Pas përfundimit të numërimit të votave të ardhura nga diaspora në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, është bërë e qartë se 18 komuna të vendit do të shkojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, i cili do të mbahet më 9 nëntor 2025. Fletëvotimet nga jashtë, që kanë ardhur nga 22 shtete të ndryshme, tashmë janë numëruar, ndërsa procesi do të vazhdojë me numërimin e votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta. Sipas rezultateve paraprake, përballjet kryesore do të zhvillohen ndërmjet partive më të mëdha në vend. Në Suharekë, Junik dhe Klinë, balotazhi do të jetë mes AAK-së dhe LDK-së, ndërsa në Gjakovë dhe Rahovec gara do të zhvillohet midis AAK-së dhe LV-së. Në Sharr, përballja do të jetë mes LDK-së dhe PDK-së. Ndërkaq, gjashtë komuna të tjera – Fushë-Kosova, Peja, KAstrioti, Gjilani, Prishtina dhe Vitia – do të kenë garë midis LDK-së dhe LV-së. Në katër komuna të tjera, përkatësisht në Vushtrri, Prizren, Mitrovicë dhe Kaçanik, balotazhi do të zhvillohet midis PDK-së dhe LV-së. Sa i përket shpërndarjes së pjesëmarrjes në balotazh, Lëvizja Vetëvendosje garon në 12 komuna, LDK-ja dhe PDK-ja në nga 9 komuna, ndërsa AAK-ja në 5. Po ashtu, në garë janë edhe Partia e Turqve të Kosovës (KTDP), Iniciativa e Qytetarëve MHH, Lista Serbe (LS) dhe Partia Serbe SNS, secila në nga një komunë. Ndërkohë, procesi zgjedhor ka përfunduar pa balotazh në 20 komuna të vendit, ku fituesit janë përcaktuar që në raundin e parë.
