Ahmet Qeriqi: Ikanakë gjatë luftës, matrapazë e profiterë pas luftës

Lufta e UÇK-së në Kosovë, (1998-1999) ka shumë veçanti, të cilat duhen parë e studiuar në raport me kohën e gjatë të popullit tonë nën robëri dhe me deformimet, që i ka lënë pas  robëria gjatë shekujve. Duke qenë luftë çlirimtare, ajo u masivizua shumë shpejt dhe mori karakterin e një luftë të përgjithshme, popullore, kundër forcave masakruese e barbaroide serbe. Në këtë luftë, rolin më të rëndësishëm e ka luajtur shpirti kryengritës shqiptar, aspirata shekullore për liri e bashkim kombëtar. Pjesëmarrja ka qenë e lirë, kyçja është bërë mbi baza të vullnetit të individit, pa dallim, edhe pse kjo në disa segmente i ka kushtuar luftës, meqë këtë zemër të hapur  të UÇK-së e kanë keqpërdorur disa elementë turbullues, madje edhe individë të infiltruar nga shërbime të ndryshme. Pavarësisht nga të metat e mangësitë, në kushte të pamundshme të një mobilizimi dhe konsolidimi të mirëfilltë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, arriti ta mbajë gjendjen nën kontroll falë angazhimit maksimal të idealistëve të lirisë, të veprimtarëve të dëshmuar të kombit, të pjesëmarrjes masive të të burgosurve  e të përndjekurve politikë dhe të të gjithë atyre që kishin përcaktim primar në jetë, çlirimin nga vargonjtë e gjatë të robërisë dhe jo partinë apo klanin, të cilit i kishin takuar para luftës. Por, ashtu sikur ndodh në çdo luftë, edhe në luftën e UÇK-së pati individë të zhdërvjelltë, të cilët zhdërvjelltësinë dhe aftësitë e tyre, fizike e mendore, nuk i vunë në shërbim të luftës, por në shërbim të grupeve e klaneve, në shërbim të interesave parciale, të cilat në shumë raste kanë lënë shije të hidhur, por edhe pasoja, që nuk u riparuan kurrë, madje as pas luftës. 


 


Duke qenë pjesëmarrës në radhët e organizuara ilegale shumë kohë para fillimit të luftës dhe pjesëmarrës në radhët e para të organizimit të saj kam vërejtur dhe kam regjistruar shumë deformitete, për të cilat jam rezervuar të flas krejt hapur, për hir të unitetit, për hir të çështjes madhore të kombit, për hir të gjakut të derdhur për liri. Njoh edhe shumë të tjerë që kanë heshtur si unë, për të njëjtat arsye.


 


Tani, kur kanë kaluar 14 pas çlirimit dhe një taraf i pjesëmarrësve të luftës së UÇK-së nuk po ngopet duke e promovuar “kapitalin” e vet, “kontributin e pashembullt në luftë e në paqe”, mendoj se është koha të hapet për debat publik tema:  “Kush, sa dhe si kontribuoi për luftën çlirimtare?


 


Konsideroj se ka çka të flitet për këtë temë me faktin se një klasë e tërë veprimtarësh dhe luftëtarësh të hershëm e të devotshëm, të tillë që kanë kryer sa e sa aksione kundër policisë serbe dhe kurrë nuk kanë rrahur gjoks, të tillë që edhe sot e kësaj dite janë lënë në margjina dhe nuk kujdeset kush për ta, për hir të tyre dhe gjakut të derdhur për liri,  disa segmente deformuese të organizimit dhe prapaskenave duhet të dalin në shesh, jo për ta denigruar askënd, por për ta vënë në kandar real aktivitetin e gjithsecilit, pavarësisht se dikush kapitalin e luftës e shndërroi në kapital përfitimi, e dikush i dha luftës krejt çka pati dhe sot jeton si mos më keq.


