Bunkeri i Radios Kosova e Lirë

22-vjetori i Radios-Kosova e Lirë, një histori e veçantë e një mediumi që shpërndau në eter zërin e lirisë

Pasi ishte sjellë një pjesë e teknikës së Radios në tetor të vitit 1998 nga Kumanova në një rrugëtim deri në Qyqavi nga luftëtari i lirisë, Shaqir Shaqiri dhe bashkëluftëtarët e tij, luftëtarët e tjerë të Drenicës e kishin sjellë atë pjesë të teknikës dhe pajisjeve në Divjakë në nëntor të atij viti. Mirëpo teknika për transmetim nuk ishte kompletuar. Ndërkohë, Blerim Peja dhe Xhavit Gashi e të tjerë kishin arritur ta kompletonin dhe me 4 janar të vitit 1999, në fshatin Berishë të Rrafshnaltës së Drenicës, kishte filluar programin Radio Kosova e Lirë, po ashtu edhe Agjencia e Lajmeve Kosovapress.

Historia 22-vjeçare e Radios-Kosova e Lirë, është e mbushur përplot me ngjarje, ndër më të veçantat, pse jo edhe më heroiket e asaj kohe. E themeluar nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,  qysh në nëntor të vitit 1998, Radio-Kosova e Lirë, u bë zëdhënësi i zëruar me valë transmetimi i luftës së UÇK-së. Ai zë nuk pushoi së informuari prej  4 janarit kur kishte jehuar për herë të parë zëri i lirisë, me togfjalëshin më kuptimplotë të kohës, “Ju flet Kosova e Lirë”  e deri më 21 qershor të vitit 1999, kur kishte lajmëruar dëbimin definitiv dhe të përjetshëm të forcave ushtarake e policore serbe nga Kosova.  Me luftën heroike të UÇK-së dhe mbështetjen nga ajri të forcave bombarduese të NATO-së, kundër  makinerisë fashiste e vrastare të regjimit serb të Milosheviqit, më 11 qershor të vitit 1999 forcat e UÇK-së hynë  fitimtare në Prishtinë, ndërsa më 12 qershor kishte depërtuar në Kosovë forca çlirimtare dhe paqeruajtëse e NATO-s, e quajtur KFOR, e pasuar nga administrata e UNMIK-ut.

Fillimisht në këtë 22 vjetor përshëndesim në radhë të parë ideatorët e themelimit të medieve të luftës  dhe më meritorët e luftës së UÇK-së, Jakup Krasniqin, Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin, të cilët në mënyrën më të padrejtë e më të shëmtuar të asaj që quhet “drejtësi e lartë”,  po mbahen në arrest në burgun e Hagës, të akuzuar gjoja  si grup i “një ndërmarrjeje kriminale”, gjatë kohës së luftës për çlirimin e Kosovës nga okupimi serb. Përshëndesim dhe mbështesim edhe të arrestuarit e tjerë nga Gjykata kriminale, pardon Speciale, Komandant Salih Mustafën, dhe krerët e veteranëve të luftës së UÇK-së, Nysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Përshëndesim edhe stafin e kohës së luftës të Radios dhe Agjencisë, pastaj të gjithë bashkëpunëtorët gjatë dhe pas kohës së luftës, luftëtarët e lirisë që në kushte lufte e rrethimi me postblloqe të forcave serbe,  kudo në trevat shqiptare të Kosovës e më gjerë, arritën ta sjellin në Berishë teknikën dhe pajisjet përcjellëse të Radios.

Përshëndesim në veçanti familjarët e dëshmorëve, të cilët gjatë luftës ishin në mbrojtje të pozicioneve, ku ndodhej edhe stafi i Radios dhe teknika transmetuese.

Radio-Kosova e Lirë dhe Agjencia Kosovapress gjatë kohë së luftës së UÇK-së, kanë qenë “baza” më nevralgjike e forcave serbe, të cilat kanë vënë në përdorim edhe avionë luftarakë për të na likuiduar, më 27 mars të vitit 1999, kur selia e Radios, në shtëpinë e Asllan Berishës kishte qenë shënjestra e sulmit në orën 8 të mëngjesit të asaj dite, por me atë rast nga dy avionë luftarakë të forcave serbe,  me tetë arka të mbushura me bomba kasetë, është  bombarduar një hapësirë rreth 300 metra e  lagjes dhe është goditur  shtëpia e Mehmet Berishës, ku edhe  është martirizuar, Elbasan Jakup Berisha 16-vjeçar dhe janë plagosur rëndë e lehtë tetë pjesëtarë të asaj familjeje.

