Ahmet Qeriqi: Nisma, aktivitetet, vendimi i SHP të UÇK-së, stafi themelues i Radios-Kosova e Lirë dhe i Agjencisë, Kosovapress
Përpjekjet e pa përgjegjshme, mashtruese dhe gënjeshtare të një pjese të atyre që iu kanë bashkuar gjatë luftës Radios dhe Agjencisë, me qëllim për ta deformuar të vërtetën dhe historikun e mjeteve të informimit të SHP të UÇK-së, janë të dënueshme, të papërgjegjshme, moralisht të ulëta e mjerane, por me prapavijë të rrezikshme politike, përçarëse e përvetësuese të trashëgimisë së saj.
Fillimisht në këtë vështrim, përshëndesim në radhë të parë ideatorët e themelimit të medieve të luftës dhe më meritorët e luftës së UÇK-së, Jakup Krasniqin, Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin, të cilët në mënyrën më të padrejtë e më të shëmtuar të asaj që quhet “drejtësi e lartë”, po mbahen në arrest në burgun e Hagës, të akuzuar gjoja si grup i “një ndërmarrjeje kriminale”, gjatë kohës së luftës për çlirimin e Kosovës nga okupimi serb. Përshëndesim dhe mbështesim edhe të arrestuarit e tjerë nga Gjykata Speciale.
Vendimin për themelimin e Radios-Kosova e Lirë dhe të Agjencisë së lajmeve Kosovapress, e ka marrë Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në një mbledhje të mbajtur, më 13 nëntor të vitit 1998. Nisma për të hapur një radiostacion të luftës doli nga disa anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Rreth kësaj nisme janë angazhuar, veçmas zëdhënësi i SHP të UÇK-së, Jakup Krasniqi, ndërsa idenë e kanë përkrahur dhe e kanë ndihmuar: Azem Syla, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Ramë Buja, Fatmir Limaj, Salih Veseli, Naim Maloku e të tjerë.
Lidhur me themelimin e radios, qysh më 22 qershor të vitit 1998, Ahmet Qeriqi së bashku me Ramë Bujën, kanë biseduar në fshatin Negroc me zëdhënësin e SHP të UCK-së, Jakup Krasniqi. Më 23 korrik të vitit 1998, Nezir Myrtaj dhe Ahmet Qeriqi takuan në Kleçkë zëdhënësin Jakup Krasniqi, me të cilin biseduan lidhur me krijimin e kushteve për aktivizimin sa më të shpejtë të mediumeve informative të SHP të UÇK-së. Angazhimi rreth hapjes së radios është ndërprerë me rastin e ofensivave serbe të korrikut dhe gushtit të vitit 1998. Në fillim të tetorit të vitit 1998 Ahmet Qeriqi u konsultua me Shaban Shalën, përfaqësues i Drejtorisë Informative të SHP të UÇK-së, dhe të dy angazhohen për të sjellë teknikën e shtypshkronjës në Rrafshnaltë, meqë ishin krijuar kushte për nxjerrjen e një informatori ditor. Pajisjet teknike të shtypshkronjës asokohe ndodheshin në Krasmiroc të Drenicës.
Stafi i parë i Radios dhe i Agjencisë
Për stafin e Radios dhe i Agjencisë jam konsultuar me zëdhënësin e SHP të UÇK-së, Jakup Krasniqi dhe përfaqësuesin e Drejtorisë Informative, Shaban Shala, i cili ndodhej në Likoc. Jakup Krasniqi ka biseduar edhe me prof. dr. Shyqri Galicën, në nxjerrjen e një informatori ditor, por kushtet për punë dhe shpërndarje të informatorit në rrethana lufte, pothuajse ishin të pamundura, meqë shtypshkronja do të zbulohej lehtë j nga forcat serbe dhe nuk kishte energji elektrike për punën e saj. Shyqri Galica kishte treguar gatishmëri të interesohej për stafin, nëse Shtabi nuk arrinte ta siguronte. Një ndihmesë në këtë drejtim, e ka dhënë edhe Ramë Buja, anëtar e Shtabit.
Stafi i parë i Radios dhe i Agjencisë në fillët e veprimit dhe të angazhimit përbëhej nga profesor, Ahmet Qeriqi, profesor, Nezir Myrtaj, profesor, Sheqir Zeneli, pastaj Berat Luzha dhe inxhinier, Isa Krasniqi, që të gjithë ish të burgosur politikë dhe veprimtarë të dalluar shumëvjeçarë. Radio dhe Agjencia kanë punuar së bashku nga fillimi i angazhimit, në tetor të vitit 1998 e deri në janar të vitit 1999 në Krojmir, pastaj në Berishë deri në prill të vitit 1999, kur jemi ndarë në rrethana që kishte imponuar lufta.
