Prof. dr. Sabit Syla: 27 vjet nga rënia e Mujë Krasniqit dhe bashkëluftëtarëve të tij

Sot janë bërë 27 vjet nga rënia heroike e komandant Mujë Krasniqit dhe 41 bashkëluftëtarëve të tij, të cilët ranë në vijën e frontit duke u bërë simbol i sakrificës sublime për liri. Kujtojmë rolin e tij si një nga themeluesit e hershëm të luftës çlirimtare në Kosovë, pjesëtar i grupeve dhe celulave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qysh në fillet e saj, si pjesëmarrës në një sërë aksionesh guerile kundër forcave serbe – aktivitete këto thelbësore për krijimin e strukturave të para ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë drejtim, M. Krasniqi, ishte iniciatori i njësitit “Alfa” të UÇK-së, i cili luajti rol kyç në forcimin e organizimit të luftës çlirimtare. Avancimi në drejtimin e e organizimit te luftës u shoqërua me betejën e parë frontale midis UÇK-së dhe forcave serbe në Klysyrë të Drenicës, më 26 nëntor 1997, e cila theu mitin mbi pathyeshmërinë e forcave serbe. Beteja në fjalë dhe ata që luftuan 27 vite më parë së bashku me Mujë Krasniqin nuk ishin thjesht ushtarë, as beteja e zhvilluar nuk ishte vetëm një përballje ushtarake; ajo ishte një luftë për dinjitet, ku brezat e ardhshëm do të gëzonin lirinë dhe drejtësinë që meritojnë. Më 28 nëntor 1997, me rastin e varrimit të mësuesit Halit Geci, Mujë Krasniqi, së bashku me Rexhep Selimin dhe Daut Haradinaj, dolën publikisht para mijëra qytetarëve dhe, me këtë rast, riti i varrimit nga ai fetar mori karakter kombëtar. Ishte një moment historik që shënoi daljen triumfale të UÇK-së si simbol i forcës dhe vendosmërisë, e cila bëri të mundur atë që dikur dukej e pamundur: fitoren kundër një pushtimi të dhunshëm shekullor. Andaj, në këtë drejtim, dalja në skenë e UÇK-së nga Mujë Krasniqi me dy bashkëluftëtarët e tij ishte jo vetëm një ngjarje ushtarake, por edhe një kthesë e madhe në aspektin politik dhe diplomatik të Kosovës, pasi në këto tri fronte – ushtarak, politik dhe diplomatik – UÇK-ja e drejtoi Kosovën drejt çlirimit, pavarësisht forcës politike dhe ushtarake që posedonte Serbia, e cila në fillim të vitit 1998 kishte Njësitë e saj Speciale të MPB-së si bazë të forcave të armatosura në luftë kundër UÇK-së, ndërsa nga pranvera  e atij viti edhe Ushtrinë me njësit e saj vartëse..

Në korrik të vitit 1998, në pajtim me urdhëresën e veçantë të Shtabit të Përgjithshëm të UJ-së, Komanda e Armatës III dha urdhër për operacionin “Grom 98”. Madje, për detyra ndihmëse u angazhuan edhe Armata I dhe II me njësitet e tyre në rajone të ndryshme të Kosovës. Operacionet ushtarake serbe vazhduan më 26 korrik në Rixhevë dhe më 27 korrik në Fushë të Madhe, në mes fshatrave Siqevë dhe Dush të Klinës. Këtij operacioni ushtarak, më 25 korrik 1998, në vendin e quajtur Gryka e Kullës, në Dollc të Klinës, iu kundërvunë forcat çlirimtare të udhëhequra nga Mujë Krasniqi, ku pati humbje të konsiderueshme nga pala serbe, por edhe vetë komandant Muja u plagos (28 korrik), tashmë për herë të dytë, pasi plagën e parë e kishte marrë më 16 prill.

Pavarësisht sfidave dhe vështirësive të ndryshme mbi punën, aktivitetin dhe luftën e Mujë Krasniqit dhe bashkëluftëtarëve të tij, Ushtria Çlirimtare e Kosovës u organizua, përpiloi rregullore që përcaktonin strukturën e trupave dhe disiplinën ushtarake, kreu sulme të koordinuara kundër forcave të Serbisë dhe zbatoi plane strategjike. Me qëllim të organizimit, më 4 korrik u mor vendim për formimin e njësive deri në kompani, ndërsa më 23 korrik u aprovua rregullorja e përkohshme e nënreparteve të zbulimit në luftë. Ndërkohë, më 16-17 gusht u vendos që të kalohej në nivelin e organizimit në brigada dhe Mujë Krasniqi u emërua komandant i Brigadës 113 të Zonës Operative të Drenicës. Me vendimin e datës 18 nëntor, u kalua nga organizimi i Nënzonave Operative të UÇK-së në 7 Zona Operative të UÇK-së, me gjithsej mbi 30 brigada ushtarake, të cilat ishin njësi operative në terren që mbulonin tërë territorin e Kosovës.

Zona Operative e Drenices, pjesë e së cilës ishte edhe Brigada 113, u shoqërua me beteja të rrepta kundër objektivave të forcave jugosllave. Forcat serbe ndërmorën operacione ushtarake të shkallës së gjerë, si operacioni i 22 shtatorit 1998, i njohur ndryshe si “Ofensiva e Shtatorit”. Ky operacion, i koordinuar nga Ushtria e Jugosllavisë me organet e Ministrise se Puneve te Brendëshme, përfshiu pjesë të gjera të Kosovës dhe në këtë kuadër edhe Brigadën 113 të ZOD. Synimi i operacionit në rajonin e Drenicës ishte largimi i UÇK-së nga bastioni i saj dhe sulmi filloi nga dy drejtime: nga Klina, pra nga jugperëndimi, dhe nga malet e Çiçavicës në lindje. Pasoi një përgjigje e ashpër e UÇK-së. Forcat serbe përbëheshin nga njësitë speciale policore antiterroriste, skuadrat e UJ-së dhe forcat për operacione të veçanta, të pajisura me tanke, artileri të rëndë dhe armë kundërajrore të kalibrave të ndryshëm. Shtatë pjesëtarë të MPB-së u vranë në zonën e përgjegjësisë së Mujë Krasniqit vetëm më 25 shtator, ndërsa të nesërmen edhe tre tjerë, pa llogaritur këtu humbjet e tjera të forcave serbe më 24 prill, më 18 qershor, më 7 dhe 17 tetor etj.

Në nëntor të vitit 1998, Mujë Krasniqi me disa bashkëluftëtarë depërtoi në Shqipëri për të marrë armatim dhe municion për nevojat e luftës. Më 13/14 dhjetor, me 143 luftëtarë u nis për në Kosovë dhe në Pashtrik, në relacionin Liqenet e Hasit–Gorozhup, pas pritës së zënë nga forcat serbe, Mujë Krasniqi, së bashku me 41 bashkëluftëtarë të tjerë, ranë në vijën e frontit, aty ku kishte qenë edhe synimi i tyre: rrëzimi i kufirit shqiptar-shqiptar, në një terren ku lufta për liri do të shkruante kapitujt më heroikë të historisë së luftës çlirimtare. Më 21 dhjetor 1998, Mujë Krasniqi dhe 35 dëshmorë të tjerë u varrosën me nderime të larta ushtarake në Polac. Në natën e 14 dhjetorit u arrestuan edhe 9 pjesëtarë të UÇK-së, ndërkohë që më 8 janar 1999 u zunë rob 7 ushtarë dhe 1 rreshter i Ushtrisë Jugosllave në Zonen Operative te Shales. Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së paraqiti kushtet për lirimin e tyre me qëllim të këmbimit. Pas bisedimeve intensive me faktorin ndërkombëtar, u arrit pajtimi dhe më 13 janar u liruan 8 pjesëtarët serbë, ndërsa më 23 janar u liruan edhe 9 pjesëtarët e UÇK-së. Kjo përbënte një fitore të madhe politike, ushtarake dhe diplomatike për UÇK-në dhe Kosovën. Ndërkohë, në nderim të veprës së Mujë Krasniqit, Brigada 113 mori emrin e tij, brigadë e cila dha mbi 180 dëshmorë, emrat e të cilëve janë të pavdekshëm në kujtesën kolektive të kombit, si testament i atyre që dhanë jetën për lirinë që gëzojmë sot.

Në këtë kontekst të sakrificës dhe përballjes së pandërprerë, forcat shtetërore jugosllave përgatitën operacione ushtarake të nivelit të gjerë, si planet “Grom 3” dhe “Grom 4”. Në javën e parë të marsit 1999, Brigada e 37-të e motorizuar nga Rashka zbarkoi në Drenicë, siç ishte përcaktuar me planin “Bubullima 98”, komanda e së cilës nxori operacionin e koduar “Kamenica”. Forcat qeveritare serbe gjatë viteve 1998-1999 sollën forca dhe armatime të reja, mobilizuan forca rezerviste, koordinuan njësitë e tjera të sigurisë, armatosën popullsinë civile serbe dhe inkuadruan kriminelë e grupe vrasëse. Në këtë drejtim, vetëm Korpusi i Prishtinës numëronte 75.000–80.000 pjesëtarë dhe rreth 40.000 të tjerë, nën mbështetjen e Armatës II të stacionuar në Mal të Zi. Gjithsej, nga të gjithë sektorët në Kosovë, ishin afër 200.000 trupa. Nga këto forca, humbën jetën mbi 1.000 pjesëtarë të MPB-së dhe ushtarë, si dhe mbi 2.000 të tjerë u plagosën. Lidhur me këtë, Lazareviqi do të theksonte: “Këto janë humbje katastrofale për Korpusin e Prishtinës, për Armatën III dhe për UJ-në, për Jugosllavinë dhe për Serbinë… Në krahasim me humbjet e përgjithshme në Jugosllavi, del se mbi 90% e humbjeve ndodhën në Kosovë.”

Numri më i madh i të vrarëve ishte nga UÇK-ja sesa nga aviacioni i NATO-së. Në ZOD, pjesë e së cilës ishte edhe Brigada “Mujë Krasniqi”, kemi numrin më të madh të të vrarëve dhe të plagosurve nga pala serbe. Pra, nuk ishin vetëm sulmet e NATO-s ato që e detyruan Serbinë të kapitullonte, por ishte edhe UÇK-ja, e cila Kosovën e shndërroi në një problem mbarëkombëtar dhe e vuri, si asnjëherë tjetër në historinë kombëtare të shqiptarëve, në fokusin e vëmendjes botërore.

Mujë Krasniqi ishte bashkëluftëtar dhe pjesë e të njëjtit organizim çlirimtar me drejtuesit e UÇK-së që sot po mbahen në Hagë në Gjykatën Speciale, në një proces që po shihet gjerësisht si një padrejtësi ndaj atyre që luftuan për lirinë e Kosovës. Ky proces, kundër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit e të tjerë – paraqet një trajtim të padrejtë të luftës çlirimtare, duke u fokusuar ekskluzivisht mbi organizimin më të suksesshëm ushtarak të fund-shekullit XX. Lufta çlirimtare ishte e imponuar, e domosdoshme dhe e drejtë; ajo ishte e drejtuar kundër një pushtuesi që kreu gjenocid dhe spastrim etnik në Kosovë. Lufta e UÇK-së u zhvillua në përputhje me vlerat themelore të lirisë së popullit shqiptar dhe me parimet fundamentale të lirisë dhe ekzistencës njerëzore të çdo populli. E drejta e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nënkupton mbrojtjen e legjitimitetit të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, mbrojtjen e legjitimitetit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, por edhe sakrificën fizike, shpirtërore dhe morale të shumë të rënëve në Kosovë, pasi veçantia e kësaj lufte mbështetet pikërisht mbi madhështinë e dëshmorëve si Mujë Krasniqi dhe bashkëluftëtarët e tij, heronjtë dhe martirët që me luftën dhe rënien e tyre u bënë themeli i lirisë së shqiptarëve dhe simbol i vetëdijes historike, ndërgjegjes, qëndresës dhe lirisë së gjithë shqiptarëve.

 

Kontrolloni gjithashtu

Dr. Skënder Demaliaj: HYSEN PAPA DREJTUES ME VIZION DHE I SUKSESSHËM

Dr. Skënder Demaliaj: HYSEN PAPA DREJTUES ME VIZION DHE I SUKSESSHËM

Jeta dhe veprimtaria e Hysen Papës Hysen Papa ka lindur, më 21 shkurt 1932, në …