “provë armiqësie” ndaj shtetit.

Ky episod e tregon qartë kontrastin dramatik të kohës, vlerat e lashta të besës dhe solidaritetit shqiptar, të mishëruara në gjeste të thjeshta si buka, veshmbathja apo dorëzimi i rrobave si amanet, u kriminalizuan nga pushteti. Ajo që ishte shprehje e moralit njerëzor dhe kombëtar, në sallën e gjyqit u paraqit si vepër penale kundër shtetit. Dhe kështu, drejtësia nuk gjykonte mbi fakte, por mbi virtyte të kthyera në “mëkate”.

Në të dhënat gjyqësore theksohet se vendimi i trupit gjykues mbështetej kryesisht në deklaratat që të akuzuarit kishin dhënë gjatë hetuesisë, më 30 dhe 31 tetor të vitit 1951. Këto deklarata, të marra nën presion dhe dhunë, shërbyen si themel i akuzës, pa pasur prova konkrete që do të vërtetonin fajësinë e tyre.

Në mesin e të akuzuarve, përmendet veçanërisht Daut Jakupi, i cili sipas aktakuzës kishte pasur miqësi me Hasan Remnikun dhe ishte takuar shpesh me të. Dosja gjyqësore evidenton dy takime, të cilat u interpretuan si “prova” të bashkëpunimit. I pari prej tyre kishte ndodhur pas festës së Shëngjergjit, në një vend të quajtur “Palevo”, mbi fshatin Gumnishtë. Aty, sipas aktakuzës, ishte diskutuar për gjetjen e një njeriu të sigurt, i cili do t’i ndihmonte të arratisurve të kalonin kufirin për në Shqipëri.

Takimi i dytë përmendet se kishte ndodhur pas dy muajsh, në periferi të fshatit Livoq, në një vend të njohur si “Jaruga”. Në këtë rast, sipas dëshmisë së regjistruar, Daut Jakupi i kishte premtuar Hasan Remnikut se të nesërmen, meqë ishte ditë tregu në Gjilan, do të shkonte atje dhe do të gjente një person që do të merrte përsipër ta shoqëronte përtej kufirit.

Këto dy ngjarje të thjeshta, që në rrethana normale do të ishin pjesë e një jete të zakonshme shoqërore, u shndërruan nga pushteti në prova të fajësisë politike. Miqësia dhe besa – dy shtylla të rëndësishme të kulturës shqiptare – u kriminalizuan, duke u interpretuar si akte armiqësore. Kështu, përmes manipulimit të deklaratave të marra me dhunë dhe të fakteve të jetës së përditshme, gjykata ndërtoi një narrativë që nuk kishte të bënte me drejtësinë, por me nevojën e regjimit për të shtrirë frikën dhe kontrollin.

Takimi i tretë i Daut Jakupit me Hasan Remnikun përmendet në aktet gjyqësore si një hallkë tjetër e zinxhirit të akuzave të ngritura ndaj tij. Sipas të dhënave të hetuesisë, ky takim u mbajt pasi ishte siguruar një person i besueshëm, i cili do të merrte përsipër ta shoqëronte Hasanin deri në Livoq. Në këtë rast, përveç Hasan Remnikut, ishte i pranishëm edhe Agushi, dhe biseda kishte të bënte me shpërblimin në të holla që duhej dhënë dhe me kohën e nisjes drejt kufirit.

Pas një muaji, i njëjti person i konsideruar “i sigurt” rikthehet në fshat, ku takohet me Dautin dhe e informon se gjithçka ishte e përgatitur. Sipas tij, grupi mund të nisej në çdo moment. Në këtë periudhë, ndodh edhe takimi i katërt i Dautit me Hasanin dhe shokët e tij, i zhvilluar në një vend të njohur për komunitetin lokal si “Te mulliri i Binakut”. Në këtë mbledhje u caktua dita e nisjes pas pesëmbëdhjetë ditësh, ndërsa vendtakimi përsëri mbeti mulliri i Binakut.

