leoni

RKL

RKL: Bashkimi Evropian e “rrethon” Kosovën me çekë e spanjollë

Lajmi i fundit, që bën të ditur se  BE-ja ka emëruar edhe një diplomat çek në Kosovë, këtë radhë çekun, Tomas Szunyg,  në krye të misionit të vet në Prishtinë, në vend të diplomates, Natalia Apostollova, është një “dush i ftohtë” për Qeverinë Hoti dhe një tregues më shumë se Brukseli  zyrtar nuk ka ndërruar qëndrimin e vet në përkrahje të Serbisë dhe në dëm të Kosovës. Përveç shefit, Borell, me origjinë nga Spanja, vend i cili në mënyrë kategorike e përjashton mundësinë e njohjes së Kosovës, tani kemi edhe dy diplomatë çek, shteti i të cilëve jo vetëm që nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, por që ka mbajtur dhe mban qëndrim të hapur pro Beogradit e kundër Kosovës.

BE-ja me emërimin e diplomatit të ri në krye të misionit të vet në Kosovë, po dëshmon qëndrimin e njohur qysh prej fillimit të bisedimeve të Kosovës me Serbinë, në Bruksel, në vitin 2013 ku pala e Kosovës gjatë bisedimeve në vazhdimësi i ka lëshuar pe Serbisë dhe ka nënshkruar një sërë marrëveshjesh, në mesin e tyre edhe të dëmshme për vendin.

Kundër emërimit në cilësi të emisarit të BE-së, Miroslav Lajçakut në bisedimet e ardhshme Kosovës Serbi, ka reaguar kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa ish kryeministri Kurti kishte bërë të ditur se do të pranonte të bashkëpunonte me të emëruarin e BE-së, Lajçak. Tani kur është emëruar edhe një zyrtar tjetër çek në krye  të misionit të BE-së në Kosovë, nuk ka dyshim se Brukseli zyrtar po përgatitet fuqishëm që marrëveshja e mundshme të Kosovës me Serbinë të realizohet sipas qëndrimit dhe projeksionit të BE-së, te e cila i ka varur shpresat Serbia, por jo Kosova.

Çka mund të bëjë i emëruari amerikan për Kosovë, Riçard Grenell, për të cilin ka rezerva tejet të shprehura jo vetëm Vetëvendosja por edhe një pjesë e madhe e shqiptarëve, pavarësisht se ai është amerikan dhe i preferuar i kryetarit Trump.

Pozicioni i fortë i Serbisë në BE me tre përkrahës  në tri vendet kyçe, nuk është fare i rastësishëm, por është i qëllimshëm dhe krejt i pafavorshëm për pozitën negocuiese të delegacionit të Kosovës në bisedimet që e presin.

Prej zonjës Ketrin Ashton, deri te shefja e parafundit në krye të BE-së, zonja Mogherini, BE-ja krejt hapur ka përkrahur pozicionin e Serbisë, në bisedime përballë një stafi teknik, nënshtrues të Kosovës në bisedime sikur ishte zonja Edita Tahiri me stafin e saj heterogjen dhe krejtësisht vasal. Por tani kemi një situatë tjetër. Qeveria Hoti ka pranuar vazhdimin pa kusht të bisedimeve me Serbinë, për më tepër ka hequr jo vetëm taksat 100 për qind por edhe reciprocitetin, të cilin e kishte vendosur, Qeveria Kurti.

Pozita e tillë negociuese me Serbinë  pa asnjë kusht paraprak, favorizimi i hapur që i bëhet Serbisë në bisedime, e cila ka vënë një kusht me vija të kuqe, se nuk do të ketë marrëveshje me Kosovën pa kompromis, të cilin duam apo nuk duam ne,  në një mënyrë e përkrahë jo vetëm Amerika por edhe vendet e tjera të botës, do të bëjë që rezultati i bisedimeve të vuloset në dëm të Kosovës.

Nëse Amerika, Rusia, Franca, Gjermania pajtohen me marrëveshjen që paraprakisht do ta arrinte Serbia e Kosova, e cila detyrimisht paraqet kushtëzim me kompromis, atëherë do të ndodh ajo së cilës iu kemi frikësuar gjithmonë, që Kosova nuk do të marrë tri komunat shqiptare nën Serbi, ndërsa Serbia për fillim do ta marrë asociacionin me kompetenca ekzekutive në veri dhe me të drejtë të referendumit, për shumicën serbe atje.

Kontrolloni gjithashtu

Besnik Fahredin Hoti: TË MOS HARROJMË KURRË!

(25 vite nga tragjedia dhe gjenocidi serb në Krushë të Madhe)    Në përkujtim dhe …