Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dhe kandidati për Kryeministër, Ramush Haradinaj, ka hedhur poshtë mundësinë e bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje, edhe në rast se kjo e fundit del partia e parë nga zgjedhjet. Ai ka theksuar se AAK-ja mbetet e gatshme për partneritet qeverisës me PDK-në dhe LDK-në. Haradinaj tha se situata politike në vend mbetet pothuajse e njëjtë me herët e kaluara, pavarësisht diskutimeve për ndonjë rritje të mundshme të numrit të deputetëve. Sipas tij, Kosova ka nevojë urgjente për krijimin e institucioneve dhe nuk duhet të lejohet vonesa e mëtejme në formimin e Qeverisë. Ai e ka fajësuar kryeministrin në detyrë dhe Lëvizjen Vetëvendosje për bllokadën politike, duke shtuar se ende nuk ka parë gatishmëri të mjaftueshme as nga PDK-ja dhe LDK-ja për të arritur një marrëveshje për tejkalimin e ngërçit politik. Megjithatë, Haradinaj nënvizoi se AAK-ja nuk ka vendosur kushte për opozitën dhe se tani është momenti për reflektim, në mënyrë që vendi të mos mbetet i bllokuar. “PDK dhe LDK e kanë një partner dhe ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë”, ka deklaruar Haradinaj në konferencën për media pas përfundimit të procesit të votimit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
