Ministria e Diasporës pranon gjendjen e rëndë në mësimin e gjuhës shqipe, meqë as 5 për qind e nxënësve nuk i ndjekin mësimet

Prof. Dr. Shefik Osmani – Prof. as. Dr. Njazi Kazazi: Abetaret e para shqipe dhe trajektorja historike e tyre

Kur më 18 maj 1854, shkencëtari i dëgjuar gjerman Franc Bop (Franz Bopp) mbajti para autoriteteve të Akademisë së Shkencave të Berlinit kumtesën e tij të njohur “Mbi shqipen në lidhjet e saj të afrisë”, ku argumetonte se gjuha shqipe i përket familjes së gjuhëve indeoevropiane dhe me këtë tezë hapte një faqe të re në historinë e gjuhës , “Ëvetari shqip…” i Naum Veqilharxhit kishte mbushur l0 vjet qëkur ishte botuar.

Që atëherë e deri më sot janë shtypur më se 150 abetare në trevat shqiptare dhe jashtë tyre si në Bukuresht, Stamboll, Bruksel, Sofje, Vjenë, Napoli, Selanik, Athinë, Paris, Milano, Bari, Ëorçester, Laipcig, Konstancë, Aleksandri të Egjiptit etj. Abetaret qenë armë nga më të fuqishmet dhe më të efektshmet për të shkëputur arsimin tonë nga varësia e shkollave të huaja. Me përmbajtjen e tyre ato ndikuan fuqishëm në edukimin e gjeneratave të tëra me ndjenjat më të larta atdhetare dhe fisnike. Por abetaret do t’i kishin dyert të mbyllura, rrugët e prera, shtigjet të zëna, në qoftë se nuk do të kishin mbrojtjen e armëve të luftëtarëve shqiptarë. Pranë abetares shqipe bënte roje pushka. Pushka i jepte forcë abetares – abetarja i jepte krahë asaj. Shumica e autorëve të abetareve shqipe qenë njëkohësisht pedagogë e luftëtarë, shkencëtarë dhe veprimtarë të lëvizjes kombëtare, tekstologë dhe organizatorë të arsimit. Një pjesë e tyre ranë dëshmorë për idealet që propagandonin, për çlirimin kombëtar e shoqëror, për të mbijetuarit e gjuhës shqipe. I tillë ka qenë fundi i Naum Veqilharxhit, i Anastas Kulluriotit, i Luigj Gurakuqit, i Jashar Erebarës, i Shefqet Daiut e i shumë të tjerëve. Ato me dijet e përvojën e tyre lanë një fond të pasur, shumë të pasur në thesarin e bibliotekës shqiptare, krijuan një traditë, vunë themelet në disa metoda të lexim- shkrimit të gjuhës sonë, duke krijuar në brezni të tëra kënaqësinë e përvetësimit të shprehive të leximit dhe të shkrimit të gjuhës amtare, duke vënë në duart e qindramijëra të miturve shqiptarë në Gegëri e Toskëri, në Kosovë e Çamëri, në Dibër e Kumanovë, në Hot e Grudë, në Ulqin e Tivar, në Preshevë e Bujanovc librin që u mësonte lexim – shkrimin shqip.

Ndoshta asnjë tekst mësimor si ky, për një kohë kaq të gjatë nuk është lidhur aq ngushtë me historinë e arsimit dhe të kulturës shqiptare. Kjo, padyshim, është rrjedhojë e funksionit shumëplanësh që abetarja luajti për më se një shekull e gjysmë (në vitin 2000 ajo numëron 156 vjet), lidhur me mëkimin e idesë dhe luftës për çlirimin kombëtar. Për funksionet që kreu si mjet pune për mësimin e gjuhës së shkruar shqipe, për kontributin didaktik që dha në përpunimin e metodave të lexim- shkrimit, për rrugën që hapi dhe përvojën që krijoi në fushën e teksteve tona origjinale shkollore, për konceptimin e rolit të tij si libri i parë i shkollës etj. kemi synuar të flasim në këtë monografi.

Me këtë tekst nuk u lidhën vetëm mësimdhënësit, por edhe njerëz të fushave të tjera si: mendimtarë, politikanë, ideologë, luftëtarë, ithtarë të lëvizjes sonë kombëtare, dyqanxhinj, udhëtarë etj. që në çantat a torbat e tyre, nën gunat e dhirta, krahas armës mbanin edhe abetaret për t’i shpërndarë që të mësohej gjuha shqipe, gjuha e mëmës, që të viheshin themelet për të përgatitur më vonë njerëz të mësuar. Me asnjë libër tjetër si me abetaren nuk e lidhën jetën dhe fatin e tyre kaq shumë autorët, tipografët, redaktorët, shpërndarësit, doganierët, librarët, mësuesit dhe komitët atdhetarë.

Me të u ndeshën armiqtë e kombit dhe të arsimit kombëtar, kundër abetares u lëshuan anatema, u vunë në lëvizje sherbëtorë të pushtuesve të ndryshëm. Abetarja shqipe u vu në listat e zeza të botimeve të ndaluara, për dhjetëra vjet me radhë. Në disa raste u dogj nëpër sokake, siç digjeshin dikur nga inkuizicioni veprat e shkencëtarëve të mëdhenj që rrëzonin tabutë mesjetare. Autorin e “Ëvetares…” së parë e helmatisën dhe kopjet e këtij “libri të mallkuar” që kishte marrë udhët e Evropës, i dogjën për t’i zhdukur përgjithmonë. Ndaj, për të çarë përpara, rruga e abetares ishte e pashmangur nga rreziqet dhe e pandarë nga lufta. Kush e përgatiste, ai që e botonte, ai që e shpërndante, ai që e përdorte, ai që e përvetësonte përmbajtjen e saj, e bënte këtë në emër të një ideali, idealit të pavarësisë së Shqipërisë. Fitorja e pavarësisë kërkonte sakrifica. Dhe rastet e vetëmohimit nuk munguan.

Lufta kundër abetares u bë në emër të pushtuesit, në emër të injorancës, të fanatizmit, të prapambetjes, të antishqiptarizmit. Por prapëseprapë ky libër i mësimit të gjuhës shqipe mbijetoi triumfues. Për të mbajtur gjallë e të freskët abetaren shqipe derdhën mundin, djersën e intelektin e tyre penat më të fuqishme të kohës, si: N. Veqilharxhi, K. Kristoforidhi, D. Boriçi, S. Frashëri, J. Vreto, K. Hoxhi, P. Vasa, A. Kullurioti, L. Gurakuqi, P. Qiriazi, N. Lako, S. Shuteriqi, A. Xhuvani, N. Paluca, Th. Papapano, J. Minga, M. Logoreci, G. Beltoja, L. Skendo, L. Lumezi etj. e deri më të rinjtë si Q. Guranjaku, K. Xhumari, Q. Batalli, M. Gjevori, Gj. Gjokaj, Xh. Gega etj. E dashur nga “arnautët kokëfortë”, abetarja depërtoi në burgje, u fut në shpella, u mësua në natyrë nën qiellin e hapët dhe në odat e tymta si asnjë libër tjetër shqip. Ajo mëkoi dashurinë për gjuhën mëmë, ku shpërthente zemra për lirinë e mëmëdheut të robëruar. Ana funksionale e këtij teksti popullor nuk është më e madhe se ajo shkencore – didaktike. Shumica e autorëve të tyre janë të njohur në analet e historisë së arsimit dhe të mendimit pedagogjik shqiptar si pedagogë të shquar, si didaktë të aftë dhe si metodistë të përsosur dhe origjinalë në mjeshtërinë e mësimdhënies. Të tillë kanë mbetur Naum Veqilharxhi, Konstandin Kristoforidhi, Jani Vreto, Sami Frashëri, Gaspër Benusi, Jan Risto Terova, Parasqevi Qiriazi, Luigj Gurakuqi, Jani Minga, Simon Shuteriqi, Jashar Erebara, Nikolla Lako, Mati Logoreci, Gaspër Beltoja, Ndue Paluca, Aleksandër Xhuvani, Pertef Pogoni, Qamil Guranjaku, Kolë Xhumari, Mehmet Gjevori etj. Janë këta autorë që kanë njohur metodat sintetike dhe ato analitike, janë këta që kanë ndjekur me kujdes evolucionin e tyre gjatë shekujve si dhe transformimet që kanë pësuar, janë këta që kanë zbuluar përshtatjet me veçoritë e gjuhës sonë, janë këta që kanë bërë eksperimentimet e abetares pa bujë, por me kënaqësinë që jep arritja e një synimi. Janë pikërisht këta që kanë futur të renë në metodë, që kanë projektuar risitë dhe pa asnjë pretendim ua kanë aneksuar tekstet e tyre.

E gjithë kjo kohë e gjatë, një shekull e gjysmë, kjo rrugë luftarake që ka kaluar abetarja jonë ka lënë gjurmë në historinë e arsimit dhe të kulturës shqiptare, ka krijuar traditë në pedagogjinë e arsimit fillor, duke zënë një vend të rëndësishëm dhe të nderuar për funksionet atdhetare e didaktike që kreu dhe rolin që luajti dhe luan vazhdimisht.

Roli i shumanshëm i abetareve është i pranishëm në historinë e shkollës sonë. Për këtë arsye, autorët e kësaj monografie kanë ndjekur gjatë dhjetëra vitesh ecurinë e këtij libri mbi themelet e të cilit mbështetet tërë arsimi dhe kultura e një vendi. Jemi detyruar të kërkojmë dhe të hulumtojmë në fondet e bibliotekave tona, shtetërore dhe private, kemi rrëmuar në arkiva të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, kemi bërë krahasime me libra të së njëjtës natyrë të vendeve të ndryshme, për të nxjerrë në pah nivelin e vlerat e abetareve tona, rolin e tyre në kushtet e rrethanat historike që ka kaluar vendi ynë.

Gjatë shtjellimit të materialit jemi përpjekur të evidentojmë tërë botimet kryesore të kësaj gjinie, por në vargun e gjatë të tyre nuk përjashtohet ndonjë mungesë, e cila është plotësuar, së bashku me të dhënat e veçanta, në “Pasqyrën kronologjike të botimit të abetareve shqipe”, që bën pjesë në aparatin shkencor të kësaj monografie.

Abetaret më në zë për rolin e tyre historik, për vlerat dhe risitë didaktike që kanë përcjellë, për shtrirjen e gjerë dhe kohën e gjatë të përdorimit, veç analizës, janë pasqyruar dhe me riprodhimin e ballinave të tyre.

Monografia ka pesë kapituj. Është ndjekur parimi kronologjik në pasqyrimin e abetareve tona, sepse nuk mund të shkëputet roli i tyre didaktik nga ai historik që kanë luajtur, por jemi përpjekur që t’i japim një konceptim të ri bashkëkohor rolit të këtij libri kaq të rëndësishëm i cili jep kyçin për të hapur portat e diturisë. Ndaj hapim kreun e parë me konceptimin e këtij libri nëpërmjet të cilit formohen shprehitë e lexim – shkrimit të gjuhës amtare, për të vazhduar rrjedhën e tyre në historinë e një shekulli e gjysëm dhe për të përfunduar në kreun e pestë, me programet, metodikat dhe tekstet ndihmëse.

AUTORËT

Historia e abetareve është e lidhur ngusht me historinë e shkollës kombëtare shqiptare. Abetarja është teksti i parë mësimor shqip. Numëron 156 vjet që nga botimi i parë. Me dhjetëra janë botimet e saj, me dhjetëra dhe autorët. Ajo krijoi mundësinë e zhvillimit të arsimit shqip në shkollë dhe njëkohësisht u hapi rrugën teksteve të tjera shkollore. Gjatë punimit tonë jemi përpjekur ta pasqyrojmë gjerë këtë rrugë prej më se një shekulli e gjysmë.

Siç është vënë re, abetarja shqipe ka pasur një shtrirje të gjerë gjeografike në disa drejtime :

– Përsa i përket vendeve të botimit, ajo është shtypur jashtë vendit dhe brenda territorit tëe shtetit të pavarur shqiptar: në Bukuresht, Sofje, Stamboll, Athinë, Napoli, Manastir, Bruksel, Paris, Worçester, Kajro, Aleksandri, Shkodër, Tiranë, Prizren, Prishtinë,Korçë, Vlorë, Shkup etj.

– Përsa i përket vendeve të përdorimit: është përdorur në tërë trevat shqiptare, në diasporën e vjetër dhe të re shqiptare.

Roli i abetareve ka qenë shumë i madh në historinë e arsimit shqiptar. Nxënësit shqiptarë, duke përvetësuar lexim- shkrimin shqip u bënë të vetëdijshëm për vlerat e gjuhës sonë amtare. Duke mësuar të shkruajnë dhe të lexojnë në këtë gjuhë ata u njohën me historinë e kombit. Abetarja ndihmoi në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve, vuri pragun në mes të shkollës shqipe dhe shkollave të huaja.

Që nga dita që u botua “Ëvetari” i parë, më 1844, nga N. Veqilharxhi, ky tekst erdhi vazhdimisht duke u përsosur dhe duke iu përshtatur veçorive të gjuhës shqipe. Ai ndoqi hap pas hapi risitë që u shënuan në fushën e metodave të lexim- shkrimit. Metodat e mësimit të lexim- shkrimit të përdorura, që nga ato sintetike deri në vitet e para të shekullit XX, ato analitike e analitiko- sintetike që nga fillimet e këtij shekulli deri në vitet ’80 dhe së fundi metoda mikste me fillimin e viteve ’90, u shfrytëzuan me mjeshtri nga didaktët shqiptarë, duke dhënë njëkohësisht një ndihmesë të çmuar në historinë e arsimit fillor dhe, në veçanti, për përvetësimin e gjuhës amtare të shkruar.

Jemi përpjekur t’i pasqyrojmë kontaktet që kemi pasur me lëvizjet pedagogjike botërore të kësaj fushe si dhe literaturën përkatëse, jemi përpjekur që të pasqyrojmë ndihmesën origjinale, duke nxjerrë në pah dhe tiparet e veçoritë dalluese të didaktëve tanë në fushën e hartimit dhe të botimit të abetareve shqipe. Duhet theksuar se didaktika jonë ka marrë, sa herë që e ka ndjerë të nevojshme, edhe nga teknikat e huaja të mësimdhënies dhe nga progresi i madh teknik i realizuar herë pas here, duke e çuar kështu shkollën shqiptare drejt niveleve të përparuara evropiane. Siç shihet në punim, metodistët shqiptarë që prej kohësh e kanë ndjerë nevojën e zhvillimit të eksperimetimeve, qoftë për rrugët dhe mjetet që duheshin përdorur për mësimin e lexim- shkrimit, qoftë për ngarkesën normale që duhet të kishin nxënësit 6- 7 vjeçarë, qoftë për nivelin e njohurive, shkathtësive dhe shprehive që duhej të fitonin ata. Në këtë aspekt jemi përpjekur të trajtojmë rolin e abetareve shqipe në historinë e arsimit kombëtar.

E shohim të arsyeshme të theksojmë se abetaret tona, në çfarëdo forme që janë paraqitur a botuar, si tekste të mirëfillta apo si një fletushkë, gjithnjë kanë pasur karakter funksional. Në këtë pikëpamje ato kanë ardhur gjithnjë duke u pasuruar dhe përsosur, duke dhënë kështu një ndihmesë në historinë e kulturës shqiptare. Me përmbajtjen e tyre, ato gjithnjë kanë shërbyer jo vetëm si mjete për t’i aftësuar nxënësit për të lexuar dhe shkruar gjuhën shqipe, por edhe si mjete të fuqishme edukimi. Me paraqitjen e tyre figurative ato kanë shërbyer edhe si mjete të fuqishme për edukimin etik, estetik dhe artistik të fëmijëve në këtë etapë të parë të shkollimit të tyre. Jemi përpjekur t’i evidentojmë këto anë me qëllim që kjo munografi të shërbejë edhe për mësuesit, në punën e tyre të përditshme.

Një përfundim tjetër i rëndësishëm që jemi përpjekur të evidentojmë në këtë monografi, është roli që kanë luajtur abetaret në unifikimin e gjuhës së përbashkët, në hedhjen e bazave të gjuhës letrare. Duke e parë formimin e nxënësve nga ky kënd vështrimi, jemi përpjekur ta ndjekim këtë në linjë vertikale, pra kemi pasur parasysh dhe kemi konsultuar tekste mësimore të shkollës fillore, si të gjuhës shqipe, të leximit dhe leximit letrar.

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – X

-112- Për përdorim të kufizuar J C R Gray Esq                                                                                           Ambasada britanike FCO                                                                                                                     Beograd I …