Prof.dr. Sabile Keçmezi - Basha: JATAKËT DHE BUNKERËT E LIRISË - PROCESI GJYQËSOR I GRUPIT TË TRETË TË JATAKËVE TË HASAN REMNIKUT (18)

Prof.dr. Sabile Keçmezi – Basha: JATAKËT DHE BUNKERËT E LIRISË – PROCESI GJYQËSOR I GRUPIT TË TRETË TË JATAKËVE TË HASAN REMNIKUT (18)

Ashtu siç kishte ndodhur më herët, edhe në këtë periudhë organet e UDB-së ndiqnin një strategji të qartë dhe të përsëritur: çdo organizatë atdhetare shqiptare dhe çdo anëtar i saj shpallej pa hezitim si “organizatë terroriste” dhe “terrorist i përbetuar”. Ky etiketim nuk ishte rastësor, por pjesë e një politike të mirëmenduar për të manipuluar perceptimin publik dhe për të kriminalizuar çdo formë të qëndresës politike apo kombëtare.

Qëllimi i vërtetë nuk ishte vetëm ndëshkimi i atyre individëve që angazhoheshin në veprimtari ilegale, por mbi të gjitha krijimi i një atmosfere frike në mesin e popullit. Përmes gjuhës së rëndë, të mbushur me stigmatizime, pushteti përpiqej të thyejë moralin shoqëror dhe të shkatërrojë çdo iniciativë patriotike. Fjala “terrorist” nuk përdorej për të përshkruar realitetin, por për të frikësuar, për të ngjallur dyshim dhe për të larguar masat e gjera nga çdo lëvizje që synonte lirinë dhe barazinë.

Në këtë mënyrë, organizatat që vepronin për mbrojtjen e identitetit kombëtar dhe për aspiratën e bashkimit me Shqipërinë u vendosën në të njëjtin rang me grupet kriminale. Çdo veprim patriotik, sado i thjeshtë, interpretohej si kërcënim për rendin “popullor”. Ky ishte mekanizmi përmes të cilit pushteti jo vetëm që i godiste individët, por njëkohësisht prodhonte një diskurs që i izolon dhe i delegjitimon para shoqërisë.

Në thelb, kjo strategji e UDB-së ishte një formë dhune psikologjike. Synonte të fuste frikën në zemrat e shqiptarëve dhe t’u përcillte mesazhin se kushdo që ngrinte zërin, kushdo që përfshihej në aktivitete atdhetare, nuk do të quhej hero, por “terrorist”. Dhe kështu, drejtësia nuk ishte më gjykatë e së vërtetës, por tribunë propagandistike e shtetit.

Pas likuidimit me tradhti të patriotëve, aparati represiv i UDB-së nuk u ndal, përkundrazi, ai u bë edhe më i pamëshirshëm. Në vend që të mbyllej një kapitull, pushteti e ktheu atë në pikënisje të një fushate të re represioni. Filluan hulumtime të papara, të shoqëruara me një valë të gjerë arrestimesh ndaj popullatës së fshatrave ku Hasan Alia kishte qëndruar e ishte strehuar.

Të akuzuarit kategorizoheshin sipas një logjike absurde dhe të paramenduar: disa shpalleshin “bashkëpunëtorë të ngushtë”, disa të tjerë “jatakë”, për shkak se kishin ofruar strehë herë pas here, kishin ndihmuar me ushqim, veshmbathje apo edhe me armatim. Por absurditeti shkonte edhe më tej: kishte nga ata që arrestoheshin vetëm sepse ndonjëherë, rastësisht, në kalim e sipër, e kishin përshëndetur Hasanin apo e kishin njohur personalisht.

Pas arrestimit, fillonte faza më e dhimbshme- torturat. Të burgosurit nëpër zyrat e UDB-së i nënshtroheshin presioneve fizike dhe psikologjike, duke u detyruar të pranonin “faje” që shpesh nuk ekzistonin. Pas kësaj, hidheshin para trupave gjyqësore, ku proceset ishin vetëm një formalitet i zbrazët. Vendimet ishin të paracaktuara, dënime të rënda me vite të shumta burg, me qëllim që të mbillnin frikë e nënshtrim në mesin e popullit.

