Ramiz Kelmendi shkrimtari që i shpëtoi censurës politike të ish-regjimit komunist jugosllav

Ramiz Kelmendi shkrimtari që i shpëtoi censurës politike të ish-regjimit komunist jugosllav

Të dhëna biografike

Ramiz Jakup Kelmendi u lind më 20 dhjetor të vitit 1930 në Pejë. Ka vdekur më 12 janar të vitit 2017 në Prishtinë.

Shkollën fillore e semimaturën i mbaroi në vendlindje. Edhe pse i ri, ishte pranuar në radhët e një grupi të atdhetarëve të kohës, të cilët me rastin e ripushtimit të Kosovës nga Jugosllavia, në vitin 1945 e më vonë ishin angazhuar rreth  idesë kombëtare të ribashkimit të Kosovës me Shqipërinë.

Si i mitur ka qenë i dënuar  në të njëjtin proces gjyqësor bashkë me nacionalisten e mirënjohur shqiptare, Marije Shllaku, e cila ishte dënuar me vdekje dhe ishte ekzekutuar nga regjimi komunist i kohës.

Duke qenë i mitur dënohet vetëm me një muaj burg. 

Ka vazhduar mësimet shkollën e mesme bujqësore në Prishtinë, në gjuhën serbe.

Ka punuar gazetar në të përjavshmen e atëhershme “Rilindja”.

Në vitin 1950 kishte regjistruar Fakultetin Filozofik- Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, në Beograd. Ka diplomuar në vitin 1955 me temën “Proza e Migjenit”.

Pasi kishte kryer studimet kishte filluar  punën në gazetën e përditshme “Rilindja”, ku për 12 vjet ishte redaktor, reporter i lirë dhe analist i njohur i kohës në Kosovë.

Në vitin 1967 emërohet kryeredaktor i Redaksisë së Botimeve në Ndërmarrjen Botuese “Rilindja”.

Për katër vjet me radhë ishte drejtor i Teatrit Popullor Krahinor.

Në vitin 1969 zgjidhet profesor i letërsisë shqipe në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë. Ligjëronte lëndën “Historia e letërsisë shqiptare nga Rilindja e deri sot”.

Në vitin 1975 mbrojti temën e magjistraturës: “Humori dhe satira në letërsinë shqipe”.

Ramiz Kelmendi ishte bërë emër i njohur i krijimtarisë letrare sidomos në Kosovë, Botoi 12 vëllime me tregime, 8 romane, dhjetëra udhëpërshkrime, 3 radiodrama, 3 drama televizive, 39 tekste satirike, një skenar filmi, 4 tekste shkollore, monografinë “Shqipëria e Marije Shllakut”, dhe me mija shkrime publicistike natyrash të ndryshme.

Ishte njëri ndër përkthyesit më të njohur të të Shtëpisë Botuese “Rilindja”. Gjatë viteve ’70 – ’80 ka përkthyer nga serbishtja kryeveprat e autorëve si: Dostojevski, Gogoli Orwell, Markes, Kafka, Kundera, Grass, Castaneda, Sabato, Krlezha, Danillo Kish, etj.

 

Veprimtaria letrare;

 

  1. Vija e vrragë, dy rrëfime
  2. Ahmet Koshutani
  3. Heshtja e armëve
  4. Shtatë persona ndjekin autorin
  5. Kapuç me mëngë
  6. Letra prej Ulqini
  7. Kokrra kripe

Ramiz Kelmendi, ishte  shkrimtari që me një intuitë dhe dredhi të jashtëzakonshme i shpëtoi pushtetit komunist jugosllav të kohës. Sesi kishte shpëtuar, edhe pse ishte dënuar si i mitur, ishte ndaluar disa  herë nga UDB-ja  është çështje që nuk do ta marrim në shqyrtim, sepse krijuesit e mëdhenj kanë intuitë, kanë dije dhe kanë vepruar e veprojnë shpeshherë duke ecur sikur mbi tehun e shpatës. Ramiz Kelmendi ishte njëri prej tyre, në mos shembulli më tipik.

Tani kur nuk është më në mesin tonë, shkrimtari, publicisti dhe intelektuali, Ramiz Kelmendi na bën të mendojmë më shumë se kush ishte në të vërtetë, çka krijoi, çka i la trashëgim letërsisë, por edhe kulturës shqiptare në përgjithësisht. Së bashku me Esad Mekulin, Adem Demaçin, Rexhep Qosjen, Hivzi Sylejmanin, Nazmi Rrahmanin, Din Mehmetin, e disa të tjerë, Ramiz Kelmendi i takon radhës së shkrimtarëve e krijuesve shqiptarë të Kosovës, të cilët punuan dhe vepruan në kushte specifike, nën “shpatën komuniste jugosllave të Damokleut” dhe secili nga këta ka mbijetuar në mënyra të ndryshme. Përveç Adem Demaçit, i cili zgjodhi rrugën e drejtpërdrejtë të rezistencës dhe veproi duke i dhënë hov Lëvizjes shqiptare për çlirim dhe bashkim, të tjerët zgjodhën një rrugë tjetër të mbijetesës, qoftë në jetë, qoftë në krijimtari.

Në mesin e këtyre krijuesve e intelektualëve të njohur, rruga jetësore, krijuese e Ramiz Kelmendit ka disa specifika të veçanta, meqë ai përmes intuitës së pasur krijuese, gjuhës lakonike, pavarësisht se ishte pjesë formale e aktiviteteve kulturore me segmente të caktuara ideologjike kishte arritur të mbijetonte, duke u thirrur edhe në të drejtat e proklamuara të shqiptarëve në ish-RFSJ, të drejta të cilat i mbështeste, (kush më shumë e kush më pak) edhe klasa politike e Kosovës në krye me Fadil Hoxhën, Mahmut Bakallin e ndonjë tjetër.

Duke shfrytëzuar maksimalisht ato të drejta, që më shumë ishin formale e deklarative sesa reale, Ramiz Kelmendi dhe tërë një klasë krijuesish shqiptarë të Kosovës dhe viseve të mbetura nën Jugosllavi dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në zgjimin e vetëdijes kombëtare, gjithnjë nën petkun formal të bashkim vëllazërimit, apo sikur quhej edhe patriotizmit jugosllav, por në esencë ata kishin mbështetur aspirata shqiptare për liri dhe bashkim kombëtar, në një rrugë evolutive, të cilës jo të gjithë i besonin, por vepronin kush si mundej e sa dinte në atë rrugë, e cila trasohej edhe nga shumë veprimtarë të tjerë.

Angazhimi i tyre i jashtëzakonshëm, lufta e pandërprerë në emër të arsimimit të popullit dhe zgjimit të vetëdijes kombëtare, politike, sado  nën petkun ideologjik, megjithatë ka dhënë rezultate edhe për faktin se për të mbijetuar ajo klasë e sidomos klasa poltike, duhej të ishin burgjet përplot me veprimtarë shqiptarë, ashtu sikur kishin qenë gjatë tërë kohës së ekzistencës së RSFJ-së, deri në shpërbërjen e saj definitive.

Regjimi jugosllav nuk iu besonte shqiptarëve, madje as disa më besnikëve, sepse urrejtja dhe lufta 13-shekullore, mes këtyre popujve e kishte bërë të vetëm, ndërsa në mesin e tyre ishin serbët ata që luftën për zhdukjen sistematike të shqiptarëve e kishin vënë në program kombëtar, qeveritar. Kishte vetëm krejt pak emra intelektualësh serbë, në veprat e të cilëve mbështeteshin shqiptarët, apo i përdornin si ombrellë, për qëllimet e tyre, politike, karrieriste etj. Jo rastësisht asokohe shkruhej e flitej me të madhe për socialdemokratin serb, Dimitrije Tucoviq, pastaj për Kosta Novakoviqin e ndonjë tjetër, që i kishin çjerrë maskën regjimit kolonialist, shovinist  të Mbretërisë jugosllave dhe kishin kritikuar regjimin, i cili bënte përpjekje për zhdukjen fizike të të gjithë shqiptarëve.

Ramiz Kelmendi  në fazën e parë të krijimtarisë njihet për tregimet sociale, në të cilat ka prekur problemet ekzistenciale të shqiptarëve si te “Bazeni”, “Vdekja e poetit”, “Rrëfimi i njeriut me samar”, “Rrëfimi i studenteshës”, “Xhita në qiell” e të tjera.

Ai ka shkruar tregime, novela, romane, skenarë, skeçe, reportazhe, shkrime humoristike dhe është shquar për origjinalitet krijues në të gjitha lëmenjtë dhe zhanret letrare të cilat i ka trajtuar me profesionalizëm, kompetencë dhe korrektësi.

