Ahmet Qeriqi: Rashit Tahir Plakiqi, (1908- 1984) një atdhetar i persekutuar dhe i dënuar nga ish-regjimi jugosllav II

Ahmet Qeriqi: Rashit Tahir Plakiqi, (1908- 1984) një atdhetar i persekutuar dhe i dënuar nga ish-regjimi jugosllav II

Në këtë mes në vitin 1951 ishte dënuar edhe grupi i Ibrahim Gashit, Rashit Plakiqit dhe 6 shqiptarëve të tjerë të akuzuar si agjentë  të regjimit të Enver Hoxhës, të cilët ishin bashkuar dhe kishin vepruar  me qëllim për rrënimin e rendit kushtetues të Jugosllavisë dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Aktvendimi për dënimin me burg të tetë të akuzuarve, K. 158/52, i gjykatës së Qarkut në Prishtinë si shkallë e parë, nga kryetari i Trupit gjykues, Millutin Gjukiq, porotnikët, Ejup Ismajli dhe Brahim Rama, në lëndën penale kundër Ibrahim Gashit nga Llapushniku, Rashit Plakiqit dhe  Ukë Plakiqit nga Nekovci, Hazir Latifit nga Kizhareka, Muharrem Lushës nga Komarani, Dervish Berishës, i fshatit Berishë, Shaqir Manit të Carrallukësdhe Zenë Gashit të  Prapashticës, kishte ngritur aktgjykimin nga neni 103 dhe 105 i ligjit penal të RSFJ-së. Në aktvendim thuhej se tetë të pandehurit nga ndjenjat e tyre armiqësore kundër rendit dhe shtetit të Jugosllavisë Socialiste  dhe me qëllim të ndihmës së ofruar armiqve të Jugosllavisë, kanë vepruar me armiq të arratisur, si: Aziz Zhilivoda, Shaban Haxhia, Halit, Bajram dhe Jahir Berisha, të cilët, sipas akuzës e kishin tradhtuar atdheun (Jugosllavinë) dhe ishin vënë në shërbim të regjimit sekret të Shqipërisë. Ata sipas porosive kanë hyrë në territorin e Kosovës dhe Metohisë, me qëllim për kryerjen e veprave penale, duke marrë dhe duke dhënë informata, ndërsa të akuzuarit u  kanë  ndihmuar duke i strehuar, dhe duke iu afruar të dhëna jo të sakta dhe të besueshme të karakterit ushtarak dhe ekonomik.

Për vepra të tilla, që konsideroheshin vepra penale kundër rendit shoqëror dhe RSFJ-së ishin dënuar:

I akuzuari, Ibrahim Gashi nga Llapushniku, dënim me vdekje, pushkatim si dënim kryesor dhe  humbje për jetë të të drejtave qytetare, si  dënim rëndues të dorës së dytë.

I akuzuari, Rashit Plakiqi nga Nekovci  dënim me vdekje, pushkatim si dënim kryesor dhe  humbje për jetë të të drejtave qytetare, si  dënim rëndues të dorës së dytë.

I akuzuari, Ukë Plakiqi dënim me vdekje, pushkatim si dënim kryesor dhe  humbje për jetë të të drejtave qytetare, si  dënim rëndues të dorës së dytë.

I akuzuari, Hazir Latifi dënim me vdekje, pushkatim si dënim kryesor dhe  humbje për jetë të të drejtave qytetare, si  dënim rëndues të dorës së dytë.

I akuzuari, Muharrem Lusha, dënim 20 vjet me burg të rëndë dhe humbje për jetë të drejtave qytetare.

I akuzuari, Dervish Berisha, dënim 15 vjet burg të rëndë si dhe humbje të të drejtave qytetare për  tri vjet.

I akuzuari, Shaqir Mani, me dënim 6 vjet burg si dënim kryesor dhe një vit humbje të të drejtave qytetare.

I akuzuari, Zejnë Gashi, 2 vjet burg si dënim kryesor.

