Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË - I

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – IX

 -97-

D G Manning Esq                                                                                        Ambasada britanike

EESD                                                                                                                     Moskë

FCO                                                                                                                    17 shtator 1981

I nderuar David,

Kosova

 

  1. Në një artikull të rrallë për Kosovën, gazeta “Pravda” e datës 12 shtator raportoi se Kryesia e LKJ ka diskutuar një program tjetër masash për të normalizuar situatën e brendshme politike në Kosovë. “Pravda” komentoi se situata e shkaktuar nga trazirat dhe demonstratat e rrugëve në pranverë ka mbetur e ndërlikuar. Shtypi jugosllav i ka përshkruar këto ngjarje si “armiqësore dhe kundërrevolucionare” dhe që synonin prishjen e unitetit të popullit jugosllav.
  2. Vazhdonin përpjekjet për manifestime të reja provokuese, e po kështu vazhdonte përhapja e materialeve armiqësore, formave të ndryshme të terrorit dhe dhunës. Organizatorët dhe aktet subversive ishin grupuar së bashku në të njëjtën platformë të nacionalizmit shqiptar. Sipas raporteve të shtypit, 189 persona janë dënuar për akte kundërrevolucionare dhe nacionaliste. Gazeta “Borba” është shprehur se nga LKJ dhe organizata të tjera socio-politike nevojitej një punë aktive politike dhe edukuese për të normalizuar plotësisht situatën. Kryesia ka theksuar se një prej detyrave bazë do të mbetej lufta pa kompromis kundër aktivitetit subversiv.

                                                                                        E Juaja

                                                                                  Anne Jackson

Për dijeni:

Departamenti i Kërkimit, FCO

Zyra e Kancelarit, BEOGRAD

 -98-

Konfidenciale

  1. E. Montgomery Esq              Ambasada britanike

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                                           Beograd

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                                 17 shtator 1981

I nderuar Alan,

Kosova: situata e sigurisë

 

  1. Kam raportuar në letrën time të datës 8 shtator se i kisha kërkuar Atasheut të Mbrojtjes që të përdorte lejen e dhënë kohët e fundit për diplomatët që të vizitojnë Kosovën – si turistë. Kolonel Eaton bëri një turne midis datave 10 dhe 14 shtator dhe hartoi një raport të detajuar për DIS, MOD. Për koincidencë, kolegu i tij amerikan vizitoi Kosovën në të njëjtën kohë, megjithëse vetëm për pak orë, dhe na dha një kopje të raportit të tij. Unë jam bazuar tek të dy raportet për të dhënë një përshkrim të situatës aktuale të sigurisë në Kosovë dhe pjesë të Maqedonisë.
  2. Koloneli Eaton mori rrugën në shumicën e qendrave më të rëndësishme të demonstratave të mëparshme nacionaliste shqiptare në Kosovë dhe Maqedoninë Perëndimore dhe kaloi natën në Prishtinë, Ohër dhe Pejë. Përfaqësuesi i SHBA kaloi vetëm një pjesë të Kosovës përmes Prishtinës dhe Nishit. Gjithsesi, konkluzionet e tyre ishin pak a shumë të njëjta se autoritetet duket se kanë situatën nën kontroll, megjithëse në dëm të vendosjes së një numri të madh forcash të sigurisë aty. Nga përshkrimet e tyre duket se në qytetet kryesore jeta në përgjithësi i është kthyer normalitetit dhe atmosfera është qetësuar me gjithë patrullat e armatosura rëndë të milicisë të përhapura kudo. Forcat e Armatosura (JNA) duket se nuk kanë pasur ndonjë rol të dukshëm në ruajtjen e sigurisë. Përveç disa parullave, të cilat nuk ishin domosdoshmërish nacionaliste, Kolonel Eaton nuk pa prova të trazirave për të cilat autoritetet thonë se vazhdojnë, d.m.th. shkarravitja e parullave politike, shpërndarja e pamfleteve dhe akteve të intimidimit. Madje edhe Tetova dhe Ferizaj, të cilat janë përmendur kohët e fundit si vende të trazirave të vazhdueshme, duken të qeta. Hyrja dhe dalja nga Kosova në rrugët kryesore ende kontrollohet dhe po kështu lejekalimet diplomatike kërkohen, por përfaqësuesi i SHBA zbuloi se në një rrugë dytësore për në Nish nuk kishte fare kontroll.
  3. Shpresojmë që të rregullojmë një vizitë nga një anëtar i Zyrës së Kancelarit në të ardhmen e afërt dhe të raportojmë në kohën e duhur.

                                                                                             I Juaji

  1. J. Crark

Për dijeni: P Rennie Esq

 Departamenti i Kërkimit

-99-

Për përdorim të kufizuar

J C R Gray Esq                                                                                            Ambasada britanike

EESD                                                                                                                    Beograd

FCO 29 shtator 1981

I nderuar Charles,

Kosova: përgjegjësia e Mahmut Bakallit

Përmbledhje

  1. Raporti i komisionit të ngritur për të shqyrtuar përgjegjësinë politike të Mahmut Bakallit (pjesë të të cilit ishin zbuluar në gusht) është botuar tashmë i plotë. Bëhet fjalë për një përshkrim të detajuar dhe dënues për rritjen e nacionalizmit shqiptar në Kosovë dhe dështimin e Bakallit për ta trajtuar atë apo për të informuar autoritetet serbe ose ato shtetërore në këtë drejtim. Raporti hedh poshtë çdo sugjerim se autoritetet e Kosovës ishin zënë në befasi në mars dhe në prill nga shtrirja e nacionalizmit shqiptar në Krahinë. Publikimi i këtij raporti mund të paralajmërojë fillimin e procedurave kundër vetë Bakallit.

Detaje

Komisioni dhe gjetjet e tij

  1. Pas demonstratave nacionaliste në Kosovë në mars dhe prill, Kryetari i LKK, Mahmut Bakalli, dha dorëheqjen më 5 maj (Telegram nr. 56 datë 6 maj, Beograd); Ai më pas u largua nga Kryesia e LKK në korrik (letra e Terence Clark drejtuar Alan Montgomery më 21 korrik). Tashmë, e dimë se Kryesia e KQ të LKJ vendosi më 2 qershor 1981 që të ngrinte një Komision Special për të hetuar përgjegjësinë personale të Bakallit për dobësitë në politikat e LKJ të cilat kishin çuar në “përshkallëzimin e nacionalizmit të Shqipërisë së Madhe dhe irredentizmit”.
  2. Komisioni prej 6 vetash kishte në përbërje tre anëtarë të Komitetit Qendror të LK të Serbisë dhe tre anëtarë të Komitetit Krahinor të LK të Kosovës, ekuivalenti krahinor. Pas diskutimesh të gjata me Bakallin dhe shqyrtimit të provave dokumentare në fillim të korrikut, Komisioni arriti konkluzionet e tij më 12 Korrik (letra e Terence Clark për Alan Montgomery e datës 10 gusht, paragrafët 13 dhe 14, përmendte se si gazeta “Politika” kishte nxjerrë disa nga gjetjet e Komisionit). Sidoqoftë, teksti i plotë ka dalë tashmë për herë të parë në gazetën “Komunist” të datës 25 shtator, dhe është ribotuar në gazeta të tjera. Është një dokument i rëndësishëm dhe i shquar, i cili ka vlerë të raportohet në disa detaje me rëndësi për shkak se konfirmon zyrtarisht shumë pika të ngjarjeve, të cilat shtypi i ka publikuar që në muajin prill.

Pamfletet e “Partisë Marksiste-Leniniste të shqiptarëve në Jugosllavi”

  1. Ndërkohë që Komisioni kishte detyrë në përgjithësi të hidhte dritë mbi përgjegjësinë e Bakallit për mangësitë e LKJ, ai i kushtoi vëmendje të veçantë së pari faktit që LKJ dhe LKS nuk ishin njoftuar për pamfletet armiqësore të dërguara në mënyrë anonime tek Bakalli dhe udhëheqësit e tjerë të Kosovës. Pamfletet u dërguan prej marsit 1979 deri në janar 1981, dhe pretendohej se vinin nga “Partia Komuniste Marksiste-Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi” (ose PKMLSHJ). Një pamflet i tillë mesa duket shkonte deri në 140 faqe dhe rendiste strukturën dhe statusin e PKMLSHJ. Autoritetet e sigurisë së Kosovës i mblodhën këto dokumente por autoritetet qendrore të LKJ i panë ato vetëm më 24 prill 1981. Në fakt, shumica e anëtarëve të Kryesisë së Komitetit Krahinor gjithashtu nuk patën dijeni deri atëherë për ekzistencën e tyre. Bakalli i shpjegoi Komisionit se megjithëse nuk kishte urdhëruar që pamfletet të dërgoheshin në Beograd, ai nuk kishte urdhëruar që ato të mos dërgoheshin; Një hetim u nis në këtë drejtim për zbulimin e autorëve. Komisioni konstatoi se ky hetim nuk zbuloi gjë, pjesërisht për arsye se mungonte një analizë serioze e detajuar politike e PKMLSHJ.