(Ahmet Qeriqi)

 

Dr. Rexhep Qosja:  NË 80-vjetorin e lindje së Ramiz Kelmendit

Përjetimi i emnesave historike

Ta fillosh jetën në vitin1930, në Mbretërinë e Jugosllavisë, në të cilën nuk kishte shkollë shqipe dhe në të cilën ishte tepër rëndë të ishe shqiptar, ta fillosh jetën në atë shtet e ta mbërrish i gjallë, i çmuar dhe, ja, i festuar, 80 – vjetorin, duke përjetuar, në fillime si fëmijë e pastaj si pjesëmarrës a dëshmitar, vëzhgues e më së gjati si gazetar e shkrimtar ngjarje të mëdha, historike, që do të shkaktojnë cila tragjedi, cila dhembje, cila shpresë e cila gëzime në jetën e popullit tënd, siç ishin: Lufta e Dytë Botërore, bashkimi i një pjese të Kosovës dhe i tokave të tjera etnike me Shqipërinë, të shkoqura dhunshëm prej saj në Kongresin e Berlinit e, sidomos, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, terrori në fillim i OZN-ës e pastaj i UDB-së, mandej aksioni i ashtuquajtur i mbledhjes së armëve, shpërngulja masive e bashkëkombasve në Turqi, përndjekjet dhe burgosjet e të mospajtuarve me regjimin dhe me pushtimin e Kosovës, Plenumi i Brioneve, Konsulta gjuhësore e Prishtinës, Demonstratat e vitit 1968, Demonstratat e rinisë studentore e shkollore në vitin 1981, terrori i shtuar shtetëror i Serbisë me gjendje të jashtëzakonshme, me ekspedita ndëshkimore nëpër fshatra, me përndjekje, biseda të ashtuquajtura informative, burgosje, vrasje, mandej rënia e komunizmit, formim i partive të para shqiptare, disa prej të cilave do të regjistrohen në Ministrinë e Drejtësisë në Beograd e disa do të kalojnë në ilegalitet, formimi i UÇK-së dhe Lufta e saj çlirimtare, Konferenca Ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje, Fushata e bombardimeve mbi objektet ushtarake të Jugosllavisë së mbetur në Kosovë, në Serbi e në Mal të Zi, zhvendosja e më tepër se gjysmës së popullit shqiptar prej Kosovës e pastaj kthimi i tij në Kosovë, vendosja e forcave ndërkombëtare të udhëhequra prej NATO-se dhe e administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe, më në fund, shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 – t’i përjetosh të gjitha këto ngjarje të mëdha historike, që do të përcaktojnë fatin e popullit tënd, duke qenë, në pjesën më të madhe të kohës, gazetar dhe shkrimtar a edhe edukues i brezave të rinj, e, kjo nuk ishte e lehtë – kjo ishte shumë për një jetë njerëzore.

T’i përjetosh të gjitha këto emnesa që lëviznin historinë tonë me kujtimet për to, me ndikimin e tyre në shpirt; t’i përjetosh të gjitha këto e t’i arrish 80 vjet, kjo është vetvetiu një meritë e madhe. E dhuruar prej natyrës. Dhe e dhuruar prej fatit. Por, t’i përjetosh të gjitha këto si gazetar e shkrimtar e t’i shkruash ato vepra që ka shkruar Ramiz Kelmendi,kjo është meritë edhe më e madhe.

Të them me këtë rast se veprat letrare, qoftë edhe të njëjtit shkrimtar, nuk lexohen njësoj në çdo kohë, prandaj edhe nuk përvetësohen as me ndjenjë, as me kuptim njësoj.

Trajta të reja artistike

Duke i lexuar pas aq kohësh disa nga veprat e Ramiz Kelmendit – tregime, novela, romane, lojëra skenike, skeçe, monologë, letra, reportazhe, shkrime humoristike e satirike, artikuj, sprova, studime, që nuk i përmbahen asnjë trajte klasike, që, në pjesën më të madhe të rasteve, janë trajta të reja të një imagjinate që nuk pranon të formalizohet dhe duke i kujtuar njëkohësisht shkrimet tona për to, jam bindur sesa varfër, sesa njëanshëm i kemi lexuar dikur, në të vërtetë sesa shumë në leximin dhe në përvetësimin e tyre përkatës na kanë kufizuar censura dhe autocensura, ideologjia dhe politika, paragjykimet dhe gjykimet e kohës. Pas aq vjetësh kam parë se sa plagët shoqërore, politike dhe morale janë treguar në to; se sa e vërteta e hidhur është paralajmëruar në to; se sa e padrejta është zbuluar në to; se sa e keqja është dënuar në to; se sa e papritura është parandier në to. Duke i parë të gjitha këto që nuk i kemi parë mjaft qartë dikur, m’u ka kujtuar e vërteta që aq shpesh përsëritet në jetëshkrimet e shkrimtarëve: bashkëkohësit u bëjnë shpesh shkrimtarëve të padrejta jo vetëm me sjelljet ndaj tyre, por edhe me leximin e përciptë, të pakujdesshëm apo, madje, edhe të gabuar të veprave të tyre.

Leximi i kujdesshëm, i thelluar, i përqendruar i veprave të Ramiz Kelmendit sot na jep mundësi të zbulojmë në to një pasuri të vërtetë të dhënash, këndvështrimesh, ndjenjash, pasionesh, idesh, mendimesh, dëshirash, synimesh të njerëzve që në to paraqiten, në të vërtetë të botës që në to zbulohet, përshkruhet. Në tërësi ajo pranohet sot si vepër e krijuesit, që botën e sheh dhe e përjeton prej këndeve të njerëzve, të shtresave, të interesimeve dhe të fateve të ndryshme; si vepër e krijuesit që botën e sheh dhe e përjeton prej këndit të përtashësisë më parë se prej këndit të amshimit; që botën e sheh dhe e përjeton duke qeshur dhe duke qarë; që botën e përshkruan, por edhe e vlerëson; që është gjithnjë dëshmitar dhe gjykatës i asaj bote: si tregimtar e romancier, si humorist e satirik, si gazetar e publicist, por gjithnjë si artist.

E kemi ditur se Ramiz Kelmendi është njëri ndër gazetarët më të mirë të Kosovës dhe njëri ndër gazetarët më të mirë shqiptarë në përgjithësi. Për shkak se këtë e kemi ditur dhe e kemi pranuar të gjithë, kur i kemi lexuar dhe gjykuar veprat e tij letrare, vetvetishëm kemi menduar se në to gazetari ia ka marrë anën tregimtarit në tregime, romancierit në romane dhe kritikut në shkrimet e tij për letërsinë. Lehtë mund të bindemi tani se e vërteta është tjetër: se edhe në shkrimet e tij prej gazetari mbizotërojnë letrari dhe artisti. Kemi menduar se edhe në krijimtarinë e tij letrare fjalën kryesore e ka gazetari, për arsye se ai gjithnjë i ka parë dhe gjithnjë i ka trajtuar temat e ditës, problemet e përtashme, vijat dhe vragat e ditës; kemi menduar ashtu për arsye se ai gati kurrë nuk është marrë me të ashtuquajturat tema të mëdha. Duke e paraqitur botën e përtashme, jetën e përditshme të njerëzve, duke i parë njerëzit në rrugë, në udhëtim,në mbledhje, në punë të përditshme, në zyra, herët më të shpeshta të ndjekur prej pushtetit dhe bashkëpunëtorëve të sigurimit, të ndjekur pse e shohin padrejtësinë, të keqen,

pse dyshojnë në vlerat që ka caktuar ai pushtet; të ndjekur, më në fund, pse janë çka janë, ai na ka krijuar iluzionin se bota e tij është botë e gazetarit.

Kohë e vijave dhe e vragëve

E vërteta është, ndërkaq, se në temat dhe në problemet e përtashme, të ditës, që ka trajtuar ai, janë hetuar dukuri më të thella, dukuri që janë të përgjithshme në një kohë, që janë norma morale a kundërmorale e asaj kohe, që janë të përgjithshme shpesh në të gjitha kohët. Duke i paraqitur disa tema e probleme karakteristike për një kohë, ai ka paraqitur temat dhe problemet që do të bëhen karakteristike edhe në kohë më të vonshme; duke paraqitur ato që ishin karakteristike deri më 1981, ai do të parandjejë ato që do të bëhen karakteristike pas 1981-ës. Në këtë mënyrë, vepra e tij si vepër – dëshmuese e përtashësisë në shumë raste, është bërë paralajmëruese e së ardhmes sonë.

Këtë që them duhet ta dëshmojnë më konkretisht studiuesit e ardhshëm të letërsisë sonë: ata të cilëve , dua të besoj, Ramiz Kelmendi do t’u sjellë punë edhe me punën e tij të mëtejshme krijuese.