Këto dënime drakonike kundër shqiptarëve kishin për qëllim të frikësonin shqiptarët e Kosovës, që në asnjë mënyrë të mos vepronin, por as të mendonin për Shqipërinë, apo bashkimin me të.

Veprat të cilat regjimi i konsideronte kriminale ishin ose të montuara, ose të propagandës që quhej armiqësore, pastaj mbajtja në ilegalitet e njëri tjetrit, vajtja e ardhja në Shqipëri. Fajtor kryesor për këto dënime llogaritej Rifat Berisha i cili ishte vrarë disa vite më parë, më 17 maj të vitit 1949 me tre të afërm, gjatë një rrethimi në fshatin Gajrak të Malishevës.

Grupi akuzohej se kishte mbajtur lidhje dhe u kishte dhënë informacione Halit Berishës, Jahir  Berishës dhe Bajram Berishës, të cilët pasi kishin çarë rrethimin gjatë luftimeve në Gajrak,  kishin shkruar në Shqipëri dhe ishin rekrutuar në radhët e Shërbimit të Sigurimit. Këtij grupimi iu kishte bashkuar edhe Aziz Zhilivoda, i cili vepronte në kuadër të Shërbimit Sekret të Shqipërisë, ndërsa Jugosllavia e kishte shpallur kriminel të luftës dhe Shaban Haxhinë, një atdhetar me bindje komuniste, por që vepronte mbi baza të Rezolutës së Konferencës së Bujanit,  për bashkim e Kosovës me Shqipërinë. Këta dy kishin qenë ndërlidhësit kryesorë të grupeve dhe kishin vepruar në një platformë me qëllim të largimit për në Shqipëri të disa kuadrove të dëshmuara atdhetare dhe nga atje të merrnin instrukcione dhe ndihmë në organizimin e  kryengritjes kundër Jugosllavisë, me qëllim për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Si elemente të veprave penale, me të cilat ngarkohej grupi, konsiderohej mbledhja e informatave mbi gjendjen e rëndë të shqiptarëve nën regjimin e Jugosllavisë, pastaj përhapjes së propagandës për persekutimin dhe vrasjen pa gjyq  të shqiptarëve, dhe njoftimin me këto burime të oficerëve të ushtrisë së Shqipërisë. Ishin shpallur fajtorë dhe ishin dënuar të gjitha ata që kishin kontaktuar me të arratisurit: Halit Berisha Jahir  Berisha, Bajram Berisha, Aziz Zhilivoda, Shaban Haxhia. Vetëm pse kishte kontaktuar dhe kishte biseduar me ta ishte dënuar me vdekje mësuesi atdhetar, Ibrahim Gashi. Ai ishte akuzuar se në vitin 1951 i kishte takuar anëtarë e grupit, u kishte dhënë bukë dhe i kishte strehuar te bashkëfshatari i tij, Ibrahim Meta. Po ashtu ai kishte pranuar në gjyq se kishte  kontaktuar edhe me Rashit Plakiqin.

Ndërsa, Rashit Plakiqi, ishte shpallur fajtor dhe fillimisht ishte dënuar me vdekje-pushkatim, pasi  konsiderohej se kishte mbajtur  kontakte me Halit Berishën, Bajram Berishën,  Shaban Haxhinë, të cilëve edhe iu  kishte dhënë bukë e duhan dhe kishte mbajtur lidhje edhe me Hazir Latifin, të cilin e kishte udhëzuar të merrte mendimin e fshatarëve për grupin e ilegalëve,  të kontaktonte me Shefqet Kapetanin e Baincës dhe të hetonte gatishmërinë e tyre për t’ iu bashkuar grupit.

Të gjashtë të akuzuarit e tjerë dhe  Ukë Plakiqit Hazir Latifi, Muharrem Lusha, Dervish Berisha, Shaqir Mani dhe Zenë Gashi ishin shpallur fajtor dhe ishin ndëshkuar  me dënime të rënda, vetëm sepse kishin mbajtur kontakte dhe kishin ndihmuar grupet me ushqim, vesh-mbathje, dhe se gjatë kontrollimit nga Milicia  disave  u kishin gjetur armë pa leje, po ashtu edhe pse kishin dhënë informata  të arratisurve, në të cilat e kishin paraqitur gjendjen e rëndë të shqiptarëve nga regjimi i Jugosllavisë komuniste.