Pas sa e sa goditjeve me raketa, topa,  minahedhës, gjatë tërë kohës së luftës, me 8 qershor të atij viti, me 17 raketa të tipit tokë-tokë, ishte goditur vendqëndrimi i stafit, në vendin e quajtur, “Rrezja e Baliqit”, fshatin Berishë, në kohën kur të gjithë anëtarët e stafit kishin arritur të futshin në bunker.

Radio-Kosova e lirë dhe Agjencia Kosovapress, kanë qenë dy mediumet e vetme në Kosovë, të cilat kanë transmetuar program dhe kanë shpërndarë lajme nga zonat e luftës, ndërsa në muajt: prill,  maj qershor të vitit 1999,  të vetmet burime të informimit nga Kosova edhe për raportimet e medieve më të mëdha të botës.

Tani edhe 22 vjet pas luftës zëri i Radios-Kosova e Lirë transmeton program ditor 24 orë, ka faqen zyrtare në Internet,  selinë në rrugën Thimi Mitko në Bregun e Diellit, në Prishtinë dhe Shtëpinë Muze në fshatin Berishë.

Në çdo përvjetor u kemi bërë të ditur  dëgjuesve, lexuesve dhe opinionit liridashës të Kosovës se kjo Radio edhe pse pjesa më vitale dhe më e domosdoshme e luftës është vlerë e pa tjetërsuar e saj, por mjerisht e papranuar si e tillë nga institucionet e vendit dhe nga një pjesë e kreut të luftës.

Pavarësisht mohimit, injorimit, anashkalimit, sulmeve ndër më të ndryshmet nga individë dhe  argatë të Serbisë në Kosovë, Radio-Kosova e Lirë është i vetmi medium në hapësirën transmetuese  shqiptare që përveç informimit ditor, për çdo ditë të vitit transmeton emisione për dëshmorët e tri luftërave tona çlirimtare, për personalitetet meritore të kombit dhe tema ndër më të ndryshmet të historisë kombëtare, kulturës afirmative, arsimit,  traditës dhe të gjitha vlerave kombëtare e qytetëruese.

Radio-Kosova e Lirë ka më shumë se 600 bashkëpunëtorë të rregullt dhe të përkohshëm, po thuajse nga shumica e trevave shqiptare, por edhe në shumë shtete të botës, ku jetojnë dhe punojnë bashkëkombësit tanë.

Në këtë përvjetor i përshëndesim të gjithë dhe iu urojmë shëndet, sukses në punë dhe mirëqenie në familje e në shoqëri.

Në vitin e radhës, Radio Kosova e Lirë hyn e vendosur, për të mbrojtur të drejtën dhe të vërtetën e luftës së UÇK-së  kudo ku ajo atakohet

 

Në vitin e radhës, Radio Kosova e Lirë hyn e vendosur për ta çuar në vend  amanetin e dëshmorëve, për t’i  përkrahur fuqimisht vlerat e luftës që na sollën lirinë, për të mbrojtur të drejtën dhe të vërtetën e luftës dhe të protagonistëve të saj kryesorë, për ta luftuar me gjuhën e fakteve dhe me argumente Gjykatën Speciale,  inkuizicionale,  e cila amniston krimet monstruoze të Serbisë dhe të bashkëpunëtorëve të saj kundër shqiptarëve liridashës, ndërsa  i ndjek për t’ i dënuar eprorët dhe ushtarët e UÇK-së.

Radio-Kosova e lirë ashtu sikur ka qenë gjatë dhe pas luftës,  ashtu edhe tani do të jetë në krye të detyrës, për t’ i mbrojtur vlerat kombëtare e kulturore nga antivlerat që promovojnë për ditë jugo-mediet shqipfolëse dhe shqipshkruese të Kosovës, nga OJQ-të mercenare, nga mujsharët e politikës, të cilët në vazhdimësi na kanë kërcënuar dhe do të na kërcënojnë, edhe pse nuk u kemi dhënë shumë rëndësi kërcënimeve të tilla dhe për disa prej tyre as kemi raportuar, sepse i përmbahemi devizës, që thotë se, “Karvani ecën para, pavarësisht se e lehin qentë e zagarët”.

