Qendra “Sami Frashëri” vatër e identitetit dhe kulturës shqiptare në Turqi

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në kuadër të vizitës në Republikën e Turqisë, ka realizuar takime në Qendrën e Kulturës Shqiptare “Sami Frashëri” në Ankara, Institutin Yunus Emre, në Drejtorinë për Turqit jashtë Shtetit dhe Komunitetet Farefisnore (YTB) e cila është në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Turqisë dhe vizitë në redaksinë e gjuhës shqipe në Radio Televizionin e Turqisë (TRT). Gjatë vizitës në Qendrën “Sami Frashëri”, e cila administrohet nga Ambasada e Republikës së Kosovës dhe ajo e Republikës së Shqipërisë, Ministri Gashi takoi studentët shqiptarë që studiojnë në Turqi dhe pjesëtarë të komuniteti shqiptar që jetojnë në Turqi. Ai e cilësoi këtë qendër si një vatër që e ruan dhe kultivon trashëgiminë e kulturën shqiptare në Turqi. Ministri i inkurajoi që të kultivojnë dhe mbajnë gjallë identitetin, gjuhën, kulturën dhe zakonet shqiptare edhe në Turqi. Tashmë pas nënshkrimit të Marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e kulturës mes Kosovës e Turqisë është hapur rruga për më shumë aktivitete dhe ngjarje në fushën e kulturës, dhe ato do të gjejnë edhe përkrahjen e ministrisë, u shpreh ministri Gashi. Ndërkaq, ministri Gashi u takua edhe me dy zëvendësdrejtorët e Drejtorisë për Turqit jashtë Shtetit dhe Komunitetet Farefisnore (YTB), Huseyin Gundogar dhe Sayit Yusuf, me të cilët ministri diskutoi për bashkëpunimin mes Kosovës e Turqisë në kuadër të përkrahjes profesionale për studentë të Kosovës që ata të arsimohen në fushën e Trashëgimisë Kulturore në universitetet turke, pasi kjo drejtori ndan bursa të plota studimi për studentët e interesuar të studiojnë në Turqi. Ministri Gashi ka vizituar gjithashtu edhe Radio Televizionin e Turqisë (TRT) ku u takua me drejtorin e televizionit Ibrahim Eren, me të cilin diskutuan për mbulim më të madh nga ana e TRT-së të ngjarjeve që kanë të bëjnë me kulturën, trashëgiminë e gjuhën shqipe pasi që komuniteti shqiptar në Turqi është në një numër shumë të madh.

Kontrolloni gjithashtu

Nënshkruhet Memorandum i Mirëkuptimit në mes të Komunës së Vitisë dhe organizatës “CNVP”

Sot, kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur në takim Xhevat Lushin – …