Kjo strategji tregonte se për pushtetin nuk mjaftonte eliminimi fizik i figurave kryesore të rezistencës, duhej të ndëshkoheshin edhe ata që kishin treguar qoftë edhe një gjest të vogël solidariteti. Në këtë mënyrë, pushteti synonte jo vetëm të zhdukte trupat e patriotëve, por edhe të shkatërronte moralin dhe vetë strukturën e solidaritetit shoqëror.

Një shembull domethënës i farsave gjyqësore të asaj kohe është procesi i zhvilluar më 13 maj 1952 në Gjykatën e Qarkut në Gjilan, ku para trupit gjykues u nxorën jo më pak se tetë të akuzuar shqiptarë. Ky proces dëshmon jo vetëm për mënyrën e organizimit formal të gjyqeve, por edhe për thelbin e tyre politik e represiv.

Trupi gjykues kryesohej nga Ratomir Patërnogiq, ndërsa si gjyqtarë porotë ishin dy shqiptarë: Qerim Ibrahimi dhe Shabi Jusufi, të cilët formalisht i jepnin procesit një fasadë të “pjesëmarrjes shqiptare”. Rolin e procesmbajtësit e kishte Sllobodan Zhivkoviq, i cili ishte caktuar si referent. Edhe në këtë rast, struktura e gjykatës pasqyronte një model të përhershëm: përzierja e emrave shqiptarë dhe serbë në mënyrë që procesi të dukej i balancuar, ndërkohë që vendimi dihej paraprakisht.

Sa i përket mbrojtjes, të akuzuarve iu caktuan me detyrim dy avokat serbë, Petar Todoriviq dhe Velibor Borisavleviq, të cilët, siç ndodhte zakonisht, kishin rol formal dhe nuk mund të ndikonin realisht në vendimin e gjykatës. Në anën tjetër, aktakuzën e përfaqësonte Tahir Ibrani, i cili luante rolin e përforcuesit të narrativës së pushtetit.

Ky proces gjyqësor, si shumë të tjerë, nuk kishte në thelb kërkimin e së vërtetës juridike. Struktura e tij tregonte qartë se gjithçka ishte e ndërtuar për të legjitimuar një vendim të paracaktuar. Pjesëmarrja e porotëve shqiptarë shërbente për të dhënë iluzionin e objektivitetit, ndërsa mbrojtja e detyruar nga avokatë serbë siguronte që fjala e të akuzuarve të mbetej e papërfaqësuar.

Ky është një shembull tipik i gjykimeve politike të pasluftës, ku drejtësia ishte vetëm një fasadë, ndërsa gjykata ishte arenë e represionit dhe e propagandës. Procesi gjyqësor kundër pjesëtarëve të grupit të Hasan Alisë u zhvillua vetëm pas një periudhe të gjatë vuajtjesh dhe presioni. Pasi ishin arrestuar në tetor të vitit 1951, ata mbetën në hetuesi deri në janar të vitit 1952 – katër muaj të tërë të mbushur me pyetje pa fund, me kërcënime të vazhdueshme dhe me forma nga më çnjerëzoret të dhunës. Hetuesia nuk ishte hapësirë drejtësie, por laborator dhune, ku të burgosurit testoheshin me metodat më të rënda të presionit fizik dhe psikologjik, vetëm që të “pranonin” faje të cilat nuk i kishin kryer kurrë.

Vetë procesi gjyqësor u zhvillua në katër seanca të njëpasnjëshme, më 8, 9, 10 dhe 17 janar të vitit 1952. Këto seanca ishin vetëm një formalitet i zymtë, ku aktgjykimi i paracaktuar duhej të vishej me petkun e “drejtësisë”. Në vendimin e shpallur, gjykata i deklaroi anëtarët e grupit fajtorë, me formulimin e përgjithshëm dhe të mjegullt se: “Në datë të pacaktuar të viteve 1948, 1949, 1950 dhe 1951 qenë të lidhur me bandën e armatosur të Hasan Alisë nga Remniku, Agush Hetem Rashitit nga Bresalci dhe Mustafë Rashitit nga Remniku (i njohur edhe si Kokaj, mësues në fshat dhe dhëndër i Remnikut.