Si u mbajtën të fshehura incidentet nacionaliste

  1. Raporti i Komisionit më pas përshkroi sesi dy mbledhjet e Komitetit Krahinor të LKK në qershor dhe shtator 1979, kishin diskutuar një sërë incidentesh nacionaliste të kohëve të fundit në Kosovë (për shembull heqja e fotos së Titos dhe parullat, bojkotimi i mësimit, shpërndarja e fletushkave apo pritjet euforike që iu bënë orkestrave vizitore nga Shqipëria). “Kryesia e Komitetit Krahinor në këto mbledhje, veçanërisht gjatë mbledhjes së mbajtur në prag të vizitës së Titos në Kosovë ishte fare pranë vlerësimit të vërtetë të situatës politike në Krahinë”. Edhe Bakalli kishte thënë se ngjarjet “po lëviznin në një drejtim të rrezikshëm që mund të krijonte një situatë të rrezikshme kritike” (!). Por, Komiteti Krahinor nuk kishte raportuar asnjë fjalë të këtyre problemeve pranë autoriteteve qendrore. Vetë Bakalli kishte shprehur shqetësimin se mos lajmet për to do të bëheshin publike dhe incidentet mund të ekzagjeroheshin dhe “dramatizoheshin”. Komisioni konstatoi se ky qëndrim ishte shprehje “e liberalizmit” duke shtuar me forcë se Kryesia e Komitetit Krahinor nuk duhej të ishte habitur nga veprimet e armikut. Nuk ishte zhvilluar një betejë e hapur dhe publike kundër nacionalizmit.
  2. Kur në vitin 1980 u arrestuan 55 nacionalistë, “mbi bazën e konsultimeve në Jugosllavi, Serbi dhe Kosovë” u vendos që tëçoheshin në gjyq vetëm 19 krerët e tyre. Sidoqoftë, në vend që të mbanin qëndrim të vendosur (megjithëse ekstraligjor) kundër personave të liruar, në të vërtetë autoritetet e Kosovës kishin shpërblyer sjelljen e tyre, duke i pranuar disa prej tyre sërish në shkolla dhe duke u dhënë bursa. Ku ishte në një politikë të tillë beteja kundër nacionalizmit? Përsëri, Bakalli i kishte thënë Komisionit si një shembull pozitiv të kontrollit nga ana e tij të situatës se ai ishte konsultuar për një kërkesë të disa shqiptarëve vizitorë që të hiqej fotoja e Titos. Por, siç tha Komisioni, vetë fakti që kjo çështje duhej madje të analizohej, tregonte sesa e çorientuar ishte bërë politika e LKK. Bakalli kishte refuzuar vazhdimisht për të lejuar publikimin e sulmeve nacionaliste, “nga frika se mos një gjë e tillë pengonte hetimet”; Në trajtimin e nacionalizmit shqiptar, ai e kishte parë publicitetin më tepër si një faktor përkeqësues sesa ndihmues. Ky qëndrim i kishte dekurajuar të gjithë ata që ishin të gatshëm për të vepruar me vendosmëri.

Emigracioni i serbëve dhe malazezëve

  1. Autoritetet kryesore të Kosovës kishin dijeni gjithashtu për rastet e presioneve ndaj serbëve dhe malazezëve që të largoheshin nga Krahina, por Bakalli i kishte dënuar këto si gënjeshtra që synonin diskreditimin e udhëheqjes së Kosovës. Kishte pasur edhe raste të dëbimit të njerëzve nga LKK për faktin se kishin folur hapur për këtë çështje. Por, problemet e marrëdhënieve në komunitet nuk ishin shfaqur në agjendën e Komitetit Krahinor që në Kongresin e 11-të të LKJ.

Nacionalizmi në medien e Kosovës dhe Universitetin e Prishtinës

  1. Komisioni tha se në retrospektivë, Bakalli tashmë e pa se dobësia kryesore e LKK kishte qenë në mungesën e betejës së hapur dhe publike kundër nacionalizmit. “Ndërkohë që vlerësimet kritike të nacionalizmit shqiptar kishin mbetur brenda një qarku të mbyllur, pikëpamjet nacionaliste po shpreheshin publikisht dhe gjithnjë e më gjerësisht”. Komisioni dha shembuj të ndryshëm pak a shumë të hapur të manifestimeve nacionaliste që ishin shfaqur në medien e Kosovës, duke shtuar se ishte lejuar gjithashtu që të zbulohej bashkëpunimi kulturor midis Universitetit të Prishtinës dhe atij të Tiranës. Bakalli kishte qenë në kontakt me autoritetet drejtuese të Universitetit në Prishtinë, por nuk kishte arritur të shihte se ku po çonte “romantizmi kombëtar” me të cilin u pajtuan disa prej tyre.

Demonstratat e 11 marsit

  1. Megjithëse kishte pasur një përfshirje të qartë nacionaliste në demonstratat e 11 marsit, në të cilat u plagosën 20 milicë, një prej të cilëve me armë zjarri, Bakalli e kishte minimizuar këtë fakt dhe kishte theksuar kërkesat “sociale” (d.m.th. për kushte më të mira) të studentëve. Udhëheqja kryesore e Kosovës në diskutimet e saj të nesërmen kishte folur kryesisht lidhur me faktin se çfarë do të njoftohej publikisht dhe jo për vetë demonstratat. Në mbledhjen e radhës të Komitetit Krahinor, demonstratat ishin vënë në seksionin “ndonjëçështje tjetër” të agjendës. Shpjegimi i Bakallit ishte se mbledhja ishte thirrur tashmë dhe agjenda ishte përcaktuar – “një justifikim teknik por jo politik”.

Konkluzionet e Komisionit

  1. Komisioni nuk kishte qenë në gjendje të mblidhte të gjitha rastet e nacionalizmit shqiptar në Kosovë gjatë viteve të fundit. Sidoqoftë, ishte e qartë se aktiviteti armiqësor vazhdonte prej një kohe të gjatë por që nuk ishte përballuar siç duhet. Përgjegjësia e udhëheqjes së Kosovës dhe e Bakallit personalisht ishte e padiskutueshme. Bakalli kishte argumentuar se udhëheqja kishte punuar në mënyrë kolektive. Megjithatë, Komisioni ishte i bindur se influenca e Bakallit dhe e zyrtarëve të tjerë të lartë ishte vendimtare. “Përgjegjësia personale nuk mund të zbutet duke u përfshirë në disa përgjegjësi kolektive, formale dhe të pacaktuara… Bakalli është përpjekur të gjejë justifikime për shumë gjëra që janë të pafalshme”. Qëndrimi i tij ndaj incidenteve nacionaliste ka qenë “liberal dhe i lëkundshëm”. Për pasojë, ai duhej të përjashtohej nga Komiteti Krahinor. Megjithëse ky sanksion nuk pasqyronte plotësisht masën e përgjegjësisë së tij, atij i duhet dhënë mundësia që të shprehë një kritikë të sinqertë dhe qëndrim të sinqertë kritik dhe vetë-kritik. Raporti konkludonte se pozita e tij e ardhshme në LKJ varej nga një qëndrim i tillë.

Komente

  1. Ky raport është padyshim një dokument me rëndësi të madhe, i cili jo vetëm që demonstron mjaft qartë influencën e madhe personale që Bakalli ka ushtruar në jetën politike të Kosovës dhe pasojat e shpërfilljes së tij neglizhente (ose të qëllimshme) mbi mënyrën sesi po rriteshin ndjenjat nacionaliste në Krahinë. Ky raport gjithashtu i jep të drejtë shtypit, veçanërisht ‘shtypit të Beogradit’, në vendimin e tij nëse situata e vërtetë ekspozohej me vonesë dhe ofron një rast që në praktikë është tejet pa përgjigje për autoritetet serbe që të ripohojnë e më pas të ushtrojnë kontroll të rreptë mbi Kosovën. Për më tepër, në prag të publikimit të këtij raporti, mund të pritet që t’i kushtohet më shumë vëmendje incidenteve nacionaliste të të gjitha llojeve në të gjithë Jugosllavinë.
  2. Pyetja që deri më sot ka mbetur pa përgjigje, është: Pse raporti është bërë publik tani? Kemi dëgjuar zëra të pakonfirmuara se mund të vijojë përjashtimi i Bakallit nga LKJ dhe procedurat penale. Siç po raportoj më vete, ka pasur kritika mbi ashpërsinë e disa dënimeve të caktuara për të rinjtë në Kosovë gjatë verës. Siç tregojnë të dhënat, Bakalli ka luajtur rol kryesor duke lejuar një shumicë ndjenjash nacionaliste që të përparonin shumë larg në Kosovë; Situata anormale e dhjetëra studentëve që vuajnë dënime të rënda ndërkohë që Bakalli është i lirë mund të mos jetë e pranueshme për shumë kohë.

