leoni

RKL: Dy liderë të papajtueshëm pajtohen për t’ i ndarë fitimet që sjellë bashkëqeverisja

Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa në krye të dy  partive  në dukje kundërshtare, kanë edhe diçka tjetër të përbashkët, kanë mungesën elementare të moralit politik, pështirjen e pastaj lëpirjen e njëri tjetrit, sharjen e diskreditimin e njëri tjetrit, e pastaj pajtimin rreth Buxhetit të bashkuar me një dëshirë e një qëllim, ta marrin atë në duar dhe ta ndajnë fer, pa asnjë hezitim. Ky është qëllimi i bashkimit, kjo është lufta për ekzistencë partiake, kjo është çështje mbi të gjitha çështjet dhe në këto probleme delikate, në të cilat ndodhet vendi, kush tjetër duhet të interesohet për fatin e qytetarëve, përveç atyre që kanë marrë më së shumti besimin e qytetarëve, të cilët kanë marrë pjesë në zgjedhje.


 


 


Vetëm disa muaj më parë, gjatë fushatës zgjedhore të 8 qershorit, kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi dhe ai i LDK-së Isa Mustafa, nuk lanë fjalë pa përdorur me qëllim për ta diskredituar njëri-tjetrin. Për më tepër, Isa Mustafa, ishte betuar e stërbetuar se kurrë dhe në asnjë rrethanë nuk do të ndante pushtetin me Hashim Thaçin. Po ashtu kundër Thaçit ishin deklaruar edhe AAK-ja, Vetëvendosja dhe Nisma për Kosovën. Këto katër parti, nuk i bashkonte programi i njëjtë, as prejardhja e njëjtë ideologjike, po  i bashkonte vetëm një qëllim, largimi i Thaçit nga Qeveria e Kosovës.


Për afër 6 muaj rresht, katër partitë e Bllokut anti-PDK, bënë përpjekje për ta marrë pushtetin duke u mbështetur në një koalicion pas-zgjedhor, i cili kishte pretendime ta merrte përsipër qeverisjen e vendit edhe për faktin se PDK-ja nuk kishte numra të duhur të deputetëve, për të ndërtuar bartësit e rinj të institucioneve.


Situata politike ishte futur në një rrugë pa krye, por krejt kjo në dukje i konvenonte grupimit të fortë të Hashim Thaçit në PDK, i cili për dallim nga qëndrimet e ngurta e mohuese të Bllokut, i ndodhur në pozitë stagnuese, me kohë kishte shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar me çdo parti politike. Kjo ofertë e tij u përkrah nga ambasadorët e huaj në Prishtinë, veçmas nga ambasadorja amerikane, Xhejkobson, e cila duke parë se liderët ishin barrikaduar secili në bastionin e vet feudal, në zemërim e sipër ua tha troç çka duhej të bënin, madje me fjalë krejt të pahijshme për një ambasadore.


Por fjala e zonjës Xhejkobson për shumicën dërrmuese të politikanëve tanë ka më shumë vlerë se fjala e Zotit. 


U tha, u bë.


Prej asaj dite filloi shtendosja e marrëdhënieve, e cila fillimisht çoi në prishjen e bllokut dhe pranimit të LDK-së që t’ i bashkohet PDK-së, në sikur thuhet ndërtimin e institucioneve të reja, demokratike, duke u mbështetur në rezultatin e zgjedhjeve të 8 qershorit.


Më në fund u arrit edhe marrëveshja, në të cilën më së shumti humbi PDK-ja dhe vetë Hashim Thaçi. Isa Mustafa u zgjodh kryeministër, ndërsa Hashim Thaçi zëvendës-kryeministër. LDK-ja mori ministritë më të rëndësishme, ato ku derdhet pa mëshirë paraja publike, ndërsa PDK-ja u pajtua me të parin e Kuvendit dhe me 7 apo tetë ministri  të tjera. 


Kjo formulë e qeverisjes, ka mundur të pranohet qysh në qershor të këtij viti, meqë nuk është hera e parë që për hir të pushtetit dhe përfitimeve që sjellë ai,  të bëhen bashkë dy partitë kryesore rivale, sa i përket retorikës politike, por krejt unike sa u përket qëndrimeve për zhvatjen e buxhetit të Kosovës. Në këtë segment ata afrohen edhe ideologjikisht. Të dyja palët deklarohen të djathtë, pavarësisht prejardhjes së tyre komuniste, jugosllave e shqiptare.


 


Krerët e këtyre dy partive, në dukje kundërshtare, kanë edhe diçka tjetër të përbashkët, kanë mungesën elementare të moralit politik, pështirjen  e pastaj lëpirjen e njëri tjetrit, sharjen e diskreditimin e njëri tjetrit, e pastaj pajtimin rreth Buxhetit të bashkuar me një dëshirë e një qëllim, ta marrin atë në duar dhe ta ndajnë fer, pa asnjë hezitim. Ky është qëllimi i bashkimit, kjo është lufta për ekzistencë, kjo është çështje mbi të gjitha çështjet dhe në këto probleme delikate, në të cilat ndodhet vendi, kush tjetër duhet të interesohet për fatin e qytetarëve, përveç atyre që kanë marrë më së shumti besimin e qytetarëve, të cilët kanë marrë pjesë në zgjedhje.


(Kishte ndodhur njëherë, jo fort moti, kur bajraktarët e Krasniqes e Kelmendit kishin shpallur luftë fisnore, dhe pjesëtarët e tyre për ditë vriteshin nëpër prita. Në mbrëmje, krerët të tubuar rreth oxhakut, me sofrën e shtuar me mish meze e raki, pyesnin njëri tjetrin,


-Sa qen, t u vranë sot?


-Mua tre, po ty? Përgjigjej dhe ia kthente  tjetri).


 


Tani në kohën tonë nuk kemi të bëjmë me luftë fizike mes dy partive rivale, por me një luftë, pasojat e së cilës i vuan ashtu si gjithmonë populli fukara, që ka filluar të degdiset nëpër botë, meqë nuk ka kah t’ ia mbajë. Këta të mëdhenjtë mbesin e gjithnjë në krye edhe kur kryeministri i ri ka hiq më pas se 72 dosje për krim ekonomik dhe nuk ka marrë besimin e qytetarëve të kryeqytetit për postin e kryetarit.


Tani në Kosovë po instalohet qeverisja e dy partive më të përfolura për korrupsion dhe inkriminim të parasë publike. Në këtë mënyrë, jo vetëm që nuk do të luftohet korrupsioni, abuzimet, plaçka e hajnia, por ato do të lulëzojnë dhe do të kenë një lloj “mburoje”  institucionale.


Koalicioni PDK-LDK nuk do të rrezikohet dot nga opozita e ndarë dhe e përçarë. Nuk ka fare gjasa për krijimin e një blloku të fuqishëm të opozitës, sidomos jo me AAK-në, e cila ka humbur gati krejtësisht kredibilitetin moral, duke qenë se vazhdimisht kishte shprehur gatishmëri për të lidhur  koalicion me çdo parti, me kusht që krye-qeveritar të jetë kreu i kësaj partie.


Vetëvendosja e Nisma për Kosovën, mund të krijojnë një bllok të mirëfilltë opozitar edhe për faktin se këto dy parti nuk e fshehin përkatësinë ideologjike dhe nuk maskohen para opinionit, ashtu sikur maskohen LDK-ja dhe PDK-ja. Mirëpo këto dy parti nuk kanë deputetë të mjaftueshëm për të krijuar një opozitë të vërtetë dhe të fuqishme. Vetëm nëse ndodhin përçarje në mesin e dy partive më të mëdha, ka mundësi që të forcohet blloku opozitar, Por edhe nëse vjen te përçarja, ajo nuk bëhet për shkak të parimeve por për pakënaqësinë e tyre  me ndarjen e posteve.


 


Nga do që të studiohet situata e përgjithshme në Kosovë e më gjerë, ndërrimi për mirë e mbarë i gjendjes në vendin tonë, tash për tash  nuk po shihet në horizont. Vetëm nëse ndodh ndonjë çudi, vetëm nëse lëviz diçka e madhe në kacafytjen e mujsharëve të botës, vetëm nëse shihet e kuptohet mirëfilli se perspektiva e vetme që shqiptarët të bëhen faktor është bashkimi tyre pa kusht, në një shtet të vetëm,  në një rast të tillë, mund të vijë te ndërrimi dhe deri te kthesa përfundimtare në historinë tonë tejet të rëndë dhe deri tani pa një perspektivë meritore. Klasa e sotme politike në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni nuk është treguar në nivelin e detyrës sa i përket aspiratës së natyrshme të shqiptarëve për formimin e një shteti unik shqiptar në Ballkan.

Kontrolloni gjithashtu

Ramush Ahmetaj ka akuzuar kryeministrin, Albin Kurti, për ndërhyrje direkte në procesin zgjedhor në Maqedoninë e Veriut

Kandidati për deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Ahmetaj ka akuzuar kryeministrin Albin …