Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar nga Abu Dhabi se vizita e tij ka për qëllim shprehjen e solidaritetit të drejtpërdrejtë me Emiratet e Bashkuara Arabe, në një periudhë që ai e cilësoi si të trazuar për rajonin e Gjirit. Rama u shpreh i bindur se vendet mike të rajonit do ta përballojnë situatën aktuale dhe do të dalin më të forta nga kjo sfidë, duke nënvizuar qëndrueshmërinë dhe aleancat strategjike në kohë krizash. Në deklaratën e tij, ai theksoi edhe raportin e afërt me presidentin e Emirateve, Mohammed bin Zayed Al Nahyan, duke e cilësuar atë si mik të shtrenjtë dhe partner të rëndësishëm. “Abu Dhabi, për të shprehur drejtpërdrejt solidaritetin vëllazëror me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe mikun e shtrenjtë, Presidentin Sheikh Mohammed Bin Zayed, në këtë kohë të trazuar për vendet mike të Gjirit Arabik…”, ka shkruar Rama. Megjithatë, deklarata e tij nuk ka kaluar pa tone të forta politike, pasi ai i është referuar konfliktit aktual duke përmendur “hakmarrje të verbër” nga një shtet që, sipas tij, “ka mbetur në një qoshe të errët të historisë”, pa e përmendur drejtpërdrejt emrin. Vizita dhe mesazhet e Ramës vijnë në një moment të ndjeshëm gjeopolitik, duke reflektuar një qasje të qartë të Tiranës zyrtare në mbështetje të aleatëve të saj në Lindjen e Mesme.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
