Linja Hekurudhore Fushë Kosovë – Hani i Elezit modernizohet brenda dy viteve

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit Pal Lekaj, të martën mori pjesë në  fillimin e punimeve në rehabilitimin e fazës së parë të linjës së 10-të hekurudhore, Prishtinë – Hani i Elezit.

Ministri Lekaj tha se modernizimi i hekurudhave është një nga projektet e mëdha infrastrukturore që po bëhen dhe që janë në pritje të realizohen në Kosovë.  Lekaj shtoi se rehabilitimi i linjave hekurudhore i kthen qytetarët kah transporti hekurudhor, si një faktor kryesor në zhvillimin ekonomik dhe parakusht për ardhjen e investitorëve të huaj në vend. Prandaj tha se ndjehet i lumtur që shumë shpejt do të fillojnë punimet edhe në fazën së dytë të linjës së 10-të hekurudhore, Fushë Kosovë- Mitrovicë, rreth 36 km, për të vazhduar edhe me projektin e linjës R7, Fushë Kosovë – Podujevë, me gjatësi rreth 45 km dhe atë Prishtinë – Fushë Kosovë – Aeroport me gjatësi rreth 20km.

 Krahas krejt këtyre Lekaj tha se do të punojnë drejt jetësimit të afrimit me Shqipërinë edhe përmes hekurudhave, duke bërë Kosovën qendër të rajonit me lidhje të korridoreve si rrugore ashtu edhe hekurudhore.

Rehabilitimi i hekurudhave të Kosovës (faza e parë dhe e dytë) në gjatësi prej 150 kilometra do të kushtojë rreth 208 milionë euro, kurse mjetet financiare janë siguruar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Banka Evropiane për Investime, prej të cilave rreth 80 milionë euro janë donacion i Bashkimit Evropian.

Modernizimi i linjave hekurudhore do të bëhet sipas standardeve më të larta të sigurisë dhe lejon zhvillim të shpejtësisë deri në 120 kilometra në orë.

Agron Thaçi, kryeshef Ekzekutiv i “Infrakos”-it, ka thënë se projekti për rehabilitimin dhe modernizimin e linjës 10-të hekurudhore paraqet një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore me mbështetjen më të madhe deri më tash që Kosova ka përfituar nga korniza për investime në Ballkanin Perëndimor, e Bashkimit Evropian dhe nga institucionet financiare ndërkombëtare.

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Deçanit po merr pjesë në Panairin e Turizmit dhe Sportit 2024 në Prishtinë

Komuna e Deçanit po merr pjesë në Panairin e Turizmit dhe Sportit 2024 në Prishtinë, …