Ky formulim, që shmangte çdo datë konkrete dhe çdo provë reale, zbulon natyrën e proceseve të tilla politike: nuk ishte fjala për një krim të kryer, por për një “lidhje” të supozuar, për një kontakt, për një miqësi, të cilat interpretoheshin si faje të rënda politike. Në të vërtetë, ajo që gjykata dënonte nuk ishte ndonjë vepër e caktuar, por vetë fryma e solidaritetit dhe e rezistencës shqiptare, e mishëruar në emrat e Hasan Alisë, Agush Hetemit dhe Mustafë Rashitit.

Ky proces, si shumë të tjerë të asaj kohe, dëshmon qartë se gjyqet nuk ishin vend i së drejtës, por instrument i pushtetit për të kriminalizuar patriotizmin dhe për të shuar çdo gjurmë të idealit për liri.

Sipas aktgjykimit me numër 24/51, të datës 13 maj 1952, gjykata shpalli fajtorë të gjithë të akuzuarit, duke i përfshirë në një narrativë të ndërtuar mbi akuza të përgjithshme dhe të rënda. Në këtë dokument thuhej se në shtëpitë e tyre ata jo vetëm që i strehuan Hasan Remnikun dhe shokët e tij, por edhe se i ngarkuan me detyra të caktuara për të mbështetur veprimtarinë e tyre ilegale.

Aktgjykimi i përshkruan të akuzuarit si persona që kishin detyrë t’i njoftonin të arratisurit për lëvizjet e forcave jugosllave, për angazhimin e anëtarëve të rinj, si dhe për zhvillimet e tjera të terrenit. Përveç kësaj, ata akuzoheshin se i strehonin në shtëpitë e tyre, u siguronin veshmbathje, ushqim, duhan, sheqer e kripë – elemente bazike për mbijetesën e tyre. Madje, sipas dosjes, atyre u bliheshin edhe armët, duke krijuar kushte që të vazhdonin jetën ilegale.

Akuza më e rëndë e formuluar në këtë vendim ishte se të akuzuarit kishin “penguar organet e shtetit” në përpjekjet e tyre për të zbuluar, arrestuar dhe likuiduar të arratisurit. Pra, sipas logjikës së pushtetit, çdo vonesë, çdo dezinformim dhe çdo mbrojtje e dhënë ndaj tyre konsiderohej krim kundër vetë shtetit jugosllav.

Në arsyetimin përfundimtar, gjykata theksonte: “Në këtë mënyrë, ata kanë ndihmuar bandën e armatosur dhe luftën e saj kundër Jugosllavisë së re, duke vepruar të shtyrë nga ndjenja armiqësore ndaj rendit kushtetues të RPFJ-së.” Me këtë formulim, Gjykata Penale e Shkallës së Parë në Gjilan i damkoste të gjithë të akuzuarit si armiq të pushtetit dhe si elementë që kishin rrezikuar integritetin e “shtetit të ri popullor”.

Ky aktgjykim është shembull i qartë i mënyrës sesi gjykatat jugosllave përdornin gjuhën politike për të kriminalizuar aktet më të thjeshta të solidaritetit: një kafshatë buke, një veshmbathje, një informacion i dhënë mikut, shndërroheshin në “veprime armiqësore”. Vendimi nuk dënonte krime konkrete, por dënonte një qëndrim moral – refuzimin e shqiptarëve për të tradhtuar mikun dhe besën e dhënë. Në këtë mënyrë, ligji nuk ishte më instrument i drejtësisë, por armë e pushtetit për të shtypur çdo shenjë të qëndresës.

Në emër të “mbrojtjes së rendit kushtetues”, Gjykata e Qarkut në Gjilan, duke u mbështetur në nenin 120 të Ligjit Penal të Jugosllavisë dhe nenin 38 të po atij ligji, ngriti akuza të rënda kundër tetë shqiptarëve, të cilët në të vërtetë ishin njerëz të thjeshtë e atdhetarë. Ata u shpallën fajtorë për “vepra penale kundër popullit dhe shtetit”, duke u futur me dhunë në kategorinë e “armiqve” vetëm pse kishin guxuar të ruanin besën e tyre ndaj bashkëfshatarëve të arratisur.

