Tema të tjera...
Procesi i rinumërimit të votave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po nxjerr në pah parregullsi serioze që po e vënë në dyshim integritetin e procesit zgjedhor dhe administrimin e votës së qytetarëve. Deri në orën 10:00 të së dielës, rinumërimi është përmbyllur në 19 komuna, ku janë rishikuar 445 nga 914 vendvotime, ndërsa ndryshimet në rezultatet e kandidatëve për deputet janë alarmante. Të dhënat e publikuara nga KQZ tregojnë se mijëra vota janë shpërndarë gabimisht ose janë regjistruar në mënyrë të pasaktë, duke krijuar dyshime të forta për manipulim, neglizhencë ose dështim të thellë të mekanizmave të kontrollit në ditën e zgjedhjeve dhe gjatë numërimit fillestar. Në Lëvizjen Vetëvendosje, disa kandidatë kanë humbur qindra vota secili, ndërsa në Partinë Demokratike të Kosovës parregullsitë marrin përmasa skandaloze: Fetah Pacarizi rezulton me mbi 5 mijë vota më pak, ndërsa edhe kandidatë të tjerë shënojnë humbje që numërohen me mijëra. As LDK-ja dhe AAK-ja nuk mbesin pa devijime të konsiderueshme, duke e bërë të qartë se problemi është sistemik dhe jo i izoluar në një subjekt të vetëm politik. Këto zhvillime hedhin hije të rënda mbi procesin zgjedhor dhe ngritin pyetje thelbësore: si është e mundur që gabime të tilla masive të mos identifikohen në numërimin fillestar? Kush mban përgjegjësi për deformimin e vullnetit të votuesve? Dhe a janë zgjedhjet realisht reflektim i votës së lirë? Në një moment kur vendi përballet me afate kushtetuese kritike, këto parregullsi përbëjnë rrezik real për stabilitetin institucional dhe demokracinë, duke e bërë të domosdoshëm hetimin e plotë dhe adresimin e përgjegjësive pa kompromis.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