Në këtë vështrim fillestar, tash për tash  nuk do të përmenden emrat e profiterëve, ikanakëve, edhe pse po të lexohet me vëmendje ky shkrim, shumica syresh zbulohen fare lehtë.                                                 


 


                                                                         ***


 


Në kohën e luftës së UÇK-së në Kosovë disa kuadro të larta kanë vepruar gjatë tërë kohës në vend, disa të tjerë kanë vepruar në Shqipëri dhe në shtetet e ndryshme të Evropës, në detyra të caktuara, disa kanë qenë gjithnjë në lëvizje nga zona në zonë dhe nga zonat e Kosovës në Shqipëri, jo për të marrë armë e municion, sikur bënin shumica,  por për punë të tjera,  gjithnjë të “rëndësishme”, punë politike…


 


Në kohën e luftimeve, disa prej këtyre “ikanakëve” të zhdërvjellët vazhdimisht shiheshin në lëvizje. Kur luftohej për shembull, në Carralevë, ata ikjen e tyre të shpejtë nga fronti  e arsyetonin me faktin se këtu serbët po manovrojnë,  me qëllim që të na futen nga prapa,  në Llapushnik, andaj bënin tutje për të përforcuar Llapushnikun. Ndodhte që gjatë rrugës së tyre për në Llapushnik, të takoheshin me luftëtarët e Llapushnikut që vinin ndihmë, në Carralevë e në Zborc. Kur luftohej në Llapushnik, disa drejtoheshin për në Qafë të Duhles, duke arsyetuar se atje, nga prapa mund të sulmoheshim pas shpine, edhe pse në ato pika lufte kishte ushtarë dhe eprorë të dëshmuar, të cilat ato bedena lufte i mbrojtën me gjakun e tyre. Kur ndodhte që në njëjtën kohë, arma e zjarrit të armikut të përfshinte tërë zonën, në raste të ofensivave, të tillët, “kujdestarët e përhershëm të njohjes fenomenale të gjendjes”  ia mbathnin për në Shqipëri, me qëllim për të organizuar bartjen e municionit, meqë arsyetonin se po të zgjaste ofensiva do të na  mbaronte municioni, të cilin edhe ashtu nuk e kishim të mjaftueshëm, as edhe për një ditë të vetme.


 


Pavarësisht këtyre eprorëve endacakë, të cilët i shihje kudo, por kurrë në fronin e luftimeve, në istikamet e luftës qëndronin të patundur luftëtarët e vërtetë, çlirimtarët e dëshmuar, shumë prej tyre tani dëshmorë. Çuditërisht, në varrimet e dëshmorëve “endacakët”  arrinin pa pritur. Ata mbanin edhe fjalime dhe pastaj zhdukeshin, sepse punët e tyre të thella për luftën, bënin që ata kurdoherë të ishin në lëvizje, nga Kosova në Shqipëri dhe anasjelltas.


 


Të gjithë ne që kemi qëndruar në luftë pa u larguar kurrë nga vendi, na ka rënë të njihemi me sa e sa “drumtarë”, endacakë  të tillë, të armatosur mirë, me uniforma të reja, me xhepat plot marka e franga, me qëndrime prepotente, duke ia veshur vetes rëndësinë e pazëvendësueshme  në hierarki dhe duke na shikuar nga pozita  e eprorit…


Por, sapo shpërthente ndonjë granatë minahedhësi, apo predhë tanku armik, në çastin kur ata vërtetonin se nga ku kishte goditur predha, kthenin në drejtim të kundërt, jo sepse frikësoheshin fundja, sepse ishin të armatosur me armë të reja e me snajper, por sepse në çast kujtoheshin se i prisnin detyra më të rëndësishme, në prapavijë.


 


Disa prej tyre, shkonin e vinin në Shqipëri e në zona të luftës, disa të tjerë i shihnin shumë rrallë, meqë ata kishin punë të thella dhe disa kurrë nuk pranuan  të futen në Kosovë, derisa mbaroi lufta, jo mbase, sepse u frikësuan mos po i godet ndonjë plumb qorr, por sepse  kishin aq shumë punë në Tiranë, sa nuk mund të largoheshin, as edhe për një apo dy ditë. Ç’ është e vërteta, jo pak prej tyre nga Tirana shkonin e vinin pandërprerë  deri në Kukës, në Bajram Curr e në pikat e kufirit, kuptohet  gjithnjë me punë, por hyrja në frontet e luftës dhe në kufirin e vdekjes, ishte e rrezikshme për ta, sepse ata mendonin për veten e tyre se  po të vriteshin, do të vihej në pikëpyetje fati i luftës dhe  i Atdheut.(!)