I pari ndër të akuzuarit ishte Shukri Hajrizi, një bujk nga Remniku, i lindur më 1920 nga babai Hajrizi dhe nëna Nazlije. Ai jetonte në fshatin e lindjes, pa u martuar dhe pa pasur pasuri të mëdha. Autodidakt, me një jetë të thjeshtë bujqësore, ai nuk përfaqësonte kurrfarë rreziku real për shtetin jugosllav. Megjithatë, që nga 29 tetori i vitit 1951, ndodhej në burg, i arrestuar dhe i mbajtur në kushte të rënda hetuesie.

Në përfundim të procesit, Gjykata e Qarkut në Gjilan e dënoi me 5 vjet burg të rëndë, duke e shpallur fajtor për një krim të sajuar. Ky dënim nuk ishte pasojë e ndonjë akti të dhunshëm apo veprimtarie konkrete kundër pushtetit, por një ndëshkim për lidhjen e tij njerëzore e shoqërore me ata që kishin zgjedhur rrugën e rezistencës.

Rasti i Shukri Hajrizit është dëshmi e qartë se gjykata nuk gjykonte individë mbi bazën e provave, por mbi bazën e përkatësisë, lidhjeve dhe dyshimeve të fabrikuara. Ai, si shumë të tjerë, u shënjestrua për të dërguar mesazhin se çdo shqiptar që do të mbante besën, që do të ushqente apo strehojë një të arratisur, do ta paguante shtrenjtë me vite të gjata burgu.

I dyti në listën e të akuzuarve ishte Hamdi Hajrush Hajdari, një burrë nga Remniku, i lindur në vitin 1920, nga babai Hajrushi dhe nëna Baftija. Jeta e tij, si e shumë bashkëfshatarëve të tjerë, kishte filluar me punën në bujqësi, por më vonë ai kishte kaluar në shërbimin administrativ, duke punuar si zyrtar dhe shitës në MZZ. Ishte i martuar dhe baba i katër fëmijëve, duke bartur mbi supe përgjegjësitë e një familjeje të madhe.

Hamdiu ishte autodidakt, një njeri i ditur përmes përpjekjes vetjake, dhe kishte kryer shërbimin ushtarak në Ushtrinë Jugosllave gjatë viteve 1946–1947, duke e përmbushur obligimin e tij shtetëror. Megjithatë, asgjë nga kjo nuk e shpëtoi nga akuzat. Më 22 tetor 1951 ai u arrestua dhe u dërgua në burgun hetues, ku për muaj me radhë iu nënshtrua pyetjeve dhe presioneve të rënda.

Në përfundim të procesit, Gjykata e Qarkut në Gjilan e shpalli fajtor dhe e dënoi me 18 muaj burg të rëndë. Dënimi i tij, ndonëse më i lehtë në krahasim me disa të tjerë, mbetet dëshmi e qartë e logjikës së kohës, nuk dënohej vetëm ai që kishte marrë pjesë në veprimtari ilegale, por edhe çdo individ që shfaqej si i dyshuar ose që kishte lidhje të mundshme me figurat e shpallura “armiq të shtetit”.

Rasti i Hamdi Hajdari shpalos më së miri mënyrën se si sistemi gjyqësor jugosllav godiste njerëz të thjeshtë, të lidhur me jetën e përditshme, me familjet e tyre, me punën në arë apo në zyrë. Ai nuk u dënua për atë çfarë kishte bërë, por për atë çfarë pushteti donte të dëshmonte: se askush nuk ishte i sigurt nëse prekte, ndihmonte ose thjesht njihte dikë nga rrethi i të arratisurve.

I treti në listën e të akuzuarve ishte Mustafë Rahimi, i lindur më 1918 në fshatin Lubishtë. Me profesion bujk, ashtu si shumica e bashkëfshatarëve të tij, ai kishte kaluar jetën duke u marrë me tokën dhe me punën bujqësore. Ishte bir i Rahimit dhe i Nailes, një familje e thjeshtë, me gjendje ekonomike mesatare, që përfaqësonte shtresën më të zakonshme të shoqërisë shqiptare të kohës.

