Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se mbetjet mortore të tre viktimave të luftës në Kosovë, Bali Pajazit Gashi, Fadil Shaban Elezaj dhe Masar Ymer Dushi, do të rivarrosen të premten, më 27 shkurt 2026, në Klinë, sipas kërkesës së familjarëve. Sipas njoftimit zyrtar, viktimat ishin pjesë e Listës së Personave të Zhdukur dhe janë identifikuar së fundmi falë analizave shkencore të ADN-së, pas një procesi të gjatë kërkimi dhe verifikimi. Komisioni bëri të ditur se mbetjet mortore të tyre janë zhvarrosur nga varreza masive në Bishtazhin, një nga lokacionet ku janë gjetur mbetje të viktimave të luftës në Kosovë. Ceremonia e rivarrimit do të organizohet nga Komuna e Klinës, me përkrahjen institucionale të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, në praninë e familjarëve, përfaqësuesve institucionalë dhe qytetarëve. Në njoftim, Komisioni ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave, duke riafirmuar përkushtimin institucional për vazhdimin e përpjekjeve në zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së të gjithë personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