Plotësimi dhe zgjerimi i stafit
Në dhjetor të vitit 1998 kanë ardhur në Krojmir, Martin Çuni dhe Nusret Pllana po ashtu të burgosur politikë. Martin Çuni ishte prezantuar se reporter i DW-së me nofkën ‘Antoni’ ndërsa Nusreti do të punonte në Drejtorinë e financave meqë ishte ekonomist. Por pasi dispononte zë të përshtatshëm, dhe lexonte pa gabime e kisha porositur Hilmi Ramadanin që ta njoftonte Jakup Krasniqin, që ai të pranohej në Radio, pasi edhe kishte dhënë pëlqimin e tij.
Në muajin janar, pasi ishim vendosur në Berishë, stafit teknik iu ka bashkuar edhe Rizah Berisha, meqë edhe ashtu ishim në Shtëpinë a babait të tij, Asllan Berisha. Një ndihmesë të pakursyer në çdo drejtim e ka dhënë edhe Milaim Berisha, vëlla i Rizahut.
Në gjysmën e dytë të janarit, kemi pranuar në staf, Ismet Sopin, i cili raportonte nga Brigada Kumanova për RTSH-në e medie të tjera. Kemi pranuar edhe Ajete Zogajn, nga Fshati i Ri për leximin e lajmeve e materialeve të tjera.
Po në këtë kohë, stafit iu ka bashkuar edhe ushtari i UÇK-së, Valdet Hoti. Pak më vonë ka ardhur edhe Habib Zogaj, ushtar i UÇK-së, i cili ishte caktuar reporter për terrenin Zonës së Pashtrikut.
Në fund të janarit dhe në fillim të shkurtit të po atij viti, Radios dhe i Agjencisë iu kanë bashkuar edhe Fatmir Dugolli, teknik, Besnik Berisha, kameraman dhe Qemal Aliu, gazetar. Pastaj është pranuar edhe Metë Bytyçi, ndërsa në fillim të prillit, me propozimin e Martin Çunit ka marrë detyrën e kameramanit të Radios, Gazmend Elshani, ushtar i UÇK-së. Në Radio ishte pranuar edhe Mentor Hoti dhe vëllai i tij i mitur, Behxhet Hoti. Asokohe në Kosovapress është angazhuar edhe Fadil Bajraktari.
(Në hapjen solemne të Radios Kosova e lirë kanë marrë pjesë: Jakup Krasniqi, Ramë Buja, Ahmet Qeriqi, Martin Çuni, Nusret Pllana, Nuri Bega, Adem Grabovci, Xhevdet Gashi, Blerim Peja, Berat Luzha, Rizah Berisha, Milaim Berisha, Elez Durmishi, Isë Krasniqi, Ismet Sopi dhe disa ushtarë të shtabit lokal të Berishës, në krye me komandantin e tyre, Fadil Berisha. Në orën 18.00 të 4 janarit arrin në Krojmir edhe Nezir Myrtaj. Ishte vonuar meqë, një ditë më parë, policia sekrete serbe, nga prita, kishte vrarë Enver Tefik Gashin nga Shtimja, një mik i Nezirit)
Ndërkohë, shtatë zonat e luftës kanë angazhuar edhe raportuesit e tyre që të bashkëpunonin me Radion dhe Agjencinë.
Kanë prezantuar kohë pas kohe, kanë dhënë informacione, kanë mbajtur kontakte dhe kanë ndihmuar në mënyra të ndryshme:
Blerim Peja, Behxhet Krasniqi, Xhevdet Gashi, Hilmi Ramadani, Selatin Qeriqi, Naim Ymeri, Nuhi Bytyçi, Abaz Zeka, Fatmir Xhelili, Mustafë Gara, Zenel Kastrati, Nazmi Iballi, Fadil Berisha, Esat Brajshori, Shaban Hoxha, Rauf Dhomi, Efraim Kastrati, Vijon Peja, Enver Kelmendi, Bedri Rama, Emin Olluri, Mehmet K. Berisha. Shyqri Galica, Agim Berisha, Sheremet Krasniqi, Ramadan Rizani, Heset Olluri, Vehbi Qeriqi, etj.
Bashkëpunëtorët dhe korrespondentët nga zonat operative:
Zona Operative e Drenicës:
Gani Koci, Murat Musliu, Tahir Desku, Destan Bajraktari.
