Prof. Dr. Zymer Neziri: Epika gojore shqiptare në simpoziumin ndërkombëtar të Univerisitetit të Harvardit

Në simpoziumin shkencor ndër­kom­bëtar të Universitetit të Harvardit, Ke­­mbrixh, SHBA: «Këngëtarët dhe rrëfenjat në shekullin e 21-të: Tra­shë­gimitë e Millmen Perit (Milman Parry) dhe të Allbert Llordit (Albert Lord)», që u mbajt nga data 3 deri më 5 dhjetor 2010, në Kembrixh, mora pjesë me ku­m­te­së dhe ku­m­tesën e kemi pa­­ra­qitur bashkërisht me etno­­mu­zi­kologun Ni­ko­lla Ska­ll­daferri (Nicolla Sca­l­da­fe­rri­), pro­fesor në Uni­ver­si­te­t­it te Mi­la­nos. Ti­tu­lli i kumtesës është: «Nga arkivi në te­r­ren: Hulumtim i ri për kë­n­gët epi­ke shqiptare».


Ky simpozium shkencor ndërkombëtar i Harvardit doli shumë i suk­se­s­shëm. Me ku­­mtesa u paraqiten 32 studiues nga SHBA dhe nga qendrat e njohura studimore dhe universitare të botës: Egbert Bakker, Karl Lindahl, Chao Gejin, Minna Skafte Je­­nsen, Françoise Létoublon, John Miles Foley, Mirsad Kunić, Ronelle Alexander, Ni­­cola Scaldaferri, Zymer Neziri, Nikolai Grintser, Olga Levaniouk, Holly Da­vi­d­son, Anna Bonifazi, David Elmer, Joseph Nagy, Peter McMurray, Casey Dué, Ma­ry Ebbott, Lars Lönnroth, Gísli Sigurdsson, Thomas A. DuBois, David Bouvier, Ca­rlo Severi, John Franklin, Karl Reichl, Dwight Reynolds, Anna Stavrakopoulou, Ai­da Vidan, Lotte Tarkka, Susan Niditch, Margaret Beissinger.


Punimet e simpoziumit i shpalli të hapura David Elmer (Dejvid Ellmer), përgjegjës i kë­shillit për­ga­titor të këtij simpoziumi të Universitetit të Harvardit. Të pranishëve u dëshiroi mirë­seardhje. Foli edhe për organizimin dhe mba­jtjen e këtij tubimi shk­e­n­­cor, në she­­­një të për­vjetorit të punës së pro­fe­so­rëve Peri dhe Llord në Ballkanin Pë­r­­en­di­mor, në vitet 1933-1935, ku­r­se për idenë e mbajtjes së simpoziumit falë­nd­e­r­oi Zymer Nezirin.


Fo­n­di arkivor i këtij universiteti, shumë i njohur në SHBA dhe në botë, i incizuar në 3500 pllaka, i krijuar në vitet ‘30 të shekullit të kaluar, me emrin Koleksioni i Le­tër­si­së Gojore i Millmen Pe­rit, përveç epikës bo­­sh­njake, ka edhe epikë  shqi­pe, kroate dhe serbe. Kënga shqipe është nga pjesa veriore e Vi­la­je­tit të Kosovës, nga San­xha­ku i Pazarit, nga vi­­n­in edhe lahutarët më të mi­rë të këtij koleksioni, Avdullah Zeneli dhe Salih Uglla, të njohur në kë­të koleksion dhe në literaturën botërore si Av­do Me­gjedoviq dhe Sa­­lih Uglanin. Në kuadër të këtij koleksioni është edhe Koleksioni i këngëve shqipe i Allbert Llordit, me rreth njëzet mijë vargje të Eposit të Kre­sh­ni­kë­ve, i shënuar më 1937, në Shqipërinë e Veriut, dy vjet pas vd­e­kjes së M. Perit.   


Në këtë simpozium shkencor ndërkombëtar, kushtuar M. Perit dhe A. Llordit, u tra­j­tuan këto grupe te­m­ash: Formula e tema, Ho­meri, Epika e Ballkanit, Qasje kra­ha­suese I dhe II, Teknologji, Traditat skandinave, Kujtesë, Mu­zikë dhe per­fo­r­m­a­ncë, Qasje bashkëbisedore, Epika dhe sho­qëria.


Pro­fesori i Universiteti të Jellit (Yale), homerologu  Egbert Bakker, mo­ri i pari fja­l­ën dhe paraqiti ku­mtesën “Formulat homerike dhe va­zh­di­mësia e inte­r­te­k­s­tu­a­li­te­tit.” Studiuesja Minna Skafte Jensen, pro­feso­re­shë nga Da­ni­ma­rka, po ashtu homerologe e njohur, lexoi kumtesën “Me­­nelau në Odisea: Një studim për tre­guesin si model.” Studiuesi i fol­klorit  dhe i traditës go­jo­re, profesor në Akademinë e Shk­encave So­ci­­ale të Kinës, Chao Gejin, pati për kumtesë “Trendet aktuale në fol­k­lo­ri­stikën ki­ne­ze: Një perspektivë nga zbatimet  e lokalizuara të Teorisë go­jore formulaike.” Profesor David Bo­u­vi­er (Universiteti i Lozanës) lexoi kumtesën “Shprehje for­mu­la­i­ke dhe ku­j­time te Homeri.”


Zgjuan interesim edhe kumtesat, në rrafshin krahasues, të studiuesve Anna Bo­­nifazi (Uni­versiteti i Hajdelbergut) dhe David Elmer (Har­vard): “Vi­zu­a­li­te­ti në epikën slla­­ve të Jugut dhe në epikën homerike”, si dhe ajo e profesorit Jo­seph Falaky Nagy (Uni­veriteti i Kalifornisë, Los Anxhelos), mitolog, stu­di­ues i kulturës kelte dhe i tra­­­di­tës gojore: “Gjarpërinjtë e zemrës në tre­gi­m­et heroike serbe dhe irlandeze.”


Me interes qenë edhe kumtesat e paraqitura nga: Holly Davidson, nga Uni­ver­si­­teti i Bo­­­stonit, “Teksti i shkruar si një metaforë për integritetin dhe kom­po­zi­cionin gojor ira­­nian dhe gjetiu”;  Karl Reichl, profesor i Uni­ve­r­­­si­te­tit të Bo­nit, “Këndimi i rrë­fe­n­jave: Roli i muzikës në per­fo­r­ma­n­c­ën­ epike dhe në te­­kstin e ndryshuar”; Carlo Severi, antropolog i njo­hur, “Ko­m­pozicioni në me­ndje: Ikonografia, gojorësia, dhe an­tropologjia e kujtesës”;  Lotte Tarkka, specialiste e ‘’Ka­leva­l­ës­,­’’stu­di­uese e fol­k­lo­­rit dhe profesoreshë në Uni­ver­si­te­tin e Helsinkit, le­xoi kumtesën “Dialogu i zha­­n­reve në metrin e poezisë go­jo­re të Kalevalës.”


Në kuadër të traditave skandinave u lexuan këto kumtesa: pro­fesori nga Suedia, La­rs Lönnroth (Universiteti i Gőteborgut), “Te­k­s­tet e vjetra nor­di­ke si per­for­ma­n­cë”; profesoresha Gísli Sigurdsson (Uni­ver­si­ti i Isla­n­d­ës), “Historiku go­j­or i Edave dhe i Sagave” dhe profesori Tho­m­as A. DuBois (Universiteti i Pensilvanisë), “Malli i parakohshëm për mu­lti­me­dia.”


Nga fusha e muzikës së sllavëve të Jugut dhe e muzikës arabe u para­qi­t­en studiuesi John Fra­nklin (Konservatori, New England), “Melodia he­ro­ike e sllavëve të Jugut: Drejt një metode të re të analizës,” si dhe profesori Dwight Reynolds (Universiteti i Ka­li­fo­rnisë, Sa­nta Barbara), “Kompozicioni në performancën e stilit ar­ab.”


Me­ ku­mtesa të tjera u paraqiten: Karl Lindahl (Universiteti Indiana), Rrj­e­­­­dhat e sht­ë­­pisë poroze në tregimet popullore Appalachian”; Fra­n­ço­ise Lét­ou­b­lon (Uni­ve­r­si­teti Ste­ndal, Grenobël), “Teatri trojan fo­rmu­la­ik”; Nikolay Gri­ntser (Uni­ve­rsiteti Shte­të­r­or Rus i Shkencave Humane), “Dhi­­m­b­je të përbashkëta: vajtimi për Hektorin dhe Ra­­mën”; Olga Le­va­ni­ouk  (Uni­ver­si­te­ti i Uashingtonit), “Ëndrrrat e Barshinit dhe të Pe­­­ne­lo­pës”; Casey Dué (Universiteti i Hjustonit) dhe Mary Ebbott (Kolegji Holy Cro­ss), “Mul­tite­k­s­ti si një zgjatje e Teorisë së punës në terren të Pe­rit (e të Llo­r­d­it)”; studiuesja Anna Stavrakopoulou (Uni­ver­si­teti i Ari­stotelit, Se­lanik), “Di­a­lo­gu i shur­dhër: Drejtuesit e kukullave ose in­ter­vistuesit e historisë gojore dhe të të dhë­nave historike,” dhe stu­di­u­esja Susan Niditch (Kolegji Amherst), “Ru­ajtja e tra­di­ta­ve te ‘Ata’ dhe kri­jimi i ‘Us’: Gjuha for­mu­laike, his­to­rio­gra­f­ia­, mitologjia dhe vetë­për­­ku­fizimi.”


Në grupin e temave për Ballkanin u paraqitën këto kumtesa: profesor John Miles Fo­­ley (Universiteti i Misurit), “Epika gojore në Stollac: Tra­di­­ta ko­le­k­ti­­ve dhe arti individual”; Mirsad Kunić (Universiteti i Tu­z­llës), “Vd­e­kja e he­­roit Mustaj Beg i Likës në këngët e Koleksionit të Mi­llmen Perit”; pro­fe­so­­resha Ronelle Alexander (Universiteti i Kali­for­ni­së, Berkeley), “Përcjellja e re­gjistrit epik te sllavët e Jugut”; Ni­­cola Sca­ldaferri dhe Zymer Neziri, “Nga Arkivi në terren: Hulumtim i ri për kë­n­g­ët  epike  shqiptare.”


Te­ma nga Ballkani trajtuan edhe: studiuesja e epikës, Margaret Be­is­si­n­ger, sllaviste në Universitetin e  Prinstonit (Princeton), “Shkelja, tur­pi,­ dhe ru­ajtja e shoqërisë tra­di­­cionale: Incesti në epikën gojore të Ba­ll­ka­nit”; Aida Vi­dan (Harvard) “Balada e vë­llait të humbur: Burimet gojore të dra­mës të Ri­lindjes kroate”; Peter McMurray (Harvard), “Nuk ka me­d­ia go­jo­re? Perceptimet dëgjimore dhe pamore të poezisë epike të sllavëve të Jugut.”


Pra, në­ kuadër të epikës gojore të Ballkanit, u shqyrtua edhe epika jonë, në kum­te­s­ën tonë, ‘’Nga Arkivi në terren: Hulumtime të reja për këngë epi­ke shqi­p­ta­re,’’ të për­­ba­shkët me prof. Nikolla Skalldaferrin. Kum­te­sa u prit mi­rë. Pati edhe dis­kutime li­­­dhur me të. Në këtë kumtesë u tha:  tradita epike le­­gje­ndare e Eposit të Kre­shn­ik­ë­ve është një pjesë e rën­dë­si­shme e identitetit ku­lturor shqiptar, e mb­le­dh­ur kryesisht në anën veriore të Shqipërisë, në Ko­so­vë, në viset shqiptare në Ma­qedoni, në Serbi e në Mal të Zi; hulumtime të rën­dësishme janë kryer në ka­lu­a­r­ën në këtë traditë: ku ve­­çohet edhe puna e Millmen Perit dhe e Allbert Llo­r­dit, krahas mbledhësve të tjerë ndër­mjet dy lu­ftërave botërore, si dhe më vonë, të nxitur nga institucionet vendore, si Ins­­ti­tuti i Kulturës Popullore i Tiranës dhe Ins­tituti Albanologjik i Pri­sh­ti­nës; këto ma­­­te­ri­a­le të ofrojnë një pikë të rëndësishme re­fe­rimi edhe për kërkime të reja; sot, kën­gëtarët janë ende aktivë në rajonet e për­men­dura, veçanërisht në disa vise spe­ci­fi­­ke, sidomos  në Rugovë dhe në disa kra­hina të Ma­lë­si­së; në kërkimet e reja, që zba­tohen në këtë fushë gjatë viteve të fundit, duke pa­s­ur parasysh edhe koleksionet e vjetra, si dhe me mbështetjen e teknologjive të reja, po bëhen përpjekje për të arritur rezultate të reja të rëndësishme, du­ke u përqendruar veçanërisht në pikat e më­­­po­sh­tme: informacione të reja dhe të dhëna etnografike lidhur me rapsodët  e ta­sh­­ëm, sidomos në lidhje me kën­­gëtarët e dokumentuar në pjesën veriore të Shqi­pë­ri­së, nga Allbert Llo­r­di, më 1937; vërejtjet e analitike për ele­m­e­ntet stru­kturore të var­gut, mo­da­li­teti i per­for­ma­n­cës, sidomos as­pe­k­tet e recitimit të vargjeve dhe as­pe­k­tet  me­lodike; botimet dhe ri­b­oti­met e këtij lloji të epikës legjendare në 15 vjetët e fu­­n­dit; interesimi i shtetit për traditën epike sot dhe kuptimet që ai do të ma­rrë, veç­a­n­ërisht në Ko­sovë, në ku­a­drin e pa­va­rë­sisë të vitit 2008; debati për Listën e UN­ESCO-s të trashëgimisë kul­tu­rore; konferenca shkencore ndër­ko­mbëtare për Epo­sin e Kreshnikëve, në Pri­sh­ti­në, më 2010, ku morën pje­së 100 studiues, etj.


Pra­ndaj, kjo paraqitje ishte me interes të veçantë, sepse Eposi i Kre­sh­ni­këve ende e va­­­­zhdon jetën e vet, që nga gjy­sma e dytë e mijëvjeçarit të pa­rë e deri në fi­llim të kë­­tij mijëvjeçari të tretë, si dhe ai ba­shkë­je­ton me epikën tonë his­to­rike që nga viti 1389, pra nga cikli i Betejës së Kosovës e deri te cikli i ta­sh­ëm i UÇK-së.


Në punimet e simpoziumit kanë qenë të pranishëm edhe profesorë dhe studentë të De­pa­rtamentit të Folklorit dhe të Mitologjisë të Univeristetit të Harvardit, drejtuesit e Koelsionit të M. Perit, prof. Stephen Mitchell (Stiven Miçell) dhe Gregory Nagy (Gregori Naxh), si dhe pasardhës të Perit e të Llordit: Marian Parry, Nate Lord etj.


Pra­nia jonë në këtë tubim shkencor botëror, jashtëzakonisht të rën­dë­si­shëm, në Uni­ver­sitetin e Harvardit, në shkollën më elitare në SHBA dhe në botë, mendoj, është nder i madh për epikologjinë dhe për studimet al­banologjike.


Me këtë rast falëndroj Ministrinë e Shkencës (MASHT) për ndihmën financiare, për shp­en­zi­met e fjetjes (tri net në Kembrixh), si dhe Ministrinë e Kulturës (MKRS), për biletë (Prishtinë-Boston).

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …