leoni

Radio Kosova e Lirë, Historiku i procedurës së aplikimi, vështirësitë, pengesat, injorimi, mungesa e përkrahjes

Edhe pse Radio-Kosova e Lirë ka emetuar program prej 4 janarit të vitit 1999, përgjegjësit e Misionit për Media të OSBE-së, nuk i kanë marrë fare parasysh specifikat dhe statusin e veçantë të kësaj radioje, me rastin e ndarjes së licencës dhe të përcaktimit të statusit transmetues.

Radio-Kosova e Lirë, gjatë kohës së luftës, e sidomos në periudhën kohore 24 mars 21 qershor 1999, ka qenë i vetmi medium informativ në tërë territorin e Kosovës.

Në gusht të vitit 1999, me rastin e fillimit të emetimit në Prishtinë, Radio-Kosova e Lirë ka marrë lejen për emetim të përkohshëm nga Përfaqësuesi u UNMIK-ut për Çështje Civile, z. Dominique Vian.

Më 13 gusht të vitit 1999, kryesuesit të Drejtorisë për Çështje të Mediave,z. Douglas Davidson i është drejtuar kërkesë me shkrim, për të mundësuar shfrytëzimin e një lokali të caktuar, në Pallatin e Shtypit në Prishtinë.

Kërkesa nuk është përfillur.

Më 2 shtator të vitit 1999, Radio Kosova e Lirë ka marrë lejen e punës edhe nga Ministria e Informimit Publik të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.

Më 20 shtator është hartuar një projekt të detajuar teknik, i cili u është drejtuar organizatave të caktuara që interesoheshin për mëkëmbjen e mediave pas luftës. Asnjë organizatë e huaj, asnjë donator i huaj nuk e ka ndihmuar asnjëherë Radion-Kosova e Lirë. Më 30.6.2000 Drejtorisë për Leje të Mediave të OSBE-së I është ushtruar kërkesë për vazhdimin e emetimit të programit në frekuencat 88.8 dhe 101 megaherc FM.

Më 27. 11. 2000 Drejtoria e Radios-Kosova e Lirë ka plotësuar aplikacionet për leje me mbulim të transmetimit në tërë territorin e Kosovës.

Më 11. 12. 2000 Bordi prej pesë anëtarëve tre ndërkombëtarë dhe dy vendorë (Vehap Shita dhe Fatmir Berisha), kryesuar nga Komisioneri i Përkohshëm për Media, z Simon Haselock, vendosi që lejet për radio dhe televizion me mbulim në tërë territorin e Kosovës, t`ia ndajë Radios 21 dhe TV 21 dhe Radio dhe TV Dukagjinit.

Në aplikacionet paraprake, ishte precizuar që aplikuesi i cili ka leje emetimi për TV, nuk mund ta marrë lejen edhe për radio. Mirëpo me vendimin unanim të anëtarëve të komisionit, leja për Radio dhe TV iu dha Radiotelevizionit 21 dhe Radio-Dukagjinit.

Më 8 janar 2001, Zyrës së Komisionerit të Përkohshëm i është paraqitur ankesë, për shkak të shkeljes së parimit që njëjti aplikues të marrë leje për radio dhe televizion. Ankesa është refuzuar, ndërsa z. Haselok ka propozuar që ankesa t`i drejtohet të ashtuquajturit Bord të Mediave, i cili po ashtu dominohej nga persona dhe gjyqtarë të ish nomenklaturës, si Ramadan Vraniqi, Vehap Shita, Fatmir Berisha, Agim Zatriqi e të tjerë.

Drejtoria e Radios-Kosova e Lirë nuk ka konsideruar punë të arsyeshme t` i drejtojë ankesë personave të cilët edhe ashtu i kishin shkelur parimet e shpalljes së konkurrimit, me rastin e ndarjes së licencës për radio me mbulim dëgjueshmërie në tërë territorin e Kosovës.

Më 30.1.2001, kemi marrë lejen për transmetim, sipas së cilës statusi i Radios- Kosova e Lirë, nga ZKPM është degraduar skajshëm, si radio lokale me mbulim vetëm në territorin e Prishtinës, me fuqi dalëse 250 Wat.

ZKPM-ja në vazhdim të injorimit të Radios Kosova e Lirë, me rastin e caktimit të frekuencave të reja, Radios-Kosova e Lirë i ka ndarë frekuencën 94.2, megaherc, në të njëjtën valë me radion shtetërore të Maqedonisë, e cila me një fuqi tejet të shprehur radio difuzive, 10 herë më e fuqishme se Radio Kosova e Lirë, mbulon përveç territorit të ish RJ të Maqedonisë edhe 60% të tërë territorit të Kosovës.