Shkalla e dytë e Gjykimit, që ishte Gjykata e Serbisë në Beograd, pas një vendimi federativ  për falje, vendimi për dënim me vdekje pushkatim ndaj katër të akuzuarve, ishte kthyer në  20 vjet burg të rëndë me punë të detyrueshme.

Rashit Plakiqi me disa të burgosur të tjerë i kishin depërtuar  në burgun famëkeq të Kroacisë, në “Goli Otok” ku zakonisht dërgoheshim të dënuarit  për vepra të rënda penale.

Gjatë vuajtjes së dënimit në burgut në Goli Otokut Rashit Plakiqi ashtu sikur edhe shumica e të burgosurve shqiptarë ishin keqtrajtuar me punë të rënda dhe me trajtim mizor.

Më 30 mars të vitit  1962, me rastin e një amnistie nga Federata Jugosllave, Rashit Plakiqi ishte liruar nga burgu, por  me shëndet të rënduar  dhe sëmundje që e kanë përcjellë deri në ditën e vdekjes, më 10 maj të vitit 1984.

Rasti i dënimit të këtij grupi zbulon më së miri qëndrimin represiv të pushtetit jugosllav, i cili mbante në shënjestër çdo shqiptar, për të cilin konsideronte se nuk pajtohej me regjimin dhe nuk tregohej i gatshëm për t’ i treguar  besnikëri dhe bashkëpunim pushtetit komunist jugosllav. Pavarësisht veprimtarisë së tyre atdhetare, që ishte një e drejtë e mohuar dhe e sanksionuar me ligjet e RSFJ-së, tetë anëtarët e këtij grupi në krye me mësuesin atdhetar dhe intelektualin, Ibrahim Gashi, nuk kishin kryer vepra të rënda penale, të cilat më vonë do të trajtoheshin si Propagandë armiqësore, por edhe si të tilla ato nuk ishin konfirmuar  para gjyqeve me elemente penale.

Lënda “penale” në aktakuzat dhe aktgjykimet e këtyre  tetë atdhetarëve  tregon shqiptarët e pathyeshëm, të ndershëm dhe njerëz  të besës që regjimi i kishte dënuar me vdekje pushkatim, pse nuk kishin denoncuar vëllezërit e tyre  që ndodheshin në male, pse u ofronin bukë e duhan, pse i strehonin në netët e dimrave ma acar, pse u mbanin lidhjet mes veti. Për veprime të tilla, asokohe, në asnjë republikë  të Jugosllavisë nuk është dënuar askush, por janë dënuar shqiptarët, qoftë duke i etiketuar si ballistë e bashkëpunëtorët të regjimit, si NDSH-istë madje edhe si “informbyroistë”, vetëm sepse i tillë ishte konsideruar atdhetari i mirënjohur, Rifat Berisha, nga fshati Berishë në Drenicë.

Burimet dhe literatura:

 

Aktakuza dhe aktgjykimi në gjuhën serbe. K. I58/ 52.

Shaban Braha: Rifat L. Berisha, figurë e shquar kombëtare, Tiranë 1998.

Ahmet Qeriqi: Luftëtarë të NDSH-së 1945-1950 II, Prishtinë, 2016.

Meriman Braha: Goli Otoku… Prishtinë 2018.

Feniksët e lirisë 12. Prishtinë, 2010.

Intervistë për TV-Diellin e mësuesit veteran, Hasan Kastrati nga fshati Kizharekë.

Të dhëna gojore nga familja e Rashit Plakiqit në Nekovc.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Forcat serbe vazhdojnë të shkatërrojnë vendbanimet shqiptare. (E hënë 26 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Forcat serbe vazhdojnë të shkatërrojnë vendbanimet shqiptare. (E hënë 26 prill, 1999)

Shiu nuk po pushon. Mjegulla po na futet thellë në mushkëri. Serbët po lëvizin. Aeroplanët …