Ashtu siç ishte planifikuar, pas dy javësh, Dauti takohet përsëri me Hasan Remnikun. Ky takim i fundit përshkruhet si një moment lamtumire, ku Dauti u përshëndet me Hasanin, ndërsa pjesëtarët e tjerë të grupit priteshin më lart në mal, së bashku me gratë e tyre.

E gjithë ky rrëfim është përfshirë në aktakuzë dhe është mbështetur në procesverbalin e datës 4 tetor 1951. Megjithatë, në leximin kritik të këtyre dokumenteve, bie në sy se takime të tilla – që mund të ishin edhe ngjarje të natyrshme shoqërore, të lidhura me traditën e mikpritjes dhe me besën shqiptare – u shndërruan nga pushteti në “prova të fajësisë”. Çdo bisedë, çdo kafshatë e ndarë, çdo vendtakim, interpretohej si pjesë e një komploti armiqësor kundër shtetit.

Kështu, një procesverbal i mbajtur nën presion e dhunë, që në thelb paraqiste ngjarje të thjeshta të jetës së përditshme, u shndërrua në themel të një aktgjykimi politik. Ky fakt tregon edhe njëherë se gjykatat nuk ishin hapësira të së vërtetës juridike, por mekanizma të pushtetit që shndërronin vetë solidaritetin njerëzor në krim.

Në dëshmitë e paraqitura para trupit gjykues, Latif Haziri pranoi se kishte ndihmuar të vëllanë, Agushin, gjatë kohës kur ky i fundit ishte arratisur nga burgu, ku ishte dënuar me vdekje. Ky pranim, që në thelb ishte një shprehje e natyrshme e lidhjes familjare dhe besës së gjakut, u interpretua nga gjykata si “provë e fajësisë politike”.

Latifi rrëfeu se disa herë e kishte strehuar Agushin, duke e furnizuar me ushqime e veshmbathje – gjeste të domosdoshme për një njeri në arrati, por edhe akte që buronin nga morali dhe ndjenja e përgjegjësisë familjare. Një episod që veçohet është ai i dimrit të 21 dhe 22 dhjetorit 1951, kur ai i kishte mbajtur dy ditë të arratisurit në shtëpinë e tij, duke u bërë mburojë ndaj rrezikut që vinte nga ndjekja e pandërprerë e organeve të sigurimit.

Në këtë periudhë, shtëpia e Latifit nuk ishte vetëm vendstrehim, por edhe hapësirë ku u mbajtën disa takime mes Hasan Remnikut dhe bashkëluftëtarëve të tij. Këto mbledhje, që në logjikën shqiptare shiheshin si këshillime për rrugën e mëtejshme të rezistencës, u kriminalizuan nga pushteti si akte armiqësore kundër shtetit.

Një detaj i veçantë i dosjes është angazhimi i Latifit për qepjen e një uniformë policie për Hasan Remnikun dhe shokët e tij. Ky akt, që dëshmonte për mjeshtërinë e tij të thjeshtë dhe gatishmërinë për të ndihmuar, u trajtua nga gjykata si provë shtesë e “bashkëpunimit”. Në të vërtetë, ky ishte vetëm një gjest që e thellonte lidhjen e besës dhe të obligimit moral ndaj atyre që kishin zgjedhur rrugën e sakrificës.

Figura e Latif Hazirit na kujton një të vërtetë thelbësore, në gjykatat politike të asaj kohe, vlerat e familjes, mikpritjes dhe solidaritetit shqiptar nuk njiheshin si virtyte, por shpalleshin si krime. Çdo kafshatë e dhënë, çdo derë e hapur, çdo rrobë e qepur, kthehej në dëshmi të fajësisë. Kështu, morali shndërrohej në mëkat, ndërsa besa shqiptare kriminalizohej në emër të “ligjit”.

