Brickos

RKL: Gjaku Juaj rinor, u bëftë dritë e lirisë dhe bashkimit të Shqipërisë

Luftimet në Kumanovë, më 9 e 10 maj të vitit  2015, mes një formacioni të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe forcës qindfish më të madhe të policisë së ish-RJ të Maqedonisë, doemos se na i kthejnë në memorie  legjendat biblike: luftën e Davidit kundër Goliatit, dyluftimin e Gjergj Elez Alisë kundër Balozit të Zi, qëndresën e Oso Kukës në Vraninë, Qëndresën titanike të  Legjendarit, Adem Jashari, në Prekaz…


 


Kështu është përsëritur e ripërsëritur sa e sa herë e kaluara heroike shqiptare, sepse vetëm kështu, vetëm me sakrifica të tilla, me luftëra gjithnjë të pabarabarta kemi mbijetuar e do të mbijetojmë në këtë Evropën tonë që pretendon të jetë shumë e qytetëruar, shumë e drejtë e shumë demokratike.


Kësaj radhe po e kursejmë Fishtën e Madh, për ta treguar fytyrën e vërtetë të Evropës shtrigë e njerkë, sepse jo për të gjitha mjerimet e katrahurat tona na ka faj Evropa.


Nuk ishte Evropa ajo që i shpalli terroristë bijtë e vëllezërit  tanë që luftuan në Kumanovë.


As kreu i NATO-s nuk i shpalli banditë, madje asnjë shtet në Evropë nuk u ngut për të dhënë vlerësime të tilla, përveç politikës zyrtare të Shkupit, Beogradit, Kremlinit e Athinës.


Kësaj valleje të turpit e degjenerimit njerëzor iu bashkuan disa mistrecë të politikës dhe batot e bastardët, vllastiqët, lubët, drizët, kursanët, sorrët matoshët e mbetjeve të UDB-së në Kosovë. Kori i këtyre mjeranëve ka qenë dhe po mbetet në linjën e përhershme të etiketimeve, manipulimeve, shantazheve, përhapjes së dubiozave, duke i etiketuar luftëtarët me tiketat e markës “Made in Jugosllavia”, gjithnjë si shqiptarë: “terroristë, separatistë, irredentistë” etj. Disa medie e portale shkuan aq larg sa 40 trimat në Kumanovë, që i bënë ballë hordhive  të një shteti, i shpallen edhe banditë, zhvatës, njerëz me dosje,  të manipuluar nga Serbia, madje edhe nga vetë Gruevski, të tillë që paskan dashur të sulmojnë burgjet e Kosovës, sikur krrokasin spiunët e Kohës Ditore, mu në ditën e varrimit të dëshmorëve.


Më të zëshmit ishin dhe po mbesin   si gjithnjë shpikësit e teorive të konspiracionit, gërmuesit e nevojtoreve të UDB-së, të KGB-së, bijtë e bijat e spiunëve dhe ambasadorëve, inspektorëve, milicëve e hafijeve  të ish-Jugosllavisë.


Të gjithë këta shpirt e mendje shitur nuk lanë gur pa rrokullisur, në përpjekje për ta deformuar realitetin dhe për ta satanizuar çdo përpjekje të shqiptarëve për liri e bashkim kombëtar.


 


Ditë më parë me nderimet më të sinqerta e më të përkushtuara kombëtare u varros luftëtari emblematik, ademjasharian, Beg Rizaj, madje mu në Kompleksin e Dëshmorëve të Kombit, në Gllogjan të Deçanit, atje ku prehen në përjetësi eshtrat e bashkëluftëtarëve të tij. U varros atje, sepse ai me kohë ishte betuar se vdekja nuk do ta zinte në gjumë, as në lëngim prej ndonjë sëmundje, por vetëm në front, atje ku kishin rënë bashkëluftëtarët e tij, atje ku kishte mbetur peng amaneti për bërjen e Shqipërisë.


 


Sot në Varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë, para mijëra liridashësve nga Kosova e mbarë trojet tona, me respekt e nderime po  varrosen trupat e dëshmorëve të tjerë,  të rënë më 9 maj në Kumanovë. Varrimi i trupave të tyre në Prishtinë në mesin e dëshmorëve të kombit, tregon se ata kanë rënë për një ideal, po për atë ideal që shumica e tyre kishin luftuar në tri luftërat tona çlirimtare.


 


 


E tillë ka qenë dhe po mbetet historia e qëndresës shumë shekullore, shqiptare.


E tillë ka qenë dhe po mbetet Shqiptaria e Shekujve, historia e shqiptarit dhe e pushkës së tij të gjatë, me barotin kurdoherë të thatë, për t’ i mbrojtur gjymtyrët e sakatosura të Shqipërisë.


Pavarësisht se qentë kanë lehur e do të lehin kurdoherë, karvani i bërjes së Shqipërisë po bën tutje, nga brezi në brez, duke u lidhur në vallen shekullore të përjetësisë, në vallen hirplote e të lavdishme të lirisë, në hallkat zinxhir të historisë, në altarin e Atdheut, dje me Begun, sot me Mirsadin, Xhaferin, Valonin, Turgajn, Arbenin, Samitin, Hysenin, Fatlumin, Nusretin, nesër e pasnesër me qindra e mbase edhe mijëra të tjerë, sepse ligjet e jetës janë proces në progresin historik dhe ato nuk ndalojnë deri në realizimin e aspiratave të natyrshme të shqiptarëve për bashkim, e drejtë e natyrshme e çdo kombi kudo në botë.


Lavdi dëshmorëve!


Turp e mallkim bastardëve dhe shkelësve të gjakut të lirisë!.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Frontit Europian, Bujar Osmani, shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale të Maqedonisë, me epërsi të 40 mijë votave

Kandidati i Frontit Europian për kryetar të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka shpallur fitoren …