Bllokada në Kuvend po i shkel interesat e qytetarëve, shteti nuk duhet të jetë peng i inateve politike. Kemi realizuar një intervistë me z. Rufki Suma, ish-kryetar i Hanit të Elezit dhe figurë e njohur e luftës dhe pasluftës në Kosovë. Në këtë bisedë, ai flet për ngërçin në Kuvend, pasojat e bllokadës institucionale dhe rolin e deputetëve. Suma jep vlerësimin e tij për Gjykatën Speciale, trajtimin e vlerave të UÇK-së dhe mundësinë për rikandidim në zgjedhjet lokale.
Një intervistë e drejtpërdrejtë me tone kritike dhe propozime konkrete për dalje nga kriza politike.
RKL: I nderuar z. Rufki Suma, cili është opinioni juaj për ngërçin e krijuar në Kuvendin e Kosovës dhe mungesën e vullnetit për konstituimin e tij?
Rufki Suma: Qytetarët po dalin në zgjedhje për t’i zgjedhur të preferuarit e tyre me qëllim të konstituimit të organeve kryesore të shtetit, siç është Parlamenti i Republikës së Kosovës, prej nga burojnë institucionet e tjera shtetërore si Qeveria dhe Presidenti.
Por të zgjedhurit e popullit, pasi i fitojnë mandatet e tyre në Kuvend, po e harrojnë popullin dhe po i shikojnë interesat e partive të tyre politike.
RKL: Duke qenë një figurë me përvojë në udhëheqje lokale dhe i dalë nga lufta, si e lexoni këtë bllokadë institucionale?
Rufki Suma: Deputetët e zgjedhur nga populli po e keqpërdorin besimin e popullatës.
Popullata nuk i ka zgjedhur për t’i bllokuar institucionet shtetërore, por për t’i formuar ato dhe për të punuar në interes të qytetarëve.
Bllokada institucionale po bëhet vetëm për inate politike.
RKL: Sipas këndvështrimit tuaj, pse mungon dakordimi mes partive politike për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit?
Rufki Suma: Inatet politike mes partive të ndryshme, akuzat dhe fyerjet e ndërsjella, mungesa e bashkëpunimit dhe e kulturës politike janë arsyet kryesore.
RKL: Nëse do të ishit deputet i kësaj legjislature, cila do të ishte zgjidhja juaj konkrete për të tejkaluar krizën institucionale?
Rufki Suma: Pasi që ligji e thotë shprehimisht se kryetari i Kuvendit propozohet nga partia që ka fituar më së shumti vota në Kuvend, do ta votoja kandidatin e propozuar nga ajo parti nëse mendoj se ia vlen.
Por nëse mendoj se kandidati nuk është i mirë, do të votoja “kundër” apo do të abstenoja, por kurrsesi nuk do ta bllokoja Kuvendin.
Sepse ligji nuk të obligon domosdoshmërish që ta votosh kandidatin e propozuar nga partia që ka fituar më së shumti vota, por të obligon të votosh njërin nga tre opsionet: PËR, KUNDËR ose ABSTENIM.
RKL: Nëse shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, a mendoni se mund të ndryshojë raporti i votave në Kuvend?
Rufki Suma: Unë mendoj se, përkundër shpenzimeve të mëdha që i kushtojnë buxhetit të shtetit, zhgënjimi i qytetarëve ndaj partive politike do të shprehet me mos dalje në zgjedhje.
Por, pavarësisht nga numri i votuesve që do të dalin, raporti i forcave politike në Kuvend do të jetë afërsisht i njëjtë (me 2–3% ulje-ngritje), ku asnjë parti politike nuk do të mund të formojë institucionet shtetërore e vetme.
Përsëri do të ketë nevojë për bashkëpunim dhe koalicione ndërpartiake.
RKL: Si e vlerësoni rolin dhe ndikimin e Gjykatës Speciale ndaj liderëve të UÇK-së dhe vetë drejtësisë në Kosovë?
Rufki Suma: Çdo shtet e themelon vetë Gjykatën Speciale që i gjykon krimet e bëra në territorin e saj, nga kushdo qoftë.
Tek ne ka qenë gabim që në fillim që u pranua themelimi i kësaj gjykate, sepse fillimisht u pranua të themelohet në baza etnike dhe atë vetëm kundër shqiptarëve dhe UÇK-së, e më pastaj u pranua që ajo të veprojë jashtë Kosovës.
Thuhet se është gjykatë e Kosovës, por nuk ka asnjë element apo stemë të Kosovës — vepron më shumë me direktiva të Serbisë.
Ka dëmtuar dhe cenuar integritetin e shtetit të Kosovës, e në veçanti injoron dhe fyen të kaluarën tonë, sidomos luftën e UÇK-së dhe liderët e saj.
Kjo gjykatë është dashur të hetojë e gjykojë qindra e mijëra krime të bëra në Kosovë nga ana e shtetit kriminal të Serbisë, por edhe krime të tjera që mund të jenë kryer nga ndokush tjetër në Kosovë.
RKL: Si ish-komandant lufte dhe më pas udhëheqës i institucioneve, çfarë mendoni për mënyrën si po trajtohen vlerat e luftës në diskursin publik dhe politik në Kosovë sot?
Rufki Suma: Kategorive të dala nga lufta e UÇK-së në Kosovë u është kushtuar shumë pak rëndësi që nga paslufta.
Këto kategori nuk po trajtohen dhe respektohen siç e meritojnë.
Ende nuk kemi një ligj të mirëfilltë që do t’i trajtonte si duhet këto kategori.
Ende po u jepet hapësirë mediale për t’i fyer e akuzuar pa asnjë bazë ish-ushtarët e UÇK-së.
Ende mediat tona publike nuk u kushtojnë rëndësinë e duhur këtyre kategorive.
Ende në literaturat shkollore nuk ka hapësirë të mjaftueshme që i kushtohet luftës së lavdishme të UÇK-së.
RKL: Në tetor priten zgjedhjet komunale. Z. Suma, pak ditë më parë është publikuar një sondazh në të cilin është kërkuar që të jeni i pari në Han të Elezit. A do t’i hyni garës për një mandat të katërt?
Rufki Suma: Me dëshirën time, nuk do t’i hyja edhe një herë garës për kryetar të komunës, sepse u kam shërbyer qytetarëve për 12 vite rresht, ku jo vetëm që i kemi realizuar planifikimet tona, por edhe i kemi tejkaluar ato me mbi 20 milionë euro investime gjatë kësaj periudhe.
Tani, pas shpalljes së zgjedhjeve lokale nga Presidentja e vendit, në Han të Elezit qytetarët kanë filluar me nënshkrimin e listave për kandidimin tim si kandidat i pavarur për kryetar të komunës.
Edhe pse numri i nënshkrimeve të nevojshme për kandidim është mbledhur vetëm brenda 2–3 orësh, megjithatë ky nënshkrim vazhdon edhe më tutje.
Andaj, duke u mbështetur në kërkesat e qytetarëve, mbështetjen e tyre dhe moton time të deritanishme “Gjithnjë në shërbim të popullit”, pas përfundimit të nënshkrimeve dhe bazuar në afatet ligjore, do të marr vendim për konkurrim në zgjedhjet e 12 tetorit.
RKL: I nderuar z. Rufki Suma, faleminderit për kohën. Shëndet dhe suksese!
Rufki Suma: Faleminderit edhe Juve. Suksese e punë të mbarë.