Edhe Ismail Delija ishte ndër të akuzuarit që, gjatë procesit hetues, pranoi se kishte pasur kontakte me Hasan Remnikun dhe shokët e tij, duke i ndihmuar gjatë kohës që ata jetonin në arrati në malet e Karadakut. Në procesverbalin e mbajtur në zyrat e UDB-së, më 17 tetor 1951, ai kishte deklaruar se vetëm gjatë vitit 1951 ishte takuar me Hasanin pesë herë, duke e ndihmuar kryesisht për qepjen e dy uniformave policie tek rrobaqepësi Shefqet Bunjaku.

Takimi i parë ishte zhvilluar në arën e quajtur “Smonica”, ku ata kishin biseduar rreth gjendjes së fshatit dhe Hasani i kishte kërkuar të dinte adresën e shtëpisë së tij. Pas një muaji, Remniku shfaqet natën vonë në oborrin e Ismailit, duke i sjellë një copë stofi dhe duke e porositur ta dërgonte tek rrobaqepësi në Gjilan. Takimi i tretë ndodhi përsëri në shtëpinë e Ismail Delisë, ku Hasani e pyeti nëse uniformat ishin gati. I katërti takim, sipas dëshmive të paraqitura, ndodhi në të njëjtin vend, ku u bë edhe dorëzimi i uniformave.

Një tjetër episod përmendet si takim i pestë, në shtëpinë e Latif Hazirit, ku Ismail Delija gjendej i pranishëm dhe ku Hasan Remniku i dhuroi 1 metër e gjysmë stof, një gjest simbolik që u interpretua nga gjykata si provë e lidhjeve të ngushta.

Në të vërtetë, këto dëshmi nuk përbënin asgjë më shumë sesa kontakte të natyrshme në një kohë kur solidariteti njerëzor dhe ndjenja e besës ndaj atdhetarëve të arratisur shihej si detyrim moral. Mirëpo, për sistemin gjyqësor të kohës, çdo takim, çdo copë stofi dhe çdo ndihmë e tillë kthehej në “provë të fajësisë”. Kështu, një bujk i thjeshtë, që ndihmoi me aq sa mundi, u shndërrua në sy të pushtetit në një “armik të shtetit”.

Ky rast ilustron më së miri mënyrën se si gjykatat e kohës e kriminalizonin mikpritjen, dhuratat e thjeshta dhe shërbimet e zakonshme. Çdo gjest human kthehej në akt armiqësor, dhe çdo kujdes ndaj një miku të ndjekur interpretohej si komplot kundër shtetit. Në këtë mënyrë, Ismail Delija nuk u gjykua për veprime konkrete që cenonin sigurinë, por për besnikërinë e tij ndaj një lidhjeje shoqërore e kombëtare që ligji i kohës e konsideronte krim.

Shefqet Bunjaku, ndryshe nga të tjerët, edhe gjatë hetuesisë nuk kishte pranuar kurrë se kishte kryer ndonjë vepër armiqësore. Ai këmbëngulte në pafajësinë e tij, megjithatë kjo nuk pati asnjë peshë në sallën e gjyqit. Gjykata e Qarkut në Gjilan, pa marrë parasysh mohimin e tij të vazhdueshëm dhe mungesën e provave konkrete, i shqiptoi një dënim prej tre vjetësh burg të rëndë. Ky vendim e dëshmon qartë se procesi nuk kishte të bënte me drejtësinë, por me vendosjen e një shembulli ndëshkimi.

Në të vërtetë, jo vetëm Shefqeti, por të gjithë të akuzuarit u dënuan për të njëjtën arsye: sepse, sipas aktgjykimit, gjatë viteve 1950 dhe 1951 kishin ndihmuar dhe kishin fshehur Hasan Remnikun me shokët e tij. Vetë fakti i kontaktit me ta, i mikpritjes apo i ndihmës më elementare, u konsiderua “krim kundër shtetit”. Në këtë mënyrë, solidariteti njerëzor dhe ndjenja e besës shqiptare u kriminalizuan e u shndërruan në “vepra armiqësore”.

