Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e cilësuar atë si “njeri të Rusisë dhe Serbisë” dhe “të pafytyrë” për mënyrën se si po flet për qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj zhvillimeve në veri të vendit. Haradinaj tha se Amerika ka qenë dhe mbetet aleati më i fuqishëm i Kosovës, duke përmendur rolin e saj në mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe stabilitetit në veri. “Amerika ka qenë ajo që i ka ndihmuar forcat tona, që i ka shpëtuar policët tanë në veri. Është idiotësi të thuhet se SHBA nuk dëshiron rend dhe ligj në atë pjesë, kur ata gjithmonë kanë ndihmuar Kosovën”, deklaroi Haradinaj. Ai shtoi se është e turpshme që Kurti, sipas tij, përpiqet ta paraqesë Amerikën si pengesë për vendosjen e ligjit në veri: “Ky është i pafytyrë shumë, është njeri i Rusisë e i Serbisë kur flet kështu. Amerika ta ka mundësuar rendin e ligjin në veri, e ti del e thua se ajo nuk të do. Qysh nuk të vjen marre?”, theksoi Haradinaj. Deklarata e tij vjen në një periudhë tensionesh politike dhe raportesh të ndërlikuara mes Qeverisë së Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