 


Andaj, tutje kufirit mrizuan të gjithë ata që prisnin pa durim të mbaronte lufta dhe t’i qepeshin institucioneve. Atje mrizonin edhe “FARK”-istët, “mërgimtarët”  e ikanakët e Tahir Zemës, oficerët “me nam” të APJ-së, apo disa të Republikës së Shqipërisë, që luanin shah e domino në zonat e kufirit, në kohën kur këndej kufirit luftohej për jetë a vdekje.


Atje mrizonin edhe disa nga këta “tanët”, që i kërcënonin “institucionalistët” zemistë e farkistë  se nuk po futeshin në front, por po prisnin fundin e luftës, të bindur se pas intervenimit të NATO-s kundër Serbisë, Kosova doemos do të çlirohej.


 


Nuk kemi për qëllim të mohojmë kontributin e askujt, por esencialisht ndryshon kontributi i luftëtarit apo eprorit të kyçur në luftë, brenda zonave të luftimeve, në frontet e luftës në Kosovë me ata ushtarë dhe eprorë që luftonin në vijat e kufirit, por shpinën e kishin të sigurt, ashtu sikur edhe tërheqjen, në rast rreziku. Dihet kush kanë qenë ata që nuk u tërhoqën, dhe ata që ranë në kufi andej e këndej, ashtu sikur dihet kontributi i Divizionit të Kukësit  dhe i efektivave të kyçur në logjistikë dhe mbrojtje të kufirit. Opinioni tashmë di edhe namin e keq të atyre që pas luftës, të rruar e të krehur, me rroba ushtarake fjongo të reja, me xhipa e vetura të reja, të parët depërtuan kufirin, për të cilin nuk kishin shkrepur asnjë plumb, dhe sapo hynë në Kosovë iu vërsulen institucioneve, iu vërsulen pronave shoqërore dhe shtëpive e pronave  të “armiqve” serbë. Mospjesëmarrjen e tyre në luftë e arsyetuan me faktin se kreu i UÇK-së nuk i kishte lënë të hynin në luftë, i kishte kërcënuar dhe ata nuk kishin dashur të bënin luftë vëllavrasëse, kështu që kishin pritur fundin e luftës dhe tashmë po i dilnin zot Kosovës.


 


Ky lloj i këmbë-fortëve të luftës, i rrugëtarëve të rrugëve të gjata të atdheut, ky lloj i të vetë-vlerësuarve gjithnjë në lëvizje, që nuk më hiqet dot nga mendja, ky taraf special njerëzish me kohë ishte pozicionuar në kreun e luftës, në Shtab, në Operativë, në krye të shtabeve lokale të brigadave e batalioneve. Disa syresh, meqë nuk kishin punë tjetër,  po i ndanin postet e ministritë, madje duke iu premtuar poste edhe shokëve të tyre, që ditët e netët i kalonin nëpër hotelet e Prishtinës dhe në shtëpitë e tyre të ngrohta e të rehatuara. Disa syresh, mrizonin në ambientet e Shtabit në Kleçkë, e në Divjakë ndërsa nga telefonat satelitorë na  raportonin  se ata sapo kishin krijuar zonën NN dhe po luftonin në ballë të frontit kundër forcave ushtarake e policore serbe.


 


Disa prej tyre, së bashku me familjet, ia kishin mbathur për në Shqipëri, meqë konsideronin se ishin “kuadro” me influencë dhe  duhej doemos të kurseheshin, për ta qeverisur Kosovën pas luftës, sepse ky ishte dhe mbeti qëllimi i tyre kryesor. Disa, edhe pse nuk ishin parë kurrë në zonat e luftës, nga shokët e tyre në shtab ishin caktuar në poste me rëndësi,  disa kishin lënë familjet në Kosovë, dhe sapo kishin arritur në Tiranë kishin ndarë poste ministrash e zëvendësministrash, drejtorësh e zëvendës-drejtorësh, etj. Disa nga ata konsideronin  për veten e tyre se ishin të zgjedhur e të përzgjedhur, dhe nuk duhej lejuar kurrsesi që  të vriteshin, nga arma armike qoftë edhe fare rastësisht,  jo për tjetër, por sepse nuk kishte kush i zëvendësonte pas luftës, sepse po të vriteshin ata, vaj halli për Kosovën…


 


Të tillët që qëndruan në Shqipëri, të cilët, gjatë luftës  ia mbathën për ta shpëtuar prapanicën, për “meritat” e tyre, pas luftës u postuan dhe u vetë-postuan në vende të ndryshme udhëheqëse, nëpër institucione dhe sapo mbaroi lufta, u turren drejt Prishtinës. Nuk pati forcë që ta ndalojë marshimin e tyre ngadhënjimtar në Kosovë. Ata gjeten njëri tjetrin, u riorganizuan, u pasuruan qoftë nga paratë e fondit “Vendlindja thërret”, nga “Fondi i 3-përqindëshit”, qoftë nga “haraçi” apo trafiqet, qoftë nga pasuria që kishin trashëguar ku di nga ku e nga kush. Ata nuk e krijuan “lobin”për ta ndërtuar Kosovën, por “Lozhën e masonëve” për ta qeverisur atë, për ta zhvatur dhe për ta katandisur ashtu sikur e kanë katandisur.


 


Një kujtim nga ditët e para të çlirimit


 


Mbaj mend ditën, kur për herë të parë pas mbarimit të luftës, së bashku me Martin Çunin shkuam në ndërtesën e Qeverisë, në Prishtinë, mbase në fillim të korrikut të vitit 1999. Në hyrje na ndaluan, derisa zyrtarja e Zyrës së  ministrit te i cili shkonim, pranoi të na priste. Nëpër korridore shihja shumë fytyra të panjohura, të tillë që kurrë nuk i kisha parë dhe vetëm tek-tuk vëreja ndonjë fytyrë të njohur, që nuk më kujtohej dot ku e kisha parë.


-Mor po, kush janë këta njerëz, unë asnjërin nuk po e njoh,  i drejtohem Martin Çunit.


-Kanë ardhur  nga Tirana, nga Zvicra e Gjermania. Unë shumë prej tyre po i njoh, por këta po bëhen sikur nuk po më njohin. Nuk e paskam ditur se kanë qenë në luftë këta, më shpjegonte Martini.


-Mbase kanë qenë në Shqipëri, në detyra të caktuara, në vende me përgjegjësi, i them.


Më në fund arritëm para zyrës së ministrit, NN.


Një zyrtare, të cilin nuk e njihnim na lajmëroi se duhej të pritnim të paktën një gjysmë ore, meqë ministri ishte i zënë. Në korridor nuk kishte ulëse. Duhej të prisnim te dera, apo të shëtisnin nga kati në kat, me qëllim për ta parë të paktën ndonjërin nga shokët e luftës, për të cilët dinim se duhej të ishin atypari.


Kthehemi pas gjysmë ore sërish te zyra e ministrit. Zyrtarja, e lyer dhe e pispillosur na bën me dije se ministri ende është i zënë. Tanimë as ai nuk e dinte se sa do të zgjaste biseda e tij me zyrtarin e huaj… Mbase edhe ishte ashtu, mbase ministri donte të na tregonte se tani e tutje nuk mund të hysh te ministri kur të duash e kur të teket, por duhet të mësohesh me rregullin dhe funksionimin e institucioneve. Nuk është më koha e malit…


U larguan pa kryer punë, të nervozuar jo vetëm me ministrin që nuk na priti, por edhe me tërë atë klasë  ardhacakësh, të cilët nuk i njihnim, as na njihnin.


 


                                                            ***


 


Ne, që kishiM qëndruar gjatë tërë kohës në frontet e luftës, që kishim mbajtur gjallë informimin dhe kishim transmetuar program  nga bunkeri, që ishte  goditur   për ditë nga predhat e të gjitha llojeve të  armëve të armikut, dhe për ruajtjen e “Zërit të Lirisë” kishin rënë sa e sa dëshmorë e anëtarë të stafit, tashmë nuk u duheshim shokëve tanë të deridjeshëm. Disa prej tyre madje edhe na thoshin hapur, se tash pas luftës duhej të ktheheshin institucionet e LSPPJ-së, Radio-Prishtina, TVP-ja, “Rilindja” e të tjera, se me mbarimin e luftës, me demobilizimin e UÇK-së, duhej “të demobilizoheshim” edhe ne, sepse Kosova po demokratizohej dhe nuk kishte më nevojë për zëra të malit, as për emisione të përditshme për  dëshmorët, as për militantizëm kombëtar…(!)


Të tillët, ata eprorët endacakë të kohës së luftës, që gjithnjë kishin qenë në lëvizje dhe çuditërisht nuk kishin marrë asnjë gërvishtje, përveç gërvishtjes nga ndonjë therë kur kishin rënë në ndonjë hendek, gjatë shpërthimeve të papritura të granatave të armëve të armikut,  u vetë-postuan nëpër institucione, duke kapur majat, ata krijuan parti klanesh, krijuan grupe plaçke e interesi, krijuan banda të ndryshme dhe ne, na humbi kontakti me ta. Tashmë as përmes telefonit nuk dëgjohemi, meqë për ta ne jemi do “primitivca”,  që kurrë nuk u mësuam me modernizmin, me asociimin, stabilizimin, me integrimin, me botën e vërtetë të ardhmërisë së Kosovës, me dialogun qoftë edhe pionierin e Milosheviqit dhe nuk u pajtuan as kurrë do të pajtohemi  me lustrën e  manekinëve politikë. Ata, tani na quajnë zagarë, na shajnë paç me nënë e babë, dhe pa pikë turpi e nderi njerëzor thonë se këto  qenkan muhabete miqsh e shokësh.


 


Këta janë vetëm disa nga ata dhe shumica syresh që sot po ia zënë frymën Kosovës, po e ngufasin duke e kthyer prapa, duke e kthyer në rezolutën  tejkaluar të OKB-së, në 1244, (tashmë me fusnotë), rezolutë  që parasheh sovranitetin e Serbisë mbi vendin tonë, duke e bërë kurban Veriun dhe Kosovën Lindore. Të tillët, ditë e natë i vardisën BE-së edhe pse Brukseli zyrtar po i injoron haptas, edhe pse po i përgjon e po i diskrediton, po luan si macja me miun e zënë në vrimë, edhe pse po iu thotë se ju mund të futeni në Evropë vetëm me Serbinë, duke i mundësuar fillimisht asaj të futet e para.


 Të tillët i pranojnë të gjitha. Pranojnë që një kryesuesi të zyrës së Kosovës në Beograd, t’ i thonë ambasador, pranojnë të bisedohet për një status special për veriun, duke propaganduar se Kosova e ka shtrirë sovranitetin në tërë vendin, pranojnë që në kufi me Serbinë të mos afishohen simbolet e Kosovës, ashtu sikur afishohen në kufi me Shqipërinë, apo Malin e Zi, pranojnë shumëçka të papranueshme me qëllim për t’i  ruajtur pozitat, pronat, pasuritë dhe favoret që i sjellë pushteti, qoftë edhe gjysmak. Dhe për t’ i ruajtur me çdo kusht ato favore, ata e hanë turpin me lugë dhe nuk mund të ndahen nga njëri tjetri, edhe pse shahen e fyhen, sepse jo vetëm fitimin e kanë të përbashkët, por edhe të kaluarën e kanë të njëjtë, edhe të ligat i kanë të përbashkëta, edhe sharjet e fyerjet i kanë të njëjta.


 


Këta janë matrapazët, që me shumicë janë postuar nëpër institucione, janë ata të cilët i dhjetëfishuan e disa edhe i qindfishuan pasuritë e tyre, këta janë ata që edhe gjatë luftës jetuan si parazitë, duke u shtrirë gjerë e gjatë në shtëpitë e  familjeve  të ndershme, mirëpritëse e bujare. Këta janë ata që edhe 14 vjet pas luftës nuk u kujtuan asnjëherë, as edhe rastësisht të vizitojnë një shtëpi ku kanë ngrënë bukë e kanë fjetur paq e pastër,  jo një ditë e dy, por me muaj të tërë, jo vetëm, por shpeshherë edhe me familjet e tyre. Këta janë ata që na shajnë, na fyejnë e na përbuzin edhe pse gjatë luftës e kemi ndarë bashkë bukën tonë të përditshme të fituar me mund e djersë. Dhe ata e dinë fare mirë se nga ato familje nuk ka asnjë të zënë me punë nëpër institucione, edhe pse kanë kryer shkolla të larta e fakultete, edhe pse do të duhej të gëzonin të drejtat e tyre për punë, të paktën po aq sa i gëzojnë bijtë e milicëve dhe kolaboracionistëve të Milosheviqit, të cilët i kanë postuar  kudo në institucionet e  Kosovës.


Këta, të sotmit  nuk i ka merituar Kosova. Këta  janë bërë më zi se ata, të cilët i kritikonim dhe i përbuznim si pacifistë e bashkëpunëtorë. Këta kanë shfrytëzuar maturinë e sedrën tonë, bujarinë e ndërgjegjen e pastër, respektin për kombin e çlirimtarët. Kanë shfrytëzuar mungesën e reagimit tonë, i cili shumë herë është kursyer jo nga frika prej tyre, por për hir të ruajtjes së unitetit, për hir të gjakut të derdhur për liri, për hir të kombit e Atdheut.


Po tani kupa është mbushur.


Tani ajo do të zbrazet, sipas ligjeve të jetës dhe ekzistencës, sipas parimeve dialektike,  sipas parimeve universale, meqë e vërteta qëndron në ballë të universit dhe ajo një ditë zbulohet dhe del sheshit.


 


Kosova ka pjesën e vetë të ndërgjegjes së pastër.


Ka në mesin e vetë idealistët që u kanë përballuar të gjitha sfidave.


Ka në mesin e vetë forca të pastra dhe të gatshme për sakrificë, të cilët tani ndodhen para sfidës vendimtare, para dilemës së njohur hamletiane. Dhe, në dilema të tilla, edhe pse gjithnjë të vonuar ne kemi zgjedhur rrugën e vërtetë, atë rrugë e cila çon në zgjidhjen përfundimtare të çështjes shqiptare në Ballkan, jo si demagogji verbale, apo si karrem i pistë për t’i fituar zgjedhjet, por si realitet i natyrshëm i një procesi të mbetur pezull për një shekull të tërë. Këtë proces nuk e shpie përpara klasa e korruptuar politike në Prishtinë, Shkup e në Tiranë përmes  parullave demagogjike. Këtë proces do ta përmbyllin forcat e dëshmuara kombëtare, ata të cilët interes mbi të gjitha interesat kanë kombin dhe jo përfitimin mbi kurriz të tij. Ata, të cilët kurrë më nuk do të lejojnë që ikanakët, pehlivanët e matrapazët t’ ia veshin vetes meritat e luftës, të cilën nuk e kanë bërë, për të cilën nuk kanë dhënë asgjë, por pas luftës kanë zhvatur sa kanë mundur dhe ku kanë mundur.

Kontrolloni gjithashtu

Tri vjet me arrogancë, mujshari politike, keqqeverisje, korrupsion, shpërfillje e aleatëve, thellim të ndasive e përçarjeve…

Kanë kaluar tashmë tri vjet të qeverisjes së Kosovës nga koalicioni: Vetëvendosje ne krye me …