                                                                                                                      I Juaji

                                                                                                            Charles Crawford

                                                                                                        Oficer Informacioni

Për dijeni: P Rennie Esq

Departament i Kërkimit, FCO

-100-

Për përdorim të kufizuar

Ref Nr: 15/2                                                                                               Ambasada britanike

Beograd                                                                                                           29 shtator 1981

J C R Gray Esq

EESD, FCO

I nderuar Charles,

Kosova: më shumë ndryshime në udhëheqje

Përmbledhje

  1. Siç pritej, Dushan Ristiq dha dorëheqjen si Kryetar i Kuvendit të Kosovës më 25 shtator, por jo pa dhënë një fjalim të hidhur për dorëheqjen e tij. Kreu i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës u zëvendësua. Gjithashtu u bënë disa ndryshime në udhëheqjen e Lidhjes Socialiste të Kosovës dhe RTV e Prishtinës.

Detaje

Kuvendi i Kosovës

  1. Siç e parashikoi Terence Clark (në letrën e tij drejtuar Alan Montgomery më 10 gusht, paragrafi i fundit), procesi i diferencimit në Kosovë nuk ka përfunduar ende. Në një mbledhje të përbashkët të tre Dhomave të Kuvendit të Kosovës më 25 Shtator, Ilia Vakiq u zgjodh si Kryetari i ri i Kuvendit i cili zëvendësoi Dushan Ristiqin dhe Riza Sapunxhiu zëvendësoi Bahri Oruçin si Kryetar i Këshillit Ekzekutiv. (Vakiq (vl. 1930) ka ecur përpara përmes niveleve politike në Kosovë dhe është anëtar i Komitetit Krahinor të LKK; Sapunxhiu (vl.1925) ishte nën/kryetar i Këshillit Ekzekutiv, por ka një eksperiencë të gjatë në çështje biznesi dhe bankare të Kosovës).
  2. Dorëheqja e pashmangshme e Ristiqit është diskutuar në letrën e përmendur të Terence Clark, por ai nuk kërkoi asnjë falje në fjalimin e tij të dorëheqjes. Ai pranoi një masë përgjegjësie të përgjithshme, por për përhapjen e aktivitetit armiqësor në Kosovë, ia vuri fajin “organizatës së papërgjegjshme dhe udhëheqjes së LKK”. Ai argumentoi se përgjegjësia e tij si Kryetari i Kuvendit de fakto ndryshonte shumë nga përgjegjësia e atyre personave, puna dhe rëndësia e të cilëve nënkuptonte se ata kishin qenë plotësisht të informuar. Ai mbështeti vlerësimet zyrtare të LKJ mbi shkaqet e trazirave në Kosovë dhe masat e marra për trajtimin e tyre. Për pasojë, sulmet e bëra ndaj qëndrimit të tij ishin të barazvlefshme me sulmet e bëra ndaj politikës së LKJ. Ky fjalim i hidhur u pranua pa komente.
  3. Pas dorëheqjes së Uruçit (ai tashmë e kishte humbur punën e tij në Komitetin Krahinor të LKK – shih letrën e Terence Clark në bazë të Referencës) vijoi një kritikë e ashpër mbi performancën e kohëve të fundit të Kuvendit dhe Këshillit Ekzekutiv të Kosovës nga Muhamer Imeri, Kryetar i Komisionit të ngritur për të shqyrtuar punën e Kuvendit dhe Këshillit. Ai tha se Kuvendi nuk kishte arritur të ushtronte kontroll të mjaftueshëm mbi Këshillin dhe në të ardhmen do të kishte bashkëpunim më të ngushtë midis Kuvendit të Kosovës dhe atij të Serbisë për të shmangur vonesat në miratimin e legjislacionit të ri. Kuvendi, kishte qenë veçanërisht i dobët në ushtrimin e përgjegjësive të tij kushtetuese në fushën e bashkëpunimit me Shqipërinë. Edhe shërbimi i sigurisë në Kosovë kishte qenë i pakualifikuar dhe i çorganizuar. Në të ardhmen, vëmendje e veçantë do t’i kushtohej forcimit të lidhjeve me bazën e deleguar dhe sigurimit se kjo bazë do të kuptonte atë që diskutohej. Kuvendi e pranoi këtë vlerësim.

Lidhja Socialiste e Kosovës

  1. Në letrën time dërguar për ju më 3 qershor, kam përmendur diskutimet mjaft të padobishme të Lidhjes Socialiste të Kosovës. Në një mbledhje të Komitetit Krahinor (KK) të Aleancës Socialiste të Popullit Punëtor të Kosovës (ASPPK), përsëri më 25 shtator, u paraqit një raport ku thuhej se KK mbante përgjegjësi të veçantë për paefektshmërinë e gjatë të ASPPK. Kryetari i KK, Mihailo Zvicer u zgjodh për përmendje të veçantë në këtë drejtim. Mustafa Rushiti (i cili, siç do ta kujtoni, filloi polemikën në shtyp në muajin shkurt duke sulmuar ‘shtypin e Beogradit’ – përmendur në letrën time dërguar për ju më 5 gusht) tha më pas se ai nuk do të fliste për përgjegjësinë e Zvicerit, meqenëse Zvicer ishte i sëmurë, por theksoi se ASPPK nuk e kishte pasur në agjendë çështjen e marrëdhënieve ndër-komunitare për 7 vjet. Josuf Kelmendi tha se ASPPK kishte qenë “pa mend” gjatë periudhës së kundërrevolucionit në Kosovë.
  2. Më pas u pranuan kërkesat e Dr. Gazmend Zajmit dhe Muharrem Kryeziut që të liroheshin nga detyrat e tyre në KK, ndërsa Brigadier Gjeneral Fadil Çuranolli, Asllan Fazlia, Dr. Minir Dushi, Ismail Mikulovci, Desimir Jovanoviq, Nevzad Hudaverdi dhe Musa Beka u zgjodhën në KK, gjë që dukej si një përpjekje për të forcuar vendimet dhe efikasitetin e këtij Komiteti.

Ndryshime të tjera

  1. Letra ime dërguar për ju me datë 15 korrik përmend (në paragrafin 4) se do të merreshin masa kundër Shaban Hysenit, Drejtor i Radio Prishtinës. Ai është pushuar në gusht dhe më 25 shtator është zëvendësuar nga Dragan Markoviq, ish drejtues i LKK lokale në Prizren. Fahredi Gunga, Drejtor i TV Prishtinës është zëvendësuar nga Agim Zatriqi (anëtar i Komitetit Krahinor të LKK). Petrit Dushi dhe Gojko Radovanoviq u pushuan nga postet e tyre si redaktorë kryesorë në RTV-në e Prishtinës. Në fund, u pushua gjithashtu edhe Emin Berisha, drejtor i Institutit të Statistikave Krahinore.

                                                                                                            I Juaji

                                                                                                                 Charles Crawford                                                                Oficer Informacioni

Për dijeni: P Rennie Esq

Departamenti i Kërkimit, FCO

-101-

Për përdorim të kufizuar

J C R Gray Esq                                                                                         Ambasada britanike

EESD                                                                                                                          Beograd

FCO 30 shtator 1981

I nderuar Charles,

Kosova: analizë politike

 

  1. Që prej raporteve tona të fundit për Kosovën, kanë dalë disa çështje që vlen të përmenden:

Siguria

  1. Më 22 shtator Franjo Herleviq, Sekretari Federativ i Punëve të Brendshme, bëri një përmbledhje të situatës aktuale të sigurisë në Kosovë në këtë mënyrë: “numri i incidenteve ka rënë dhe jeta publike i është kthyer normalitetit, por situata e sigurisë ka mbetur e ndërlikuar. Aktiviteti armiqësor manifestohet përmes shkrimit të parullave, shpërndarjes së fletushkave; gjithashtu vazhdojnë të jenë të pranishme deklaratat verbale dhe veprimet e paligjshme. Ka pasur raste sabotimesh dhe dëmesh të qëllimshme”. Ky vlerësim i përgjithshëm është pasqyruar në raportet e shtypit në gusht dhe shtator.

