Brickos

RKL

RKL: Antikomunistët shqiptarë të zhgënjyer në Departamentin Amerikan të Shtetit lidhur me dekorimin e Ardian Dvoranit

Mënyra e egër dhe e paqytetëruar, sikur e kanë kuptuar një soj antikomunistësh shqiptarë luftën kundër komunizmit, shkon përtej arsyes njerëzore. Këta antikomunistë, shumica syresh komunistë të përbetuar në kohën e Enver Hoxhës, disa edhe bijë e bija të tyre, luftën kundër komunizmit e kanë kuptuar si luftë kundër të gjithë njerëzve dhe zyrtarëve, që kanë jetuar e vepruar në atë kohë.

Për mendjet e tyre të çoroditura, të gjithë ata zyrtarë, prokurorë, gjykatës, sekretarë partie, drejtorë kooperativash, kuadro të sigurimit të Shtetit, pjesëtarë të Armatës dhe të gjithë ata që kishin punuar në strukturat e Shtetit paskëshin qenë komunistë, enveristë dhe të tillë, nuk u dashka as të ekzistojnë, e lerë më drejtojnë shtetin apo partitë politike, pas rënies së sistemit komunist.

Sipas mendësisë së tyre fanatike e antinjerëzore u dashka që të dënohen, të ekskomunikohen, të përjashtohen nga puna, të izolohen të gjithë njerëzit të cilët kanë qenë pjesë e sistemit komunist. Të vetmit shqiptarë të mirë dhe antikomunistë, sipas tyre  paskan  qenë ballistë, zogistët, legalistët dhe të gjithë istët e tjerë pro fashistë, të cilët i kishte dënuar regjimi komunist si kolaboracionistë, ashtu sikur i kishte dënuar e ndëshkuar ato jo vetëm  Franca por të të gjitha shtetet e Koalicionit Antifashist Botëror.

Kjo mendësi e çoroditur, në radhë të parë tregon mungesë dije, mungesë të kuptimit dialektik të jetës në kohë e hapësirë, mungesë të kuptimit dialektik të zhvillimit të pandërprerë  të proceseve shoqërore, politike, ekonomike etj.

Të tillët krejt çka dinë dhe duan, buron pikërisht nga porosia e internacionales socialiste, për shkatërrimin e botës së vjetër mizore dhe ndërtimin e botës së re, të tyre, në vend të saj,  por kundruar në kuadrin e rendit të demokracisë liberale. Për ta është me rëndësi ta pranojnë vetëm terminologjinë, emrin e rendit tjetër, por jo përmbajtjen e saj, jo të drejtat e liritë e njeriut, të drejtat e shprehjes dhe përcaktimit të lirë politik.

Për mendjet e tyre të terratisura, komunistët apo ish komunistët e kohës së Enver Hoxhës dhe tërë nomenklatura u dashka të shfaroset, pavarësisht të drejtave dhe lirive, të cilat, sipas mendësisë së tyre, nuk u dashka ta vlejnë për ish-komunistët. Kjo është një mendje tipike e hakmarrjes, intolerancës, fanatizmit pa fre dhe dalldisjes së paqytetëruar.

Këta njerëz janë frustruar për qëllime politike, sepse të gjithë e dinë se kush i ka shkolluar, kush u ka dhënë punë, kush i ka bërë qytetarë të arsimuar dhe të edukuar, kush i ka mbrojtur dhe u ka hapur perspektivë për jetë.  Një pjesë e mirë e tyre që kanë qenë dhe spiunë të regjimit të kohës, andaj kanë frikë po u zbulohen të bërat, një pjesë tjetër, i ka bërë argat dreqit e të birit kundër Shqipërisë, duke bashkëpunuar me UDB-në jugosllave dhe me të gjitha shërbimet e vendeve fqinje të Shqipërisë, me qëllim të katandisjes, ndarjes dhe shkatërrimit të vendit.

Këta argatë të djallit e të birit, nuk mund të qetësohen përderisa në Shqipëri mban pushtetin politik dhe qeverisjen Partia Socialiste, meqë ka prejardhje të majtë, e cila buron nga Partia e Punës së Shqipërisë. Këta nuk duan ta dinë se në shumë shtete të Evropës në zgjedhje kanë fituar dhe  fitojnë socialistët, partitë e majta, madje edhe ato komuniste, sikur është Kina me afër një katërtën e  banorëve të tërë botës, Vietnami, Koreja, Kuba, ndërsa partitë e majta socialdemokrate janë forcë politike në mbarë botën e sotme.

Edhe demokratët në Amerikë, nga forcat ekstremit të djathtë etiketohen si forca të majta, antikapitaliste.

