Prokuroria Speciale e Kosovës ka dorëzuar një aktakuzë në Gjykatën Themelore të Prishtinës ndaj 21 personave të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë periudhës janar-qershor të vitit 1999. Kryeprokurori Blerim Isufaj tha se ky është një hap i rëndësishëm drejt vendosjes së drejtësisë, ndërsa theksoi se aktakuza është ngritur në mungesë të të pandehurve, por me prova të mbledhura me kujdes. Prokurori i çështjes, Atdhe Dema, sqaroi se të dyshuarit kishin kontroll mbi forcat ushtarake dhe policore të Serbisë dhe ishin të vetëdijshëm për krimet që po ndodhnin. Veprimet e tyre përfshijnë dëbime masive, shkatërrim prone, ndalime arbitrare dhe sulme ndaj civilëve. Rreth 863 mijë shqiptarë janë zhvendosur me dhunë gjatë kësaj fushate, sipas statistikave zyrtare. Urdhër-arreste ndërkombëtare janë lëshuar, por të pandehurit mbeten të paarritshëm për Prokurorinë.