Edhe pse nuk kishte pasur mundësi të ndiqte shkollim formal, Mustafë Rahimi ishte autodidakt, një njeri që e kishte ushqyer veten me dije dhe përvojë jetësore. Në dosjen e tij nuk gjendet asnjë provë e vërtetë që do ta lidhte me veprime kriminale, megjithatë, kjo nuk e shpëtoi nga fati i shumë shqiptarëve të asaj kohe. Ai u arrestua më 26 tetor 1951 dhe u mbajt për muaj të tërë në burgun hetues, ku presioni, torturat dhe kërcënimet ishin pjesë e përditshme e “hetimit”.

Në fund të procesit gjyqësor, Gjykata e Qarkut në Gjilan shpalli vendimin: 4 vjet burg i rëndë për Mustafë Rahimin. Një dënim i rëndë për një njeri që nuk kishte bërë asgjë më shumë veçse kishte jetuar jetën e tij të thjeshtë bujqësore, por që, për shkak të rrethit, njohjeve apo dyshimeve të fabrikuara, u shënjestrua si “armik i shtetit”.

Ky rast është dëshmi se si drejtësia e kohës nuk dënonte krime, por shënjestronte individë të zakonshëm për t’i bërë shembuj frikësues. Mustafë Rahimi, një bujk i thjeshtë, u shndërrua nga organet gjyqësore në “kriminel politik”, vetëm për të ushqyer narrativën e pushtetit dhe për të përhapur terror në mesin e popullit.

I katërti në radhën e të akuzuarve ishte Sadik Vranovci, bujk nga fshati Cërrnicë, ku edhe kishte lindur më 1921, bir i Ademit dhe i Havës. Jeta e tij ishte e thjeshtë, e përqendruar në punën bujqësore dhe në përkujdesjen për familjen. Ishte i martuar dhe baba i dy fëmijëve, të cilëve mezi arrinte t’u siguronte jetesën e përditshme, pasi jetonte në kushte të varfra dhe, si shumë të tjerë, nuk kishte pasur mundësi të arsimohej, mbetej analfabet.

Në biografinë e tij shënohej një dënim i mëparshëm: gjashtë muaj burg, sipas nenit 3, pika 2 e ligjit për tregti, një shkelje e vogël që dëshmonte jo kriminalitetin, por vështirësitë e jetës dhe rrethanat ekonomike të kohës. Megjithatë, ky fakt u përdor më vonë si element shtesë për të rënduar pozitën e tij.

Më 27 tetor 1951, Sadiku u arrestua dhe u fut në burgun hetues, ku për muaj me radhë iu nënshtrua pyetjeve dhe dhunës së zakonshme të hetuesisë jugosllave. Procesi gjyqësor nuk i dha asnjë mundësi mbrojtjeje reale- vendimi ishte i parapërgatitur. Në përfundim, Gjykata e Qarkut në Gjilan e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënimin me 3 vjet burg të rëndë.

Rasti i Sadik Vranovcit pasqyron qartë mënyrën se si gjykatat e kohës nuk shihnin individë, por shembuj për ndëshkim. Një bujk i varfër, analfabet, baba i dy fëmijëve, nuk kishte as mjetet dhe as fuqinë për të sfiduar pushtetin, megjithatë, ai u bë pjesë e listës së gjatë të të dënuarve, për të treguar se askush nuk ishte i paprekshëm.

Ky është një ilustrim i qartë i logjikës së shtetit represiv, edhe njerëzit më të thjeshtë, me jetë të zakonshme, shndërroheshin në “armiq të popullit” vetëm për të frikësuar e nënshtruar masën e gjerë.

I pesti ndër të akuzuarit ishte Xhavit Qerimi, lindur në fshatin Remnik më 1914, nga babai Qerimi dhe nëna Minë. Ai ishte i martuar dhe baba i dy fëmijëve, të cilëve përpiqej t’u siguronte jetesën në një gjendje të rënduar ekonomike. Si shumë bashkëfshatarë të tij, jetonte mes varfërisë dhe mungesës së mundësive, ku çdo ditë ishte përballje me mbijetesën.

