Qazim H. Berisha: Rreze dielli mbi atdhe

Përmbledhja e re poetike e Qazim H. Berishës – një udhëtim shpirtëror përmes atdheut, kohës e kujtimeve

Këto ditë ka parë dritën e botimit libri më i ri i poetit të mirënjohur Qazim H. Berisha, me titullin simbolik “Rreze dielli mbi atdhe”. Autori e ka zgjedhur pikërisht 30-vjetorin e krijimtarisë së tij letrare për të sjellë para lexuesve këtë përmbledhje poetike, një dhuratë shpirtërore që përmbyll tri dekada punë, përkushtim dhe besim në fjalën artistike.

Në këto vite, Berisha ka botuar mbi 20 vepra nga zhanre të ndryshme, duke u bërë një zë i dalluar në letërsinë shqipe bashkëkohore. Përmbledhja e re vjen si një kurorë e ndritshme, ku poeti ndërthur refleksionin, mallin dhe krenarinë kombëtare në katër kapituj të veçantë:

  1. Atdheu duhet me zemër

Ky kapitull hapet si një kushtrim dashurie. Poeti i rikthehet tokës mëmë, rrënjëve, flamurit, Kosovës e Shqipërisë, duke i shndërruar ndjenjat në vargje që të rrënqethin e të ngrohin njëkohësisht. Vargjet janë si një betim i përhershëm për tokën ku u rrit gjuha, historia e gjaku i sakrificave. Lexuesi përjeton dashurinë e poetit jo vetëm si një ndienjë romantike, por si obligim shpirtëror e moral ndaj vendit.

  1. Gjurme kohe

Në këtë kapitull shpalosen plagët dhe shpresat e shoqërisë sonë. Poeti prek temat sociale, realitetet e dhimbshme, sfidat e jetës së përditshme. Vargjet janë jehonë e një kohe që lë gjurmë, dëshmi e një shoqërie që kërkon rrugën drejt më të mirës. Emocioni lëviz lirshëm mes zymtësisë dhe dritës, duke krijuar një tablo të fuqishme të aktualitetit.

  1. Kujtime dhe mall

Këtu zë vend kujtimi i njerëzve që ndriçuan udhën e kombit dhe të dijes. Qazim H. Berisha përjetëson figura të shquara si Fazli Grajçevci flakadani i lirisë, Ahmet Qeriqi pena e paepur e gazetarisë dhe studiues të tjerë që lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë. Poezitë bëhen homazhe shpirtërore, duke sjellë mall e krenari për ata që dhanë gjithçka për idealin.

  1. Ditë e re

Kapitulli i fundit është një dhembshuri e ëmbël për jetën, mallin, ringritjen. Poeti rrëfen brendinë njerëzore, rikthimin tek dashuria dhe shpresa. Vargjet flasin qetë, por thellë, për dëshirën që dita e re të sjellë mrekulli, qoftë në zemër, qoftë në atdhe.

 

Kjo vepër ka kaluar nëpër duar profesionistësh që e kanë bërë edhe më të plotë:

Redaktor letrar: Hajdin Krasniqi

Redaktor gjuhësor dhe recenzent: Zymer Mehani

Korrektor dhe realizues teknik: Driton Berisha

Dizajni grafik: LightON L.L.C.

Shtypshkronja: Lena Graphic Design

 

Rrezet e këtij libri janë dëshmi e shpirtit krijues që prej 30 vitesh i dhuron dritë letërsisë shqipe. Urojmë që udhëtimi yt poetik të vazhdojë edhe më gjatë, me suksese, frymëzim dhe lexues që e përqafojnë fjalën tënde si një dritë mbi atdhe.

Gëzuar jubileun dhe dritë të bardhënë çdo varg të ardhshëm!

Kontrolloni gjithashtu

Prof. Dr. Hivzi Muharremi: FRYMËZIME JETE NDËRTHURJE E NDJENJES DHE KONCEPTIT

Prof. Dr. Hivzi Muharremi: FRYMËZIME JETE NDËRTHURJE E NDJENJES DHE KONCEPTIT

Në qytetin piktoresk të Pogradecit u hap ekspozita e piktorit, Haxhi Kastrati në Galerinë e …