Me vendimin për posedimin e lejes për transmetim të datës 30.1 2001 është ndaluar transmetimi në valën tonë valide në 101 megaherc, në fshatin Berishë, në Rrafshnaltë të Drenicës, nga ku është emetuar programi një vit para themelimit të Zyrës së Komisionerit të Përkohshëm për Media, në Prishtinë.

Duke qenë se Radio-Kosova e Lirë vazhdimisht qenë në shënjestër të interferencës së pa tolerueshme dhe pengesave të shumta devijante nga radisotacionet e tjera që kanë emetuar dhe aktualisht emetojnë me fuqi dalëse shumëherë më të fortë se Radio-Kosova e Lirë, disa herë ka ardhur deri te defektimi i transmetuesve, për rregullimin e të cilëve janë bërë shpenzime të konsiderueshme.

Për këto probleme janë ushtruar pesë ankesa në periudhën prej 30.5 deri më 19.10 2001, kundër pengesave në valën tonë, të cilat asnjëherë dhe në asnjë rast nuk janë marrë në konsideratë.

Vetëm kur kemi filluar emetimi në valën 100.7 megaherc, për shkak të interferencës së pa tolerueshme në valën 94.2, atëherë ZKPM e kryesuar nga zonja Anna Di Lellio, me vendimin e datës 18 Shtator 2001, ka pranuar se ekziston interferencë e pa tolerueshme, në valën valide të radios Kosova e Lirë, mirëpo ajo në të njëjtën kohë jep ultimatum 24 orësh për të ndërprerë transmetimin në valën 100.7, duke kërcënuar me sanksione për marrjen e lejes së transmetimit.

Edhe pse në shënjestër të vazhdueshme të injorimit dhe të presionit, për hir të familjeve të dëshmorëve, të veteranëve dhe të invalidëve të luftës, që janë dëgjues të përhershëm të Radios Kosova e Lirë, në pamundësi për të bërë ndryshe stafi drejtues është pajtuar me gjendjen ekzistuese, meqë nuk ka gëzuar përkrahje nga asnjë instancë organizative institucionale në Kosovë.

Injorimi deri në skajshmëri i zërit të Radios Kosova e Lirë, nga qarqe të caktuara të zyrtarëve të mediave, pengimi i valëve dhe interferenca e pa tolerueshme dhe e vazhdueshme, bëhen me qëllim të caktuar për ta detyruar të heq dorë nga emetimi, meqë kjo radio e themeluar në frontet e luftës çlirimtare, vazhdon të injorohet nga grupe dhe qarqe të caktuara të koniukturave aktuale politike.

Të papërkulshëm në të drejtën tonë të fituar me gjakun e mijëra dëshmorëve të kombit, në mesin e tyre 12 të rënëve në mbrojtje të pozicioneve nga ku transmetohej programi i kësaj radioje gjatë luftës së UÇK-së, ne do të vazhdojmë t`i kërkojmë të drejtat tona legjitime, për të transmetuar papengueshëm dhe për të rifituar të drejtën për dëgjueshmëri në mbarë territorin e Kosovës.

Ky zë bese e lirie është mbrojtur me gjakun e bijave dhe të bijve më të dëshmuar të kombit. Pikërisht për këtë dhe për faktin se në arkivin e Radios Kosova e lirë ruhet lënda autentike dokumentare e kohës së luftës: rreth 3500 informacione autentike, 200 komente, vështrime e shënime, 150 biseda, intervista e reportazhe në frontet e luftës dhe emisione të tjera kulturore.Prore janë bërë përpjekje që Radios-Kosova e Lirë t`i kthehet e drejta për të mbuluar me dëgjueshmëri tërë territorin e Kosovës, por nuk kemi hasur në mirëkuptim të asnjë faktori relevant institucional vendor apo ndërkombëtar.

Pajisjet teknike dhe pengesat në emetim

Pika më e dobët si në të kaluarën, gjatë kohës së luftës, kur ka filluar transmetimin Radio-Kosova e Lirë, dhe aktualisht, është mungesa e pajisjeve adekuate teknike dhe probleme të tjera, po ashtu të natyrës teknike, që e shoqërojnë emetimin normal të Radios-Kosova e Lirë Transmetuesi i parë, me fuqi dalëse 200 Wat, është dhuruar për Radion-Kosova e Lirë në kohën e luftës, nga veprimtari dhe këngëtari Ismet Bexheti, pronar i radios-Zëri i Kumanovës.

Gjatë kohës së luftës, është emetuar në kushte të papërshtatshme për teknikën transmetuese, në temperatura të ulëta të cilat kanë dëmtuar gradualisht transmetuesin dhe të gjitha pajisjet përcjellëse.

Edhe pse në kushte dhe rrethana lufte, është arritur të kompletohen mjetet dhe pajisjet më se të nevojshme për të emetuar program. Përveç transmetuesit tip RVR elektronik është shfrytëzuar një miksetë amatore, dy palë kufje, një dek kasetë, një dek CD dhe një mikrofon, katër antena sistem YOGI me pajisjet e tjera përkatëse, kabëll, spina, diktafonë, etj.

Studioja e parë e Radios Kosova e Lirë në tërësi ka qenë studio amatore e improvizuar në kushte dhe rrethana të luftës.

Emisionet e Radios Kosova e Lirë prej 4 janar deri më 21 qershor të vitit 1999 janë emetuar me gjenerator, për shkak se programi është transmetuar në vende ku nuk ka pasur furnizim me energji elektrike. Falë përkujdesjes gjithnjë mobilizuese të tërë stafit teknik, gjatë luftës nuk ka ndodhur asnjë ndërprerje e programit për shkaqe teknike. Edhe me rastin e goditjes së bazës transmetuese, më 30 mars 1999, nga minahedhësit e forcave armike, me ç rast është defektuar njëra nga antenat, ato janë larguar nga vendi ku kanë qenë të vendosura dhe ndërkohë është evituar defektin. Teknika transmetuese dhe mjetet e tjera përkatëse vazhdimisht janë testuar dhe janë evituar paraprakisht defektet e presupozuara.

Rifillimi i transmetimit në Prishtinë më 12 korrik të vitit 1999, e gjeti Radio-Kosovën e Lirë me po ato mjete të teknikës transmetuese. Në periudhën prej 12 korrik 1999 e deri më mars të vitit 2000 kanë ndodhur dhjetëra defekte në teknikën transmetuese, e cila ishte dëmtuar, në kushte dhe rrethana të emetimit në lagështirën e bunkerit.

Në prill të vitit 2000, donatori Nexhat Behluli nga Presheva i dhuroi Radios-Kosova e Lirë 10.000 DM, me të cilat është blerë një transmetues i tipit RVR 500 wat. Po ashtu është blerë edhe një miksetë të re dhe disa pajisje të tjera më të domosdoshme.

Pavarësisht nga teknika e re transmetuese, për shkak të interferencës së shkaktuar nga emetues të tjerë, në të njëjtat valë, nuk është arritur të sigurohet sinjal cilësor, as të mbulojmë hapësirën e paraparë të dëgjueshmërisë. Disa herë i është ushtruar ankesë Zyrës së komisionierit të Përkohshëm për Media, por ato asnjëherë nuk janë marrë në konsiderim, edhe pse zyrtarët e kësaj zyreje e kanë kontatuar interferencën në shkallë të palejueshme, në valën tonë valide 94.2 MHz.

Duke qenë jetësisht të interesuar ta rrisim shkallën e dëgjueshmërisë, në shtator të vitit 2001, me mjetet e rezervuara nga reklama dhe nga donatoria: 2000 Euro të Birrarisë në Pejë dhe 2000 Euro të PTK-së, kemi blerë në Itali një transmetues 1 kilovat me të gjitha mjetet e tjera përkatëse, si antenat, kabllot, konektorët etj.

Pavarësisht nga transmetuesi i ri, më i fuqishëm se transmetuesi paraprak, nuk kemi arritur të sigurojmë dëgjueshmëri të duhur, as sinjal të pastër, për shkak të interferencës në valën tonë valide, për të cilën është në njohuri edhe Zyra për mediat, që është edhe e autorizuar për të mos lejuar interferime të tilla, që dëmtojnë tërë sistemin teknik transmetues.

Mjetet dhe pajisjet përkatëse teknike të Radios Kosova e Lirë, nga dita në ditë po pësojnë dëmtime për shkak të pengesave në valë dhe interferencës së palejueshme që krijojnë disa radiostacione lokale në valën 94.2.

Aktualisht, Radio-Kosova e Lirë ka dy studio të pajisura me mjetet elementare teknike, studion e transmetimit dhe atë të incizimit.

Kontrolloni gjithashtu

Dëshmorët e rënë prej 27 mars deri më 2 maj të vitit 1999 në mbrojtje të pozicioneve nga ku emetonte RKL

Në mbrojtje të pozicioneve të Rrafshnaltës, të SHP të UÇK-së të instititucioneve informative të luftës …