Deponimi i James Rubinit në Gjykatën Speciale ka rivendosur një ekuilibër të munguar në narrativën tonë për luftën e Kosovës. Njëkohësisht, ai ka nxjerrë në pah, siç do të thoshte Ismail Kadare, një “kapardisje shqiptare” që nuk është vetëm dukuri e ditëve tona, por shfaqet edhe në momentet vendimtare të vitit 1999. Rëndësia e dëshmisë së Rubinit, si palë e tretë me kredibilitet ndërkombëtar, sjell një dimension më realist për atë që ka ndodhur në dhe për Kosovën, duke rrëzuar pretendimet e disa figurave lokale të verbuara nga inate personale e fisnore, të cilat i rikthejnë shqiptarët te përplasjet e shekujve të shkuar. Përputhja mes asaj që thotë Rubin dhe asaj që shënon Kadare në ditarin e tij është kuptimplote: e vërteta historike nuk mund të shkruhet pa shumëburimësi dhe pa kontekstualizim rigoroz të rrethanave në të cilat ngjarjet kanë ndodhur. Rrjedhimisht, ngjarjet e viteve 1998–1999 nuk mund të “implantohet” në rivalitetet politike të sotme pa u kthyer në karikaturë.
Dëshmia e James Rubinit dhe pesha e saj
Rubin dëshmon se, në atë kohë, SHBA-ja dhe Britania e Madhe kishin marrë tashmë vendimin strategjik se Kosova duhej të shkëputej nga Serbia. Kjo kornizë ndihmon të kuptohet pse nënshkrimi i Rambujesë nuk ishte një akt i izoluar, por hallkë e një procesi më të gjerë diplomatik dhe ushtarak. Për opinionin publik shqiptar, megjithatë, ekzistonin zëra që kërkonin vijimin e luftës edhe pa mbështetjen amerikane; kjo ambivalencë politike dhe emocionale shpjegon tensionet e brendshme të asaj kohe.
Kadare si dëshmitar dhe autoritet moral
Në esenë Ra ky mort e u pamë – Ditar për Kosovën, artikuj, letra, Kadare përshkruan takimin e vonë të 18 marsit 1999 me Hashim Thaçin, udhëheqës i delegacionit të Kosovës në Rambuje. Shënimi i tij ka rëndësi të veçantë sepse përputhet me linjën faktike të dëshmisë së Rubinit dhe, mbi të gjitha, sepse e pozicionon shkrimtarin si mbështetës të qartë të aktit politik në një moment kritik. Përgjigjja e pakushtëzuar e Kadaresë për të përkrahur publikisht nënshkrimin i jep tekstit një dimension normativ: ai nuk vetëm regjistron një ngjarje, por ushtron peshë morale në funksion të një vendimi historik. Në këtë optikë, Kadare e lexon aktin si “ogur të mirë”, duke legjitimuar UÇK-në përballë shpifjeve të propagandës serbe e ruse, si edhe dyshimeve të një pjese të shtypit perëndimor.

Rambujeja: presione, përgjegjësi dhe nevoja për konsensus
Fragmenti i Kadaresë nxjerr në pah se vendimi për nënshkrim shoqërohej me presione të shumëfishta: kritikat e Adem Demaçit ndaj delegacionit, rrezikun e pakënaqësive nga disa komandantë të UÇK-së, si dhe polarizimin e opinionit shqiptar. Në këtë kontekst, mbi supe të një udhëheqësi të ri si Hashim Thaçi rëndonte përgjegjësia për vendin, luftën dhe UÇK-në. Vetëdija për nevojën e konsensusit të gjerë brenda spektrit politik shqiptar lidhet me mësimin historik nga gabimet e mëhershme të elitave kosovare në momente kyçe. Po kështu, pozicionimet e gabuara të viteve 1981 kontribuuan në dobësimin gradual të pozitës së Kosovës, duke u keqpërdorur më pas nga propaganda serbe për ta viktimizuar veten dhe për ta fajësuar viktimën.
“Kapardisja shqiptare” dhe qortimi i një retorike sterile
Me kërkesën dhe inkurajimin e diplomatëve perëndimorë, Kadare doli publikisht në mbrojtje të procesit të Rambujesë. I revoltuar nga një “krekosje” retorike që injoronte rrethanat ndërkombëtare dhe logjikën strategjike, ai reagoi me shkrimin “Kapardisja shqiptare”, ku vërente se nga “shtëpitë e ngrohta” bëheshin thirrje për mosfirmosje të dokumentit të propozuar nga aleatët, veçanërisht nga Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeleine Albright. “Ky qëndrim i papërgjegjshëm shoqërohet me trille e me gjeste kinse të bujshme. Njëri mburret se është ai që e ka në dorë ç’do të vendoset në Rambuje, se po të mos dojë ai, e të mos shkojë ai, gjithçka duhet të prishet. E një tjetër që nuk ka shkelur kurrë në Kosovë, jep mësime patriotike, bën thirrje që në emër të kësaj apo asaj, Kosova të bëhet shkrumb e hi. E kështu me radhë e kështu pa fund. Dhe është gjithmonë populli shqiptar që paguan, që mjerohet, që digjet e kullon gjak. Kurse këta “biznesmenë të lirisë” s’pësojnë kurrë asgjë,” shkruante Kadare më 24 shkurt 1999, në “Courrier International”.
E njëjta vijë argumentuese shfaqet edhe në letrën që Kadare i dërgon delegacionit të Kosovës: të mos humbej rasti historik, të mos dëgjoheshin “rrahagjoksit e papërgjegjshëm” dhe të kuptohej se lëshimi kur duhet është po aq trimëri sa edhe lufta.
Mbështetja e kushtëzuar për UÇK-në dhe logjika e ndërhyrjes humanitare
Kadare, në intervistën për gazetën gjermane Tagesspiegel, artikulon një mbështetje të kushtëzuar për armatosjen e UÇK-së brenda logjikës së ndërhyrjes humanitare: nëse NATO do të hezitonte të angazhohej me trupa tokësore për të shmangur rreziqet për ushtarët e saj, atëherë mbështetja për palën e gatshme të marrë përsipër rrezikun për mbrojtjen e civilëve do të ishte e arsyeshme. Në këtë kuadër, armatosja e UÇK-së shihet si instrument i përkohshëm i vetëmbrojtjes kolektive, i legjitimuar nga mungesa e ndërhyrjes së menjëhershme ndërkombëtare.
Ndërthurja e rrëfimit diplomatik dhe atij letrar
Shënimi i Kadaresë për Rambujenë është vendosur në një moment kyç: kur vendi ishte në prag të vendimeve që do të përcaktonin kursin drejt ndërhyrjes ndërkombëtare dhe, në vijim, drejt pavarësisë. Si dëshmi letrare me përmbajtje historike, ai ndërthur politikën, letërsinë dhe përjetimin personal. Njëkohësisht, ky shënim konvergon me deponimet e James Rubinit në Hagë, duke krijuar një vijë koherence ndërmjet burimit kulturor dhe dëshmisë diplomatike.
Kombinimi i dëshmisë së Rubinit dhe shënimeve të Kadaresë ofron një kuadër të plotë për ta parë lëvizjen çlirimtare të Kosovës si pjesë të emancipimit evropian. Diplomacia perëndimore, autoriteti moral i shkrimtarit dhe përgjegjësia politike e delegacionit kosovar krijojnë një triadë interpretative që ndihmon të kuptohet pse Rambujeja duhej lexuar jo si kompromis i dobët, por si hap i domosdoshëm drejt lirisë. Në këtë kuptim, rrëfimi i I Rubinit ne Hages dhe ditari Kadare e perplotesojne nje moment te pandrysheeshem histroik dhe jo vetëm rivendosin ekuilibrin historik, por vendos edhe standardin metodologjik: shumëburimësi, kontekst dhe maturi politike si parakushte të së vërtetës historike për Kosovën.
Në këtë kontekst, ja se çfarë shkruan Kadare për takimin e tij me Hashium Thaçin:
Paris, 18 mars 1999
Në mbrëmje vonë, Hashim Thaçi shpreh dëshirën të më takonje Vjen gati në mesnatë, bashkë me Ram Bujën dhe përkthyesen e delegacionit, Bukurije Gjonbalin. Një copë herë biseduam kokë më kokë. Në dhomën tjetër pinin kafe njerëzit e familjes sime, dy shoqëruesit e Thaçit dhe ambasadori shqiptar në Paris. Rojet e policisë së fshehtë franceze jane kudo nëpër shkallët e ndërtesës. Thaçi ishte i paqetë. Natyrisht, kishte vendosur ta nënshkruante marrëveshjen, por ka shume presione. Në Kosovë, Adem Demaçi vazhdonte të nxisë pakënaqësi kundër delegacionit, madje i quante edhe tradhtarë. Disa nga komandantët e UÇK-së mund të krijonin përsëri ngatërresa. Thaçi përmendi letrën që i kam drejtuar delegacionit në Rambuje, si dhe shkrimin “Kapardisja shqiptare”, që e kisha botuar tri ditë më pas. Thote se përpiqet të nxjerrw mësime nga çdo kritikë, por gjnedja s esht aq e thjesht. Ai me bene nje pyetje qe eshte njekohesisht nje kerkese: Në rast se sonte do ta nënshkruante marrëveshjen, ue si shkrimtar shqiptar a do ta perkrahja ate akt publikisht? Pa asnjë ngurrim, iu përgjigja se po, do ta përkrahja. Madje, qysh në atë çast. Mbaroi biseda kokë më kokë. I ftojme gjithë në sallonin e ndenjës. Jam dyfish i gëzuar. E para, sepse kjo punë po kryhet. E dyta, sepse në këtë këshillim të luftëtarëve të Kosovës me një njeri të kulturës, shoh një ogur të mirë. Sa shumë shpifje janë bërë kundër UÇK-së: shpifje nga propaganda serbe, nga gazetat ruse, nga një pjesë e shtypit perëndimor, madje edhe nga vetë ultrapacifistët shqiptarë. Por ata, me këtë gjest, me këtë këshillim, tregojnë se, pavarësisht nga shtresimet e pashmangshme të një gueriljeje ballkanase, e kane ende një dozë të fortë idealizmi — një përmasë që i lidh me të ardhmen, me qytetërimin evropian. Pak kohë më parë, në shtypin shqiptar — në Kosova Press, në mos gaboj — kam shprehur mendimin se lëvizja për çlirimin e Kosovës duhet të jetë pjesë e emancipimit evropian. Familja e popujve të kontinentit duhet ta marrë këtë mesazh. Dhe t’i përgjigjet atij.

Letra e Kadaresë dërguar delegacionit kosovar në Rambouillet
“Ju jeni aty për lirinë, pra për jetën e Kosovës dhe jo për vdekjen e saj”
Nga urtësia, trimëria, ndershmëria juaj, bashkë me fatin e Kosovës varen fate të tëra jetësh njerëzore, varen jetë grash, fëmijësh, e burrash. Në këtë rast doja të përsërisja se të bësh lëshim atëherë kur duhet bërë, është po aq trimëri e heroizëm, sa edhe kur je në luftë. Ju lutem mos dëgjoni rrahagjoksit e papërgjegjshëm, të cilët e kanë lehtë të bërtasin: o pavarësi menjëherë, o të bëhemi shkrumb! Askush s’ka të drejtë të propozojë shkrumbin dhe vdekjen për popullin e vet. Ju jeni aty për lirinë, pra për jetën e Kosovës dhe jo për vdekjen e saj
Paris, 22 shkurt 1999
Në pamundësi t’ju them gojarisht disa mendime të miat për atë çka po ndodh e çka po pret gjithë kombi shqiptar prej jush, më lejoni t’ju drejtohem me këtë letër të shkurtër. Një shqetësim i orëve të fundit u bë nxitje për këtë letër, e sidomos deklarata e Madeleine Albright se:
a) nëse të dyja palët nuk bien dakord nuk do të ketë ndërhyrje ushtarake në Jugosllavi,
b) nëse shkas për dështim bëhen shqiptarët, ndihma ndaj tyre do të pritet.
Besoj se jam në gjendje të dalloj deklaratat që bëhen për arsye presioni nga ato që shprehin një të vërtetë më të thellë. Nga njoftimet që kam dhe nga një intuitë alarmuese, kam bindjen se deklarata e Sekretares së Shtetit të SHBA-së duhet marrë me seriozitetin më të madh.
Në të dyja rastet, pra edhe sikur të dyja palët, serbe e shqiptare, të mos bien dakord, e sidomos në rastin e dytë, sikur faji t’u mbetet shqiptarëve, serbët dalin të fituar. Dhe në të dy rastet, shqiptarët dalin të humbur. Me sa duket, strategjia serbe është bazuar pikërisht në këtë kurth: t’i bëjë shqiptarët bashkëfajtorë, madje edhe fajtorë dhe vetë të dalë e larë. Serbët s’kanë ç’kërkojnë më shumë nga kjo konferencë. Për ata do të jetë fitore e madhe. Mendoj se kjo është e mjaftë për të kuptuar se kurrsesi delegacioni shqiptar nuk duhet të bjerë në grackë.
Pyetja dramatike që shtrohet është: ndonëse aspirata jonë është më e madhe, a mund të kënaqemi megjithatë me aq sa kemi fituar? A mund të arrihej më shumë nga një fazë e parë kalimtare prej tre vjetësh?