Ahmet Qeriqi: Rashit Tahir Plakiqi, (1908- 1984) një atdhetar i persekutuar dhe i dënuar nga ish-regjimi jugosllav I

Ahmet Qeriqi: Rashit Tahir Plakiqi, (1908- 1984) një atdhetar i persekutuar dhe i dënuar nga ish-regjimi jugosllav I

Fshati Nekovc i Drenicës, ashtu sikur edhe fshatrat përreth, ka një histori të shquar të rezistencës, sidomos nga koha e ekspeditës ndëshkuese  të Jashar Pashë Gjinollit, të vitit 1839 pastaj në betejat e Isa Boletinit në Carralevë, në vitin 1910 kundër forcave turke si dhe në rezistencën kundër pushtimit të trojeve shqiptare nga Serbia dhe Jugosllavia  e Pashiqit më vonë e Titos Rankoviqit e të Milosheviqit e deri në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Shumica dërrmuese e banorëve të  këtij fshati kanë qenë të inkuadruar në luftën e UÇK-së, ndërsa dy grykat e maleve: Gryka e Thatë dhe ajo e Lugut kanë qenë vendstrehim për mijëra të zhvendosur në kohën e luftës së UÇK-së, gjatë viteve 1998-1999.  Në frontet e luftës së UÇK-së kanë rënë dëshmorë: Gani Kastrati, Hysni Murseli dhe Azem Kastrati, ndërsa janë vrarë nga forcat ushtarake e policore serbe: Danush dhe Zela Murseli, prindërit e dëshmorit, Hysni Murseli, pastaj, Shaban Gashi, Nebih Çelaj, Islam Kastrati, Brahim Kastrati, Fatmir Kastrati, Ahmet Syla, Skënder Rrusta, Hanë Zekaj, Hajriz Gashi, Imer Plakiqi, Ramadan Rrusta dhe Imer Rrusta.

 

Lagja Plakiqi e këtij fshati është ndër vendbanimet më të vjetra në pjesën jugore të Drenicës.

Rashit Tahir Plakiqi ka lindur më 5 nëntor të vitit 1908, në një familje të varfër por me tradita atdhetarie. Nga shënimet që ka ofruar familja e tij dhe nga rrëfimet e brezave thuhet se ai qysh në moshë të re ka bashkëpunuar me disa veprimtarë, të cilët kanë shpërndarë ilegalisht abetare dhe libra shqip, në Drenicë e më gjerë, të cilat i kishte ndalur regjimi i Monarkisë, Serbe, Kroate e Sllovene. Ai regjim persekutonte rëndë me burg, por edhe me privim nga jeta, çdo shqiptar që zihej me ndonjë libër në gjuhën shqipe, e cila ishte e ndaluar në përdorim zyrtar dhe nëpër shkolla.

Rashiti në fund të viteve të  30-të të shekullit të kaluar ka bashkëvepruar me Fetah Bylykbashin nga fshati Baicë e Kolshit, mësuesin e atdhetarin, Vesel Pagarusha, Hasan Knusin nga Gjakova e të tjerë.

Gjatë luftës së Dytë Botërore iu kishte bashkuar forcave nacionaliste të regjimit ital0- shqiptar, që ishte instaluar në Kosovë në vitet 1941-1945. Ka mbajtur kontakte edhe me Shefqet Bylykbashin, nga fshati fqinj Baicë, i njohur edhe si Shefqet Kapetani, i cili kishte udhëhequr një pjesë të luftës në Kosovën Lindore kundër forcave bullgare, çetnike e partizane në vitet 1944-1945.

Nën ndikimin e Rifat Berishës, një autoritet ushtarak e politik i njohur i kohës, Rashit Plakiqi, nga Nekovci, Ibrahim Gashi nga Llapushniku, Ukë Plakiqi nga Nekovci, Hazir Latifi nga Kizhareka, Muharrem Lusha nga Komarani, Dervish Berisha, i fshatit Berishë, Shaqir Mani i Carrallukës, Zenë Gashi i Prapashticës, (?) e të tjerë nuk kishin pranuar rikthimin e regjimit serb në Kosovë, që kishte anuluar Rezolutën e Konferencës së Bujanit të vitit 1943- 1944, e cila parashihte që Kosova pas luftës Antifashiste, mbështetur  mbi parimin e Vetëvendosjes së kombeve  t’ i bashkohej Shqipërisë, por në Konferencën e Prizrenit të gushtit të vitit 1946, Jugosllavia kishte vendosur që Kosova të mbetej nën Republikën e Serbisë dhe të RSFJ-së.

Çarja e madhe që ndodhi asokohe bëri që Rifat Berisha edhe pse i gjendur përballë kërcënimit kishte nënshkruar deklaratën, bashkë me Fadil Hoxhën e dhjetëra shqiptarë të tjerë, përveç Ramiz Cërnicës, nuk ishte pajtuar me të dhe më vonë kishte dalë hapur kundër atij vendimi.

Duke qenë në lidhje shoqërore e miqësore, Rashit Plakiqi me të tjerë kishin bashkëpunuar me autoritet të kohës dhe me grupet ilegale, të cilat nuk ishin pajtuar me mbetjen e Kosovës nën Serbi, por ishin angazhuar në çlirimin e saj dhe bashkimin me Shqipërinë.

Asokohe, Organizata e cila kishte pasur shtrirje në të gjitha trojet e mbetura nën Jugosllavi, Lëvizja Nacional Demokratike shqiptare, në krye me Ymer Berishën, Hysen Tërpezën, Ajet Gërgurin, Gjon Serreqin, kishte  organizuar komitetet  e rretheve dhe kishte bërë thirrje për rezistencë në nivel kombëtar kundër regjimit të Titos e Rankoviqit.

Në këtë pjesë të Drenicës, në atë kohë vepronte edhe atdhetari, Arif Shala i njohur si Hoxhë Avdia, nga fshati Sankovc, i cili mbante lidhje me partizanët shqiptarë të krahut kombëtar dhe me NDSH-në, me qëllim për unifikimin e qëndrimeve për të krijuar një forcë të vetme të rezistencës. Ai përmes dy bashkëpunëtorëve besnikë: Izet Murati dhe Sokol Brahimi e të njohurve të tjerë,  kishte siguruar edhe terrenin për mbajtjen e Kongresit të Pestë të NDSH-së, në Lypovicë, ku kanë marrë pjesë edhe shumë atdhetarë nga kjo pjesë e Drenicës. Përveç  kësaj kishte qenë edhe koordinatori kryesor i sistemimit të grupeve nga shumë vende të Kosovës, që cilat depërtonin në Lypovicë nën vëzhgim të agjentëve të OZN-së, në mesin e së cilët kishte edhe shqiptarë, nga radhët e atyre që kishin mbështetur regjimin komunist jugosllav të kohës.

Nuk ka shënime të botuara lidhur me pjesëmarrjen e Rashit Plakiqit, në Kongresin e Lypovicës, por fakti se ai njihej shumë mirë me Arif Shalën dhe bashkëveprimtarët e tij, lë për të besuar  se ai kishte marrë pjesë në atë Kongres. Lista e plotë e pjesëmarrësve të atij Kongresi, edhe sot e kësaj dite mungon. Autori i këtij shkrimi, duke u mbështetur në të dhëna të shkruara dhe ato gojore nga pjesëmarrësit në Kongres, në fillim të viteve 90-të, ka evidentuar rreth 140 pjesëmarrës, por me të drejtë mund të konstatohet se numri i pjesëmarrësve kishte qenë shumë më i madh, sidomos me pjesëtarë të fshatrave të Drenicës jugore.

Prej kohës kur është mbajtur “Kongresi i Lipovicës” më 24 korrik të vitit 1946 e deri në dhjetor të vitit 1949, regjimi jugosllav i kohës ka burgosur mijëra atdhetarë, ka dënuar me gjyq  e pa gjyq, ka pushkatuar mijëra  prej tyre, mijëra të tjerë janë dënuar fillimisht me vdekje pushkatim, sikur është edhe rasti i Rashit Plakiqit me bashkëveprimtarë pastaj dënimet janë kthyer   me 20 vjet burg.  Mijëra të tjerë janë dënuar prej  një,  pesë e deri në 20 vjet burg.