Ironia dhe tragjedia e madhe qëndron në faktin se në kohën kur gjykatat shqiptare po dënonin jatakët e tij me vite të shumta burg, vetë Hasan Remniku tashmë nuk jetonte më. Ai ishte likuiduar me tradhti në malet e Suharekës, por hija e tij vazhdonte të rëndonte mbi bashkëfshatarët, miqtë dhe mbështetësit e tij. Për regjimin, edhe pas vdekjes së tij, “faji” nuk shuhej. Jatakët e tij ndiqeshin dhe ndëshkoheshin, sikur kujtimi dhe simboli i tij duhej shuar jo vetëm në trup, por edhe në vetëdijen e shoqërisë.

Ky rast tregon qartë natyrën e shtetit represiv, edhe kur figura qendrore e rezistencës eliminohej fizikisht, rrjeti i miqve, i familjarëve dhe i ndihmësve mbetej objekt i persekutimit. Nuk ndëshkohej vetëm një individ, por një komunitet i tërë që kishte guxuar të ruante besën e mikut dhe idealin e lirisë. Në këtë mënyrë, drejtësia u kthye në armë politike, ndërsa dënimet nuk ishin për veprime konkrete, por për një frymë rezistence që pushteti kërkonte ta shkatërronte me çdo kusht.

Edhe i akuzuari i gjashtë, Ismail Qerrolli, në dëshmitë e tij kishte pranuar se Hasan Remnikun e njihte mirë, madje e kishte pasur mik të shtëpisë. Kjo lidhje e afërt, që për çdo shqiptar do të ishte shprehje e miqësisë, e besës dhe e respektit ndaj mikut, në sallën e gjyqit u interpretua krejt ndryshe – si provë e fajësisë së tij politike.

Ismaili pranoi gjithashtu se e kishte ndihmuar Hasanin në mënyra të ndryshme, me qëllim që ky të mos binte në duart e organeve ndjekëse të ish-Jugosllavisë. Ky akt, që në të vërtetë përfaqësonte një gjest njerëzor dhe një detyrim moral të traditës shqiptare, u shndërrua nga pushteti në “vepër armiqësore”. Në logjikën e regjimit, çdo ndihmë, qoftë edhe më e vogla, çdo derë e hapur dhe çdo gjest solidariteti ndaj atyre që luftonin për idealin e lirisë, barazohej me krim kundër shtetit.

Figura e Ismail Qerrollit është shembull i qartë i mënyrës se si drejtësia e kohës i ktheu virtytet në mëkate. Ajo që për traditën shqiptare ishte nder dhe krenari – të mos e tradhtosh mikun, të mos e lësh pa strehë dhe pa ndihmë – për gjykatat e Jugosllavisë u bë arsye për ndëshkim dhe burgim. Në këtë mënyrë, Ismaili nuk u dënua për një veprim real që kërcënonte sigurinë e shtetit, por për besën e tij, për miqësinë e tij, për guximin e tij që nuk e mohoi njeriun që i trokiti në derë në kohë të vështirë.

Arif Sherifi, në dëshminë e tij, kishte pranuar se diku rreth festës së Shëngjergjit të vitit 1951 ishte takuar me Hasan Remnikun. Në atë rast, Hasan i kishte kërkuar që të përcillte një porosi: të ftonte mësuesin e fshatit, Mustafë Rashitin, për një takim që do të mbahej në një vend të quajtur “Zhden”, mbi fshat. Arifi, duke kryer këtë porosi, e kishte shoqëruar mësuesin drejt vendtakimit, ku të dy morën pjesë në një bisedë që zgjati mbi dy orë. Ky takim u bë momenti i parë i kontaktit të drejtpërdrejtë të mësuesit me grupin e të arratisurve.

Ngjarjet më vonë morën një kthesë tragjike. Pas vrasjes së dy oficerëve të UDB-së, një akt që sipas dosjeve iu atribuohej mësuesit Mustafë Rashiti, ky i fundit iu bashkua Hasan Remnikut dhe shokëve të tij në mal, duke hyrë në radhët e rezistencës ilegale. Kështu, një takim i thjeshtë, i organizuar përmes ndërmjetësimit të Arif Sherifit, shënoi fillimin e një rrugëtimi që do të kishte pasoja të rënda për vetë mësuesin, për të arratisurit dhe për gjithë ata që u prekën nga kjo lidhje.