Dhe kur ndodh që një zyrtar, sikur është Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në emër të Departamentit Amerikan të Shtetit NDERON  individë të vendeve të ndryshme për luftën kundër korrupsionit, mes së cilëve edhe gjykatësin shqiptar, Ardian Dvorani, atëherë nxehen gjakrat.

Në rastin konkret me çmimin e  ri “Kampionët Ndërkombëtarë të Anti-Korrupsionit”, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken vlerëson individë që kanë punuar pa u lodhur, shpesh në kushte të vështira, për të mbrojtur transparencën, për ta luftuar korrupsionin dhe për të siguruar mbajtjen e përgjegjësisë në vendet e tyre”. Ky çmim iu dha mes tjerash edhe gjykatësit shqiptar, Adrian Dvorani, i cili ka qenë gjyqtar edhe në kohën e regjimit të Enver Hoxhës.

Motivacioni i DASH

Në motivacionin e Departamentit të Shtetit për nderimin e zotit Dvorani, thuhet se ai është “një mbështetës kryesor i reformimit të sistemit gjyqësor të Shqipërisë.” “Gjykatësi Dvorani zhvilloi mekanizma për të reduktuar ndikimin politik dhe kriminal në sistemin e drejtësisë, hapa që kontribuan në vendimin e BE-së në mars për të hapur negociatat për pranimin e Shqipërisë”, thotë Departamenti i Shtetit. Po ashtu në motivacion thuhet se zoti Dvorani ishte një nga anëtarët kryesorë të grupit të ekspertëve që zhvilluan vizionin dhe dispozitat ligjore për reformën në drejtësi të Shqipërisë, duke ndihmuar në luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e institucioneve gjyqësore të reja të Shqipërisë, pas ndryshimeve të mëdha kushtetuese në sektorin e drejtësisë në 2016. Përveç zotit Dvorani, Departamenti i Shtetit vlerësoi individë nga vende të ndryshme përfshirë nga Ekuadori, India, Iraku, Sierra Leone dhe Ukraina.

 

Gjykatësi, Ardian Dvorani, ka një eksperiencë të gjatë në sistemin e Drejtësisë. Ai për shumë vite ka qenë anëtar i Gjykatës së Lartë. Zoti Dvorani kaloi me sukses procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të nisur në kuadër të reformës në Drejtësi. Në vitin 2019 dhe deri gjysmën e parë të vitit 2020 ai drejtoi dhe Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, një institucion i cili u vu në qendër të polemikave vjeshtën e vitit 2019, lidhur me emërimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Presidenti Ilir Meta e akuzoi atë si përgjegjësin kryesor të përplasjes mes institucionit të Presidencës dhe Parlamentit për emërimet e disa anëtarëve të Gjykatës Kushtetueses. Aktualisht zoti Dvorani është gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit administrativ.  (Zëri i Amerikës).

Hidhërimi i Ilir Metës

 

Një hall të madh ka me këtë gjyqtar edhe  kryetari në detyrë që bën punën e opozitës në Shqipëri, Ilir Meta. Ai  e solli në vëmendje rastin e Dvoranit edhe kur SPAK arrestoi gjykatësen e Krujës, duke i kërkuar këtij organi që të vijojë punën me gjyqtarët të tjerë të korruptuar. Më herët  po ky Ilir Meta e kishte  dorëzuar një padi në SPAK kundër Ardian Dvoranit. (Gazeta Liberale)

Petro Koçi: Vlerësimi i Departamentit Amerikan të Shtetit për Ardian Dvoranin,  grusht i fortë për Ilir Metën e Sali Berishën

Zëvendës ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi e cilësoi vlerësimin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Ardian Dvoranin, si një grusht të fortë për presidentin Ilir Meta. Sipas zotit Koçi, presidenti Meta është kampion i korrupsionit dhe kapjes së shtetit. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës me shpalljen e Ardian Dvoranit kampion të luftës kundër korrupsionit, i ka dhënë një grusht të fortë turinjve kampionit të korrupsionit dhe kapjes se shtetit, presidentit Ilir Meta. Por edhe babait shpirtëror të tij, Sali Berisha. Me ketë akt lufta kundër korrupsionit dhe kundër kapjes së shtetit ka marre oksigjen të ri, shprese të re dhe natyrisht besim të ri. Qytetarët kanë marrë mesazhin e qartë politik se duhet të mos mbështesin kurrë simbolet publike të korrupsionit dhe krimit, si Presidenti Meta dhe ish-kryeministri Berisha”, deklaroi zëvendës- ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi për gazetën “SOT”.

Kontrolloni gjithashtu

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15.02.1961 - 20.04.2017)

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15. 02.1961 – 20. 04.2017)

Me 20 prill bëhen shtatë vite nga ikja e vëllait Remzi nga kjo botë. Gjithmonë …