Ramush Haradinaj: Po krijon klimë armiqësore ndaj mediave dhe po rrezikon demokracinë

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shpërthyer me kritika të ashpra ndaj qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, duke e akuzuar se po ndërton një klimë presioni dhe nënçmimi ndaj mediave në vend. Sipas Haradinajt, gjuha që vjen nga maja e pushtetit nuk është thjesht kritikë, por tentativë për të delegjitimuar rolin e medias dhe për të frikësuar gazetarët. Ai paralajmëroi se një qasje e tillë përbën rrezik të drejtpërdrejtë për demokracinë dhe transparencën në vend. “Një kryeministër që sulmon median, në thelb sulmon një nga shtyllat kryesore të shtetit demokratik. Ai linçon dhe tenton të drejtojë me qëllim të keq”, ka deklaruar Haradinaj, duke nënvizuar se pushteti aktual po dështon të ndërtojë një raport korrekt me median. Ai theksoi se liria e shtypit nuk është privilegj i mediave, por një mekanizëm thelbësor për mbajtjen përgjegjëse të pushtetit. Në këtë kontekst, Haradinaj kritikoi ashpër atë që e quajti “gjuhë denigruese” ndaj gazetarëve, e cila sipas tij po dëmton besimin publik dhe po krijon ndarje të panevojshme. Në kundërvënie me qeverinë aktuale, Haradinaj premtoi një qasje tjetër, duke thënë se institucionet duhet të jenë të hapura ndaj pyetjeve dhe kritikave, pa përpjekje për t’i kontrolluar apo heshtur mediat.

Kontrolloni gjithashtu

Batuta e Ramës në konferencën për Ukrainën ngjall të qeshura dhe duartrokitje në Poloni

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka tërhequr vëmendjen e të pranishmëve me një batutë në …