Në deklaratat e dhëna më vonë, përfshirë edhe atë të regjistruar në UDB-në e Vitisë më 31 tetor 1951, përmendet se takimet e Arif Sherifit dhe Hasan Remnikut ishin të shpeshta dhe zhvilloheshin në vende të ndryshme rreth fshatrave. Mes tyre përmenden lokalitetet e quajtura “Qeremica” dhe “Tërshevina”, hapësira periferike, të njohura si vende të sigurta për takime të tilla.

Ky rrëfim shpalos qartë se si një fshatar i thjeshtë, i vendosur në pozitën e një ndërmjetësi, u bë pjesë e një ngjarjeje që do të trajtohej më pas si “provë” e një veprimtarie armiqësore. Ajo që për Arif Sherifin ishte një akt besnikërie ndaj një porosie dhe një mikpritjeje tradicionale, për gjykatat e kohës u shndërrua në element kriminal. Kështu, takimet që në thelb ishin shprehje e solidaritetit dhe e lidhjeve shoqërore, u interpretuan si hallka të një komploti kundër shtetit.

Edhe i fundit ndër të akuzuarit, Namon Qerrolli, sipas procesverbalit të datës 22 tetor 1951 të dhënë në zyrat e UDB-së në Gjilan, kishte pranuar se e njihte Hasan Remnikun. Në dëshminë e tij, ai kishte pohuar se ishte ai që e kishte njohur Hasanin me një tjetër të arratisur, Agush Mehmetin, i cili më herët kishte qenë i dënuar me vdekje.

Ky pranim, i bërë brenda zyrave të hetuesisë, bart gjithë peshën e asaj kohe të mbushur me frikë e presion. Në thelb, Namoni nuk rrëfente një vepër kriminale, por një akt të thjeshtë ndërmjetësimi, të cilin pushteti e ktheu në argument gjyqësor. Për gjykatën dhe organet e ndjekjes, mjaftonte një lidhje e tillë për ta shpallur fajtor, duke e futur në të njëjtën kategori me ata që akuzoheshin për veprime të rënda armiqësore.

Në të vërtetë, ajo që Namoni e përjetoi si një kontakt i zakonshëm njerëzor – njohja e një personi me një tjetër – u shndërrua në provë të “krimit politik”. Ky fakt dëshmon edhe njëherë natyrën e sistemit të drejtësisë së kohës, nuk dënoheshin vetëm veprimet konkrete, por edhe lidhjet, njohjet dhe kontaktet, sado të thjeshta të ishin.

Figura e Namon Qerrollit pasqyron mënyrën se si një bujk i thjeshtë, pa ndikim e pa pushtet, u vu në shënjestër të një sistemi që kërkonte fajtorë me çdo kusht. Në logjikën e pushtetit, edhe një akt i thjeshtë miqësor ose një prezantim mes njerëzve të njohur mjaftonte për ta kriminalizuar individin, duke treguar se në Jugosllavinë e asaj kohe, rreziku nuk ishte vetëm tek rezistenca e armatosur, por edhe tek vetë rrjetet e solidaritetit njerëzor.

Në aktgjykimin me nr. K-23/51, të gjithë të akuzuarit u përfshinë nën të njëjtën logjikë ndëshkimi: se pa ndihmën e tyre, veprimtaria e të arratisurve nuk do të kishte zgjatur aq gjatë. Në thelbin e arsyetimit të gjykatës qëndronte ideja se Hasan Remniku ishte një armik i rrezikshëm i sistemit dhe pushtetit të ri të instaluar në Jugosllavi, i cili për një kohë të gjatë kishte vepruar kundër tij.