Zona Operative e Pashtrikut:
Besim Baraliu, Ilaz Kadolli, Xhavit Bajraktari (dëshmor i kombit), Selatin Qeriqi, Naim Imeri, Fadil Bajraktari, Ajete Zogaj, Arbanë Qeriqi etj.
Zona Operative e Dukagjinit:
Fitnete Ramosaj, Hyrie Veliu, Faton Mehmetaj, Salih Lajçi, Ali Geci, Remzie Zeqiraj.
Zona Operative e Shalës:
Sabit Gashi.
Zona Operative e Llapit:
Ismet Cakiqi, Muharrem Mahmutaj.
Zona Operative e Neredimes:
Ruzhdi Jashari, Ali Uka, Hyrë Emini (dëshmore)
Zona Operative e Karadakut:
Ahmet Isufi, Shemsi Syla, Ismet Sylejmani
Gjatë luftës, në Radion Kosova e Lirë, kam mbajtur kontakte dhe komunikim informimi kohë pas kohe, edhe me këta eprorë, veprimtarë e luftëtarë të lirisë, me të cilët kemi shkëmbyer informata, dhe me to janë sajuar edhe lajme të caktuara nga zonat apo territori i caktuar. Në mesin e tyre: Jakup Krasniqi, Adem Demaçi, Ramë Buja, Rexhep Selimi, Fatmir Limaj, Tahir Sinani, Bislim Zyrapi, Sadik Halitjaha, Sokol Bashota, Ajvaz Berisha, Sokol Dobruna, Idriz Hyseni, Ferat Shala, Shaban Shala, Jetë Hasani, Elez Durmishi, Sylë Qeriqi, Musë Jashari, Sami Lushtaku, Ilaz Dërguti, Bajram Jashari, Ajvaz Karpuzi, Naim Ismajli, Shefqet Buçaj, Ajet Kastrati, Haxhi, Shala, Shaban Draga, Xhavit Sadriaj, Muharrem Sylejmani, Lahi Brahimaj Elmie Plakiqi, Teuta Hadri, Milaim Beha, Fatmir Maliqi, Sejdi Elezi, Shaip Kelmendi, Blerim Peja, Agush Gjocaj, Idriz Shala, Behxhet Krasniqi, Xhevdet Gashi, Hilmi Ramadani, Naim Ymeri, Vehbi Zeqiri, Ali Gashi-Mullini, Çaush Berisha, Nuhi Bytyçi, Nuhi Paçarizi, Abaz Zeka, Fatmir Xhelili, Reshat Gashi, Besim Gashi, Naser Bytyçi, Arsim Bajrami, Jakup Ismajli, Mustafë Gara, Zenel Kastrati, Nazmi Iballi, Fadil Berisha, Shaban Hoxha, Rauf Dhomi, Efraim Kastrati, Vijon Peja, Enver Kelmendi, Bedri Rama, Emin Olluri, Ganimete Qeriqi, Mehmet K. Berisha, Shyqri Galica, Agim Berisha, Osman Voca, Sheremet Krasniqi, Ramadan Rizani, Heset Hamdiu, Vehbi Qeriqi, e jo pak të tjerë.
II
Përpjekja, për deformim dhe përvetësim të realitetit organizativ nga i ashtuquajturi ‘Staf i luftës’ në krye me Martin Çunin, Nusret Pllanën dhe tre vartës së tyre
Në një emision të aranzhuar në RTK, stafistët e luftës, folën për themelimin e Radios, duke deformuar realitetin e njohur dhe faktik, duke anashkaluar stafin themelues, duke gënjyer hapur se kush paska qenë që nga themelimi, edhe pse asnjëri prej tyre nuk kanë qenë anëtarë të stafit themelues. Martin Çunin, Nusret Pllana kanë ardhur në Krojmir, në dhjetor, Rizah Berisha, nuk ka qenë anëtar i stafit, as me rastin e fillimit të transmetimit, por më vonë është pranuar si vozitës.
Habib Zogaj ka qenë bashkëpunëtor nga gjysma e dytë e janarit, nuk ka marrë pjesë nga fillimi dhe nuk ka qëndruar as edhe një natë në Berishë, por në familjen e tij. Gjatë atyre gjashtë muajve nuk ka dërguar më shumë se shtatë tetë informata apo raporte nga terreni, të cilat edhe i ka botuar në librat e tij. Valdet Hoti ka ardhur në gjysmën e dytë të janarit, Fatmir Dugolli, në fund të janarit, Gazmend Elshani ka ardhur në prill të vitit 1999. (Kronikë lufte maj 1998-qershor 1999)
Nuk është e vërtetë, madje është një gënjeshtër e ulët dhe e pa cipë e Martin Çunit se ai e paska caktuar spiker Nusret Pllanën, se në Krojmir ka takuar vetëm Berat Luzhën, duke mos përmendur as emrin e atij që ia kishte hapur derën dhe e kishte pranuar në familje.
