Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka kërkuar vazhdimin e masës së paraburgimit për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Kërkesa është dorëzuar më 22 shtator 2025 dhe është nënshkruar nga prokurorja Kimberly West. Sipas Prokurorisë, ekziston ende dyshimi i bazuar se Thaçi ka kryer vepra penale që hyjnë në juridiksionin e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Në parashtresën zyrtare, ZPS thekson se që nga konfirmimi i aktakuzës nuk ka ndodhur asnjë rrethanë që mund të ndikojë në ndryshimin e këtij vlerësimi. Prokuroria argumenton se Thaçi është i vetëdijshëm për akuzat e rënda ndaj tij dhe për mundësinë e një dënimi të gjatë me burg. Rreziku për arratisje, sipas tyre, mbetet real, si dhe ekziston një rrezik serioz për pengim të procedurës penale. Në dokument thuhet gjithashtu se Thaçi mund të ushtrojë ndikim ndaj dëshmitarëve edhe pas dhënies së dëshmisë së tyre, përmes frikësimit, nxitjes për tërheqje të dëshmive apo ndërhyrjes në procedura të tjera. Ndërkohë, mbrojtja ka filluar paraqitjen e provave më 15 shtator, ku janë dëgjuar disa dëshmitarë të profilit të lartë, përfshirë ish-ndihmësin e Sekretarit Amerikan të Shtetit, James Rubin, ish-këshilltarin ligjor të delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams, si dhe diplomatin John Stewart Duncan.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