 Në 24 dhjetor të vitit 1949 ka rënë në pritë, në Petrovë të Shtimes, Sali Rexhë Ribari me çetën e tij dhe natën e 10 e 11  tetorit të vitit 1951 kanë rënë në pritë të UDB-së dhe janë likuiduar, luftëtarët e fundit të NDSH-së në Kosovë: Hasan Remniku, Mustafë Koka me bashkëshorten e tij  Rabijen, e cila ishte shtatzënë, si dhe Agush Mehmeti me bashkëshorten, Qibrie Misin Alidema. UDB-ja me kohë kishte futur disa  agjentë në mesin e grupit dhe ata gjatë rrugëtimit për të shkuar në Shqipëri i drejtuan në vendin e caktuar ku kishte zënë pritë Milicia e UDB-së dhe ku i kishte likuiduar të pestit.  Agjentët ishin paraqitur si njerëz të cilët kinse do të ndihmonin Mustafë Kokën dhe Hasan Remnikun për të kaluar kufirin dhe për të hyrë në Shqipëri. Rrugëtimi për të kaluar kufirin besohet se ka filluar me 6 tetor 1951 për ta përfunduar në mes të natës së 10 e 11  tetorit në Pritën te kalimi i lumit Bistricë mbi Prizren.

Po atë vit, në Kosovë janë zbuluar dhe janë ndëshkuar  me dënime drakonike edhe shumë grupe atdhetarësh në mesin e tyre edhe grupe që ishin trajtuar si “informbyroistë”, në kohën kur Jugosllavia e Titos, më 28 qershor të vitit 1948 kishte shpallur deklaratën kundër  Informbyrosë, kishte prishur marrëdhëniet me Shqipërinë e më pas edhe me Bashkimin sovjetik.

Duke përshkruar atë situatë të rëndë që mbretëronte në vend, veprimtari e studiuesi, Meriman Braha në librin e tij, “Goli Otoku…” shkruan: “Kudo kërkohej dhe hetohej për armiqtë e brendshëm, armiqtë e kamufluar dhe kjo nga bujku e fshatari e deri te gjenerali, nga punëtori fizik e deri te anëtari i Komitetit Qendror të partisë. Dhe pa dyshim një gjendje të tillë, paniku do të shtonte shumëfish numrin e armiqve. Mbi këtë bazë ndërmarrjesh të veprimeve gjoja parandaluese, organet jugosllave i kishin mbushur anekënd Jugosllavisë. Po jo të gjithë kishin përfunduar në një qendër, sepse asnjë qendër e llogoreve koncentruese nuk ishte aq e madhe sa t’ i përmblidhte të gjithë armiqtë në një strehë”.

Duke qenë nën presion të Stalinit i cili ishte në krye të Bashkimit Sovjetik dhe nga frika për një kryengritje të përgjithshme kundër daljes së Jugosllavisë nga Kampi socialist, Tito dhe Rankoviqi kishin dënuar grupe të shumta të kundërshtarëve të regjimit, kudo në Jugosllavi por veçmas në Kosovë,  duke i etiketuar si forca pro ruse e pro enveriste, me qëllim për të marrë përkrahje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anglia e shtetet e  perëndimore.

Të gjitha këto grupe, në Kosovë ishin dënuar për bashkëpunim me shërbimin sekret të Shqipërisë. Realisht prej vitit 1945 e në vazhdim, sidomos pas prishjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë e Jugosllavisë në vitin 1948, e veçmas gjatë dhe pas periudhës së infrombyrosë, shumë shqiptarë liridashës shpëtimin nga gjendja e rëndë në regjimin e Titos e shihnin në bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, sidomos me rastin e prishjes së marrëdhënieve të RSFJ-së me Bashkimin Sovjetik. Asokohe, Rifat Berisha politikani numër dy në Kosovë, pas Fadil Hoxhës, mbante kontakte të fshehta me struktura të caktuara të Shërbimit Sekret të Shqipërisë dhe bënte përpjekje ta shfrytëzonte momentin historik në raportet e acaruara mes Jugosllavisë e Bashkimit Sovjetik për të bërë kthesë në ardhmërinë e Kosovës. Po si do të kuptohet më vonë, ai nuk kishte arritur të ndikonte aq shumë, në kreun komunist të Kosovës, i cili ishte në vëzhgim të agjentëve të Titos e të Rankoviqit. (vijon)

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në Grykë të Kizharekës takojmë gazatarin e mirënjohur Kurt Shorck (12 mars, 1999)

Ahmet Qeriqi: Në Grykë të Kizharekës takojmë gazatarin e mirënjohur Kurt Shorck (12 mars, 1999)

Martin Çuni është kthyer nga terreni. Falë hapërimit të tij të pandalshëm nëpër zonat e …