Në të kaluarën, Xhaviti kishte mbajtur një dënim të shkurtër prej gjashtë muajsh burg, një fakt që në realitet nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjet e mëvonshme, por që u përdor si element për të rënduar imazhin e tij në sallën e gjyqit. Arrestimi i tij ndodhi më 22 tetor 1951, dhe prej asaj dite ai u fut në qarkun e dhunës hetuese, ku pyetjet, kërcënimet dhe keqtrajtimet ishin pjesë e përditshme e rrugëtimit drejt një aktgjykimi të paracaktuar.

Në fund, vendimi i Gjykatës së Qarkut në Gjilan ishte i pamëshirshëm: 4 vjet e 6 muaj burg të rëndë. Ky dënim nuk ishte rezultat i një krimi të kryer, por i një politike që synonte të dënonte përmes shembullit, duke e kthyer jetën e një bujku të varfër në dëshmi të terrorit shtetëror.

Rasti i Xhavit Qerimit pasqyron qartë logjikën e drejtësisë së kohës, nuk dënoheshin aktet konkrete, por vetë ekzistenca e lidhjeve, dyshimet, dhe më së shumti, përkatësia në një popull që shihej si vatër rezistence. Një baba i dy fëmijëve, me një ekonomi të brishtë dhe pa mbështetje, shndërrohej në “armik të shtetit”, jo pse kishte rrezikuar rendin, por sepse duhej përforcuar frika se askush nuk ishte i mbrojtur.

I gjashti në listën e të akuzuarve ishte Destan Muherremi, bujk nga fshati Lubishtë, i lindur më 1920 nga babai Muharremi dhe nëna Arifja. Ai ishte një njeri i thjeshtë, i rrënjosur në punën e tokës dhe në jetën fshatare, pa arsim, analfabet si shumë të tjerë të brezit të tij, por me një barrë të rëndë mbi supe- përgjegjësinë për një familje të madhe. Ishte i martuar dhe baba i pesë fëmijëve, të cilëve u siguronte jetesën me mund e djersë, duke e ndarë bukën e gojës në kushte të vështira ekonomike.

Por jeta e tij e zakonshme nuk e mbrojti nga rrota e dhunshme e represionit shtetëror. Më 30 tetor 1951, Destani u arrestua dhe u fut në burgun hetues, ku për muaj të tërë u mbajt nën kushte çnjerëzore. Hetuesia nuk kishte për qëllim të zbulonte të vërtetën, por të gjente një “pranim fajësie”, të cilin e siguronte përmes presionit, torturës dhe frikës.

Në përfundim të procesit gjyqësor, Gjykata e Qarkut në Gjilan i shqiptoi 4 vjet burg të rëndë. Një dënim i rëndë, që jo vetëm ia shkatërronte jetën atij, por linte pas edhe një familje të tërë pa përkujdesjen e kryefamiljarit. Pesë fëmijë dhe një bashkëshorte mbeteshin të braktisur përballë varfërisë, ndërsa ai vetë shndërrohej në viktimë të një drejtësie të fabrikuar.

Rasti i Destan Muherremit pasqyron qartë natyrën e gjyqeve politike- nuk mjaftonte të ndëshkohej individi i dyshuar, por përmes tij duhej goditur edhe familja, edhe komuniteti. Burgosja e tij nuk ishte vetëm një dënim personal, por një mesazh i frikshëm për të gjithë- se kushdo që shihej si i lidhur, qoftë edhe rastësisht, me figurat e rezistencës, do ta paguante shtrenjtë, pavarësisht kush ishte apo çfarë kishte bërë.

I shtati ndër të akuzuarit ishte Hajdar Hajdini, një bujk nga fshati Gumnishtë, i lindur më 1911 nga babai Hajdini dhe nëna Hajrija. Ai ishte një njeri i thjeshtë, i lidhur ngushtë me jetën e fshatit dhe tokën, ku kalonte ditët e tij me punë e mund. Ishte i martuar, por pa fëmijë, dhe si shumë të tjerë të kohës mbeti analfabet, i privuar nga mundësia për shkollim, gjë që e bënte edhe më të pambrojtur përballë aparatit shtetëror.

