Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në Prishtinë, në praninë e lexuesve të librit, familjarëve, miqve dhe dashamirëve të fjalës së shkruar, u promovua libri “Koha pa etos” i autorit dhe luftëtarit të lirisë Besim Baraliu. Promovimi u shndërrua në një aktivitet kulturor e reflektues, ku libri u trajtua jo vetëm si vepër letrare, por edhe si dëshmi e zhvillimeve politike dhe shoqërore ndër vite.
Ngjarja mori një simbolikë të veçantë pasi u mbajt edhe në kuadër të 90-vjetorit të lindjes së simbolit të rezistencës shqiptare, Adem Demaçi. Autori Baraliu rikthen dhe ringjall frymën politike dhe filozofike të Demaçit, duke theksuar se filozofia e tij vazhdon të mbetet udhërrëfyese edhe sot.
Redaktori i librit, Arben Veselaj, në fjalën e tij vlerësoi se “Koha pa etos” e trondit lexuesin përmes thellësisë analitike, argumentit filozofik dhe etikës së lartë gjuhësore. Sipas tij, libri rikthen kohën kur leximi trajtohej me respekt të veçantë, ndërsa etosi paraqet lidhjen e pandashme midis fjalës dhe veprës.
Recensioni i Bislim Elshani u lexua në mungesë, duke vënë në pah dimensionin kritik dhe reflektues të veprës. Ndërkaq, recensenti Ramë Buja dha një pasqyrim të gjerë për librin dhe njëherësh për jetën e veprën e Adem Demaçit, duke theksuar se libri është shkruar nën ndikimin e drejtpërdrejtë të filozofisë së tij dhe trajton edhe fenomenin e patriotizmit të rremë, të cilin autori e sfidon hapur.
Edhe recensioni i Uk Lushi u lexua në mungesë, ndërsa opinionisti Behxhet Shala, ish-bashkëvuajtës i burgut, rikujtoi figurën dhe veprën e Adem Demaçit si dhe rrugëtimin e autorit Baraliu, duke dhënë vlerësime kritike por konstruktive për librin dhe gjuhën e përdorur në të.
Në cilësinë e drejtuesit politik, Imer Lladrovci theksoi se, ndonëse Adem Demaçi nuk është më fizikisht mes nesh, ai jeton në ndërgjegjen e brezave. Sipas tij, libri “Koha pa etos” është i rrënjosur në veprimtarinë politike dhe përçon mesazhin e vazhdimit të mësimeve të Demaçit, duke kujtuar se autori Baraliu pikërisht në burgjet jugosllave gjeti mësuesin e tij, Bacën Adem.
Në fund të promovimit, autori Besim Baraliu ndau motivet e shkrimit të librit dhe mesazhin që synon të përcjellë, duke u shprehur i lumtur që kjo vepër i dedikohet 90-vjetorit të lindjes së Adem Demaçit. Ai lexoi pjesë nga biografia e bacës Adem, dhe falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për kontributin dhe praninë në këtë ngjarje kulturore.
Promovimi u përmbyll në një atmosferë reflektuese, duke e konfirmuar librin “Koha pa etos” si një vepër që ndërthur mendimin filozofik, kritikën shoqërore dhe kujtesën historike në kulturën bashkëkohore shqiptare. Për të pranishmit u dhura libri falas.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