Gjyqet

  1. Në kritikën e parë të hapur dhe në nivel të lartë kemi parë disa nga dënimet e rënda që janë dhënë në serinë e gjyqeve të nacionalistëve gjatë verës. Mitija Ribçiq, Kryetar i Aleancës Socialiste të Popullit Punëtor të Sllovenisë (ASPPS), tha në një intervistë në “Vjesnik” më 19 shtator, se Kosova ishte një “problem ekonomik, politik dhe vetë-menaxhues, jo çështje e gjykatave dhe prokurorëve … një tetëmbëdhjetë vjeçar që nuk di asgjë dhe që mendon se parulla “duam Republikë” është diçka e re, nuk duhet të dënohet me dymbëdhjetë vjet burg. Do të ishte më mirë që t’i shpjegonim disa gjëra dhe të ndikonim tek ai në mënyra të ndryshme, veçanërisht përmes arsimimit”. Ai tha se njerëzit që dënohen me periudha të gjata burgimi në këtë moshë do ta shihnin veten në mënyrë të shmangshme si heronj.
  2. Herleviç dha përgjigjen e tij ndaj kësaj kritike në fjalimin e përmendur më lart. Duke iu referuar profilit të moshës së personave të dënuar në Kosovë, ai tha hapur se 90% e tyre ishin të rritur; për të miturit gjykata kishte dhënë masa rehabilituese-arsimore. Megjithatë, një grua përfaqësuese ngriti zërin kundër shkallës së rëndë të dënimeve në Mbledhjen e Përbashkët të Kuvendit të Kosovës më 25 shtator, duke pohuar se shumë njerëz në demonstrata kishin marrë pjesë nën presion. Disa përfaqësues e mohuan këtë pikëpamje. Njëri tha se, nëse ndokush ka qenë subjekt presioni, këta ishin pikërisht serbët dhe malazezët; nuk mund të kishte falje për ata që ishin dënuar, pasi po sulmohej sistemi kushtetues i Jugosllavisë. Me një shikim të papëlqyeshëm ndaj arritjeve të demokracisë jugosllave, Kuvendi u distancua nga pikëpamjet e saj dhe i kërkoi ‘bazës përfaqësuese’ të saj që të merrte masa të përgjegjshme ndaj saj.
  3. Rastësisht, gazeta e sotme “Politika” raportoi se Kryesia e Kosovës kishte deklaruar dje se ishte e kënaqur me veprimin e gjykatave deri tani në trajtimin e nacionalistëve dhe sjelljes së tyre kundërrevolucionare; Kryesia shtoi se “gjykatat duhet të shqyrtojnë të gjitha rrethanat e afërta në vlerësimin e shkallës së përgjegjësisë penale”, ndoshta një aluzion i vogël ky për gjykatat që të gjejnë disa faktorë lehtësues për të pandehurit e rinj.

Presioni ndaj serbëve dhe malazezëve për t’u larguar nga Kosova

  1. Letrat e mia për ju të datave 17 qershor dhe 28 korrik bënin fjalë për “emigracionin” e serbëve dhe malazezëve nga Kosova. Hetimet në këtë drejtim kanë filluar të japin fryte, së paku në masën që është pranuar zyrtarisht në Kosovë se ka pasur raste të shumta kur njerëzit janë larguar pas “presionit” të ushtruar. Siç e tha gazeta NIN më 27 shtator, nëse kjo lëvizje do të vazhdojë, do të përhapet pikëpamja e përgjithshme se duhen fajësuar të gjithë shqiptarët në Kosovë dhe kjo situatë në mënyrë të pavetëdijshme do të sjellë më afër mundësinë për një “Kosovë etnikisht të pastër”. Serbëve dhe malazezëve u është bërë thirrje që të qëndrojnë. Por, siç sugjeroi një raport, nëse situata e përgjithshme politike është në vetvete një arsye e mirë që ata të largohen, atëherë progresi në këtë front të rëndësishëm do të jetë i vështirë. Më shumë fakte dhe shifra do ju dërgoj kur të përfundojnë hetimet zyrtare.

Diferencimi

  1. Gazeta “Komunist” më 25 shtator raportoi se rreth 600 anëtarë të LKK ishin përjashtuar, shumica për “pasivitet”. Spastrimi ka qenë veçanërisht i theksuar në Universitetin e Prishtinës ku rreth 365 studentë janë përjashtuar për “pasivitet”; 19(!) studentë janë përjashtuar për pjesëmarrje në demonstrata ose për mbështetjen e tyre. Artikulli vazhdonte se “diferencimi” nuk ishte thjesht çështje dënimesh dhe përjashtimesh (në Ferizaj ishte kufizuar rreptësisht me zbulimin e pjesëmarrësve në demonstrata). Diferencimi duhej të ishte “një betejë për besim në LKJ, për zgjerimin e ndikimit të saj dhe për realizimin e rolit pararojëtë saj”.

            (Koment: cilido qoftë përkufizimi i diferencimit, nuk mendoj se kemi parë ende fundin e serisë së sanksioneve dhe përjashtimeve nga Partia në Kosovë).

                                                                                                I Juaji

                                                                                       Charles Crawford

PS        Gjyqet (Rishqyrtuar)

            Gjyqet e nacionalistëve në Kosovë duket se kanë përfunduar. Rreth 220 veta janë dënuar, pjesa më e madhe e të cilëve kanë marrë dënime të konsiderueshme me burgim. Megjithëse zyrtarisht është pretenduar se janë ndjekur të gjitha procedurat e rregullta ligjore, Terence Clark ka dëgjuar nga një mik avokat se, për ta thënë hapur, në shumë raste i është rënë shkurt. Do të përpiqemi të zbulojmë më shumë informacion në këtë drejtim; ndoshta Jugosllavia do të vihet në kohën e duhur nën sulmin e grupeve të tilla si ‘Amnistia’.

Për dijeni: P Rennie Esq

Departamenti i Kërkimit

FCO

 

-102-

Gazeta ‘The Economist’

Fitil shpërthyes në Ballkan

Një koncesion për Kosovën sot mund t’i kursejë Jugosllavisë një shpërthim më të madh nesër

                                                                                                                               2 tetor 1981

Vazhdoni të vëzhgoni Poloninë; por gjithashtu hidhini një sy të kujdesshëm një zone të quajtur Kosovë, në pjesën tjetër fundore të Evropës komuniste. Kosova është pjesë e Jugosllavisë ku jeton pakica e saj shqiptare, në skaj të Shqipërisë. Gjatë muajve të fundit rreth 300 nga këta shqiptarë (prej popullsisë së përgjithshme të Kosovës që nuk është më e madhe se ajo e Detroidit apo më e vogël se ajo e Liverpool) janë dënuar me burgim që shkon deri në 15 vjet për “aktivitet kundërrevolucionar” – një fjalë e përbërë që nënkupton çdo gjë nga vjedhja e armëve deri tek shkrimi i parullave në mure.

Qeveria jugosllave pretendon se janë planifikuar masa të rrepta për të mbrojtur Jugosllavinë nga “armiku” që bën “luftë të veçantë” nga qendrat jashtë vendit. Kjo nuk ka kuptim. Të mërguarit jugosllavë në Perëndim, të cilët nuk e pëlqejnë qeverinë e Beogradit janë shumë të dobët dhe të përçarë për të qenë një kërcënim serioz për regjimin jugosllav, dhe nuk kanë ndihmën e qeverisë perëndimore. Bashkimi Sovjetik, i cili mund të ketë interes për destabilizimin e Jugosllavisë, është shumë i zënë për momentin me Poloninë dhe Afganistanin; nuk ka të dhëna se ka organizuar trazirat në Kosovë.

Qeveria jugosllave në Kosovë përballet me një kërkesë krejtësisht të zakonshme për autonomi lokale të një lloji të ngjashëm me Spanjën, Italinë, Francën dhe shumë vende të tjera. Pranverën e kaluar demonstrata të përhapura në Kosovë bënin thirrje që krahinës t’i jepej statusi i plotë i Republikës së Federatës jugosllave (aktualisht, Kosova është zyrtarisht nën/ndarje e Jugosllavisë). Qeveria federale dërgoi atje një numër të madh trupash dhe policësh për të shtypur këtë kërkesë, duke argumentuar se nëse Kosova do të bëhej Republikë, ajo do të shkëputej krejtësisht nga Jugosllavia dhe do të bashkohej me Shqipërinë. Askush nuk mund t’i kërkojë Jugosllavisë të japë sinjalin fillestar për shpërbërjen e saj. Por edhe ky pretendim është ndoshta i pakuptimtë. Shqiptarët e Kosovës nuk po kërkojnë të bashkohen me Shqipërinë; Shqipëria thotë se nuk po kërkon që t’i pranojë ata.

Pse jo?

Argumenti se Kosova duhet të jetë anëtar me të drejta të plota i Federatës jugosllave, duket mjaft bindës. Popullsia e Kosovës është pothuajse tre herë më e madhe se ajo e Malit të Zi fqinj, i cili ka statusin e plotë të Republikës. Popullsia e Kosovës është pak më e vogël se ajo e Maqedonisë apo Sllovenisë, të cilat janë gjithashtu Republika. Më shumë se tre të katërtat e popullsisë prej 1.6 milion të Kosovës janë shqiptarë etnikë (grupi tjetër më i madh, serbët, përbëjnë vetëm 13.2%). Në të kaluarën qeveria federale në Beograd dukej dashamirëse ndaj shumicës së Kosovës; gjatë dekadës së fundit, kjo zonë ka pasur diçka të afërt me statusin e Republikës. Masat e rrepta aktuale janë një ndryshim i liberalizmit të mëparshëm jugosllav.

Gjithashtu, kjo situatë nuk duket se po funksionon. Pas disa muaj gjyqesh, pushimesh nga shkolla dhe puna, si dhe spastrimesh të qeverisjes dhe Partisë komuniste në nivel lokal, përsëri shfaqen parulla në mure, qarkullojnë fletushka dhe vazhdon sabotimi. Politika e retë kritikosh tjetërkund në vend. Z. Mitja Ribiçiq, ish Kryeministër i Jugosllavisë, tha muajin e kaluar se kapja e 18-vjeçarëve i bëri ata heronj.

Jugosllavia pretendonte se ishte vendi më fleksibil dhe mendje-hapur i vendeve komuniste (deri kur sindikata Solidariteti filloi t’i ndryshonte faqen Polonisë). Për qeverinë jugosllave të thuash Jo, asnjëherë përpara një kërkese në dukje të arsyeshme të një pakice me kujtime të gjalla të shtypjes në të kaluarën, bie në kundërshtim me këtë pretendim. Italia e ka zgjidhur pak a shumë problemin e pakicës së saj veri-lindore gjermane, duke i dhënë krahinës Aldo Adige një shkallë të kënaqshme autonomie. Spanja i ka bërë një ofertë të ngjashme pakicës së saj baske. Jugosllavia ka probleme të mëdha ekonomike dhe politike, që shkojnë përtej mosmarrëveshjeve me Kosovën. Një periudhë e gjatë represioni dhe rezistence në Kosovë mund të ishte fitili që shkakton një shpërthim më të gjerë. A nuk do të ishte më mirë për Jugosllavinë që t’i lejonte kosovarët të kenë po ashtu Republikë, të cilën duket se e dëshiron shumica?

 -103-

Për përdorim të kufizuar

  1. Gray (EESD)   8 tetor 1981

Kosova: problemet ekonomike

 

  1. Letra e Z. Crawford e datës 8 shtator na kujton fuqimisht se Jugosllavia është një vend në zhvillim. Problemet e shkaktuara nga një popullsi e re, rritje e shpejtë e krahut të punës, nën-punësimi dhe papunësia, shpërnguljet rurale-urbane dhe studentët e mirarsimuar të cilët kanë perspektiva të dobëta pune, janë të gjitha raste tipike të shumë vendeve në zhvillim.
  2. Në njëfarë mase, këto probleme janë të prodhuara nga vetë Jugosllavia, për shembull investimi i tepërt në projekte që kërkojnë kapitale të shumta, nxitur nga norma realisht negative të interesit, si dhe investimi i tepërt në arsimin e lartë, i cili ofron trajnime të papërshtatshme për një seksion të rëndësishëm të fuqisë punëtore. Është inkurajuese të shohim se po bëhen përpjekje për të ndryshuar situatën. Alokimi i më shumë fondeve të investimeve për projektet që kërkojnë shumë fuqi punëtore do të lehtësojë pak problemet në të ardhmen. Një tjetër shenjë inkurajuese është se një numër më i madh studentësh po studiojnë lëndë që do të kenë zbatime praktike. Por, përshtypja qënjeriu fiton nga përshkrimi i Z. Crawford është se këto përpjekje janë të pamjaftueshme.
  3. Dyshoj se Zoti Crawford ka të drejtë. Mosgatishmëria e jugosllavëve për të trajtuar problemet e tyre makro-ekonomike në nivel federativ është pasqyruar këtu në nivel krahinor. Gjithashtu, disa nga problemet federale janë përsëritur në Kosovë, të tilla si efektet e dëmshme për alokimin e burimeve (dhe punësimit) të normave vërtet negative të interesit. Një tjetër shembull është efekti i dukshëm dekurajues i sigurisë në punë të subvencionuar. Problemet e produktivitetit janë endemike në Jugosllavi për shkak të mungesës së konkurrencës. Nga ana tjetër, kjo pasqyrohet në sektorin e eksportit ku, ashtu si në pjesën tjetër të Jugosllavisë, fitimet në valutë nga eksporti ranë dramatikisht në gjysmën e parë të vitit 1981.
  4. Problemet e zhvillimit të Kosovës, do të ishin të njëjtat cilido qoftë sistemi ekonomik që operojnë jugosllavët. Por rritja ekonomike dhe aftësia e ekonomisë për t’i kushtuar burime shtesë shpenzimeve të zhvillimit, nuk është promovuar as nga mosdashja e Jugosllavisë për të përdorur me efektivitet sistemin e tregut as nga mos dëshira, e as nga paaftësia e tyre për të planifikuar me efektivitet. Problemet e Kosovës ka të ngjarë të thellohen nëse nuk do të ketë një vlerësim më të gjerë të nevojës për të ndryshuar politikat ekonomike në nivel federativ dhe krahinor (dhe për t’i harmonizuar të dyja këto nivele). Natyrisht, këtu qëndron problemi. Interesat federale dhe krahinore do të ndahen me raste dhe një gjë e tillë do të pasqyrohet në këndvështrimet e autoriteteve të ndryshme. Jam shumë i interesuar për ndonjë studim që Zoti Crawford mund të bëjë mbi ndarjen e pikëpamjeve të autoriteteve federative dhe krahinore dhe mbi dallimet midis këndvështrimeve krahinore.
  5. Williamson

                                                                                                                 ESID

  

-104-

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                           Ambasada Britanike

Londër SW1A 2AH                                                                                              Beograd

  1. G. Crawford Esq 13 tetor 1981

I nderuar Charles,

Kosova: problemet ekonomike

 

  1. Jemi të interesuar të lexojmë shkresën tuaj të datës 8 shtator drejtuar Charles Gray për problemet ekonomike që aktualisht po përballon Kosova (8 shtator).
  2. Përshkrimi juaj i problemeve ekonomike në nivel krahinor duket se në shumë mënyra pasqyron të njëjtat probleme të përjetuara nga Jugosllavia në nivel Federal. Këto janë probleme të rritjes së shpejtë të fuqisë punëtore, shpërnguljes rurale-urbane dhe studentëve të mirë-arsimuar, të cilët kanë perspektiva të dobëta punësimi. Shkurtimisht, këto janë probleme të një vendi në zhvillim.
  3. Çështja që na intereson veçanërisht është se në çfarë mase janë në harmoni autoritetet Federative dhe krahinore në politikat e tyre ekonomike dhe në çfarë mase janë në harmoni krahinat dhe republikat me njëra tjetrën. Ju vetë bëtë këto pyetje: ‘A mundet Jugosllavia që ekonomikisht të vazhdojë të përballojë mbështetjen për Kosovën? A mundet që politikisht të mos e përballojë një gjë të tillë?’ Kjo situatë sugjeron se jo larg mund të ketë tensione të mëtejshme midis Beogradit dhe Prishtinës, dhe se krahina të tjera mund të fillojnë të ndjejnë tensionin ekonomik në mënyrë më akute dhe të ndryshojnë në qasjen e tyre ndaj problemeve. Jemi shumë të interesuar për çdo gjë që do të bëni për këtë temë.
  4. Përmes një komenti të hollësishëm, bashkëngjitur po ju dërgoj një përkujtesë të Martin Williamson për shkresën tuaj.

                                                                                  I Juaji

  1. C. Moore
  2. Lejomëni të prezantohem. Jam emëruar për të zëvendësuar Jon Ward vitin tjetër dhe aktualisht po fitoj përvojë në zyrën jugosllave në EESD me Charles Gray para se të mësoj gjuhën serbo-kroate. Shpresoj se do i shkruaj Jon-it së shpejti.

 

 -105-

Për përdorim të kufizuar

  1. Gray, EESD

Për dijeni: Z. Poston, ECD(I)

  1. Dun)

UKREP Bruksel)

  1. Marsden)

Protesta e Jugosllavisë për rezolutat e parlamentit evropian mbi çështjen e Kosovës

 

  1. Z. Clark në Beograd telefonoi këtë pasdite për të thënë që përfaqësuesi i Komisionit është thirrur sot në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Jugosllavisë për të marrë një protestë të fortë verbale për Rezolutat që po shqyrtohen aktualisht nga Parlamenti Evropian mbi situatën në Kosovë. Përfaqësuesi i Komisionit (M. De Lange) ishte përgjigjur se protesta të tilla duhen bërë para Kryesisë dhe jo para Komisionit. Për këtë arsye, Z. Clark kërkon udhëzime të menjëhershme në rast se Ambasada e Madhërisë së Saj do të thirret nga ana e tyre.
  2. I thashë Z. Clark se nëse do të thirret linja e tij, duhet të jetë (përveç marrjes së shënimeve dhe marrjes përsipër për të raportuar) si më poshtë:
  3. a) Qeveria e Madhërisë së Saj nuk komenton formalisht mbi Rezolutat e Parlamentit Evropian;
  4. b) Qeveria e Madhërisë së Saj nuk ka fuqi apo influencë mbi Parlamentin;
  5. c) Parlamenti është organ i pavarur që ka funksion këshillimor: ai nuk ka tagrin të diktojë politikën e Komunitetit;
  6. d) Jugosllavët duhet të bëjnë të njohura në mënyrë të drejtpërdrejtë pikëpamjet e tyre para Parlamentit nëse dëshirojnë të ndikojnë në shqyrtimet e tij;
  7. Natyrisht që do të kemi të reja të tjera në këtë çështje. Do të isha mirënjohës nëse Z. Poston do të më dërgojë sa më shpejt kopje të Rezolutave përkatëse.
  8. A. Dew