Sipas aktgjykimit, veprimtaria e tij e quajtur “armi­qësore” kishte vazhduar deri më 10 tetor 1951, kur ai dhe shokët e tij u likuiduan pranë Prizrenit. Në narrativën e pushtetit, Hasan Remniku paraqitej si figurë e dyfishtë: gjatë kohës së okupimit kishte shërbyer si polic në komunën e Parteshit dhe akuzohej se kishte vrarë trembëdhjetë serbë në fshatin Remnik; ndërsa pas përfundimit të luftës dhe arratisjes në male, kishte likuiduar dy policë jugosllavë, Gjorgje Saviqin dhe Sejdi Ramadanin nga Sllakovci.

Krahas tij, një tjetër figurë e rëndësishme ishte Agush Hetemi, i cili akuzohej si njëri ndër organizatorët e organizatës së quajtur “Zogistët”. Sipas gjykatës, kjo organizatë kishte për qëllim rrënimin e pushtetit “popullor” të Jugosllavisë dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë – një akuzë që mjaftonte për t’u dënuar rëndë në atë kohë. Gjatë veprimtarisë së tij ilegale në komunën e Gjilanit, Hetemi akuzohej se kishte likuiduar sekretarin e Bashkësisë Lokale të Malishevës, Petar Markoviqin, si dhe kishte sabotuar komunikimet duke prerë shtyllat telefonike që lidheshin Gjilani me Kamenicën dhe Bujanocin. Pas arrestimit dhe dënimit me vdekje, ai kishte arritur të arratisej nga burgu me ndihmën e shokëve të tij. Fundi i tij, ashtu si i Hasan Remnikut, erdhi tragjikisht: të dy u likuiduan së bashku në afërsi të Prizrenit.

Kështu, gjykata i shpalli fajtorë të gjithë ata që kishin pasur ndonjë kontakt, ndihmë apo solidaritet me këto dy figura, duke i paraqitur si pjesë të një “rrjeti armiqësor”. Në fakt, procesi nuk dënonte thjesht individët, por synonte të kriminalizonte vetë ndihmën njerëzore dhe besën shqiptare, duke i kthyer mikpritësit e miqtë e tyre në “bashkëpunëtorë të krimit”.

Ky arsyetim juridik zbulon logjikën e pushtetit të kohës: dënimi nuk kishte për qëllim vetëm eliminimin e figurave kryesore të rezistencës, por edhe shuarjen e kujtesës së tyre përmes ndëshkimit të atyre që guxonin t’u jepnin një copë bukë, një strehë apo një fjalë besnikërie. Në këtë mënyrë, aktgjykimi i vitit 1951 ishte më shumë se një vendim gjyqësor – ishte një mesazh politik i qartë se çdo formë solidariteti dhe çdo shpresë për liri do të paguhej shtrenjtë.

Në dosjet gjyqësore dhe në aktakuzat e kohës, figura e Mustafë Rashitit – i njohur si “Koka” paraqitej si një shembull i “armikut të pamëshirshëm”, i cili, sipas narrativës zyrtare, i kishte vrarë dy oficerë të UDB-së “dhunshëm, ndërsa ata po flinin, gjatë kohës që po e kryenin detyrën”. Kjo mënyrë e formulimit përmbante një kontradiktë të dukshme: si ishte e mundur që ata të ishin njëkohësisht në gjumë dhe duke kryer detyrën? Ky absurd gjuhësor dhe logjik nuk ishte rastësi, por tregonte qartë përpjekjen e pushtetit për të manipuluar të vërtetën, duke e paraqitur aktin e tij si një akt tinëzar dhe jo si akt rezistence.

Në realitet, siç dëshmojnë kujtimet dhe rrëfimet e mëvonshme, e vërteta ishte krejt ndryshe. Oficerët e UDB-së kishin shkuar në shkollën ku punonte Mustafë Rashiti dhe e kishin thirrur, duke i kërkuar që të shkonte në shtëpinë e prindërve të gruas së tij, për ta sjellë atë në shtëpi. Qëllimi i tyre ishte i qartë: gruaja e tij duhej të gjendej aty për t’i shërbyer oficerëve gjatë kohës që ata do të pinin. Ishte një skenar i pistë, një poshtërim i kurdisur jo vetëm për të, por për nderin e gjithë familjes së tij.

Duke e kuptuar këtë prapaskenë dhe duke e parë cenimin e rëndë të dinjitetit familjar, Mustafë Rashiti nuk pranoi të bëhej viktimë e lojës së tyre. Në vend të nënshtrimit, ai zgjodhi aktin e kundërshtimit. Mori pistoletën që mbante në shtëpi dhe me të vrau dy oficerët e UDB-së. Ky akt nuk ishte një krim i rastësishëm, as një atentat i fshehtë, por një vendim i vetëdijshëm i një mësuesi që nuk e lejonte poshtërimin dhe dhunimin e nderit.

Në këtë dritë, ngjarja merr kuptim krejt tjetër: nuk ishte thjesht një vrasje e dy oficerëve, por një akt që simbolizonte refuzimin e dhunës, mbrojtjen e dinjitetit dhe rezistencën ndaj një pushteti që kërkonte të shkelte çdo vlerë njerëzore e morale. Mustafë Rashiti, në këtë rast, nuk shihet vetëm si mësues i thjeshtë i një fshati, por si figurë e një qëndrese që lind në momentet më të errëta, kur pushteti përpiqet të poshtërojë atë që është më e shtrenjta – familjen dhe nderin.

Ashtu siç kishte ndodhur më herët, edhe në këtë periudhë organet e UDB-së ndiqnin një strategji të qartë dhe të përsëritur: çdo organizatë atdhetare shqiptare dhe çdo anëtar i saj shpallej pa hezitim si “organizatë terroriste” dhe “terrorist i përbetuar”. Ky etiketim nuk ishte rastësor, por pjesë e një politike të mirëmenduar për të manipuluar perceptimin publik dhe për të kriminalizuar çdo formë të qëndresës politike apo kombëtare.

Qëllimi i vërtetë nuk ishte vetëm ndëshkimi i atyre individëve që angazhoheshin në veprimtari ilegale, por mbi të gjitha krijimi i një atmosfere frike në mesin e popullit. Përmes gjuhës së rëndë, të mbushur me stigmatizime, pushteti përpiqej të thyejë moralin shoqëror dhe të shkatërrojë çdo iniciativë patriotike. Fjala “terrorist” nuk përdorej për të përshkruar realitetin, por për të frikësuar, për të ngjallur dyshim dhe për të larguar masat e gjera nga çdo lëvizje që synonte lirinë dhe barazinë.

Në këtë mënyrë, organizatat që vepronin për mbrojtjen e identitetit kombëtar dhe për aspiratën e bashkimit me Shqipërinë u vendosën në të njëjtin rang me grupet kriminale. Çdo veprim patriotik, sado i thjeshtë, interpretohej si kërcënim për rendin “popullor”. Ky ishte mekanizmi përmes të cilit pushteti jo vetëm që i godiste individët, por njëkohësisht prodhonte një diskurs që i izolon dhe i delegjitimon para shoqërisë.

Në thelb, kjo strategji e UDB-së ishte një formë dhune psikologjike: synonte të fuste frikën në zemrat e shqiptarëve dhe t’u përcillte mesazhin se kushdo që ngrinte zërin, kushdo që përfshihej në aktivitete atdhetare, nuk do të quhej hero, por “terrorist”. Dhe kështu, drejtësia nuk ishte më gjykatë e së vërtetës, por tribunë propagandistike e shtetit.

Kontrolloni gjithashtu

Prof.dr. Sabile Keçmezi- Basha: JATAKËT DHE BUNKERËT E LIRISË - DORA E DJATHTË E HASANIT- MËSUESI MUSTAFË KOKA (9)

Prof.dr. Sabile Keçmezi- Basha: JATAKËT DHE BUNKERËT E LIRISË – DORA E DJATHTË E HASANIT- MËSUESI MUSTAFË KOKA (9)

Mustafë Rushiti – i njohur me nofkën Koka – lindi në vitin 1926, në fshatin …