RKL

RKL: E drejta e votës dhe përdorimi i saj për sikur thuhet, “kthim të dinjitetit”

…Kur është fjala te dinjiteti, ata gabojnë  rëndë, me apo pa qëllim, sepse kurrë nuk ka ndodhur që një popull gjatë kohës së robërisë të ketë jetuar me dinjitet, meqë robëria në radhë të parë i shkel dinjitetin, nderin dhe ia kufizon liritë pjesëtarëve të kombit të robëruar.  Ata që flasin për dinjitetin e kohës së kaluar në robëri, thjesht e devalvojnë kuptimin  e emrit, dinjitet  dhe mbiemrit, i dinjitetshëm. Kur thuhet se Mitrovicës, Ferizajt apo Pejës  do t ia kthejmë dinjitetin, duhet menduar mirë e mirë se për cilën kohë dhe për cilin dinjitet është fjala. Nuk mund të barazohet koha e lirisë me atë të robërisë, pushtimit e shfrytëzimit kolonialist?. A mund të thuhet se shqiptarët kanë jetuar me dinjitet gjatë 90 viteve të pushtimit serb?  A kanë jetuar  shqiptarët me dinjitet në kohën e Perandorisë Osmane, në kohën e Bizantit e tutje!?…

Tani kur po afrohet 11 qershori, dita e votimeve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, kryetarët e partive politike, koalicionet, kandidatët për deputetë, si zakonisht janë vënë në garë për të marrë sa më shumë vota, sepse vota e qytetarëve të këtij vendi (me shekuj të nëpërkëmbur si nga i huaji, jo pak edhe nga i veti)  përcakton fatin e tyre të mëtejmë, gradimin, favorin, luksin dhe ngritjen në poste prej deputetit deri te ministri, kryeministri, zëvendës kryeministri apo zëvendës-ministri, drejtori apo zyrtari i lartë, këshilltari, VIP-i, roja personale…. Të gjithë të zgjedhurit e të përzgjedhurit janë në garën e përgjithshme, janë me popullin i cili iu duartroket, iu brohorit, i mbështet, i do fort, ndërsa ata betohen e përbehen  se e duan me gjithë zemër.

Populli, është ky që është, ashtu si çdo popull. Nisur prej pozitës së vet, ai ndien obligim t’i mbështesë ata që i do, atyre të cilëve  iu beson, atyre kandidatëve  te të cilët i var shpresat.  Po populli, shumica, turma, ne të cilëve na kërkohet vota, nuk jemi as më të mirë as më të këqij sesa ata, të cilëve ua japim votat, besimin. Edhe këta që i votojmë janë bij tanë, janë vëllezër e motra tona, janë këta që janë. Edhe ata që nuk marrin pjesë në votime janë pjesë e këtij populli, janë pjesa më e zhgënjyer, e cila në parim nuk i beson asnjërit, as i ka besuar, as merret fare me këtë proces.

Në mesin e kësaj turme ka njerëz që nuk ia kanë nevojën partisë, as individit të caktuar dhe janë indiferentë. Ata  duket se janë  pajtuar përgjithmonë me status-quonë historike dhe nuk e bëjnë “qejfin qeder”. Thjesht  nuk u besojnë pushtetarëve dhe duan të jetojnë si duan vetë. Dhe kjo është e drejta e tyre e pakontestueshme tani, por dikur nuk ishte e tillë.

Qysh prej mbarimit ë luftës e deri te këto zgjedhjet e 11 qershorit 2017, gjysma e popullatës me të drejtë vote nuk merr pjesë në to. Viteve të fundit, më shumë se gjysma nuk ka marrë pjesë në zgjedhje. Dikur ishte një prag ligjor, i cili për t’u trajtuar zgjedhjet e ligjshme, kërkonte  së paku 51 për qind të votuesve të votonin, në mënyrë që procesi i zgjedhjeve të shpallej i ligjshëm. Me kohë, duke rënë interesimi i qytetarëve për të marrë pjesë në votime, u hoq edhe ai “prag” dhe tani mund të dalin vetëm  30 për qind e popullatës dhe zgjedhjet të trajtohen të ligjshme.

Kjo mungesë e pjesëmarrjes së shumicës në zgjedhje, jep për të kuptuar se shumica nuk i beson askujt, në radhë të parë sepse jepen premtime paushale, krejtësisht të parealizueshme nga liderët, dhe krejt pak premtime realizohen. Pastaj ata janë të irrituar me luftën për pushtet që bëjnë partitë, me luftën e tyre të pa ndershme kundër njëri tjetrit dhe veçmas me mënyrën  sesi i fitojnë votat, si i manipulojë ato, si i blejnë dhe si i deformojnë, jo për interesa të Kosovës, por vetëm e vetëm për interesat e tyre.

Nuk mund të paragjykohet se të gjithë këta që garojnë janë të tillë. Ka në mesin e tyre edhe liderë që e mbajnë fjalën, ka prej tyre edhe të pa korruptuar apo më pak të korruptuar, ka edhe veprimtarë të njohur e të dëshmuar të çështjes kombëtare, ka në këtë mes edhe pak ish të burgosur politikë, ka invalidë e veteranë të UÇK-së, por ka edhe ish-komunistë e titistë jugosllavë, ka të tillë që pretendojnë ta kthejnë kohën, kur sikur thonë ata, paskan jetuar me “dinjitet”.

Kur është fjala te dinjiteti, besoj se gabojnë  rëndë, me apo pa qëllim, sepse kurrë nuk ka ndodhur që një popull gjatë kohës së robërisë të ketë jetuar me dinjitet, meqë robëria në radhë të parë i shkel dinjitetin, nderin dhe ia kufizon liritë pjesëtarëve të kombit të robëruar.

Ata që flasin për dinjitetin e kohës së kaluar në robëri, thjesht e devalvojnë kuptimin  e emrit, dinjitet  dhe mbiemrit, i dinjitetshëm. Kur thuhet se Mitrovicës, Ferizajt apo Pejës  do t ia kthejmë dinjitetin, duhet menduar mirë e mirë se për cilën kohë dhe për cilin dinjitet është fjala.

Nuk mund të barazohet koha e lirisë me atë të robërisë, pushtimit e shfrytëzimit kolonialist?.

A mund të thuhet se shqiptarët kanë jetuar me dinjitet gjatë 90 viteve të pushtimit serb?

A kanë jetuar  shqiptarët me dinjitet në kohën e Perandorisë Osmane, në kohën e Bizantit e tutje?

Realisht, shqiptarët në Shqipëri, Kosovë dhe kudo në trojet shqiptare pas tri luftërave çlirimtare kanë fituar pak dinjitet, kanë më shumë liri sesa kanë pasur dikur. Frymojnë më lirshëm. Kanë të drejtë ta vizitojnë njëri tjetrin pa rrezik se i ndalojnë në kufi, se i dënojnë për kalim ilegal të kufirit brenda trojeve shqiptare.

Lëvizja e lirë, dinjiteti, krijimi i kushteve për bashkëpunim dhe bashkëveprim u bënë realitet vetëm pas çlirimit të Kosovës dhe thyerjes me armë e me gjak të kufirit të hekurt që qysh në vitin 1918  të ishte vendosur  mes për mes tokave e trojeve tona.  Ai kufi përditë po bëhen më pak i dukshëm, vetëm falë gjakut të derdhur për liri, falë dëshmorëve, atyre që i lanë gjymtyrët nëpër trojet shqiptare, falë atyre që udhëhoqën luftën e drejtë çlirimtare, pavarësisht kush si flet sot për ata.

Është fatkeqësi e madhe dhe është fyerje për moralin e kombit të thuhet se krahu i luftës është fajtor për të gjitha dështimet, që ka pasur Kosova qysh prej çlirimit, kur dihet fare mirë se ishin pikërisht këta, që ia dhanë munxët Serbisë, ishin këta që i sollën lirinë e pavarësinë Kosovës, ishin këta që u ndoqën nga regjimi i Milosheviqit, që ndiqen edhe sot nga regjimi i Vuçiqit, madje edhe nga disa shtete të Evropës dhe që do të  ndiqen nga një Gjykatë raciste, fashiste, sioniste, në esencë antishqiptare.

Kjo nuk do thotë se të gjithë shqiptarë duhet doemos të votojnë për krahun e luftës. Le të votojë secili për atë të cilit i beson, nga i cili ka interes, nga i cili përfiton. Janë zgjedhje të lira dhe secili ka të drejtë të përcaktohet. Por të përpiqesh të bësh politikë dhe të fitosh elektorat duke fyer  luftën e UÇK-së, komandantët e saj, veteranët e invalidët është veprim antikombëtar dhe si i tillë i vulosur paraprakisht me dështim. Kështu u kanë dështuar “orët” titistëve, por ja që nuk po mbushen mend.

Sa para kanë derdhur qarqe të caktuara kundër luftës e kundër Kosovës për debate në disa TV e medie të shkruara, ku përnatë fyhen ata që quhen komandantë, dhe që i etiketojnë  në mënyrën më të papërgjegjshme   dhe më të pandershme.  Dhe çka do të fitojnë ata përveç parave të pista turpit, të cilin e hanë me lugë dhe nostalgjinë e pashërueshme për “kohën kur Kosova paska jetuar me dinjitet”.

6. 6. 2017

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Periudha e rezistencës së vitit 1981 kërkon qasje, qëndrim dhe emërtim të saktë historik e shkencor

Ahmet Qeriqi: Marsi, Prilli e Maji i vitit 1981 vendosen themelet e Republikës së Kosovës

Demonstratat gjithëpopullore të Marsit dhe Prillit të viti 1981, shënuan kthesën vendimtare të ndarjes definitive …