Qendra e Botimeve Enciklopedike dhe Albanologjike: Fjalori i madh i gjuhës shqipe, nga sot, online për përdoruesit

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, me vendimin nr. 1, datë 06.01.2026, “Për hapjen e platformës online të Fjalorit të madh të gjuhës shqipe”, vendosi:
Të hapet për publikun faqja e platformës online të “Fjalorit të madh të gjuhës shqipe”, me domenin “fjalori.online”, duke ofruar qasje të lirë në të.
Nga dita e hapjes, për një periudhë nëntëmujore mblidhen mendime, sugjerime e plotësime për përmirësimin e Fjalorit.
Pas kësaj periudhe, Redaksia e Fjalorit dhe Koordinatori Teknik, brenda një afati tremujor, pasqyrojnë gjithë sugjerimet e mbledhura.
***
Nga dita e sotme, datë 12.01.2026, ora 00:00, është hapur për përdoruesit faqja e “Fjalorit të madh të gjuhës shqipe”, një nga tri projektet madhore në albanologji, bashkë me veprat “Historia e Shqiptarëve” dhe “Enciklopedia Shqiptare”, projekte këto të ndërmarra nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë për promovimin e identitetit, historisë dhe trashëgimisë sonë kulturore mijëravjeçare.
Për “Fjalorin e madh të gjuhës shqipe” punoi një ekip i gjerë hartuesish, redaktorësh dhe korrektorësh, nën drejtimin e Akademik Jani Thomait si kryeredaktor dhe dy zëvendëskryeredaktorëve, Akademik Valter Memishaj dhe Prof. Dr. Shezai Rrokaj.
Hapi përfundimtar do të jetë shtypi i veprës në dhjetë vëllime vitin që vjen.
Platforma online është konceptuar në mënyrë që lexuesit të ndërveprojnë me fjalorin në të gjitha pajisjet digjitale.
Ky fjalor është domosdoshmëri për shkrimtarët e për publicistët, për shkollarët e për studentët, për mësuesit e për pedagogët, për studiuesit e për këdo që merret me përdorimin e kultivimin e gjuhës amtare.
Ai u vjen në ndihmë gjithë atyre që merren veçanërisht me gjuhën e shkruar, por edhe të folur, me krijime e me përkthime, me hartimin e fjalorëve të tipave të ndryshëm etj.

Kontrolloni gjithashtu

Heqja e masave nga BE-ja: Shans i vonuar për Kosovën apo lehtësim i kushtëzuar politik?

Bashkimi Evropian ka nisur më në fund procesin e heqjes graduale të masave ndaj Kosovës, …