Hajdari u arrestua më 18 tetor 1951 dhe që nga ajo ditë u fut në burgun hetues, ku iu nënshtrua muajve të gjatë të presioneve, pyetjeve dhe torturave të zakonshme për sistemin e asaj kohe. Hetuesia nuk kërkonte të gjente të vërtetën, por vetëm të siguronte një dëshmi që do të mbështeste aktakuzën e përgatitur më herët.

Në fund të procesit gjyqësor, ky burrë i thjeshtë, i padëmshëm dhe i lidhur vetëm me punën e tij bujqësore, u shpall fajtor. Gjykata e Qarkut në Gjilan i shqiptoi një dënim prej 3 vitesh burg të rëndë, duke e futur në listën e gjatë të shqiptarëve që u dënuan jo për veprime konkrete, por për shkak të klimës së dyshimit dhe represionit që rëndonte mbi të gjithë komunitetin.

Rasti i Hajdar Hajdinit ilustron mënyrën se si pushteti i kohës nuk i kursente as njerëzit më të zakonshëm, as ata që nuk kishin zë apo ndikim. Edhe një bujk i thjeshtë, analfabet dhe pa fëmijë, mund të shpallej “armik i shtetit” vetëm për të treguar se ligji i asaj kohe nuk njihte drejtësi, por vetëm ndëshkim.

I teti dhe i fundit ndër të akuzuarit ishte Sahit Abaz Rexha, bujk nga fshati Bresalc, i lindur më 1914 nga babai Abazi dhe nëna Dile. Jeta e tij ishte ajo e një fshatari të zakonshëm, i martuar dhe baba i një fëmije, që me mund e djersë përpiqej të mbante familjen në kushte të gjendjes së mesme ekonomike. Ai nuk kishte qenë asnjëherë figurë publike apo njeri me ndikim, por vetëm një bujk që punonte tokën e tij dhe jetonte në qetësinë e fshatit.

Megjithatë, edhe ai nuk shpëtoi nga vala e arrestimeve që përfshiu Anamoravën. U arrestua më 17 tetor 1951 dhe u fut në burgun hetues, ku për muaj të tërë iu nënshtrua procedurave të rënda hetimore, presioneve dhe pyetjeve të pafundme. Procesi gjyqësor ndaj tij përfundoi më 13 maj 1952, kur Gjykata e Qarkut në Gjilan i shqiptoi një dënim prej 3 vjetësh burg të rëndë.

Rasti i Sahit Abaz Rexhës është shembull i qartë i mënyrës sesi pushteti i kohës nuk bënte dallim mes njerëzve- edhe një bujk i zakonshëm, me një jetë modeste dhe pa ndonjë të kaluar kriminale, mund të shpallej fajtor vetëm për të përmbushur logjikën e ndëshkimit kolektiv. Dënimi i tij nuk ishte produkt i një krimi konkret, por i një politike që kërkonte të krijonte shembuj frike e nënshtrimi.

Nëpërmjet rasteve si ky, shihet se drejtësia e kohës nuk ndëshkonte vetëm veprime, por kriminalizonte vetë jetën e përditshme shqiptare – miqësitë, solidaritetin dhe thjeshtësinë e njerëzve që guxonin të mos kthenin shpinën. Sahiti, një baba i vetëm me një fëmijë, u kthye në viktimë të një gjyqi që në thelb nuk kishte të bënte me drejtësinë, por me propagandën dhe terrorin politik.

Për ta bërë sa më të besueshme dhe të ashpër aktakuzën, gjyqtarët dhe hetuesit nuk kursenin sjelljen e të dhënave të shumta, të cilat paraqiteshin si “prova të pakundërshtueshme”. Në realitet, këto të dhëna ishin të ndërtuara mbi logjikën politike të kohës, duke u përdorur për të krijuar një imazh të frikshëm të të akuzuarve, sikur ata kishin kryer vepra të rënda penale të drejtuara kundër popullit dhe shtetit jugosllav.

