Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, ka reaguar ndaj akuzave të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila pretendon se PDK po rreshtohet krah Listës Serbe. Qalaj i quajti këto deklarime të papranueshme dhe fyese ndaj deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ai tha se akuzat e tilla bien ndesh me kontributin e shumë deputetëve nga të gjitha partitë politike, të cilët kanë qenë pjesë e luftës së UÇK-së ose janë familjarë dëshmorësh. “Një njeri duhet me pas shumë zemrën e prishur, të zezë krejt, që me bë komente të tilla me fotografi të deputetëve në Parlamentin e Kosovës. Duke pas parasysh që aty kemi luftëtarë të UÇK-së, familjarë dëshmorësh dhe njerëz që kanë kontribuar në etapa vendimtare të historisë sonë, t’i fyesh në atë mënyrë është shumë e dëmshme”, tha Qalaj. Deputeti theksoi se PDK nuk do të bie në nivelin e gjuhës përçarëse dhe se synimi i partisë më 28 dhjetor është një fushatë e qetë dhe konstruktive. “PDK do të jetë partia që do të bëjë një fushatë civilizuese, që do të përpiqet të jetë unifikuese. Qalaj shtoi se fushata duhet të jetë garë idesh, jo sharjesh, dhe se qytetarët meritojnë një debat politik të bazuar në argumente e jo në etiketime.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