                                                                                   Komuniteti Evropian

13 tetor 1981                                                                                        (Departamenti i Jashtëm)

 

-106-

Për përdorim të kufizuar

  1. E. Montgomery Esq               Ambasada britanike

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                                      Beograd

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                              14 tetor 1981

I nderuar Alan,

Kosova: situata politike dhe e sigurisë

 

  1. Charles Crawford ka bërë një pasqyrë të zhvillimeve të fundit në Kosovë në letrën e tij të datës 30 shtator. Që atëherë, Lazar Mojsov, Kryetar i Kryesisë së LKJ, dhe Tihomir Vllashkaliq, Kryetar i Komitetit Qendror Serb, vizituan krahinën më 8/9 tetor për ta parë vetë situatën.
  2. Vizitorët biseduan me përfaqësues të Universitetit të Prishtinës, vizituan një fabrikë në Prizren, udhëtuan në një komunë etnikisht të përzier afër Gjakovës dhe përfunduan me bisedime në Komitetin Krahinor në Prishtinë. Media i bëri një pasqyrim të plotë, por jo të spikatur udhëtimit dhe Mojsov e përdori këtë në favor të vet, veçanërisht në një intervistë në televizion, për të treguar veten e tij si një politikan i vendosur, kompetent dhe i ndjeshëm. Në të vërtetë, ky rast mund të ketë qenë një nga objektivat e tij, pasi koha e qëndrimit të tij në detyrë është gati në përfundim dhe ndoshta kjo ishte mundësia e tij e fundit që të shkëlqente para se t’i kthehej anonimitetit relativ të Kryesisë. Nëse, siç thuhet, ai ka pretendime të pasojë Vrhovecin pranverën e ardhshme, përfundimi i mandatit me përparimin e një burri shteti në Kosovë, nuk do t’i sillte asgjë të keqe atij.
  3. Megjithatë, objektivat e tij kryesore duket se kanë qenë të dyfishta: së pari, të ripohonte se LKJ kishte vendosmërinë dhe durimin për t’u marrë me opozitën nacionaliste; dhe, së dyti, të merrte disa përshtypje të para për “platformën” afat-gjatë mbi zhvillimin e mëtejshëm të Kosovës, për të cilën ai zbuloi se po përgatitej në Komitetin Qendror. Në pikën e parë, ai e pranonte se, megjithëse situata politike ishte stabilizuar gjithnjë e më shumë, armiku ishte ende aktiv dhe ekzistonin ende ata që “luanin në fshehtësi”. Ai u bëri thirrje njerëzve të bënin të qartë qëndrimin e tyre, me sistemin aktual apo kundër tij, në mënyrë që armiku të mund të identifikohej qartazi. Së dyti, ai tha se kishte krijuar përshtypje të leverdishme për disa ndryshime në situatën politike të Krahinës por konkludoi se LKJ-së i nevojitej të ndërmerrte një aksion më të gjerë ideo-politik, për të cilin “platforma” do të shërbente për të mobilizuar forcat subjektive socialiste aty.
  4. Për koincidencë, Këshilli Ekzekutiv i Kosovës pranoi më 10 tetor shqyrtimin e pritur të draftit të Planit 5-Vjeçar për Krahinën. Megjithatë, ky dokument nuk është miratuar ende, por tani do të dalë për diskutim publik. Duket sikur ky Plan nuk do të finalizohet para fundit të vitit. Sidoqoftë, Plani është në shqyrtim dhe shenjat janë se do të nxirret më me realizëm se planet pararendëse.
  5. Përfundimisht, ende nuk kemi dëgjuar lajmin e fundit për përgjegjësinë personale të Bakallit mbi ngjarjet në Kosovë. E përjavshmja “Komunist”, jo më pak, përmban një letër të lexuesit ku pohon se ai dhe publiku në përgjithësi, nuk e mendonin se, duke pasur parasysh një sërë mosveprimesh dhe dështimesh të renditura, të cilat komisioni i hetimit ia ngarkoi Bakallit, thjesht mjaftonte që ai të përjashtohej nga Komiteti Krahinor dhe të lihej i lirë me një paralajmërim të fundit para se të përjashtohej nga LKJ. Dyshoj nëse LKJ ishte e prirë për të çuar Bakallin në gjyq, pasi shumë të tjerë gjithashtu mund të implikoheshin, por letra mund të jetë një balonë prove për të testuar reagimin në Parti.
  6. Kështu, ngadalë dhe në mënyrë të pashmangshme, vazhdon procesi i grumbullimit të copëzave në Kosovë. Fakti që pas gjashtë muajsh armiku mbetet i pakapshëm dhe aktiv, tregon se sa i vështirë është problemi themelor i nacionalizmit shqiptar.

                                                                                       I Juaji

  1. J. Crark

Për dijeni: P Rennie Esq

Departamenti i Kërkimit

FCO

-107-

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                                       Beograd

Londër SW1A 2AH                                                                                            16 tetor 1981

Charles Crawford Esq

I nderuar Charles,

Raportimet e fundit për Kosovën

 

  1. Kemi marrë raportet e juaja më të fundit mbi situatën në Kosovë dhe do të doja t’ju falënderoj për vazhdimin e raportimit të hollësishëm dhe interesant pas ngjarjeve për këtë temë.
  2. Letrat e juaja drejtuar Charles Gray për Mahmut Bakallin (29 shtator) dhe aspektet e përgjithshme politike të Kosovës (30 shtator) ilustrojnë mjaft qartë faktin se demonstratat nuk shpërthyen papritmas. Shkrimet kanë qenë për një kohë të gjatë nëpër mure për udhëheqjen krahinore dhe vetëm udhëheqja qendrore mund të pretendojë sot se është befasuar nga shpërthimi i trazirave.
  3. Është bërë tashmë e ditur zyrtarisht përgjegjësia e Mahmut Bakallit për përpjekjet e tij që të kalojë në heshtje protestat e mëparshme të kosovarëve. Duket se pak vëmendje i është kushtuar kërkesave politike dhe motiveve të protestuesve. Kjo tendencë nuk duket se është kapërcyer plotësisht që prej trazirave kryesore. Në dritën e kësaj situate, veçanërisht interesant ishte komenti juaj për mungesën e analizës së hollësishme serioze politike të ‘Partisë Komuniste Marksiste-Leniniste të Shqiptarëve’ (PKMLSH). Thirrja e komisionit hetues për një betejë ‘të hapur’ kundër nacionalizmit pa dyshim që do të mirëpritet nga shtypi.
  4. Mund të dëshironi të dini se Ambasadori jugosllav në Londër është ankuar tek Lord Trefgarne në një pritje, mbi artikullin për Kosovën në gazetën ‘The Economist’ (3 tetor). Komentet se politika jugosllave është ‘marrëzi’ mund ta kenë nxehur atë, por mund të ketë qenë edhe fakti se thirrja që Kosova të bëhet Republikë, ka shkaktuar reagime. Pa dyshim ky është një shembull tjetër i shkallës së ndjeshmërisë që jugosllavët kanë për problemet e kombësisë.

                                                                                 I Juaji

  1. C. Moore

Departamenti Sovjetik & i Evropës Lindore

 

 -108-

Konfidenciale

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                            Ambasada Britanike

Londër SW1A 2AH                                                                                                  Beograd

D I Miller Esq                                                                                                       21 tetor 1981

I nderuar David,

Jugosllavia, Bullgaria dhe Shqipëria

 

  1. Jam i interesuar për të lexuar letrën tuaj të datës 14 tetor mbi simetrinë që po ruan Jugosllavia në akuzat e saj për pretendimet e supozuara shqiptare dhe bullgare ndaj territorit jugosllav – megjithëse nuk jam realisht i bindur për justifikimin e secilës akuzë.
  2. Referenca juaj për ndjeshmërinë ekstreme aktuale të jugosllavëve ndaj çdo forme të propagandës që mund të prekë integritetin e Federatës është ilustruar gjerësisht këtu përmes bujës që bën Stamenkoviq për kryeartikullin mbi Kosovën në gazetën ‘The Economist’ të datës 2 tetor (kopja bashkëngjitur në rast se nuk e keni lexuar atë). Kjo sugjeronte,ndër të tjera, se do të ishte më mirë që ‘Jugosllavia të lejonte kosovarët të ishin edhe ata Republikë siç duket se dëshironte shumica’. Stamenkoviq shpenzoi 25 minuta nga vizita e shkurtër prezantuese prej 30 minutash për Lordin Trefgarne javën e kaluar, duke kërkuar sigurinë që një gjë e tillë nuk pasqyronte politikën e Qeverisë së Madhërisë së Saj. Këtë ai natyrisht e shoqëroi – në mënyrë të përsëritur dhe me forcë – me sigurinë se pavarësisht sa gabim mendonim për artikuj të tillë, ne nuk kishim fuqi për të bërë ndonjë gjë për ta. Megjithatë, gjatë largimit Stamenkoviq më shprehu mendimin e tij se mund të jetë marrë shumë me këtë çështje. U përgjigja në mënyrë të paqartë, por nuk shpreha mospajtim me atë që tha.
  3. Një shembull tjetër u ofrua nga Komisioni i Lartë Kanadez këtu, i cili më njoftoi se gjatë vizitës së Lamontagne, Ministri i Veteranëve të Kanadasë javën e kaluar në Jugosllavi, Ljubiçiq u ankua ashpër për artikullin dhe sugjeroi se ishte frymëzuar nga Qeveria britanike. Ljubiçiq kishte pyetur më tej se ‘nëse Qeveria britanike ishte kaq e zgjuar, pse nuk e kishte zgjidhur problemin në Irlandën e Veriut?’ E kuptoj se Lamontagne ndjehej i kënaqur duke mbrojtur pavarësinë e medies Perëndimore (Ky informacion më është dhënë në konfidencë: do të isha shumë mirënjohës nëse nuk do të njoftoni Ambasadën Kanadeze në Beograd se jeni në dijeni të kësaj).

                                                                            J C R Gray

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore

Për dijeni:

Departamenti i Lajmeve

Departamenti i Kërkimit

-109-

Për përdorim të kufizuar

T Moore Esq                                                                                                Ambasada britanike

EESD                                                                                                                             Beograd

FCO, 21 tetor 1981

I nderuar Trevor,

Kosova: artikulli i gazetës “The Economist”

 

  1. Ju falënderoj, për letrën tuaj të datës 16 tetor. Në lidhje me ankesën e Ambasadorit jugosllav drejtuar Lord Trefgarne mbi artikullin për Kosovën në gazetën “The Economist” (paragrafi 4), duhet të viheni në dijeni se Ambasadorit i është thënë nga Ambasadori kanadez se Ministri i Mbrojtjes së Jugosllavisë, Gjeneral Ljubiçiq, ia kishte përmendur artikullin Ministrit të Mbrojtjes së Kanadasë gjatë vizitës së tij të fundit këtu. Gjeneral Ljubiçiq ka thënë se kërkesa “Kosova-Republikë” ishte e papranueshme pasi nënkuptonte shpërbërjen e tri Republikave të Jugosllavisë dhe do të kishte tendencën të krijonte mungesë stabiliteti në Ballkan.
  2. Sidoqoftë, çështja nuk është shtruar para nesh; ndoshta kanë vendosur që vetëm të regjistrojnë një ankesë në Londër. Por kjo tregon se artikuj të tillë janë lexuar dhe analizuar në nivelet më të larta këtu.

                                                                                             I Juaji

            Charles Crawford

                                                                                                        Oficer Informacioni

 

-110-

Konfidenciale

FM Beograd ZLGR4732                                                                                         23 tetor ‘81
Situata e brendshme në Jugosllavi-Kosovë

  1. Përmbledhje: Ngjarjet e pranverës së kaluar vazhdojnë të hedhin dritë mbi problemet e krahinës, marrëdhëniet Beograd-Kosovë dhe Jugosllavi-Shqipëri. 232 persona janë arrestuar për trazirat në Kosovë. Vazhdojnë të shfaqen parulla armiqësore dhe, po kështu, vazhdon largimi i jo-shqiptarëve nga Kosova. Ndërkohë, ende nuk është zgjidhur se si të trajtohen shkaqet themelore të problemeve dhe ky është preokupim i Partisë dhe autoriteteve Federative, atyre të Serbisë dhe Kosovës në të gjitha nivelet. Gjithsesi, qeveria Federative nuk është e përgatitur madje as që do të shqyrtojë aspiratat e Kosovës për statusin e Republikës. Shqipëria vazhdon të sulmojë Jugosllavinë për represion në Kosovë.
  2. 232 individë, shumica e tyre studentë dhe mësues, janë dënuar për periudha që shkojnë deri në 15 vjet në lidhje me trazirat e periudhës së marsit-majit të kaluar. Mësuesit janë akuzuar se kanë abuzuar me pozicionin e tyre për të indoktrinuar “mijëra” të rinj etnikë shqiptarë me ideologjinë nacionaliste. Akuzat për të cilat të dënuarit janë akuzuar përfshinin vënien në rrezik të sistemit socialist jugosllav, përpjekjet për të shkelur integritetin territorial të Jugosllavisë, përhapjen e propagandës armiqësore dhe nxitjen e urrejtjes kombëtare. Dy organizata krahinore, “Lëvizja për Çlirimin e Kosovës” dhe “Partia Komuniste Marksiste-Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi” thuhej se kanë bashkëpunuar për organizimin e demonstratave dhe ngritjen e rrjetit të komiteteve lokale. Gjithashtu është pretenduar se në radhët e anëtarëve të këtyre organizatave janë zbuluar edhe agjentë të shërbimit të fshehtë shqiptar.
  3. Megjithëse situata në Kosovë duket se është stabilizuar, vazhdojnë të shfaqen parulla armiqësore. Popullsia serbe dhe ajo malazeze vazhdon të jetë ende subjekt i ngacmimeve, me sa duket me qëllim për t’i bindur që të largohen. Ata vazhdojnë të veprojnë në këtë mënyrë megjithëse, pa dyshim, një faktor më vete është gjithashtu edhe situata ekonomike.
  4. Dënimet e rënda përbëjnë një pranim të heshtur të masës me të cilën ndjenja nacionaliste përshkon popullsinë e Kosovës. Çështja se si do të trajtohen shkaqet kryesore të këtij problemi përbënte temën kryesore të diskutimit në mbledhjen e 21 tetorit të delegatëve nga organizatat e Lidhjes Socialiste të Serbisë, Vojvodinës dhe Kosovës, mbajtur në Gjilan të Kosovës. Gjithashtu, në mbledhjen e 20 tetorit të Kryesisë së Lidhjes së Komunistëve të Komitetit Krahinor të Kosovës u pranua se stabilizimi i situatës politike në Kosovë do të ishte çështje kryesore në zgjedhjet dhe aktivitetin tjetër organizativ që do të çonte në Konferencën e 13-të të LK të Kosovës më 2 prill.
  5. Jugosllavia vazhdon të fajësojë Shqipërinë si nxitëse të trazirave në Kosovë ndërkohë që Tirana vazhdon të akuzojë Jugosllavinë për “martirizimin” e personave të dënuar dhe të mbështesë kërkesën për statusin e Republikës për Kosovën. Megjithatë, Jugosllavia e pranon se “armiku” ishte në gjendje të dëmtonte rëndë, duke luajtur me dobësitë e Jugosllavisë. Kështu, ka thirrje të vazhdueshme nga autoritetet jugosllave për aksion më të drejtpërdrejtë politik në masat e gjera, për ndryshime në “të gjitha zonat e ekzistencës politiko-ekonomike”, për zhvillimin e vetë-menaxhimit, forcimin e vëllazërimit dhe bashkimin e popujve dhe kombësive, etj. Gjithsesi, ka pasur pak, nëse është bërë ndonjë, propozim konkret.
  6. Jugosllavët refuzuan, dhe për arsye të fortë, që të trajtonin me vendosmëri çështjen e aspiratave të Kosovës për statusin e Republikës, megjithëse kjo ishte kërkesa kryesore e demonstruesve dhe është tema kryesore e leksioneve të Tiranës (shih komentet e Ministrit të Mbrojtjes Lubiçiq për këtë çështje në telegramin tonë ZLGR4706 160CT). Jugosllavët vazhdojnë të pohojnë, së paku për konsumim publik, se qëllimi i atyre që organizuan demonstratat pranverën e kaluar, ishte shkëputja eventuale e Kosovës dhe bashkimi me Shqipërinë. Për Beogradin, shqyrtimi me seriozitetdhe, aq më pak, dhënia e statusit të Republikës do t’i shkëpuste në mënyrë të drejtpërdrejtë lidhjet historike dhe kulturore të Serbisë me Kosovën. Për më tepër, ngritja e Kosovës në statusin e Republikës mund të nxiste në mënyrë të imagjinueshme Vojvodinën që të kërkonte një trajtim të tillë tëngjashëm. Shkurtimisht, është vlerësuar politikisht e pamundur që të adresohen kërkesat për statusin e Republikës sepse, po të bëhej një gjë e tillë, do të kërcënohej ekuilibri delikat ndërmjet elementëve të mëparshëm armiqësorë që formojnë Federatën aktuale.
  7. Presioni ndaj qeverisë jugosllave për t’u marrë drejtpërdrejt me dilemën politike mund të lehtësohej nëse kjo qeveri do të merrte masa ekonomike për të rritur nivelin e punësimit si dhe standardin e jetesës në Kosovë, duke e ulur kështu nivelin e përgjithshëm të pakënaqësisë. Sidoqoftë, rrethanat aktuale ekonomike janë të tilla që është vështirë të gjenden fondet e kërkuara për investimet. Republikat e industrializuara të tilla si Kroacia dhe Sllovenia nuk pëlqejnë që të transferojnë të ardhurat e tyre për investime në Kosovë, dhe decentralizimi i jashtëzakonshëm aktual i menaxhimit ekonomik bën që Beogradi të imponojë politika të tilla.
  8. Zyrtarë të njohur të cilët pretendojnë se vështirësitë ekzistuese nuk mund kapërcehen para një a dy vjetësh mund të akuzohen gjithashtu për optimizëm të tepruar. Ka pak shanse për zgjidhje përfundimtare të problemit të Kosovës në të ardhmen e parashikueshme dhe megjithëse qeveria ndoshta do të jetë në gjendje të mbajë situatën nën kontroll, Kosova do të vazhdojë të ziejë.

CCC/088 231507Z ZLGR4732

 

-111-

Konfidenciale

HMA – O/R

DA – O/R                                                                                                           30 tetor 1981

Vizita në Kosovë (24-27 tetor)

  1. Kalova fundjavën dhe të hënën në Kosovë, udhëtova me tren të shtunën dhe u ktheva me avion këtë mëngjes (27 tetor). Të dielën shkova në Pejë ku qëndrova një ditë dhe një natë, e që andej kalova në Prizren të hënën, e më pas vonë në mbrëmje u ktheva në Prishtinë. Të gjitha këto udhëtime të brendshme i kam bërë me autobus.
  2. Situata e sigurisë. Nuk pashë ndodhi të pahijshme, megjithëse të tre qytetet ishin nën kontroll të fortë, si nga milicia dhe ushtria. Përqendrimi më i madh i pajisjeve dhe forcave të sigurisë ishte në Prishtinë, më i vogli në Prizren. Lokalizova vendin e fushimit të Ushtrisë Popullore Jugosllave (JNA), një fotografi e së cilës u botua në gazetën “Ilustrovana Politika” pak javë më parë, një pikë midis Mitrovicës dhe Vushtrrisë (që dallohet qartë nga treni). Në Prishtinë, pashë disa automjete të blinduara milicësh, të cilat ngjanin me tipin “pigs” (të lyera ngjyrë blu) dhe ishin me timon në krahun e djathtë. Këto automjete ishin të parkuara të gjitha jashtë kazermave të milicisë në qendër të qytetit dhe ruheshin nga “forcat speciale” që mbanin bereta gjatë ditës, por helmeta çeliku pasi errësohej. Pashë vetëm një autokolonë të automjeteve ushtarake në lëvizje, rreth 30 automjete jashtë Suharekës, por këto mund të ishin lëvizje normale të Ushtrisë Popullore Jugosllave.
  3. Kontrollet. Nuk kishte asnjë të tillë në tren (përveç kontrolleve normale të biletave që bëheshin në dalje të Kosovës). Vetëm pasi isha regjistruar në hotel në Prishtinë, më kërkuan lejekalimin të lëshuar me Protokoll të FSFA. Pas kësaj, nuk më kërkuan më që ta nxirrja megjithëse, e dorëzova vullnetarisht në hotelin në Pejë dhe përsëri kur u ktheva në hotel në Prishtinë. Asnjë nga autobusët në të cilët udhëtova, nuk u ndaluan nga policia, megjithëse një numër i madh makinash private u ndaluan. Të shtunën pasdite, policia po kontrollonte dokumentet e afërsisht një në dhjetë shoferë në rrugët kryesore të Prishtinës, e madje edhe ato që kishin makina me markën e regjistrimit të Prishtinës. Nuk pashë asnjë rast të tillë në Pejë apo Prizren.
  4. Kisha parashikuar që do të kishte kontrolle të dokumenteve në aeroportin e Prishtinës këtë mëngjes. Por as pasagjerët në fluturimet që vinin nga Beogradi dhe as ne që niseshim për Beograd, nuk ishim të detyruar që të identifikoheshim. Ishte pajisja e zakonshme me rreze X për kontrollin e bagazheve dhe trupit, por nuk kishte kontrolle të tjera të trupit. Nuk pashë asnjë mjet ushtarak në fushën e aviacionit, e cila ishte tërësisht e veçuar nga avioni ynë dhe një biplan i hershëm.
  5. Nuk vura re ndonjë gjë që dukej e pazakontë në fshat, përveç si më poshtë:
  6. i) Shenja (në disa gjuhë, përfshirë në gjuhën angleze) në rrugët kryesore përmes të cilave të huajt paralajmëroheshin të mos ndalonin përveç se në “zona të banuara”;
  7. ii) Roje të armatosura në disa pemishte ndërmjet Gjakovës dhe Prizrenit, ku po vilej prodhimi i mollëve;

iii) Patrulla jashtë shërbimit që dukeshin si trupa malore që kishin zbritur në Pejë;

  1. iv) Në Lutjen e mbrëmjes së Manastirit të Graçanicës, kongregacioni përbëhej nga dy ushtarë dhe unë. Njëri ushtar ishte pothuajse i përgjumur, ndërsa tjetri po shikonte mbi supin e priftit, duke u përpjekur të ndiqte litaninë sllave. Nuk pashë asnjë rojë në Patrikanën e Pejës të dielën, ku riparimet e Konakut janë në përfundim të plotë (megjithëse, sipas priftit, jo aq shpejt sa duhet; murgeshat janë kthyer përsëri, por ato ende nuk kanë ngrohje dhe ujë). Nuk kishte roje as në Deçan (Stacioni i zjarrfikësve në Pejë ka katër makina. Ky stacion nuk është më shumë se një kilometër nga Patrikana).
  2. Manifestime nacionaliste. Disa shtëpi në vend, një pjesë e të cilave janë ende duke u ndërtuar, kishin flamuj të mëdhenj shqiptar të dalë prej tyre. Në Pejë, pashë një që ishte zgjatur nga qepenët e çatisë. Pashë disa parulla “Kosova – Republikë”, të cilat kishin qenë gjysmë të mbuluara me bojë, por shumë prej tyre shënonin mbi to “Shoku Tito”. Të dielën, pashë një duzinë a më shumë procesione martesash në Pejë, ku të gjitha kishin flamurin shqiptar të dalë nga makina e parë drejtuese, përveç një rasti që kishte një flamur Federal të bërë në shtëpi (flamuri tre-ngjyrësh ishte bërë lëmsh dhe ylli ishte i tëri i kuq, d.m.th. pa konturën e verdhë). Nuk pashë shumë veshje demonstrative të kostumeve dhe qelesheve kombëtare, përveç një të riu që mburrej me veshjen e tij si një bej shqiptar, dhe një zonje që nuk i dallohej mosha, e cila doli në mëngjes në Pejë e veshur me një kostum të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe makijazhin e viteve 1980.
  3. Përshtypje të përgjithshme. Kjo ishte vizita ime e parë në Kosovë. Prapambetja e krahinave rurale dhe lagjet e varfra të Prizrenit më bënë përshtypje si jo më të këqija se ato në Mal të Zi. Nëse papunësia dhe varfëria janë të përhapura në Kosovë, së paku pjesërisht janë të kompensuara nga çmimet e ulëta. Biletat që merrja për autobus (për distanca rreth 80 km) kushtonin 50 dinarë. Një vakt me dy pjata, përfshirë edhe verë, në hotelin kryesor në Pejë, kushtonte 180 dinarë. Një kafe në Prizren kushtonte 13 dinarë. Të gjitha këto kushtonin dyfish në Beograd. Fola me disa studentë shqiptarë për trazirat. Ata u ankuan për papunësi, por thanë se ky ishte një fenomen universal dhe vetë atyre u vinte turp për çfarë kishte ndodhur. Asnjë prej tyre nuk tregoi simpatinë më të vogël apo dëshirën për të vizituar Shqipërinë (vetëm njëri prej atyre me të cilët fola, kishte udhëtuar jashtë Jugosllavisë, në Zvicër, ku kishte të afërmit e tij).
  4. Kujtime që zgjasin.
  5. i) Një grua shqiptare, e cila dukej të paktën 55 vjeçe, e rrethuar nga tetë fëmijë në një stacion autobusi, dhe duke i dhënë gji të nëntit.
  6. ii) Një burrë duke u rruar në mes të një fushe, duke e vënë pasqyrën e tij mbi një kovë.
  7. Të shtunën mbrëma takova shkurtimisht në Prishtinë Z. Crawford. Nxora përfundimin që përshtypjet e tij mund të ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme nga përshtypjet e mia, meqenëse ai po udhëtonte me makinë dhe merrte disa autostopistë, të cilët kishin gjëra më të rëndësishme për të thënë.
  8. I. Miller

27 tetor 1981

Për dijeni: J C R Gray Esq, EESD, FCO

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – X

-112- Për përdorim të kufizuar J C R Gray Esq                                                                                           Ambasada britanike FCO                                                                                                                     Beograd I …