RKL: Deklarata e Erdoganit dhe kërcënimi i Beogradit

Vizita e kryeministrit të Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan në Kosovë me rastin e përurimit të Terminalit të Aeroportit të Prishtinës, “Adem Jashari”, si dhe fjalimi i tij i mbajtur në Prizren, ka ngjallur reagime, të qarqeve të ndryshme, madje edhe të qarqeve serbe, të cilat konsiderojnë se Kosova paska qenë  dhe do të mbetka vetëm serbe e kurrsesi turke. Reagimi serb është tejet naiv, meqë mbështetet në 80 vitet e pushtimit të Kosovës. Sipas një krahasimi të tillë Turqia ka një stazh gjashtë herë më të gjatë të pushtimit të Kosovës, sesa ka Serbia, madje ka stazhin 500-vjeçar edhe të sundimit të Serbisë. Dhe, nuk  është e çuditshme pse  Turqia e Serbia pretendojnë Kosovën, meqë ne ende nuk e kemi bërë Shqipërinë, ende jetojmë në katër Vilajetet e kohës së  Baba Dovletit dhe një dhjetëra “banovina” serbe të Pashiqit. Dhe për këtë nuk na ka fajin askush, pos kryeparëve e bajraktarëve  tanë.


 


Megjithatë ka dallime të mëdha mes deklaratave dhe qëndrimeve të Erdoganit dhe Serbisë sa i përket Kosovës. Erdogan mbase mund të mbështetet në të “drejtën” e sundimit dhe pushtimit 500-vjeçar, ndërsa Serbia në të drejtën e imagjinuar “hyjnore”, në 150 vitet e sundimit mesjetar të Nemanjidëve dhe në 80 vitet e shekullit 20. Të dyja palët mohojnë të drejtën e shqiptarëve për ekzistencë, gjithnjë shumicë, në trojet e veta historike.


 


Për liridashësit shqiptarë, për idealistët dhe ata që kanë dalë zot Atdheut, si Turqia ashtu edhe Serbia kanë qenë pushtuese të trojeve shqiptare, në të kaluarën,  por sot, as njëra as tjetra nuk sundojnë në Kosovë, sepse sot në Kosovë sundon Perandoria e Brukselit. Pretendimet dhe ëndrrat e tyre  për ta kthyer sundimin mund të zgjasin me shekuj, por realiteti tashmë ka ndryshuar shumë dhe nuk ka kthim prapa, sado që politika vasale dhe e nënshtruar e Tiranës dhe e Prishtinës, i josh orekset e ish pushtuesve sidomos të “komshive” serbë, të cilët lindin, rriten dhe vdesin me obsesionin e Kosovës. Po të mos shohin ëndrra syhapur, po të mos besonin se një ditë do ta kthejnë sundimin në Kosovë, ata kolektivisht do të bënin “harikiri”, por i mban shpresa, i mbanë ëndrra e Nënës Rusi, ashtu sikur dikur turqit i mbante shpresa për shpikjen e Topit të madh të  Baba Dovletit.


 


Deklaratat e kryeministrit të Turqisë, Erdogan, se ai ndjehet në Kosovë sikur në Turqi, janë kumtuar me ndjenjën e të fortit për të dobëtin e katandisur. Ato mbase janë thënë edhe me një ndjenjë sinqeriteti e vëllazërie kulturore e fetare, (por kurrsesi kombëtare)  dhe ato nuk nënkuptojnë pretendimin e Turqisë për ta kthyer Perandorinë Osmane në Kosovë, sepse ajo Perandori ka vdekur në vitin 1924 dhe vdekjen e saj e ka shënuar në histori,  arkitekti, bërësi dhe projektuesi i Turqisë moderne, Kemajl Ataturk.  Nuk ka më Perandori Osmane, as pretendime të Turqisë për ta pushtuar me armë Vjenën. Turqia si shtet i rilindur ekonomikisht, është në Vjenë dhe gjithandej nëpër Evropë, si forcë konkurruese jo vetëm në tregun e punës, por edhe në atë ekonomik e financiar. Nuk është më Turqia e Baba Dovletit, as e kohës së Baba Qemos. Ajo ka perënduar përgjithmonë, sikur pa perënduar dhe është futur në mjegullinën e dendur astmatike  të temjanit bizantin, “To Servia” e kohës së Bizantit, Jugosllavia e Titos dhe Serbia e Sllobodanit.


 


Interpretuesit e deklaratave të z. Erdogan gjejnë mjaft fjalë e konstatime për dhe kundër qëndrimeve të tij, por e vërteta është se Turqia mund ta mbrojë më mirë Kosovën dhe Shqipërinë sesa ta zëmë,  Serbia dhe Greqia së bashku. Në të ardhmen, kur trojet shqiptare do të bashkohen, dhe kur Shqipëria do të jetë shtet i fortë ekonomikisht e ushtarakisht sikur është sot, Serbia, Greqia, Bullgaria e shtetet e tjera të rajonit, atëherë nuk do të kemi nevojë për Turqinë por as për Amerikën. Tash për tash kemi nevojë për të dyja.


 


Deklaratat e Erdoganit të deklamuara  me një temperament të njeriut lindor, lidhur me vëllazërinë e bashkëjetesën,  nuk e rrezikojnë shtetin e Kosovës, as shqiptarët në Ballkan.  Janë deklaratat ogurzeza të Serbisë dhe përkrahja aspak parimore dhe  krejtësisht e hapur e Beogradit  nga Bashkimi Evropian, është presioni i vazhdueshëm i Brukselit ndaj autoriteteve të Kosovës që po e rrezikon vendin, por edhe po bëjnë përpjekje që me “mashat tona” të na  vrasin perspektivën e bashkimit të natyrshëm të shqiptarëve. Brukseli aktualisht  po na josh për bashkim me Serbinë, “brenda” në Evropë.  Nuk i vjen Kosovës rreziku nga Turqia e Erdoganit, por nga BE-ja, drejt së cilët jemi nisur verbërisht, me parulla e entuziazëm naiv, me parulla për  liberalizim të vizave, sepse po të  na i heqin vizat zhduket rreziku nga kryengritja sociale, sepse  shumë nga ne do të veprojnë sikur bëjnë  egërsirat, që mbahen në një kopsht zoologjik, që po t’i lirosh nga zinxhirët, ato përnjëherë i lënë çerdhet e tyre, mirëpo  sapo t’i marrë uria, kthehen sërish në “Zoologjikun’” e tyre. Kështu aktualisht po ndodhe me ata që po i marrin vizat dhe po i provojnë “ëmbëlsirat dhe parajsën” e Evropës. Kështu disi kanë vepruar ikanakët  shqiptarë, të cilët kanë ikur nga Kosova dhe aktualisht po jetojnë, në tenda, në “parrajsën evropiane”,  nën urën e Lionit,  në Francë.


 


Përderisa po flasim për “parajsën” shpëtimtare që quhet Evropë, nuk duhet harruar, se nëse kemi të bëjmë me të kaluarën e zezë të Turqisë, nuk mund ta anashkalojnë as të kaluarën edhe më të zezë inkuizicionale dhe fashiste të Evropës. Vetëm pesë vjet të fashizmit Evropian i kanë kushtuar Evropës e botës më shumë se 500 vjet të sundimit turk, nëse pësimet i masim me humbjen e njerëzve, me vrasjet, gjenocidin, etnocidin, shkatërrimet që kurrë nuk kanë arritur të llogariten. Krimet monstruoze që kanë kryer evropianët kundër qytetërimeve të tjera janë qindfish më të egra e më të zeza sesa ato të të gjithë pushtuesve të tjerë nga e tërë bota. Po numërojmë vetëm: kryqëzatat, inkuizicionin, terrin mesjetar, fushatat vrastare e pushtuese të Napoelonit, kolonizimi i Amerikës dhe shfaroja në tërësi e popujve autoktonë, kolonizimi i Azisë e Afrikës, Lufta e parë Botërore, Lufta e Dytë Botërore… Nëse merremi me të kaluarën e Turqisë, pse u dashka ta anashkalojmë të kaluarën e zezë të Evropës, e cila ka 100 vjet që e mbanë në pranga çështjen shqiptare, ka 100 vjet që nuk u lejon shqiptarëve atë perspektivë njerëzore, që u ka lejuar grekëve e serbëve e të tjerëve.


 


Shqiptarët mes Turqisë dhe BE-së, krejt natyrshëm duhet ta zgjedhin vetveten, sovranitetin dhe mbi të gjitha interesin e tyre kombëtar. Derisa kjo nuk po ndodh kjo, orekset e pushtuesve shekullorë doemos se po joshen dhe nuk do të ndalojnë, sepse pushtetarët e qeveritarët tanë e kanë hedhur në treg jo vetëm ekonominë e vendit, por edhe trojet shqiptare edhe gjigantet e dikurshme ekonomike edhe firmat profitabile, tokën e pëlleshme, bregdetin dhe krejt pasuritë e vendit, të cilat i kanë blerë dhe po i blejnë grekët, turqit, serbët. Janë matrapazët tanë,  ata që po përfitojnë dhe po pasurohen marramendshëm  mbi kurrizin e kërrusur e të deformuar të Shqipërisë, janë parazitët tanë të pangopshëm që në emër të demokratizimit, të ekonomisë së tregut, të politikave të integrimit  po pasurohen  mbi kurrizin e pronave tona të përbashkëta në Shqipëri, Iliridë dhe Kosovë, janë ata që po mundohen dhe po “derdhin” aq shumë energji e fjalë për të na futur në Evropë, në mënyrë që pastaj të jetojmë në “parajsën” e imagjinuar.


 


Qëndrimi i shqiptarëve integristë e liridashës karshi Evropës, Turqisë dhe Serbisë duhet të jetë i njëjtë. Sepse është pikërisht BE-ja ajo që nuk lejon bashkimin e shqiptarëve, por lejon krijimin e republikave serbe kudo ku ata janë shumicë. Është BE-ja ajo që ka shkelur mbi sovranitetin e Kosovës dhe duke shtypur politikanët tanë naivë, të papjekur e të shantazhuar ia ka mundësuar Serbisë të rikthehet në Kosovë. Serbia nuk do të mund të rikthehej në vendin tonë pa mbështetjen e BE-së dhe për këtë nuk ka faj Turqia, por as Serbia, e cila qëndrimin e vetë antishqiptar e deklamon krejt haptas, në Bruksel dhe kudo në botë dhe për një deklamim të tillë, ajo madje as nuk qortohet sa për kurtuazi politike.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …