Ramush Haradinaj takohet me ambasadorin slloven mes krizës së brendshme dhe bllokadës euro-atlantike

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se ka pritur në një takim njoftues ambasadorin e ri të Sllovenisë në Kosovë, Borut Blaj, me të cilin, sipas tij, kanë diskutuar zhvillimet politike, sfidat aktuale dhe marrëdhëniet dypalëshe. Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka theksuar se Sllovenia mbetet një partnere e rëndësishme dhe një mbështetëse e fuqishme e Kosovës në rrugën drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian, duke e paraqitur takimin si një vazhdimësi të marrëdhënieve tradicionale të mira mes dy vendeve. “I urova ambasadorit Blaj mirëseardhje dhe suksese në misionin e tij, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë ndaj Kosovës”, ka shkruar Haradinaj. Megjithatë, ky takim vjen në një moment politikisht të ndjeshëm për Kosovën, kur vendi po përballet me bllokada serioze në proceset euro-integruese, tensione të brendshme politike dhe kritika ndërkombëtare për menaxhimin e dialogut me Serbinë. Në këtë kontekst, deklaratat e Haradinajt për “mbështetje të fuqishme” nga Sllovenia tingëllojnë më shumë si një mesazh simbolik sesa si një zhvillim konkret diplomatik. Derisa Haradinaj flet për partneritet strategjik dhe mbështetje drejt NATO-s e BE-së, realiteti në terren mbetet i zymtë: Kosova vazhdon të jetë nën masa ndëshkuese të BE-së, procesi i liberalizimit politik është i ngrirë dhe perspektiva euro-atlantike po zbehet për shkak të krizave të brendshme dhe mungesës së konsensusit politik.

Kontrolloni gjithashtu

Gjykata Speciale jep leksion për drejtësi… nxënësit kërkojnë ‘Free Hashim Thaçi’”

Gjykata Speciale në Hagë duket se kanë gjetur audiencën më të papritur për edukimin juridik: …