Unë sot po mjaftohem t’ju përkujtoj se një përmbledhje, përmbledhja e par e tregimeve të Ramiz Kelmendit, ka titull Vija e vragë. Dhe ky është titull që flet shumë për një kohë të vijave dhe të vragëve të shumta në jetën tonë: të vijave e të vragëve të jashtme e të brendshme – kombëtare dhe politike, morale, sociale e shpirtërore. Kemi pasur shumë vija e vragë dje.

Një roman, romani i parë i Ramiz Kelmendit, ka titullin Heshtja e armëve. Është ky titull në shikim të parë i rëndomtë, por është shumë kuptimplotë. Me të zbulohej dje dhe zbulohet sot një përmbajtje tragjike e jetës sonë: ajo përmbajtje që e quajmë hakmarrje. Kur e ka shkruar këtë roman Ramiz Kelmendi sigurisht nuk ka menduar se një ditë, 15-20 vjet më vonë, përmbajtja e saj do të bëhet brengë gjithëkombëtare; nuk ka menduar sigurisht se me romanin e tij është parathënë lëvizja për pajtimin e gjaqeve apo, madje, lëvizja për pajtimin kombëtar.

Një roman tjetër, romani i dytë i Ramiz Kelmendit, ka titullin Shtatë persona ndjekin autorin. Është ky titull shumë tregues, në të vërtetë titull simbolizues, me të cilin kallëzohet se çfarë përpjesëtimesh kanë pasur ndjekjet policore dhe pushtetore në jetën tonë.

Në romanin Shtatë persona ndjekin autorin, sigurisht jo për herë të parë në letërsinë tonë, as në krijimtarinë e vetë Ramiz Kelmendit, shtrohet problemi i shkeljes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Rëndësia historiko-letrare dhe vlera morale e kësaj vepre qëndron në faktin se problemi i të drejtave dhe i lirive themelore të njeriut aty shtrohet në një kohë kur ende nuk e kishim dëgjuar togfjalëshin liri dhe të drejta të njeriut, në të vërtetë kur për liritë dhe të drejtat e njeriut as nuk guxohej të shkruhej a të flitej botërisht.

Gjithsesi sot mund të thuhet se në veprën letrare e publicistike të Ramiz Kelmendit janë paraqitur anë të ndryshme të dramës sonë politike, shoqërore dhe morale nën sovranitetin serb pas Luftës së Dytë Botërore dhe në sistemin komunist. Ajo sot lexohet si vepër, prej së cilës shihet se si hierarkia politike e shoqërore në kushte të caktuara prodhon deformime të ndryshme morale e shpirtërore, gënjeshtra, ambicie të shfrenuara, që shprehen në mënyra të ndryshme, por gjithnjë tragjike në jetën e njerëzve të sunduar. Në të vërtetë, prej saj shihet se si në kushtet politike dhe shoqërore, në të cilat pushteti është vlera më e lartë, njeriu çnjerëzohet shkallë-shkallë. Tregimet e përmbledhjes Ahmet Koshutani janë, pa dyshim, monograme kuptimore të procesit të këtillë tragjik në jetën tonë shoqërore. Po ta përfundoj këtë fjalë në 80-vjetorin e jetës së kolegut e mikut tonë, i cili ka shkruar aq gjatë e aq kuptimshëm;i cili shkruante sepse donte të ishte dëshmitar historik i fatit të popullit të vet; i cili shkruante, sepse gëzohej kur shihte a dëgjonte të mirë; i cili shkruante, sepse ishte i brengosur, shumë i brengosur, për shkak të padrejtësive në jetë; i cili shkruante, sepse nuk mund të pajtohej me sasinë e madhe të së keqes e të marrëzisë në jetë; i cili shkruante, qoftë si gazetar, qoftë si shkrimtar, sepse besonte se fjala e tij mund të zgjojë ndonjë ndërgjegje. Besimi i tij në fjalën e shkruar nuk ishte i kotë.

Dëshmi e kësaj që them është edhe ky manifestim, me të cilën ia shënojmë 80-vjetorin, me urimet tona më të përkushtuara që të jetojë edhe shumë vjet, duke përdorur me suksesin e gjithmonshëm penën e tij të artë.

Akademik,  Rexhep QOSJA

Revista “Metafora” 

Kontrolloni gjithashtu

Zymer Mehani: Iku në përjetësi penë arti Fadil L. Curri

Më 6 prill pushoi zemra e shkrimtarit, gazetarit dhe intelektualit të shquar, Fadil L. Curri …