Në bazë të Akuzës nr. B-26/51, datë 11 dhjetor 1951, thuhej se tetë të akuzuarit kishin pasur lidhje me Hasan Alinë dhe grupin e tij, duke i ndihmuar për mbijetesë në luftën kundër UDB-së, e cila ishte vënë në lëvizje për t’i kapur “trimat e arratisur”. Kjo ndihmë – që shpesh nënkuptonte vetëm ofrimin e një strehimi, një cope buke apo një veshmbathje – në aktgjykim paraqitej si veprim i rëndë armiqësor.

Për ta bërë edhe më të frikshme dhe për ta ngarkuar me peshë politike çështjen, gjykata solli si “dëshmi shtesë” faktin se Hasan Remniku gjatë kohës së okupimit kishte vrarë trembëdhjetë serbë, ndërsa pas të ashtuquajturit “çlirim” ishte akuzuar se kishte vrarë shqiptarin e ndershëm S. R., si dhe aktivistin e Frontit Popullor, njëkohësisht policin Gjorgje Saviqin nga Sllakoci. Në këtë mënyrë, ndihma e dhënë prej tetë të akuzuarve shihej si e lidhur drejtpërdrejt me krime të rënda kundër shtetit dhe popullit, duke i vendosur ata në të njëjtën radhë me të arratisurit.

Ky arsyetim, në thelb, ishte pjesë e një politike të qartë kriminalizimi: çdo gjest solidariteti me të arratisurit barazohej me fajin e tyre, dhe çdo kontakt i rastësishëm kthehej në “provë” për armiqësi. Në vend që të gjykoheshin veprimet individuale, sistemi gjyqësor kërkonte të ndërtonte një narrativë kolektive faji, ku ndihma njerëzore interpretohej si komplot kundër shtetit.

Ramadan Agushi në aktakuzë paraqitej si një ndër figurat e rëndësishme të organizatës së quajtur “Zogistët”. Sipas dokumenteve zyrtare, ai akuzohej se kishte vrarë sekretarin e Bashkësisë Lokale të Malishevës, Petar Markoviqin, si dhe kishte marrë pjesë në prerjen e shtyllave të telefonit në rrugën që lidhte Gjilanin me Kamenicën dhe Bujanocin – një akt që interpretohej si sabotim kundër rendit shtetëror. Gjithashtu, sipas gjykatës, ai kishte ikur nga burgu ku pritej të ekzekutohej dënimi me vdekje, i shqiptuar më herët nga Gjykata e Qarkut në Gjilan.

Megjithatë, në vetë aktakuzën kishte elementë të shumtë të pavërtetë, të fabrikuar nga hetuesit. Ato u montuan me qëllim të vetëm: të denigronin figurën e atdhetarëve shqiptarë para popullit, duke i paraqitur jo si luftëtarë për liri, por si “kriminelë”, “hajna” dhe “banda të paorganizuara”, të cilat, sipas narrativës zyrtare, nuk dinin as çfarë kërkonin nga pushteti. Ky diskurs ishte një strategji tipike e regjimit për të prishur imazhin e rezistencës dhe për të dobësuar moralin e masave.

Por realiteti ishte krejt tjetër. Populli, i cili i njihte mirë këta burra, nuk ra asnjëherë në grackën e propagandës së okupatorit. Përkundrazi, ai e ruajti kujtimin e tyre si njerëz të sakrificës dhe të qëndresës, duke i transmetuar brez pas brezi rrëfimet e guximit dhe qëllimit të tyre të lartë. Kjo tregon se, ndonëse shteti mund të manipulonte aktgjykimet dhe të përdorte propagandën për të mbjellë frikë, e vërteta e popullit mbeti e paprekur: këta burra nuk ishin kriminelë, por atdhetarë që luftuan për lirinë dhe dinjitetin kombëtar.

Vijon

Kontrolloni gjithashtu

Prof.dr. Sabile Keçmezi- Basha: JATAKËT DHE BUNKERËT E LIRISË - DILEMAT PËR HELMIM APO VRASJE TË HASAN REMNIKUT ME GRUPIN (11)

Prof.dr. Sabile Keçmezi- Basha: JATAKËT DHE BUNKERËT E LIRISË – DILEMAT PËR HELMIM APO VRASJE TË HASAN REMNIKUT ME GRUPIN (11)

Në shumë prej shkrimeve të botuara deri më tani, është përhapur mendimi se Hasan Remniku …