Reshjet intensive të shiut kanë përfshirë pothuajse gjithë territorin e Shqipërisë, duke shkaktuar përmbytje dhe vështirësi serioze në disa qytete. Durrësi paraqitet si zona më e goditur nga moti i keq, ku në disa lagje niveli i ujit ka arritur deri në 50 centimetra, duke bllokuar rrugët dhe izoluar banorët. Situata më kritike raportohet në zonat e Spitallës, Nishtullës dhe ish-Kënetës (Durrësi i Ri), ku qarkullimi është pothuajse i pamundur. Për shkak të përmbytjeve dhe bllokimit të rrugëve, mësimi është pezulluar në shumicën e shkollave të qytetit. Zyra Vendore e Arsimit Durrës ka njoftuar prindërit dhe mësuesit të shmangin lëvizjet deri në përmirësimin e situatës. Autoritetet kanë nisur evakuimin e familjeve të prekura nga përmbytjet. Aktualisht, 8 familje janë duke u evakuuar, prej të cilave 3 nga Shijaku, ndërsa disa prej tyre janë strehuar në Konvaleshencën e Ministrisë së Brendshme. Vështirësi të mëdha janë shënuar edhe në autostradën Durrës–Tiranë, ku prania e ujit në disa segmente ka shkaktuar bllokim të automjeteve dhe trafik të rënduar. Edhe në Tiranë, reshjet e dendura kanë sjellë ngarkesë të shtuar të qarkullimit rrugor. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të ndjekin njoftimet zyrtare deri në stabilizimin e situatës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