Karvani i Radios-Kosova e lirë, i cili ka filluar rrugëtimin historik më 4 janar të vitit 1999, nuk ka ndaluar asnjëherë, sepse e mbanë gjallë shpirti revolucionar i  shqiptarëve liridashës, i bijave dhe i bijve idealistë dhe të përkushtuar të kombit. Nuk ka ndaluar as do të ndalojë, në rrugë për ta afirmuar për çdo ditë kërkesën e natyrshme dhe të ligjshme të shqiptarëve për bashkimin e trojeve të tyre në një shtet të vetëm, ashtu sikur rrojnë të bashkuar shumica e popujve të  botës.

Në këtë rrugëtim historik të filluar nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, të pasuar nga Lekë Dukagjini, nga Ali Pashë Tepelena, nga Rilindësit tanë iluministë e atdhetarë në shekullin 19-të, nga burrështetasit  e Shqipërisë së pavarur, duke filluar nga Ismail Qemali e deri te Adem Jashari, shqiptarët liridashës e idealistë nuk janë ndalur asnjëherë  dhe nuk do të ndalojnë, sepse bashkimi i shqiptarëve në një shtet është e drejta e një populli, i cili ende nuk e ka konsumuar, por nuk ka hequr as do të heq dorë ndonjëherë, për shkak se po u prishkan e po u lënduakan shtetet fqinje, të cilat kanë grabitur dhe i kanë përvetësuar trojet tona me dhunë e gjenocid, duke i pastruar  etnikisht mijëra fshatra, lokalitete e qytete shqiptare në Serbi, Bullgari, Mal të Zi dhe në Greqi.

Ky është misioni i kësaj Radioje, pavarësisht si komentohet nga rojat e errësirës dhe të manipuluarit,  të cilët ndihen mirë pa identitet kombëtar, fetar e kulturor si evropianë të moderuar, si qytetarët të botës së lirë, si krijesa kameleone  që mund t i adaptohen çdo rrethane,  për të mbijetuar, për të jetuar si parazit.

Radio-Kosova e Lirë ka këtë mision dhe të gjithë ata që na mbështesin, që na arsyetojnë,  që na përkrahin e na ndihmojnë, janë pjesë e tij misioni të shenjtë  kombëtar. Dhe këta nuk janë pak, sepse janë të gjitha familjet e dëshmorëve, të invalidëve e veteranëve të luftës, një pjesë jo e vogël e ish të burgosurve politikë kuptohet me përjashtime dhe shumë liridashës nga mbarë trojet shqiptare.

Radio-Kosova e Lirë nuk është thjesht një medium elektronik, që emeton program si 100 e më shumë radiot e tjera të Kosovës,  por është një vlerë e veçantë kombëtare, është pjesa më e ndritur i historisë së luftës së UÇK-së,  e cila për këto 22 vjet ka luajtur një rol me rëndësi në edukimin atdhetar të njerëzve tanë të të gjitha moshave. Është radioja e vetme që nuk i bën vend në programe shundit, tallavasë, shpërfytyrimit, lakuriqësisë, ndragies, perversiteteve dhe plehurinave që ka sjellë në vendin tonë politika e mujsharëve globalistë e kapitalistë, por është medium që rrezaton atdhetari, njerëzi, kulturë të tolerancës fetare e njerëzore mbi parimet e njohura të  lirisë, barazisë, drejtësisë,  paqes e mirëkuptimit  të ndërsjellë.

Andaj, ashtu sikur kemi vepruar në këto 22 vjet, do të përpiqemi ta ruajmë këtë rrugë, ta pasurojmë e ta shpiem përpara, pavarësisht mungesës së përkrahjes së institucioneve, apo partive politike, sepse Radio-Kosova e lirë as nuk blihet as nuk shitet, meqë as është blerë as është shitur ndonjëherë.

Edhe 22 vjet më pas, Radio-Kosova e Lirë ju flet për lirinë e Kosovës, pavarësinë e saj, në rrugën drejt bashkimit kombëtar, për të krijuar faktorin unik shqiptar në Ballkan, meqë nuk duhet të pranojmë që përgjithmonë të jetojmë të ndarë në pesë gjashtë pjesë, të nëpërkëmbur nga fqinjët grabitçarë, të injoruar e të getoizuar nga mujsharët e Evropës.

Gëzuar të gjithëve përvjetori i 22-të i Radios-Kosova e Lirë!

Ahmet Qeriqi

4 janar 2021

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Sejdi Veseli

Sejdi Veseli: URANIUMI I VARFËRUAR DHE NDOTËSIT E TJERË RREZIK SERIOZ PËR KOSOVËN

Po mbushen tetë vete të plota nga përfundimi i luftës së armatosur kundër shkelësve të …