Ja deri ku sharron urrejtja e verbër e një njeriu të sojit të tillë. Martin Çuni e Nusret Pllanën, tani pas 25 viteve i thonë këto, ndërsa Nusret Pllana kudo ku iu ka dhënë rasti, në medie, sidomos në Shqipëri, pa pikë turpi gënjen se ka qenë themelues i Radios.
I kujtohet atij reagimi im me një letër interne… por edhe zotimi i tij se nuk do të gënjejë më… faktet ruhen… një ditë dalin në dritë…
Më 17 mars 2024, spikeri i Radios-Kosova e Lirë gjatë luftës, Nusret Pllana dhe reporteri, Martin Çuni e tre vartës, u ndanë edhe publikisht nga pjesa e përbashkët e stafit dhe e veprimtarisë gjatë luftës, me qëllim të uzurpimit e përvetësimit të Bunkerit të Pallanikut, ku Radioja ka transmetuar program nga 8 prilli deri më 21 qershor të vitit 1999. Me rastin e 25-vjetorit të kryerjes së misionit informativ, historik, gjatë luftës së UÇK-së, dhe aktivitetin e shumanshëm të deritanishëm për 25 vjet, të Radios-Kosova e Lirë, ky staf shkizmatik pa paralajmërim, duke qenë i përkrahur fuqishëm nga politika aktuale, konkretisht nga Albin Kurti, i cili ka vizituar bunkerin, shënoi këtë ditë, ndaras, pikërisht në kohën kur mbahej manifestimi jubilar në ambientet e Muzeut të Radios-Kosova e Lirë, në fshatin Berishë.
Nusret Pllana dhe “stafit” të tij, nuk ka qenë pjesë e programit jubilar të Radios, as nuk ka të bëjë me historikun e këtij mediumi të luftës, por është përpjekje për promovim fiktiv të zërit të tij, sepse me megalomaninë e tij të sëmurë, ende mendon dhe pretendon se pa punën pa zërin e tij, as Kosova nuk do të ishte liruar…
Radio-Kosova e lirë ka qenë, është dhe do të mbetet për jetë e mote, si vlerë e luftës dhe e paqes, në vendin tonë. Andaj atyre që pretendojnë të ndajnë, ta copëtojnë, për interesa politike apo për përfitime grupore, u bëjmë me dije se Shtëpia-Muze në Berishë, vendi te ‘Rezja e Baliqit, ‘Te Maja e Pallanikut, pastaj selia e parë, në Krojmir, selia qendrore në Prishtinë, janë një tërësi e cila nuk mund të tjetërsohet, të ndahet as të copëtohet, sipas tekeve të individëve të caktuar, cilët do qofshin ata.
Nuk i marrin si serioze kërcënimet e Rizah Berishës, se do të përvetësohen të gjitha asetet e Radios, sepse e njohim mirë kush është dhe kush ka qenë, madje të dhënat për të konkretisht i kishim nga kreu i Shtabit edhe gjatë luftës… Kjo do të jetë një temë për tjetër herë, me fakte e argumente, të cilat i disponojmë…
Nusreti dha klani i tij duhet të japin llogari publike se në emër të kujt, të cilit institucion, shoqatë apo firmë, kanë vjel mjete për ngritjen e bunkerit dhe ndërtimin e rrugës, të tregojnë konton bankare dhe shumën e grumbulluar për këtë destimin, të tregojë donatorët dhe marrjen kesh të parave.
Në rast të mospublikimit do të ushtrohet padi penale konform ligjeve, meqë kanë manipuluar në emër të Radios-Kosova e Lirë, por nuk ka asnjë vendim, asnjë pëlqim asnjë kërkesë, asnjë dokument valid në këtë segment.
Edhe diçka
Nëse Nusret Pllana dhe klani i tij kanë vjelë mjete në emër të stafit të tij, me nënshkrimet e tij, ne nuk kemi të drejtë të kërkojmë llogari, por nëse ato mjete janë vjelë në emër të Bunkerit të Radios, padia do të ngihet në organet përkatëse…
Ahmet Qeriqi
Shtator 2024
Prishtinë