RKL: E veçanta e zgjedhjeve vendore të 3 nëntorit dhe fitorja e dhjetë kandidatëve pa balotazh

Zgjedhjet e fundit vendore në vendin tonë na japin një pasqyrë paksa më reale të konfigurimit dhe shtrirjes e rrudhjes së partive të caktuara politike. Përderisa në zgjedhjet e organizuara dhe të mbajtura katër vjet më parë ka pasur shumë parregullsi, madje edhe vjedhje të votave, kësaj radhe, falë organizimit më të mirë të të gjithë atyre që kanë qenë të autorizuar e të përfshirë gjatë parapërgatitjes, si dhe qasjen më serioze gjatë procesit të zgjedhjeve,  nuk janë shënuar raste të deformimit të votës, të atyre qytetarëve. që janë përcaktuar të marrin pjesë, për të zgjedhur kryetarët dhe asamblistët e komunave.

Zgjedhjet vendore të 3 nëntorit edhe pse nuk kanë sjellë ndryshime të mëdha në lëvizjen e elektoratit, ato në një nivel të perceptimit janë orientuar në drejtim të kandidatëve, sa do që  një pjesë e madhe e tyre  kanë votuar për kandidatët e paracaktuar nga partia. Fitorja e mundshme e kandidates së AKR-së, Mimoza Kusari-Lila, në Gjakovë, nuk është votë e AKR-së, por votë qytetare për një kandidate, e cila ka treguar me punë dhe vepër se di të qeveris, e njeh natyrën e punës dhe i mban premtimet. Po kështu ka ndodhur me fitoren për herë të dytë të kandidatit për kryetar të komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, i cili mori përkrahjen e shumicës së qytetarëve, pikërisht sepse ka krijuar një paraqitje dhe prezantim  krejtësisht realist, të zhveshur nga pompoziteti e tifozëria karakteristike e shumë kandidatëve të partive politike. Fitorja, qoftë edhe e vetëm një kandidatit të pavarur në Kosovë tregon se një pjesë e qytetarëve ka filluar t’i perceptojë zhvillimet politike, jashtë ndikimeve partiake. Ata kanë rikandiduar kryetarin, i cili me punën dhe angazhimin e tij ka dhënë shembull të një qeverisje të thjeshtë, të pa korruptuar, profesionale dhe vizionare.  Edhe fitorja e shumicës së votave nga kandidati i Iniciativës Qytetare të Malishevës, Ragip Bega, është tregues i perceptimit realist, pse jo edhe hakmarrës të elektoratit. Votuesit e thjeshtë të PDK-së, që u përçmuan me fjalë të pahijshme nga kryetari i Partisë, e ndëshkuan me votë atë dhe kryetarin mjaft të suksesshëm të  degës së PDK-së, Isni Kilaj. Ky ndëshkim nuk ndodhi vetëm në Malishevë, ai u shpreh edhe në disa komuna të tjera.

Fitorja spektakolare, me 88 për qind të votave, e kryetarit të Skënderajt, Sami Lushtaku, po ashtu tregon se vota e qytetarit shpërblen qeverisjen e mirë dhe meritore. Edhe me këtë rast, kjo votë nuk është vetëm vota e anëtarëve të  PDK-së, sepse një përqindje të tillë kjo parti nuk e ka në asnjë vend të Kosovës. Nuk besoj se kemi votues naivë, që i kanë dhënë votën Sami Lushtakut, vetëm sepse ndodhet në burg, i paragjykuar dhe i akuzuar padrejtësisht  nga EULEX-i, për gjoja krime lufte.  Po ashtu, kësaj radhe nuk pati vjedhje sikur thuhej, “industriale”, të votave në Drenicë. Sami Lushtaku fitoi edhe moralisht, sepse të gjithë ata që e kanë votuar besojnë fuqishëm se angazhimi i tij në luftë dhe pas luftës ka qenë në të mirë të qytetarit të Drenicës. Kjo fitore tregon edhe njëherë se lufta e disa medieve me prejardhje ideologjike pro-jugosllave, nuk arriti ta bind popullatën e Drenicës se Sami Lushtaku është kriminel lufte, apo kryetar i korruptuar. Para se t’ i besojmë Je-ta Bi-rnit, Kohës Ditore, Botës sot e ndonjë mediumi tjetër të yshtur e të paguar shtrenjtë për propagandë, kundër Sami Lushtakut e kundër Drenicës, logjika, njerëzia, realizmi i natyrshëm na thotë se duhet t’i besojmë verdiktit të dhjetëra mijëra qytetarëve,  që ia kanë falur besimin këtij kryetari edhe kësaj radhe.

Fitorja e Nexhat Demakut në Drenas, nuk është e njëjtë me fitoren e Sami Lushtakut, në Skënderaj.  Edhe pse ai ka fituar shumicën në zgjedhjet e 3 nëntorit nuk e ka më besimin e një pjese vitale të PDK-së, e cila është përçarë nga kreu i kësaj partie. Besimi, që i ka dhënë elektorati i Drenicës qendrore këtij kandidati, gjithsesi ka të bëjë me një qeverisje të mirë, e cila nuk është luhatur aq thellë nga përçarjet  e dy krerëve të lartë të kësaj partie. Kjo përçarje e kreut i ka kushtuar PDK-së edhe në Lypjan, në Gjilan, në Viti dhe në disa komuna të tjera.

Radhitja në vendin e dytë për kryetar të komunës së Prishtinës e kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, z. Shpend Ahmeti po ashtu tregon se vetëdija qytetare po përparon drejt perceptimit realist, drejt votimit të pandikuar të atyre qytetarëve, që nuk po u besojnë vetëm premtimeve astronomike të kandidatëve gjatë fushatave zgjedhore. Shpend Ahmeti gjatë fushatës ka rrezatuar realizëm, seriozitet, njohje të problematikës ekonomike e shoqërore në vend dhe në kryeqytet dhe nuk është shërbyer me bombastikën e retorikën mujshare  Isa Mustafës, Hashim Thaçit e ndonjë tjetri. Nuk është fare me rëndësi se cilët janë qytetarët që e kanë votuar Shpend Ahmetin, janë nga Lëvizja Vetëvendosje apo nga partitë e tjera, apo nga qytetarët pa parti. Me rëndësi është fakti se ky kandidat ka sjellë një paraqitje realiste në drejtim të krijimit të bindjes së qytetarit për ta votuar atë.

Fitorja e sërishme e kryetarit të Shtimes, Naim Ismajli po ashtu është tregues i qeverisjes së mirë, i shërbimit të mirë që iu bëhet qytetarëve, të paktën shumicës së qytetarëve, pavarësisht zërave të çjerrë, madje edhe gagaritës  të kundër kandidatëve, të cilët vizionin e tyre për qeverisje e bazojnë duke kritikuar të metat e duke evidentuar lëshimet, por nuk kanë ide as vizion për të ofruar alternativë realiste, edhe pse të gjithë janë shërbyer me fjalën, alternativë si koncept, si formë, por jo si brendi, jo si ofertë realiste, e besueshme dhe e kapshme për qytetarët.

E ngjashme është edhe fitorja, në radhën e parë të zgjedhjeve të  3 nëntorit, e kryetarit aktual të Kaçanikut, Besim Ilazi, i biri i heroit të Kombit, Qamil Ilazi. Besimi, që ka fituar ky kandidat nga elektorati i Kaçanikut, po ashtu bastion i PDK-së,  nuk ka të bëjë vetëm me meritat e tij dhe të familjes gjatë luftës, sa do që kjo pa dyshim se është një komponentë gjithsesi me ndikim. Besim Ilazi ka fituar votat e elektoratit edhe në saj të punës dhe angazhimit të tij si kryetar i suksesshëm, por pa ndonjë konkurrencë reale nga LDK-ja apo AAK-ja.

Edhe fitorja e kandidatit të LDK-së në Fushë Kosovë, Burim Berisha doemos se tregon disponimin e qytetarëve për qeverisje të mirë. Ky kryetar në paraqitjet e tij gjatë fushatës është karakterizuar për korrektësi dhe premtime deri diku të bazuara.  Fitorja, në Besianë e Agim Veliut   është fitore tipike politike, meqë Veliu mbanë një qëndrim shumë militant partiak në bastionin e LDK-së, në Llap,  ku kjo parti ka trashëguar  një krah të fortë të politikës pacifiste dhe ku e ka udhëhequr komunën qysh prej mbarimit të luftës. Po të mos kishte udhëhequr si duhet dhe po të mos kishte realizuar shumicën e premtimeve, z. Veliu me siguri se nuk do ta kishte marrë përkrahjen e shumicës së votuesve, edhe pse PDK-ja kësaj radhe ka qenë një konkurrent me një kandidat kredibil dhe mjaft meritor.

LDK-ja ka fituar edhe në një bastion tjetër, në Burim, ish-Istog, ku edhe ka lindur dhe është zgjeruar politike paqësore e kryetarit të parë të LDK-së, Ibrahim Rugova. Fitorja e Haki Rugovës, përveç se është fitore e meritokracisë dhe nostalgjisë partiake, doemos se ka të bëjë edhe me qeverisjen e mirë, të paktën me nivelin e qeverisjes, sikur është shprehur edhe në komunat e tjera.

Fitorja për herë të dytë me një rezultat tejet lakmues e kryetarit Rasim Selmanaj, në Deçan, po ashtu është fitore e bastionit qendror të AAK-së, ashtu sikur e Sami Lushtakut në Drenicë dhe Agim Veliut në Llap. Puna dhe angazhimi që ka treguar për qytetarët e kësaj komune, kryetari, Selmanaj doemos se ka ushtruar ndikim pozitiv te qytetarët, të cilët sërish ia kanë falur besimin.

Në Mamushë në radhën e parë, po thuajse, pa konkurrencë ka fituar kandidati i Partisë Popullore Turke të Kosovës, z Arif Bytyç.

Dhjetë kryetarët e komunave të Kosovës, të cilët kanë fituar pa balotazh (pa i përfshirë kandidatët për  kryetarë të komunave nga minoriteti serb, meqë ende nuk kemi një pasqyrë të besueshme dhe zyrtare lidhur me fitoret e tyre), doemos se janë përzgjedhje realiste e elektoratit. Të gjithë të tjerët do të fitojnë nga kombinatorika e pazareve politike dhe asnjëri prej tyre nuk mund ta ketë kredibilitetin e këtyre që janë zgjedhur në radhën e parë të kandidimit.

Nga kjo analizë e rezultateve, që janë evidentuar në radhën e parë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, mund të konstatojmë se votuesit në vendin tonë megjithatë kanë filluar të mësohen të votojnë për kandidatin e tyre dhe nuk kanë votuar  vetëm për preferencat e krerëve të partive politike, të cilave u takojnë. Ky zhvillim është shpresëdhënës, po ashtu është edhe tregues i vazhdimit të demokratizimit të shoqërisë në këtë segment.

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …