Mr. Eroll Sejdiu: Të shkruajmë shqip

Prof. mr. Eroll Sejdiu: ETIMOLOGJIA SI SHKENCË

Pa njohjen e thelluar të gjuhëve krahasimtare, fonetikës historike, morfologjisë, semantikës dhe rregullave të zhvillimit gjuhësor në kohë, nuk mund të kuptohet dhe aq më pak të ndërtohet një etimologji e saktë dhe shkencore për fjalët e shqipes.

Etimologjia është një nga disiplinat më delikate të gjuhësisë historike, sepse kërkon dijeni të gjerë jo vetëm për vetë shqipen, por edhe për vendin e saj në familjen e gjuhëve indoevropiane dhe për ndikimet shumëplanëshe që ka pësuar gjatë historisë.

Në dritën e kësaj kërkese shkencore, është alarmuese të shohësh se në mediat tona, përfshirë emisione televizive, forume publike apo rrjete sociale, gjithnjë e më shpesh u jepet hapësirë zërave jo kompetentë, të cilët ndërtojnë etimologji mbi hamendësime, intuitë personale apo lojë me shkronja. Këta persona, të paformuar në asnjë degë të gjuhësisë, i japin vetes të drejtën të “zbulojnë” prejardhjen e fjalëve të lashta shqiptare pa asnjë burim, metodologji apo referencë krahasuese, dhe për më tepër, duke e paraqitur këtë si “zbulim të madh kombëtar”.

Ky fenomen nuk është vetëm i gabuar; është i rrezikshëm. Etimologjia është në thelb një shkencë empirike, që mbështetet në ligjshmëri fonetike dhe zhvillime të vërtetuara historikisht. Kur kjo lëmi përdhoset nga entuziastë që nuk kuptojnë çfarë është transformimi fonetik, metafonia, zhvendosja e theksit ose ndikimi i substratit dhe huazimeve, atëherë kemi të bëjmë me një dëm të drejtpërdrejtë që i bëhet shkencës dhe edukimit publik.

Mediat, në këtë kontekst, mbajnë një përgjegjësi të madhe. Ato nuk duhet të ushqejnë publikun me teori që nuk kalojnë as filtrin më të thjeshtë akademik. Dhe aq më pak të paraqesin opinionet personale si fakte gjuhësore. Të ftuarit që merren me këto çështje duhet të jenë gjuhëtarë të formuar, me përvojë kërkimore, të njohur nga komuniteti shkencor dhe me prurje që qëndrojnë përballë kritikës profesionale.

Për fat të keq, në vend që të promovohen gjuhëtarë seriozë e të përkushtuar, që punojnë me burime, me kritere dhe në përputhje me standardet shkencore ndërkombëtare, shpesh zëri u jepet atyre që ndërtojnë teori fantastike mbi bazën e ndjenjës patriotike, por jo të dijes. Ky lloj diletantizmi i organizuar po shndërrohet në një rrezik real për kulturën gjuhësore të shoqërisë shqiptare, sepse krijon konfuzion, shformon të vërtetat shkencore dhe i paraqet gjërat si të ishin çështje besimi, jo dijeje.

Me të drejtë e ka theksuar dikur akademiku ynë i madh, Idriz Ajeti:

“Edhe ndër ne del dikush që diletantizmin e vet dëshiron ta shesë si dije. Rraset në problemin e ndërlikuar të etimologjisë së fjalëve apo në onomastikë, bie fjala, i trajton ndonjë historian, e s’merr erë prej atyre çështjeve. Jemi të vetëdijshëm se një diletantizëm i tillë në radhë të parë e dëmton albanologjinë.”

Duhet të mësojmë t’i dallojmë mendimet personale nga studimi shkencor, të nderojmë përpjekjen e duruar të gjuhëtarëve që punojnë me burime dhe metoda, dhe të mos i japim vendin në debatet publike personave që vetëm sa e ngatërrojnë të vërtetën për gjuhën shqipe. Mbrojtja e shqipes nuk bëhet me pasion të verbër, por me dije të thellë dhe përkushtim ndaj së vërtetës gjuhësore.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Halimi: DËSHMITARI I HAGËS

DËSHMITARI I HAGËS Mungesa e lirisë nuk të mundonte Se shpirti yt nga njerëzorja ish …