Qerim Hysen Jashari (9.10.1942 – 5.3.1998)

Qerim Hysen Jashari (9.10.1942 – 5.3.1998)

Familja Jashari e Prekazit në Epopenë e lavdishme të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, atdheut i dha shumë heronj e heriona, të rinj e të reja, gra e burra, në mesin e tyre edhe burra të moshuar dhe gra trimëresha, të cilët luftuan burrërisht dhe ranë heroikisht duke luftuar me armë në dorë kundër pushtuesit.
Qerim Hysen Jashari ka lindur më 9 tetor të vitit 1942, në Prekaz të Ulët, të komunës së Skënderajt.
Qerimi ishte i biri i Hysenit dhe i nënës Afije. Prindërit Hysen dhe Afije Jashari lindën e rritën bijtë e bijat: Sadikun, Hamitin, Qerimin, Zylën, Zaden dhe Sofinë.
Qerim Jashari ka kryer shkollën fillore në vendlindje. Nuk iu dha mundësia të vazhdonte shkollimin, për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike. Ai punonte në bujqësi, ashtu sikur kishin punuar edhe të parët, brez pas brezi. Në vitet 1981- 1982, Qerimi me bashkshortën, Hajrie Zymeri kishin migruar në Libi, ku kishin qëndruar rreth 4 vite, me vete kishin edhe fëmijët Shahinin, Ukshinin, Hatixhen, Xhemilën, në moshë të mitur. Kur arritën moshën shkollore, babi Qerimi vendosi të kthehej në vendlindje.
Qerimi kishte vazhduar jetën e tij me punët dhe shkollimin e fëmijëve.
Me rastin e protestave gjithë-popullore të shqiptarëve të viteve 1989-1990, Qerimi, së bashku të birin Shahinin, asokohe 17 -vjeçar, dhe me Tahirin, Ademin, Hamzën, Halilin, Xhavitin, Habibin e shumë pjesëtarë të tjerë të Lagjes së Jasharëve, çdoherë ishte në ballë të protestuesve, kur edhe iu bie në sy forcave policore të pushtetit serb. Me rastin e protestave Qerimi së bashku me Ademin, Hamzën, e shumë të tjerë, merrte pjesë aktive në to. Sikurse pjesëtaret e lagjes Jashari edhe Qerimi se bashku me të bijtë e tij tashmë dëshmor bënin roje gjatë natës.
Njëri ndër ata burra, që iu gjend përherë pranë kryetrimit Adem Jashari, Jakup Nurës, ishte edhe, Qerim Hysen Jashari i trungut të Jasharëve. Familja e Qerim Jasharit, si krejt Lagja e Jasharëve të Prekazit, ishte përherë në shënjestër të regjimit serb.
Në mëngjesin e hershëm të datës 31 dhjetor, forca të shumta policore të mbështetura edhe nga ushtria serbe e rrethojnë kullën e Jasharëve. Në fillim, këto forca e kishin rrethuar shtëpinë e Hamit Jasharit, ku kishin hasur në rezistencën e armatosur të luftëtarit, Sahit Jashari. Ndërkohë që po zhvillohej kjo përleshje, Ademi, Hamza dhe Rifati e kishin çarë rrethimin dhe ishin larguar nga shtëpia. Policisë serbe i kishte vajtur në ndihmë edhe një heiikopter, meqë forca të shumta atdhetarësh nga Prekazi dhe fshatrat përreth ishin nisur me nxitim drejt kullës së Jasharëve, për të mësuar se ç’po ndodhte dhe për të ofruar ndihmë. Forcat policore kishin ndëshkuar popullatën e tubuar, në lagjen Jasharaj dhe kishin arrestuar e rrahur dhjetëra fshatarë. Qysh atë ditë, luftëtarët e ardhshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krye me komandantin e tyre, Adem Jashari, fillojnë seriozisht ta vëjnë në jetë projektin për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serbë.
Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, forcat ushtarake dhe policore serbe, rreth orës 6 të mëngjesit kishin filluar sulmin e furishëm mbi lagjen Jashari të Prekazit, duke goditur të gjitha shëpitë e lagjes me armë të rënda të artilerisë, me tanke e topa të kalibrave të mëdhenj dhe me të gjitha llojet e armëve, që kishin në dispozicion. Ata kishin rrethuar lagjen nga tri anët dhe nuk lejonin të depërtonte askush, qoftë edhe për të sjellë ushqime apo barna. Në këtë betejë heroike, përveç Jasharajve të tjerë ka rënë edhe Qerim Jashari me bashkëshorten e tij, Hajrien, bijtë Shahinin dhe Ukshinin.
Qerim dhe Hajrije Jashari kanë lënë bijat: Hatixhen dhe Xhemilen.
Eshtrat e tij prehen në kompleksin përkujtimor “Adem Jashari” në Prekaz.
Familja e Qerim Jasharit ka marrë Mirënjohje nga Qeveria e Përkohshme dhe nga shoqatat e luftës së UÇK-së. Emrat e dëshmorëve të kësaj familjeje, janë skalitur mbi varrezat e tyre në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. (Sahit Jashari)

Kontrolloni gjithashtu

Mihrije Jashari (5.12.1942 – 5.3.1998)

Mihrije Jashari (5.12.1942 – 5.3.1998)

Beteja e Prekazit e 5, 6 dhe 7 marsit e vitit 1998, ka qenë njëra …