Ramush Haradinaj: SHBA riafirmon mbështetjen për Kosovën dhe Ballkanin

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka përshëndetur rikonfirmimin e politikës amerikane ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor pas nënshkrimit të Ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare për vitin fiskal 2026. “Lajmi më i mirë i mundshëm i kësaj dite është rikonfirmimi i politikës amerikane ndaj Kosovës dhe Ballkanit në përgjithësi”, ka thënë Haradinaj, duke theksuar se ligji refuzon çdo ide për ndarje, shkëmbim territoresh apo ndryshim kufijsh mbi baza etnike. Ai ka vlerësuar qëndrimin amerikan për perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor, duke e cilësuar këtë si themel të sigurisë dhe zhvillimit të vendit dhe shoqërisë. Haradinaj thekson se ligji përcakton qartë politikën amerikane për zbatimin e Marrëveshjes për Normalizimin e marrëdhënieve Kosovë–Serbi, me qëllim final njohjen reciproke, dhe riafirmon mbështetjen për demokracitë në rajon. Sipas tij, çdo zyrtar që vepron kundër integritetit territorial, cenon rendin demokratik apo përfshihet në korrupsion do të sanksionohet sipas këtij ligji. “Ish-miqësia dhe partneriteti ynë me Shtetet e Bashkuara ka qenë jetik në të gjitha fazat, përfshirë edhe synimin tonë për anëtarësim në NATO dhe BE, që është thelbi i Programit të Aleancës. Mirënjohje përjetë Shteteve të Bashkuara të Amerikës!”, ka shtuar Haradinaj.

Kontrolloni gjithashtu

Oda Ekonomike e Kosovës i shpalos disa propozime për mbështetjen e puntorëve të sektorit privat në vend

OEK akuzon ZRRE-në për interpretime të njëanshme të aktgjykimit të Supremes për tregun e energjisë

Oda Ekonomike e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj njoftimit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit …