Ramiz Tafilaj: Bob Dole, burrështetasi amerikan - Hero dhe Fanar për Lirinë e Kosovës

Ramiz Tafilaj: Bob Dole, burrështetasi amerikan – Hero dhe Fanar për Lirinë e Kosovës

I rëndë lajmi për humbjen e burrështetasit të madh amerikan, Senator Bob Dole. I rëndë për të gjithë shqiptarët, e vecanërisht ata që jetojnë në Amerikë. Shumë më i rëndë për neve që e njohëm personalisht e familjarisht Senatorin e madh Dole. 

Kam kaluar një gjysëmshekulli jetë e angazhim në SHBA. Si cdo shqiptar tjetër i mërgimit, me mendje e zemër kemi qenë të përkushtuar për Kosovën, për lirinë e pavarësinë e saj. Shumë pak për të mos thënë asnjë nga ne ndoshta nuk e kemi besuar fillimisht se do ta arrijmë ta shijojmë lirinë e pavarësinë e Kosovës në fillet e lëvizjes sonë për shtet. Por, kjo shpresë që nuk venitej kurrë u kthye në besim kur në krah na dolën burrështetas si Senatori Bob Dole. 

Që nga fund vitet e 1980-ta, Senatori Dole u vu në anën e drejtë të historisë dhe rrugëtimin e tij në përkrahje të së drejtës së shqiptarëve të Kosovës nuk e ndërpreu asnjëherë, as edhe në ditët e fundit të jetës së tij, kur ai dhe bashkëshortja e tij Elizabeth Dole, ishin bashkë me bijën time, Besa Tafilaj Pinchotti, në Ëashington, DC. 

Për mua dhe familjen time, Senatori Dole ka qenë sikur një fanar i në errësirën e kohës që kalonte vendlindja ime, Kosova. Fanar që dritëroi shumë gjatë në sherbim të kauzës sonë të drejtë, fanar që i ndezë fillimisht nga vëllau ynë i gjakut, arbëreshi Joseph DioGuardi, një koleg i Senatorit Bob Dole më Kongresin Amerikan. 

Ai e la këtë botë, por vepra dhe kontributi i tij për Amerikën dhe shqiptarët nuk harrohen asnjëherë. Ato vlera që ai i solli demokracisë amerikane dhe lirisë e pavarësisë së Kosovës nuk tretën as nuk vdesin. Ato janë monumente të gjalla në kujtesën e popullit amerikan dhe atij shqiptar. 

Një burrështetas si Senatori Dole është vështirë të gjindet përsëri. Atributet e tij prej një heroi të vërtetë, një politikani stoik, e një avokati të parezervë të popujve të shtypur nën thundrën e tiranisë sic ishin shqiptarët, nuk mund lehtë të zëvendësohen asnjëherë. 

Familja ime dhe unë jemi të pikëlluar po aq sa jemi krenar që patëm rastin ta njohim nga afër një njeri kaq të arrirë e po aq modest si Senatorin Dole. 

Shkuarja e tij në amshim është humbje e madhe për shqiptarët, por edhe për vet amerikanët. Figureës së tij emblematike në politikën amerikane ia kanë pasë hatrin të gjithë – qofshin edhe demokratët. Ai mbi shtetin dhe interesin nacional të Amerikës nuk vendoste asgje. Me heroizëm i shërbeu atdheut të vet në betejë, e me përkushtim të pashoq në paqe. Do na mungosh shumë miku ynë i madhi Senator Bob Dole! 

Kontrolloni gjithashtu

Egzon Kastrati

Egzon Kastrati: Varfëria është një problem social-ekonomik (i trajtuar por pa zgjidhje)

Kosova po përballet me shumë probleme sociale dhe ekonomike nga viti 2022, kemi një trend …